Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht në prokurori ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër. KLSH-ja ka konstatuar shkelje gjatë auditimit të veprimtarisë së kësaj agjencie për periudhën janar 2011-dhjetor 2012. Kokretisht, janë dërguar kallëzime penale për 6 ish-përgjegjës sektori të këtij institucioni. Ata janë identifikuar me inicialet: G.L., E.Sh., P.K., N.J., B.J., dhe F.P. dhe akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe shkelje që bien në kundërshtim me ligjin gjatë legalizimit të disa objekteve.
Sipas KLSH-së, ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër kanë shkelur ligjin me: “Moszbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për mënyrën dhe afatin e kualifikimit të dokumentacionit të dosjes së legalizimit të objektit informal, për përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje, si edhe shkaktimin e mungesës së të ardhurave në buxhetin e shtetit për fondin e kompensimit monetar për subjektet ish-pronarë, pra një dëm ekonomik në vlerën 177,832,630 lekëve.
Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin si: për 50 objekte (dosje) janë kryer procedurat e dhënies së lejes së legalizimit dhe kalimit të pronësisë (regjistrim në ZVRPP), për objekte ndërtimore të ngritura pa leje, në kundërshtim me ligjin nr. 9482, 03.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.”
KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Ndërprerje të marrëdhënieve të punës” për ish drejtorin dhe gjashtë përgjegjës dhe ish- përgjegjës sektori të ALUIZNI-t Shkodër.
Kallëzim për anëtarët e Bordit të Dhënies me Qira të Tokave Bujqësore në Zall Herr
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar po ashtu auditim në komunën Zall- Herr, Qarku i Tiranës, për veprimtarinë e komunës në periudhën Janar 2011-Dhjetor 2012.
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh, për të cilat u dërguan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për kallëzim penal H.B. me detyrë përgjegjës i zyrës juridike të komunës, si dhe anëtarët e Bordit të Dhënies me Qira të Tokave Bujqësore të Pandara në komunën Zall Herr, F.L., topograf, H.U., specialist i bujqësisë, pyjeve dhe kullotave, S.B., specialist në Drejtorinë e Bujqësisë Tiranë dhe N.K., punonjës i Këshillit të Qarkut Tiranë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. KLSH-ja ka kërkuar fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore, “largim nga detyra”, për punonjësit e mësipërm, si dhe marrjen e masave të tjera disiplinore për 14(katërmbëdhjetë) nëpunës të tjerë të Komunës. Gjithashtu, KLSH-ja i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë fillimin e procedurave ligjore për heqjen e licencës së noterit publik për noterët E.S. dhe Sh.Sh.
