Ka thënë Pëllumb Kulla….

editor

Në epokën e të kuqve, Pëllumb Kulla arriti të prodhonte humorin më fabulesk; që do të thotë” edhe për të qeshur, edhe për të qarë, edhe për të menduar, edhe për të fshikulluar. E ka unik stilin e krijimtarisë me një konstante suksesi në dy epokat. Në vitet ‘80, me gjetje brilante në libretet e tij, ai krijoi një faqe të artë të humorit myzeqar, kryesisht atij fierak, duke rivalizuar denjësisht dhe Shkodrën, gjigantin e satirës, që e ka humorin si oksigjenin që thith. Estrada ra, por jo ai, që gjithë këto vite, ka produktuar një krijimtari, asnjëherë të zbehur. Dhe kryesisht në publicistikë. Në të ardhmen, do ketë jo pak libra për të njohur e kuptuar thellë e shkoqur gjullurdinë shqiptare të tranzicionit, e rrekem të besoj se ato të Kullës, do jenë ndër më të preferuarat. Ka nxjerrë së fundi ‘Lufta pa fund’, një libër voluminoz; por këto radhë i kushtohen vetëm diçkaje të vockël të këtij libri: një fraze me pak fjalë, por që do meritonte një studim më vete. Është e thjeshtë, por trazuese. Dhe mjaft provokuese, pa dyshim. Ka përmasat e një postulati, të hijshëm por dhe të rëndë në peshë. Është nga ato thënie që ia arrijnë të ngërthejnë në vetvete gjithë ç`ka nuk mund ta thonë mijëra fjalë. Është epoka post-komuniste, zhgënjimi deri diku prej saj, misteret që e kanë shoqëruar, pse-të e sepse-të e shumta që nuk kanë të sosur ndër qasje të lloj-llojshme e analizash pa fund.

Konkludon Kulla: “Më mirë të na kish mbetur komunizmi, sesa na mbeten komunistët!

Dhe është rasti për të evidentuar disa prej shprehive më lapidare të këtyre viteve, ardhur nga emra të letrave e publicistikës:

Për paradoksin historik shqiptar: “Tehut të shpatës kemi ecur rrufe, pastaj shpata ka ecur mbi ne!” – thënë nga Xhevahir Spahiu

Për Berishën: “Një ish-komunist pa asgjë demokratike; një demokrat me gjithçka komuniste!” – thënë nga Mero Baze

Për realitetin politik e social shqiptar: “Shqipëria, vendi më i dashur i çdo maskarai; vendi më i urryer për atë që horr dot nuk bëhet!” – thënë nga Edi Rama

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *