Personazhet 2013, sipas meje

editor

Një vit i veçantë si 2013-ta ka gjithashtu edhe personazhet e tij të veçantë, ata të cilët kanë influencuar zhvillimet social-politike më shumë se të tjerët ose ata të cilët me veprimet e tyre kanë gjeneruar debate publike konstruktive. Edhe pse përzgjedhja e këtyre personazheve mund të jetë objekt debati pasi mbështetet në përzgjedhje normative, ky shkrim mundohet t’i paraqesë lexuesit dhjetë figurat më të spikatura të vitit. Këto figura janë individë, grup individësh, dhe institucione. E veçanta e këtyre figurave është se veprimtaria e tyre, direkt apo indirekt, ka lidhje me politikën. Në një vend hallemadh si Shqipëria, do të ishte absurde dhe e pamundur që të pretendohej për depolitizim të individëve, institucioneve, apo sferave jopolitike si media, kultura, arti, dhe sporti. Personazhet e spikatura të vitit 2013 të përfshira në këtë shkrim janë: Ilir Meta, Sali Berisha, Mero Baze, Afrim Krasniqi, Protestuesit e 21 Janarit, Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Pëllumb Kulla, Reshat Arbana, Saimir Pirgu, dhe lojtarët e kombëtares zvicerane me origjinë shqiptare.

Në fushën e politikës, Ilir Meta dhe Sali Berisha janë dy përsonazhet më të spikatura të vitit 2013. Ajo çka i bën të spikatura këto dy figura për 2013-ën është fakti se njëri, Meta, simbolizon politikanin triumfator kurse tjetri, Berisha, simbolizon atë dështak. Sot e kësaj dite, analistët nuk arrijnë ta shpjegojnë triumfin e Ilir Metës në zgjedhjet parlamentare 2013. Shumë analistë ia dedikojnë këtë triumf shit-blerjes së votës. Për mua kjo është absurde dhe totalisht e pabazë. Në mendimin tim, Meta triumfoi për faktin se ai ruajti origjinalitetin e tij politik ndërsa Berisha dhe Rama u futën në garë se kush do t’i ngjante më shumë Metës. Dhe dihet botërisht se malli origjinal është ngahera më i preferuar dhe i besueshëm. Futja e Berishës dhe Ramës në lojën e Metës bëri që Meta të shndërrohej në mesin e artë dhe zgjidhjen optimale për cilindo votues racional. “Përse nuk është Rama personazhi i vitit?”, mund të pyes dikush. Është e thjeshtë: Në zgjedhjet e vitit 2013, Rama ndërtoi dhe ndoqi një strategji për të mos humbur përball Berishës. Ai ia doli mbanë, por gjithsesi nuk fitoi. Historia e ka zakon të regjistrojë triumfatorët dhe dështakët. Ata në mes nuk bëjnë histori por janë thjesht produkte të saj.

Në vazhdim, Mero Baze dhe Afrim Krasniqi mund të konsiderohen si personazhe të spikatura në fushën e medias. Baze mund të konsiderohet i tillë për faktin se për vite me radhë dhe në mënyrë të vazhdueshme, ai ka treguar një kurajo dhe guxim të jashtzakonshëm për tu përballur me padrejtësitë e regjimit Berisha. Ai e bëri këtë gjë duke sakrifikuar jo vetëm asetet e tij financiare por edhe sigurinë e tij dhe të familjes. Gjithashtu Baze demonstroi një mprehtësi dhe prodhimtari të jashtzakonshme duke i ofruar lexuesit analiza unike të fenomeneve politike, gjë e cila e ktheu gazetën TemA online në destinacionin më të preferuar të lexuesve. Me pak fjalë, shkrimet e Bazes u bënë tërheqës si hashashi i Lazaratit ndërsa vet ai u bë simboli i gazetarisë profesioniste. Nga ana tjetër, Afrim Krasniqi është një analist i rregullt dhe i mprehtë i fenomeneve politike. Në ndryshim nga Baze, Krasniqi nuk është gazetar por një ish-këshilltar politik, politikan, dhe analist me kredenciale të plota në fushën e shkencave politike. Gjithashtu, ai krijoi profilin e tij si një analist i pavarur. Krasniqi u bë shumë i njohur për analizat e tij gjatë edhe pas fushatës elektorale 2013, analiza të cilat shkonin përtej gazetarisë duke përfshirë edhe përqasje shkencore. Me pak fjalë, Krasniqi vendosi standartet se si duhet të jetë një analist politik profesionist.

Për më shumë, protestuesit e 21 Janarit dhe Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve Shqiptarë janë dy personazhet kryesore të shoqërisë civile për vitin e shkuar.  Katër  protestuesit e vrarë nga forcat qeveritare, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj, dhe Aleks Nika, janë kthyer në simbole të opozitarizmit të vërtet në shqipëri. Ndonëse protesta e 21 Janarit ndodhi në vitin 2011, protestuesit që morën pjesë në të janë personazhe të spikatura të vitit 2013 për faktin se çdo debat politik gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2013 u lidh me këtë masakër. Dhe besoj se ishte kjo masakër  që diktoi zhvillimet politike të vitit të kaluar, shpërfytyrimin politik dhe dështimin historik të Sali Berishës. Në të njëjtën kohë, protestuesit e 21 Janarit vendosën standarte për shoqërinë civile dhe i dhanë jetë shpirtit të protestër kundër cdo padrejtësie.

Nga ana tjetër, Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve e drejtuar nga Avokat Altin Goxhaj mund të konsiderohet personazh i vecantë i vitit 2013 për aktivitetin dhe profilin e saj. Në një Shqipëri hallemadhe ku konsumatori zhvatet dhe vidhet haptazi, kjo shoqatë ka qënë thuajse inegzistente gjatë gjithë qeverisjes së Berishës. Paradoksalisht, nga një shoqatë letargjike gjatë pushtetit të Berishës, ajo u shndërrua befas në një shoqatë histerike sapo Rama u zgjodh kryeministër. Brenda një kohe të shkurtër, kjo shoqatë krijoi profilin e një zgjatimi të Partisë Demokratike (PD) në mesin e shoqërisë civile. Aktiviteti i saj si filial i PD-së kulmoi me protestën kundër “armëve kimike”, kur, me vetdije, për interesa të ngushta politike ajo nuk nguroi të shkatëronte interesat afatgjate dhe strategjike të shtetit shqipëtar. Parë nga ky këndvështrim, protestuesit e 21 Janarit përfaqësojnë modelin se si duhet të jetë shoqëria civile kurse Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve përfaqësonë modelin shterpë (dhe më keq) se si nuk duhet të jetë ajo.

Gjithashtu, Pëllumb Kulla dhe Reshat Arbana janë dy personazhet kryesore në fushën e kulturës. Si artistë, si Kulla dhe Arbana  e përdorën artin dhe famën e tyre në shërbim të kulturës në përgjithësi dhe asaj politike në vecanti. Kulla njihet nga lexuesi i thjeshtë edhe për analizat e tij të vazhdueshme në të përditshmen “Dita” përgjatë gjithë vitit 2013. Dikur një vartës i President Sali Berishës, sot Kulla është një ndër sulmuesit më të ashpër të tij në media. Të jetuarit jashtë Shqipërisë (në Florida) dhe me një karrier aktive thuajse të përfunduar e bëjnë rastin e Kullës të veçantë. Rrallë mund të gjenden në një artist të kombinuar profesionalizmi dhe ndenjat e forta civike ashtu sic ato gjenden tek Pëllumb Kulla. Nga ana tjetër, Arbana është një kollos i artit dhe kinematografisë shqiptare me një vullnet të fortë për të luftuar realitetin e dhimbshëm të krijuar nga klasat politike historikisht të papërgjegjshme. Arbana është i famshëm për recitimet klasike të vjershave të poetit Ali Asllani, recitime të cilat janë shndërruar në refrene te diskursit të përditshëm politik sidomos gjatë fushatave elektorale. Ashtu si në rastin e Pëllumb Kullës, rasti i Reshat Arbanës sot është një rast i rrallë kur një artist i madh përfshihet rregullisht në veprimtari civike për të përmirësuar kulturën politike shqiptare.

Saimir Pirgu është një figurë tjetër e spikatur e vitit 2013. Përtej famës botërore si tenor i shquar, Pirgu u bë personazh i veçantë për vitin 2013 kur organizoi koncertin bamirës në ndihmë të fëmijëve me sindromën doën dhe kur u përfshi në një debat politik me qeverinë Rama për shkarkimin e Zhani Cikos nga posti i drejtorit Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Së pari, Shqipëria ka shumë nevojë për aktivitete bamirësie për të lehtësuar sa të mund dhimbjet e njerëzve në nevojë dhe të minimizojë problement sociale. Bamirësia duhet të shndërrohet në një vlerë dhe kulturë. Përtej ndihmës nga shteti, individët duhet të marrin përgjegjësi mbi vete dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin sipas mundësisë dhe nevojës, dhe bamirësia është një rrugë për të arritur qëllimin. Së dyti, akti i Pirgut shërben si shembull për t’i bërë artistët më të ndjeshëm në lidhje me realitetin politik, pavarësisht pozicionimit që ata marrin. Mjafton që ata ta bëjnë atë me ndershmëri dhe mirëbesim.

Së fundi, futbollistët e ekipit kombëtar zviceran me origjinë shqiptare janë personazhet kryesore të 2013-ës të përzgjedhur në këtë shkrim. Ka tre arsye kryesore për përfshirjen e këtyre futbollistëve në listën e personazheve kryesore. Së pari, ata demonstruan se cdo shqipëtar ka kapacitetin për tu bërë dikush në jetë. Arsyeja e dytë është se (si shumë raste të tjera), fatkeqësisht, ky rast tregoi se nuk mund të bëhesh i sukseshmëm në shqipëri, dhe kjo për 1001 arsye. Më banalet janë mungesa e ushqimit dhe e kushteve të stërvitjes, duke mos përmendur këtu mungesën e shpërblimeve morale dhe materiale. Arsyeja e fundit për këtë përzgjedhje është për të treguar se fajtorët real e kësaj fatkeqësie janë politika dhe vet shoqëria, politika për faktin se ajo vjedh deri edhe kafshatën e gojës kurse shoqëria për faktin se ajo në vend që të protestojë kundër politikës së mbrapshtë, ajo proteston me pa të drejtë kundër individëve të ndershëm dhe të suksesshëm. Me pak fjalë, ky rast tregoi mbi të gjitha se si nuk duhet të jetë një shoqëri. Ndryshimet reale dhe afatgjata nuk vijnë nga politika por nga shoqëria e cila prodhon politikën. Është e lehtë të fajësosh individët, cilëtdo qafshin ata, por është jetike të kuptojmë se fajtorët real jemi të gjithë, mbarë shoqëria. Ndaj edhe zgjidhja nuk duhet të pritet nga individët por nga të gjithë. Gëzuar Vitin e Ri 2014!

Share This Article
3 Comments
  • Per LIke Meten ke harruar te permendesh qe triumfoi me nder mbi videon e bllokut duke e nxjerr montazh, ndersa per Mero Bazen ke harruar te permendesh faktin qe deri ne vitin 2005 ka qen byth lepires i Saliut dhe shefi i intrigave ne PD kunder inteelktualeve te ndershem qe deshironin te kontribuonin ne PD

  • Keta jane njerzit e shquar te vitit 2013 . Jane te argumentuar mire nga Bledari . Nuk besoj se gjendet njeri , qe ben dot vrejtje , por une kam mendimin se kerkesa eshte per nje person dhe jo per grup personash . Revista “Time ” dhe shtypi prestigjioz perendimor , rubriken e kane emeruar “Njeriu I vitit ” , ne numurin njejes .
    Me qe eshte fjala , per nje te vetem , une do vecoj Edi Ramen . Ka nje dekade , qe ben opozite nga me konstruktivet dhe me krijuset qe njifen , perpara nje pushteti korruptiv , mashtrus deri ne nivelet me te larta boterore . Sali Berishen e besonin edhe ne OKB dhe ne Komunitetin Europjan . Triblonte me Podesten , deri ne Departamentin e shtetit . Shumica besonin se Saliu ishte shpetimtar , kur faktikisht eshte personi , qe asfiksoi demokracine dhe rriti ne menyren me te frikshme varferine dhe pa barazine .
    Fasada e pushtetit berishist , kishte krijuar manipulime te pa imagjinushme, deri sa u be nje ballafaqim I turpshem ne restorant “Krokodili ” . Edi Rama nuk e humbi as durimin , as qendrushmerine edhe kur zgjedhjet u manipuluan fare hapur . Kembnguli tek hapja e kutive , qe sot duket si loje , vijoi tek revoltat , bojkotet , tek greva e urise me cadra . Ndoshta bojkoti duhet te ishte i pa nderprere , deri sa vota ishte qartesisht e manipuluar . Pa kete qendrese opozitare , bota do te njifte nje Sali shpetimtar te demokracise dhe nuk dihet sa do te ishte ne zverkun e Shqiperise .
    Natyrshem flitet per rolin e Ilir Metes dhe me te vertete nuk mohohet , por votat e Metes , besoj se nuk do te ishin keto , po qe se nuk do ishte bashkuar me kualicjonin e natyrshem ish opozitar . Gjysmen e kohes gezoi dhe nje lloj pushteti , sado skematik , qe ishte .
    Kuptohet nga reformat e Rames , nuk do te kenaqen te gjithe . Askush nuk eshte I imunizuar nga gabimet , qe ne te arthmen edhe mund te rriten , por flasim , per sa njifet publikisht . Mendoj se Rama mbetet me I shquari politikan dhe njeriu I vitit , qe u mbyll. I. Foto

  • Mire, sipas artikullshkruesit Iliri eshte njeriu i vitit qe lame pas.Kam vetem nje pyetje per te dhe gjithe komentuesit.PSE TE GJITHE ATA QE LARGOHEN NGA PD KALOJNE ME PARTINE E ILIRIT ,PRA LSI?Ka na nje qe ma sqaron kete enigme qe me mundon?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *