Epigrame…

J L

1.

Ti ke vlerë të madhe

S’të dihet, çuditesh,

Se ka ardhur koha

Varet se si shitesh.

 

Se dikush krejt kallp

Shitet për flori

Dhe ti i bekuar

Marifete s’di!…

 

2.

Po ju zunë hallet

Kujt mos i tregoni;

Po ju zunë hallet

Prisni dhe shpresoni!…

 

3.

Pesëdhjet’ vite rrova dhe mësova

Dhe mësova një nga të vërtetat:

“Gjeneral dhe mbret të jesh

Dashuria t’i heq spaletat!…”

 

4.

Gjynah njerëzia e shkrete,

Gjynah gjith’ njerëzit, të mjerët

Sa lindin e qajnë fatin vetë,

Kur vdesin i qajnë të tjerët!…

 

5.

Llafazanëve, llafazanëve

Rriju larg e mos i duaj,

Nga ata s’ke prokopi

Shosh e sit e mos gatuaj!…

 

6.

Të vunë një emër prej kafshe

Mes kafshëve i denjë për Mbret,

Dhe ti nuk e prishe imazhin

Se kafshë u ktheve në jetë!…

 

7.

Miku i vjetër, verë e vjetër

Që ti ende s’ke pirë,

Dhe një vit, e një vit tjetër

Ajo bëhet më e mirë.

 

8.

Të ranë në një faqe,

Tjetrën mos e kthe,

Po të ranë gjith’ jetës,

Bëhesh kallame!…

 

 

9.

Ka rënë dëborë në Korrik

Dhe mushka ka mbetur me barrë

Siç shihet në dashuri, mik,

Gjërat nuk janë si më parë.

 

Dhe qeni qepën ka ngrënë,

Ka ngrënë pa pasur hiç qibër,

Dhe kjo tregon se u prish,

U prish ai pak ekuilibër!…

 

Dhe mund të ndodhin plot gjëra

Që dikur u thoshin hatara,

Dhe do të ndodhin patjetër

Se Bota nuk është më e para!

 

Se Bota nuk është më e para

Ka marrë a s’ka marrë një të krisur?!…

Ose në fund ka arritur,

Ose përmirësimin ka nisur!…

 

10.

Bëre ç’bëre. Ajo iku

Vetes mos i bëj gjyq

Se dhe Krishtin, më të mirin,

E karfosën në një kryq.

 

11.

Bëre punë të mira,

Ato përjetë mbesin,

Mbesin në kujtime

Se kujtimet s’vdesin.

 

12.

Kë s’kafshove ti në jetë,

Ku t’u ngul e s’t’u shkul dhëmbi,

Ndaj kur ike nga kjo jetë

Thanë: “Shyqyr që ngordhi qëni!…”

 

13.

Kjo shprehje i ka

Parametrat fikse:

“Në zemrën që digjet

S’hyhet me zjarrfikse!…”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *