Bajroni në kulturën shqiptare

J L

Dr Dorian Koçi

 

Filozofi dhe esseisti i njohur anglez Francis Bacon  (1561-1626) në esenë e tij mbi “Udhëtimet” shkruan se udhëtimi , për moshat e reja është pjesë e edukimit, në moshat e vjetra është pjesë e eksperiencës.[1] Që prej asaj kohe udhëtimi i njohur ndryshe dhe me emrin Grand Tour ishte kthyer në një mjet e përvojë edukuese për të rinjtë e aristorkracisë angleze. Mirëpo në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it pësoi një ndryshim themelor. Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe udhëtimet në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të Perandorisë Otomane u bënë të modës.

Ky ndryshim erdhi si rezultat i arsyeve ushtarake, politike dhe kulturore.[2] Një mori udhëtarësh dhe studiuesish, herë si qytetarë të thjeshtë, herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre do përshkonin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër territoret ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur. Lord Byron si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik. Një eksperiencë tjetër shumë e rëndësishme e Grand Tour-it ishte mbajtja e rregullt e korrospodencës me miqtë në atdhe , ku atyre u përshkruhej dhe u jepeshin detaje të shumta kulturore, gjeografike, etnografike për viset që vizitonin.

Francis Bacon  në esenë e tij “Udhëtimet”që në shekullin e XVI këshillonte se  është një gjë e e çuditshme, që në lundrimet në det, ku nuk ka asgjë për t’u parë, për veç se qielli dhe deti, njerëzit duhet të shkruajnë ditarë; ndërsa gjatë udhëtimeve tokësore, ku ka aq shumë gjëra për t’u vërejtur, në shumicën e rasteve ata i anashkalojnë; sikur mundësia ishte provues për t’u regjistruar, se sa të vëzhguarit. Për këtë arsye, lejoni ditarët të futen në përdorim. Gjërat për të parë dhe vëzhguar janë: oborret e princave, sidomos kur ata japin audienca për ambasadorët; gjykatat e drejtësisë, ndërkohë që ata ulen dhe dëgjojnë shkaqet; po kështu këshilli papal; kishat dhe manastiret, me monumentet të cilat janë aty me ekzistencën e tyre; muret dhe fortifikimet e qyteteve dhe qytezat, dhe kështu qiejt dhe portet; antikitetet dhe rrënojat; bibliotekat; kolegjet, polemikat dhe leksionet, kudo që janë; transporti dhe flotat detare; shtëpitë dhe kopshtet e shtetit dhe të kënaqësisë pranë qyteteve të mëdha; armaturat; arsenalet; depot; shkëmbimet; bursat; magazinat; ushtrimet e kalërimit, skermë, trajnimi i ushtarëve, e të tjera si; komedi, duke qenë gjëja më e mundshme për t’u bërë nga njerëzit; thesaret, bizhuteritë dhe veshjet; mobilje dhe gjëra të rralla; dhe, për të përfunduar, çdo gjë që është e paharrueshme në vendet ku ata shkojnë.[3]Kjo ese shumë e njohur në Anglinë e Romantizmit, ku udhetimi i Grand Tour-it kishte marrë dhe një hov më të madh për shkak të përmirisimit të mjeteve të komunikacionit, sigurisht që duhej të ishte e njohur për Lord Byron pasi në udhëtimet e tij shikojmë një përputhje midis këshillave të Backon dhe vendeve që viziton si dhe mbajtjes së ditarit dhe korrospodencës. Kështu, kur Lord Byron  vizitoi Pashallëkun e Janinës në tetor 1809, ai filloi të mbante ditar dhe i shkroi një letër së ëmës  ku fliste për Shqipërinë.

Mahnitja romantike e anglezit 21-vjeçar në tokën e shqiptarëve , bëri që në letra e tij  të konsiderohet si një sinops i  dy kantove të para të “Child Haroldit” që do ti niste në Janinë dhe do ti  përfundonte në 1812. Në letër , ai ka shprehur magjepsjen romantike pas Pashait të Janinës, arsyet  pse erdhi në Shqipëri,si dhe  aventurat e befasitë që hasi te shqiptarët. Letra e Bajronit dërguar së ëmës nga Preveza shtë një dëshmi e ndijimeve që ai pati rreth shqiptarëve dhe që më vonë ai i hodhi mjeshtërisht në lëtër, në formën e vargjeve në poemën e tij të famshme Shtegtimet e Child Harold. Në letrën e tij dhe vargjet e poemës Child Harold ndihen gjurmët e krijimit të heroit të tij bajronian por edhe të lirisë si koncept vetjak dhe universal. Romantizmi, rryma letrare që përqafoi Bajroni,  ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerëzore,vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerëzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerëzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit. Lord Byron ishte një  dishepull i shpallur i ndryshimit dhe i së bukurës sublime. Ai krijoi nëpërmjet krijimtarisë së vet një model të veçantë krijimtarie të njohur si Bajronizëm. Bajronizmi përmbante pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat e tyre, heronjtë e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me padrejtësitë shoqërore dhe ndryshimet e shpejta sociale të ardhura si rezultat i urbanizmit të shpejtë dhe zhvillimit kaotik dhe të shfrenuar si pasojë e këtij industrializmi dhe urbanizimi. Heronjtë Bajronianë  jetonin të vetmuar në melankoli për çka kishin humbur, të delizionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por ata shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për veten po vuanin se ndesheshin e po humbinin në kotësi. Për botën shqiptare kanë një rëndësi të veçantë pasi për herë të parë fillojë të përmendet dhe të ketë jehonë  sërish pas 300 vjetësh shurllërie emri Shqipëri dhe shqiptar.

 

Letra e Bajronit dërguar së ëmës, zonjës Katerina Gordon Bajron.

 

Zonjës Katerina Gordon Bajron Prevezë, 12 nëntor 1809

 

Nëna ime e dashur, ka ca kohë që ndodhem në Turqi: ky qytet është në bregdet, por kam udhëtuar thellë në principatën e Shqipërisë për të vizituar Pashanë. Lashë Maltën në luftanijen “Spider” më 21 shtator dhe brenda tetë ditësh arrita në Prevezë. Së këtejmi kam udhëtuar nja 150 milje gjer në Tepelenë, në pallatin veror të Naltësisë së tij, ku qëndrova tri ditë. Emri i Pashait është Ali dhe e mbajnë për burrë me zotësi të rralla: është sundimtar i gjithë Ilirisë së moçme, i Epirit dhe i një pjese të Maqedonisë. I biri, Veli Pasha, për të cilin më kanë dhënë letra, qeveris Morenë dhe ka ndikim të madh në Egjipt. Me një fjalë është një nga burrat më të fuqishëm në Perandorinë Otomane. Kur arrita në Janinë, në kryeqytetin e tij, pas një udhëtimi prej tri ditësh nëpër male, të një vendi me bukurira nga më piktoresket, mora vesh se Ali Pasha gjendej me ushtrinë e tij në Iliri, ku kishte rrethuar Ibrahim Pashën në kalanë e Beratit. I kishin thënë se një anglez nga derë e madhe ndodhej në principatën e tij, dhe i kishte dhënë urdhër komandantit në Janinë të më bënte konak e të më pajiste me të gjitha të mirat gratis; dhe ndonëse më kanë lejuar t’u jap peshqeshe robërve, nuk më kanë lejuar të paguaj asgjë send për harxhet e tjera. Hipur në kuaj të vezirit, dola për shëtitje dhe pashë pallatet e tij e të nipërve; janë pallate madhështore, por të stolisura së tepërmi në ar e në mëndafshe. Pastaj kalova nëpër male përmes Zicës, një fshat me manastir ortodoks, (ku fjeta në të kthyer), në më të bukurin vend që kam pare (përveç Cintrës në Portugali). Të nëntën ditë arrita në Tepelenë. Na u zgjat shumë udhëtimi prej shirave e rrëpirave që prisnin udhën. Kurrë s’do ta harroj pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën 5 ndajnatherë kur po perëndonte dielli. Më solli në mend(me pak ndryshime të veshjes) përshkrimin që i bën Skoti kështjellës Brankseme në këngën e tij dhe sistemin feudal. Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisura me oje të arta), me jataganë e pisqollë të sërmët, tartarët me feste të gjata, turqit me qyrk të madh e turban, ushtarët togje-togje në qoshkun e madh të hapur në ballë të pallatit dhe skllevërit arapë në galeri të madhe, të gjatë me kuaj të vendosur në një qilar përposht, dyqind atllarë të shiluar dhe gati të sulen në çdo moment, kalorës duke sjellë e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e mujezinët që thërrasin izanë nga minaretë e xhamive – të gjitha këto me pamjen e jashtëzakonshme të ndërtesës vetë sajonin një skenë të re gëzimi për sytë e një të huaji. Më përcollën në një konak shumë të këndshëm dhe sekretari i vezirit erdhi të më përshëndesë, në mënyrë allaturka. Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore etj. Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomane të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij. Kam një terxhuman grek që të merrem vesh, por mjeku i Aliut, Femlario që di latinisht më shërben për këtë rast. E para pyetje që më bëri është se përse jam larguar prej atdheut në një moshë kaq të re? (Turqit s’kanë ide për udhëtimet e për qejf). Pastaj tha se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte treguar se qeshë nga derë e madhe. Më porositi t’i dërgoj nderimet e tij nënës sime, dhe ja tek po t’i dërgoj në emër të Ali Pashës. Më tha se qe i bindur se isha prej oxhaku se kisha veshë të vegjël, flokë kaçurrela dhe duar të vogla të bardha, dhe u duk shumë- shumë i kënaqur nga pamja dhe paraqitja ime. Më tha ta kisha si baba sa të qëndroja në Turqi dhe se ai më quante si birin e tij. Dhe me të vërtetë më trajtoi si një foshnjë, më dërgonte bajame e sherbet, pemë e ëmbëlsira nga njëzet herë në ditë. M’u lut ta vizitoja dendur edhe natën kur kishte nge. Pastaj si pimë kafe e duhan u tërhoqa nga vizita e parë. E pashë edhe tri herë të tjera. Është për t’u çuditur se si turqit që s’kanë tituj trashëgimi dhe ka vetëm pak familje të mëdha përveç sulltanit, i japin kaq shumë rëndësi fisit. Sepse pashë që më nderonte më shumë për fisin se për titullin tim… Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Por karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë sa e quajnë Bonoparti muhamedan. Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell, etj. Bonoparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij. Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë as për origjinalin. Idetë e tij për të kuptuar fisin e njeriut prej veshëve, duarve e të tjera, të çudisin mjaft. Mua me të vërtetë m’u bë baba, më ormisi me letra, më dha njerëz të më ruajnë dhe çdo lehtësirë. Bisedimet e tjera midis nesh qenë lufta dhe udhëtimet, politika dhe Anglia. Thirri ushtarin shqiptar që më shoqëronte dhe i tha të më mbronte me çdo kusht. Quhet Vasil dhe si gjithë shqiptarët është trim, kryekëput i ndershëm e besnik. Po ata janë mizorë, ndonëse jo të pabesë, dhe kanë shumë mangësi, por asnjë poshtërsi. Ndoshta janë raca më e bukur në botë nga tiparet dhe gratë e tyre dendur janë të bukura, por i kanë në vend të skllaveve. I rrahin, me një fjalë i përdorin si kafshë samari. Ato lërojnë e çajnë tokën, ato mbjellin. I kam parë të ngarkuara me dru dhe tek ndreqin rrugët e prishura. Burrat janë të gjithë ushtarë dhe lufta e gjahu janë zanati i vetëm. Gratë merren me punë, por kjo nuk duhet t’i lodhë shumë në një klimë aq të këndshme. Dje, më 11 nëntor, bëra banjo në det. Sot është kaq nxehtë sa po të shkruaj në odë me hije, në shtëpi të konsullit anglez, me tri dyer të hapura fare, pa zjarr. As zjarrishte s’ka në odë, veç për të gatuar. Nesër nisem me një rojë pesëdhjetë trimash për në Patrë të Moresë dhe pastaj për në Athinë, ku do të kaloj dimrin. Dy ditë më parë desh u mbyta në një luftanije turke, nga budallallëku i kapedanit, ndonëse shtrëngata s’qe dhe aq e rreptë.. Kapedani ia dha të qarit dhe u ul në gjunjë dhe na tha t’i faleshim perëndisë, velat u grisën, katarti dridhej, era frynte, po afrohej nata, dhe s’na mbetej t’ia mbanim për në Korfuz që është në dorë të francezëve ose të fundoseshim siç tha Fleçeri në mënyrë patetike: në “varr prej uji”. Unë bëra çmos ta ngushëlloja, por duket se s’ja mbushja dot kokën, u mbështolla me brucën shqiptare (një shark i madh) dhe u shtriva shesh për të pritur mynxyrën. Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, ankimi s’kish dobi. Për fat të mirë era rreshti dhe vetëm na ngau drejt bregdetit të Sulit, ku dolëm në sterë. Me ndihmën e vendasve vazhduam udhën për në Prevezë. Kështu, këtej e tutje nuk do t’u zë besë naftëve turq, megjithëse Pashai pati udhëzuar galeotë të tij të më shpinin në Patra. Prandaj do të shkoj në Misolongji nga stereja dhe do të kapërcej vetëm një gji deti të vogël në Patra. E sa e sa ngjarje mund të të tregoja që do të të zbavisnin, por më grumbullohen në tru dhe as jam i zoti t’i radhit në kokë, as t’i shkruaj dot në kartë, veçse në mënyrë të menjëhershme. I dua shumë shqiptarët. Nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishterë. Porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre. Përbëjnë trupat më të mirë të ushtrisë turke. Në udhë e sipër banova një herë dy ditë rresht, dhe prapë tri ditë në një barakë në Sallahorë dhe s’kam parë ushtarë kaq të lirë në paragjykimet fetare, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gjibraltarit e të Maltës dhe kam pare plot ushtarë spanjollë, francezë, siçilianë dhe anglezë. Kurrë nuk më humbi gjë dhe më ftonin gjithmonë të shtrohesha në sofrën e tyre. S’kam një javë që një kryeplak shqiptar (çdo fshat ka kryeplakun e tij), pasi na ndihmoi të dilnim prej luftanijes turke në rrezik, si na ushqeu e na mbajti në shtëpi, mua dhe ata që na shoqëronin: Fleçerin, një grek dhe dy athinjotë, një prift grek dhe shokun tim Mr. Holbhousin, në asnjë mënyrë s’deshi ta pranonte shpërblimin tim, por vetëm kërkoi një shkresë që më priti mirë dhe kur ju luta të pranonte pak zekina mu përgjigj: “Dua të më duash, jo të më paguash”. Këto qenë fjalët e tija. Çudi se sa pak shkon paraja në këtë vend. Kur u ndodha në kryeqytet, me urdhër të vezirit nuk më lanë të paguaj asgjë. Ndonëse gjithnjë pata gjashtëmbëdhjetë kuaj dhe gjashtë-shtatë veta pas, harxhet s’kanë qenë as gjysma e atyre të tri javëve në Maltë, sidoqë Sir A. Balli, guvernatori, më dha një shtëpi pa qira dhe pata vetëm një shërbëtor. Biri yt i dashur Bajron

P.S. Kam disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea. U njoha me Hysen Beun dhe Mahmud Pashën, të dy djem të vegjël, nipër të Ali Pashës në Janinë. Janë krejt ndryshe nga çunakët tanë, kanë fytyrë të kuqe si vejushat e lyera me të kuqe, kanë sy të zes, të mëdhenj dhe tipare fare të rregullt. Janë krijesat më të bukura që më ka zënë syri dhe të rrahur e të stërvitur që tani me ceremonira të Oborrit. Përshëndetja turke është një përkulje e lehtë e kryes, me dorën e djathtë në zemër, të afërmit puthen sa here piqen. Mahmudi është dhjetë vjeç dhe shpreson të më shohë prapë, u bëmë miq pa kuptuar njëri-tjetrin, si gjithë bota ndonëse për shkaqe të ndryshme. Më kanë dhënë një letër për të atin në More, për të cilin kam letër dhe prej Ali Pashës.[4]

 

 Miti shqiptar rreth  Bajronit.

 

Vepra e Bajronit dhe në veçanti “Child Harold”-i  do të vinte te shqiptarët jo në gjallje të poetit , por në vitet kur ata do të përpiqeshin të realizonin zgjimin e tyre nacionalist. Bajroni është një nga udhëtarët më të hershëm angleze që vizituan Shqipërinë. Pas botimit të veprave të Bajronit numri i udhëtarëve, me apo pa misione të caktuara, si dhe i autorëve që shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët u shtua shumë,veçanërisht ai i udhëtarëve anglezë.[5]Ky aspekt i njohjes së veprës së Bajronit do të kushtëzonte dhe studimin dhe propagandimin e veprës së tij, e cila do t’u prezantohej shqiptarëve nga mesi i shekullit të XIX. Më tepër sesa një kënaqësi estetike, ajo do të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre.

Njohja e Bajronit në Shqipëri kaloi disa etapa. Në fillim ai u popullarizua tek Arbëreshët e Italisë, të cilët përmendin dendur emrin e Bajronit. Pastaj nga gjysma e shekullit të XIX Bajroni hyri dhe në Shqipëri. Faza e tretë mund të quajmë fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX, kur Bajroni vërshon në Shqipëri me tërë vrullin e vlerave të veta si mik i shqiptarëve dhe i lirisë, si poet e luftëtar hero”[6] Si fazë të katërt mund të quajmë mesin e viteve 50 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona kur përkthimet profesionale të veprës së tij dhe studimet e mirëfillta shkencore marrin jetë.

Secila nga këto etapa të njohjes së veprës së Bajronit në Shqipëri ka karakteristikat e veta. Kështu në periudhën e parë, atë të popullarizimit të Bajronit tek Arbëreshët e Italisë, mbizotërojnë influencat estetike të veprës së poetit. Është i njohur afiniteti i De Radës për Bajronin, të cilin ai e vlerësonte së tepërmi.[7]Ai e shkroi poemën e vet “Odise’ me subjekt nga jeta arbëreshe, trajtuar sipas “Korsarit” të Bajronit.[8] Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi,i cili do të përkthente  Këngën e parë të poemës “Child Harold” të Bajronit në shqip më 1843.[9]

Edhe periudha e dytë vazhdon të përmbajë këtë karakteristikë, ndonëse në të fillon të mbizotërojë aspekti ilustrues i veprës së Bajronit për të nxjerrë në pah cilësitë dhe virtytet e shqiptarëve. Është shumë i rëndësishëm të nënvizohet ky fakt, pasi në një farë mënyre formon dhe tendencën e  studimeve bajroniane në mendimin intelektual shqiptar të mëvonshëm. Kështu p.sh shkrimtarja e mirënjohur shqiptare Elena Gjika, në një nga letrat e saj përmend mënyrën e tepër të veçantë që flet Bajroni tek “Child Haroldi” për Shqipërinë dhe popullin trim që banon aty.[10]Në të njëjtën sintoni do të jetë dhe studiuesi, linguisti Anastas Kullurioti nga mërgata e Arvanitasve të Greqisë kur do të shkruajë më 1884 se Bajroni flet me admirim për gjykimin e matur të shqiptarëve, për guximin dhe trimërinë si dhe për punët e mëdha që kanë bërë.[11]

Periudha e tretë e cila përkon dhe me periudhën më kulmante të zgjimit nacionalist shqiptar dhe formimit të shtetit shqiptar do të zyrtarizojë pak a shumë këtë tendencë. Është koha kur krijohet miti shqiptar i Bajronit. Ashtu si të gjitha mitet krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të rritjes së ndërgjegjes shtetformuese tek shqiptarët. “Vargjet e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”.[12] Ndaj në dallim nga veprat e tjera të shkrimtarëve romantikë bashkëkohorë vepra e Bajronit pati një impakt më të madh në mendimin intelektual shqiptar. Së bashku me rritjen e ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, do të krijohej pak nga pak kulti i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar.

Të kësaj periudhe janë shkrimet e eruditit shqiptar Faik Konicës, apo të “enciklopedisë ambulante” si e kish thirrur poeti frëng Apolioner-i në faqet e gazetës së tij “Albania”. Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897 ai boton në frëngjisht  “Le voyage de Lord Byron en Albanie” . Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli”më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë[13].

Vitet 20’ përkojnë me përpjekjet e shqiptarëve për të stabilizuar pavarësinë dhe për të rikonfirmuar shtetin e tyre. Në këtë sens bajronistët shqiptarë do ta rimarrin nga epoka e mëparshme mitin e Bajronit dhe nëpërmjet studimeve më profesionale dhe të hollësishme do kontribuojnë jo vetëm në propagandimin dhe studimin e veprës së poetit të madh por dhe në farkëtimin e mitit të tij. Kësaj tendence nuk do t’i shmangej as Zef Harapi, bajronisti i parë i mirëfilltë shqiptar, i cili do të shkruante se do të dëshironte të realizonte përkthimin e veprës jo vetëm për ti shtuar diçka literaturës sonë “por pse kemi në atë vepër vjersha qi flasin dhe lëvdojnë karakterin e shqyptarit të sot njëqind vjetve”[14]

Konferenca e parë studimore për Bajronin organizohet nga studiuesi i njohur Stavro Skëndi më 1936. Dy vjet më vonë më 1938, ai boton në revistën serioze të kohës “Përpjekja Shqiptare” studimin e parë të plotë shqiptar rreth veprës dhe jetës së Bajronit. Intelektuali i shquar shqiptar Stavro Skëndi, mund të konsiderohet si “Bajronisti i parë i përplotësuar shqiptar”.[15]

Periudha e katërt i përket viteve 50 të shekullit të kaluar ku spikatin përkthimet e veprave të Bajronit , artikuj studimorë si dhe monografia e parë kushtuar poetit. Kjo mund të konsiderohet periudha më e arrirë e studimeve bajroniste në Shqipëri pasi për herë të parë nuk kemi më artikuj të thjeshtë por vepra të mirëfillta shkencore rreth Bajronit dhe veprës së tij.

Përkthimi i parë i plotë i ‘Child Harold” do të realizohet nga Profesor Skënder Luarasi i cili fillimisht me përkthimin e letrës së Bajronit më 1955, të botuar në “Nëntori” dhe një vit më vonë me botimin e përkthimit të “Child Haroldit”-it më 1956, do të rikthejë në mënyrën më elegante dhe profesionale Bajronin në tokën ku ai gjeti frymëzim.

Impakti dhe influenca e Bajronit nuk do të kufizohej vetëm në Shqipëri por do të ishte i madh dhe në popullatën shqiptare në Kosovë. Aty vepra e Bajronit do të gjente talentin dhe përkushtimin e Dr Abdullah Karjagdiut, i cili përmes disa shkrimeve të botuara në gazetën ‘Bota e Re” në harkun kohor 1976-1978, do të përshkruante ndoshta portretin më të plotë të jetës dhe veprës së Bajronit në hapësirat shqiptare. Disa nga artikujt e tij më të rëndësishëm mund të përmendim “Bajronizmi në poezinë arbëreshe”, “Bajroni dhe Shqiptarët”, “Mbi shqiptarët e Bajronit”, “Legjenda e Bajronit” dhe fejtonin “Tragjedia e Gjenive” më 1982 në faqet e “Rilindjes” së  Prishtinës.

Në vitin 1987, i cili do të shënojë një vit të rëndësishëm për studimet bajroniane në Shqipëri botohet monografia e parë për Bajronin nga Prof. Dr Afrim Karagjozi. Libri ishte fryt i një pune të gjatë kërkimore dhe pasioni të pashtershëm. Do të ishte ky pasion që do të bënte të mundur që menjëherë pas lejimit të krijimit të shoqatave kulturore në 1991, një nga të parat shoqata që do të themeloheshin do të ishte  Shoqata Shqiptare e Bajronit. Kjo shoqatë do të kthehej në një promotor të të gjithave aktiviteteve rreth figurës së poetit të madh si dhe studimeve të kontaktit të tij me shqiptarët.

Ripërkthimi i Child Haroldit nga Napolon Tasi si dhe përkthimi i “Gjaurit”, për herë të parë në shqip si dhe një përmbledhje me vjersha të zgjedhura të Bajronit tregon se vepra e poetit vazhdon të intrigojë intelektualët dhe lexuesit shqiptarë. Miti i Bajronit i krijuar diku aty rreth fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX vazhdon të jetë i freskët dhe të vazhdojë të lëshojë sytha.

 

 

 

 

 

Bibliografi

           Libra:

1-      Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002

2-      Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and Neë York:1990

3-      Jup Kastrati” Jeronim De Rada”( Jeta dhe vepra), Tiranë,1979

 

Internet:

1-      Essays of Francis Bacon, Of Travelling në: http://www.authorama.com/essays-of-francis-bacon-19.html

 

[1] Essays of Francis Bacon, Of Travelling në: http://www.authorama.com/essays-of-francis-bacon-19.html

[2] Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and Neë York:1990,faqe 1

[3] Essays of Francis Bacon, Of Travelling në: http://www.authorama.com/essays-of-francis-bacon-19.html

[4] Përkthyer nga Skënder Luarasi. Citohet sipas librit të Profesor Afrim Karagjozit “ Miti Shqiptar për Bajronin”

[5] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 23

[6] Po aty, faqe 14

[7] Jup Kastrati” Jeronim De Rada”( Jeta dhe vepra), Tiranë,1979,faqe 25

[8] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 19

[9] Po aty, faqe 15

[10] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 16

[11] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 17

[12]  Po aty, faqe 13

[13]  Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 34,36

[14]  Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 47

[15] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 53

 

Share This Article
3 Comments
  • Jo vetem eshte e demshme,por eshte nje genjeshter e madhe shprehja:Mergata e Arberesheve te Greqise.
    Ne fakt jane populli me i vjeter qe popullon sot Greqine.
    Keta jane vendasit.
    Mergate me te drejte mund te quhen Pondet,Izmirasit,Fanariotet etj,qe i solli Turqia me shkembimin e popullsive ne 1923.
    Ja ku e ke Bajronin.Nga Preveza ne Janine,ne Patra,ne Misollongj ndeshi vetem Shqiptare.
    Nuk jane muhamedane,jane te krishtere.SShoqeruesin e quajne Vasil.Permend vetem nje perkthyes grek qe e kishte marre me vete nga Malta.

  • Ndër përkthyesit e Bajronit autori ka harruar për fat të keq Dhori Qiriazin. Ka përkthime të mrekullueshme të disa poemave dhe poezive të Bajronit. “Gjauri” dhe “I burgosuri i Shillonit” janë botuar mos gaboj në vitin 1996. Pastaj ka një botim në 2007 ku është shtuar edhe “Nusja e Abidos”.

    • Une e kam lexuar Bajronin qe kur kam qene ne shkolle te mesme ,
      por atehere e kam lexuar ne shqip, dhe i mesoja permenc ate pjesen e “Kengeve te Lamtumires” se Bajronit , sepse na i kerkonte Presore Zhani qe ishte e shkelqyer si Presore Letersie ne Shkollen e Mesme Industriale ne Vlore,
      Mbaj mend disa nga ato strofa por nuk ua mbaj mend radhen,
      megjtihate po i them ketu se jane te bukura dhe po ve ne prove edhe kujtesen time.

      Dhe ja si vijojne:

      1.
      Oh lamtumire Atdheu im,
      po zhdukesh dalengadale.
      Gjemon stuhia me terbim
      cacri gerthet mbi vale. ( nuk e di ca zogu eshte ky “cacri” qe i thote perkethyesi jone

      2.
      …Ti pazh i vogel pa mu qas,
      perse po qan e po vajton.
      A mos te tremb deti me tallaz
      a shqota te tmerron?

      3.
      Jo imozt , kam lene gruan me femije
      ….ndaj jam i mbushur ne lot ( ?)
      E dij e dij
      Po te isha vete zemer-dlire
      nuk do ti mbaja dot

      4.
      Kush u beson psheretimave te femres
      kur me lot i mbushen syte.
      Ja fshin lotet qepallave,
      ndonje dashnor i dyte

      5
      Do ta angullije im qen
      dersa te gjej nje tjeter zot.
      Ne u kthefsha,
      do te me shqyeje…

      6.
      Ne Bote ngela fill i mjere ,
      ne detin pa kufi.
      Perse te qaj pra per te tjere,
      per mua s’qau njeri,

      7.
      ….Pra merme o lunder dhe vrapo,
      ne detin plot bucim.
      dhe shpjerme ne cdo vend qe do,
      vec jo ne vendin tim..

      2 strofat e fundit jane shume te bukura, sepse shprehin mentalitetin e cdo emigranti, pjese e te cileve jemi edhe ne emigrantet
      Dhe perkethyesi e ka perkethyer shume bukur, strofen e 6 pothuaj keshtu eshte edhe ne anglisht ,
      por strofen e 7 i ka rene me shkurt , megjithse i ka dale bukur ne Shqip,
      por ne anglisht eshte ndryshe dhe eshte shume e bukur
      Ja si eshte ne anglisht ( eshte ne anglisht te vjeter)

      Welcome, welcome, ye dark blue waves !
      And when you fail my sight,
      Welcome ye deserts, and ye caves !
      My native Land-Good niight !

      Ne shqip shkon keshtu:

      Miresevini, miresevini ju vale blu te erreta ,
      Dhe kur ju humbni nga syte e mij
      Miresevini ju shkreteria, ju shpella .
      Ju dheu im i lindjes -Naten e mire.

      Une e kam lexuar edhe ne anglisht kete Poemen e Child Haroldit, copa copa, , jo te gjithe sepse kjo eshte si nje histori dhe shume e gjate

      Por une mendoj se studjuesit shqiptar duhet te lexojne nje Permbledhje te poemave te Bajronnit ,
      qe eshte botuar nga Shtepia Botuese -Penguine Classics,
      ku jane zgjedhur Poemat me te mira te Bajronit , dhe titulli i librit eshte ” Selected Poems” –Une kete liber kam lexuar
      dhe aty jepet edhe njefare analize e studjuesve per Poemen Child Harold,
      ku flitet shume per Shqiptaret, sipas shenimeve te Bajronit
      qe ky ketu ne artikull nuk i paraqet

      Dhe ja ca kam lexuar une pper Shqiptaret aty:

      Bajroni vertet konsiderohet si nje filohelen, dhe ishte filohelen,
      sepse ai thuhet qe zemren kerkoi ti varosej ne Misolongj, dhe trupi ne Angli

      Mirepo po ta lexosh Bajronin, ai ben disa krahasime qe duken si krahasime raciste midis Shqiptareve dhe Grekeve
      Aty Bajroni thote, qe “meshkujt shqiptare kane fytyra shume te hijeshme , dhe femrat shqiptare jane shume mte te bukura se femrat greke”.-Kete e shpreh hapur fare , keshtu sic e thashe une.
      Pastaj thote “femrat Shqiptare kane edhe shume shije ne te veshur, shume here me bukur se femrat greke”

      E thote ate qe veshjet Shqiptare jane me madheshtoret ne bote, sic e thote dhe shkrimi .
      Po ashtu Bajroni thote se “meshkujt Shqiptare i mbajn floket kacuerala te gjata nga mbas , mbi supe , dhe peprara ballit floket i kane si te ruajtura
      dhe me kujtojne Spartanet e lashte ”

      Ne lidhje me fene, Bajroni tregon” kisha dy shoqerues , njeri quhej Hasan, dhe tjetri Vasil. Ky Hasani ishte bjond.
      Kur i pyesje per fene , kuptohej qe ata nuk ishin aspak besimtare, sepse Hasani qeshte dhe tallej me fene e tij, ndersa Vasili thoshte qe feja jone eshte e mire, por prifterinjte tane jane te ligj”

      Pastaj bajroni vazhdonte e thoshte qe ” Shqiptaret kur ecin, ecin ne menyre teatrale, duke u tundur pakza por eshte kenaqsi ti shikosh kur ecin shqiptaret”, thote Byroni.

      Kjo qe thoshte per ecjen tone, Bajroni me kutjon mua se kete lloj ecje e bejne vlonjatet ne Vlore.
      Dhe shqiptaret ne ate kohe kishin edhe nje zakon tjeter , sic thote Bayroni ” qe kur Shqiptari futej ne Han e mbante kapoten hedhur ne njerin sup dhe ne pjesen tjeter e linte te varur poshte ,
      por ne te njejtne kohe leshonte edhe brezin e mezit deri poshte ne toke. ne menyre qe nqs dikush e shkelte , direkt shqiptari i kerkonte duel ”
      Dmth ishin tipa sherrxhinj Shqiptaret

      Pastaj thoshte se ” Shqiptari ecte shume krenar kudo ku shkonte, ndersa greku ecte i perulur”

      Dhe ketu Bajroni jep edhe nje percaktim per Shqiptaret, greket dhe turqit
      Bajroni thote keto fjale : ” Nuk kam pare ne Bote, popull qe te urrehet kaq shume , sac e urren Turku dhe Greku, Shqiptarin”

      Pra qe atehere , sipas Bajronit , greket dhe turqit na urrenin neve ne menyre te jashtezakoneshme,saqe i kishte bere shume pershtypje dhe Bajronit

      Byroni jep nje moment ne More ku ishin mblledhur rreth 20 mij Shqiptare arvanitas , te gjithe me trupa shume te bukur , sic i pershkruan Bajron
      Dhe Bajron thote se po ti quaje greke, ata do qeshnin me te madhe duke bere humor , dhe pastaj shton qe ata e quanin veten Arnaut , jo greke.

      Por gjeja me interesante qe kam gjetur une tek pershkrimet qe Bjaroni ju ben Shqitpareve ,
      eshte se Bajroni prodhon nje bisede qe ai kishte me Edward Gibbon,
      qe atehere ishte Ambasador i Frances ne Athine.
      Por qe Gibbon ne te njejtjen kohe ,mbahet si historian, sepse kishte bere nje liber historik me titull “Renia e Perandorise Romake”
      Kete liber kritika boterore e ka ngritur ne qiell,per mjeshterine historike qe Gibbon ka treguar.

      Dhe ky Gibbon qe sic thote Pellumb Xhufi ishte tip anti-shqiptari,
      ne fakt ky ka thene dicka te jashtezakoneshme ne lidhje me Aleksandrin e Madh dhe pro Shqiptareve.

      Bayroni thote, se po bisedonim me Gibbon dhe me Ambasadoore te tjere ne Athine per Skednerbeun dhe origjinen e tij
      Aty Gibbon i thote shprehimisht keshtu ” Skednerebu ishte Shqiptar, ashtu sic ishte shqiptar edhe Piro i Epirit dhe Aleksandri i madh”

      Une kete mendim te Gibbon e kam lexuar para nja 10 vjetesh , dhe ua kam thene grekeve ne debate me ta, dhe nuk dinin ca thonin,
      sepse e gjeten librin dhe e vertetuan qe ishte e vertete ajo qe thoshte Gibbon, se Aleksandri i madh dhe Piro jane Shqiptare

      Pra , sikur edhe per kete fakt duhet qe librin Selcted Poems te Byron , studjuesit tane duhet ta kene ne biblotekat e tyre.

      Po ashtu ne kete liber , Bayroni ka vendosur nje Vjershee te gjate te nje kenge qe lendonin Shqiptaret e Mores
      E ka vendosur ne shqip, me gemra latine , sic e ka menduar ai dhe perbri ka vendosur perkethimin per cdo strofe
      Eshte poezia e nje kenge dashurie, ku vajza Arberore quhej Kaliro, dhe puthej me nje trim Arberor

      Ketu ku flitet per Shqiperine , Bajroni thote se ” Ali pasha ishte shume mizor”
      Mirepo, studjuesi Amerikan qe ka bere analizen e kesaj poeme aty thote se ” Ali psha , ky njeri i jashtezakonshem, ( ne kuptimin njeri i madh ne cdo aspekt), eshte portretizuar gabimisht nga francezi Pukevil dhe kjo ka ndikuar tek Bajroni.
      Dhe kutphet simpatia qe ka per Aliun studjuesi Amerikan , i cili nuk e pranon qe ALiu eshte mizor -Por Aliu ishte mizor.

      Me tutje Bajron jep nje percaktim pervelues per Greket , percaktim komplet fyes.
      Porse thote se sipas bisedave te diplomateve te huaj ne Athine, te gjithe pa perjashtim , q e nga ruset, francezet, britaniket , italianet, thuhej se ” greket nuk e meritojne ti clirosh nga turku, sepse ata nuk luftojne fare fare , kane te meta ne pamje fizike”lol
      dhe “jane shume mosmirenjohes edhe kur i ndihmon”
      Dhe te gjithe thoshin se “greket nuk kane per te fituar ndonjehere Pavarsine , por ata mund te jene te neneshtruar gjithmone”
      Dhe keto mendime i thoshin diplomatet franceze dhe Britanike , te gjithe pa perjashtim kishin kete mendim

      Dhe pastaj Bajroni thote fjale per fjale tipin e grekeve se ata mundohen te justidikojne te metat e tyre dhe te mbrojne veten me cdo menyre
      ndaj thote :
      “Jeta e nje greku eshte nje Lufte kunder te Vertetes”
      ( Greek’s life is a struggle against truth)

      Me kete percaktim Bajroni i ka diskretituar totalisht greket,
      sepse ka thene tamam vetine kryesore qe kane greket historikisht

      Se pastaj vazhdon e thote qe ” greket jane shume te ligj, ata nuk jane te mesuar me miresine, jane shume dyshues ne cdo gje”
      Dhe pastaj thote per greket ” greket jane si puan e atij qenit qe ti e perkedhel dhe ai te kafshon”

      Une nuk kam lexuar ndonjehere ndonje autor qe ti portretizoje greket ne menyre kaq te ulet, por qe ata ashtu kane qene atehere

      Ndersa Shqitparet Bajroni i ka ngritur ne qielll edhe ne aspektin racor .
      Bajron duhet quajtur Filo-shqiptar me mire sesa filo-helen

      Une mendoj se ai eshte studjuar perciptas nga studjuesit tane, ndaj them qe eshte mire ta bjlene kete liber te poemave te Bajronit ,

      Ketu flitet edhe per poemen Gjauri , ku flitet per Frosinen dhe ato te tjerat qe i vrau Aliu
      Ketu eshte edhe nje strofe shume fuqishme qe esht keshtu:

      The cold in clime, are cold in blood,
      Their Love, can scarce deserve the name ,
      But mine was like the lava flood,
      That boil’s in Etna’s breast of flame

      Ne shqip shkon keshtu:
      I telindurit ne klim te ftohte , kan gjak te ftohte,
      Dashni e tyre , s’e meriton ate emer,
      Por imja , eshte si shperthim i Llaves,
      Qe zjen ne gjoksin e vullkanit Etna

      Me nje fjale Bajroni eshte nje poet i shkelqyer i Romanticizmit ne Poezi dhe mbahet si me i miri i kesaj ryme nga Perendimi,
      sepse Lindja mban si me te mire Pushkinin, i cili edhe ky eshte i shkelqyer , se e kam lexuar nga perkethimi brilant i Lasgush Poradecit te Poemes “Eugen Onegin”
      Jane te dy shume te talentuar ,dhe per mua jane te dy njelloj ..

      Megjithate meqe po flasim per Bayronin , une kam gjetur nje poezi te tij me titull ” Muzgu ” -Twilight , qe ishte ne nje liber rusisht-anglisht . Eshte shume poezi e bukur , poezi dashurie,
      dhe e kam perkethyer ne Ship ne menyre poetike.

      E kam perkethyer jo duke pasur parasysh qe te ruaja Metriken e vargut te Bajronit,
      por duke ecur me rimen e ndjenjes sime.

      Kjo poezi nuk ekziston e perkethyer ne letersine Shqipe

      Ne anglisht : ” Twilight” – Lord Bayron

      It is the hour when from the boughs
      The nightingale’s high note is heard;
      It is the hour — when lover’s vows
      Seem sweet in every whisperd word;

      And gentle winds and waters near,
      Make music to the lonely ear.

      Each flower the dews have lightly wet,
      And in the sky the stars are met,
      And on the wave is deeper blue,
      And on the leaf a browner hue,

      And in the Heaven that clear obscure
      So softly dark, and darkly pure,
      That follows the decline of day
      As twilight melts beneath the moon away……..

      Ne shqip perkethimi im eshte si vijon:

      Esht’ ora kur nga deget e pemeve,
      degjohet e bilbilit e embela muzik.
      Esht’ ora kur lutjet e te dashures,
      duken te embela ne cdo fjale qe peshperit.

      Dhe era e lehte dhe ujerat pran’ kaluar,
      bejne muziken per veshet e vetmuar,

      Cdo lule vesa lehtas e ka prekur,
      edhe ne qiell , yjet jane djegur.
      Dhe vala eshte bere me teper blu,
      dhe gjethja me e erret eshte bere po ashtu,

      Dhe ne kete qiell, qe kete erresire e mbart.
      Kaq embelsisht e erret, dhe eresisht e qarte,

      E cila renien e dites ndjek,
      Nderkohe qe Muzgu Henen tutje po e prek…..

      Hajde shendet dhe do Zoti ndryshon Pushteti me zgjedhjet e dates 25 ,
      sepse duhet patjeter ndryshimi . Ndryshimi sjell gjithmone progres ,
      Sa me shpesh te ndryshoje Qeveria,
      aq me mire eshte per ekonomine e njeriut te thjeshte .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *