Tomorr Kotorri, shërbestari i vetëm i “Mekës shqiptare” në Frashër

Ornela

Zylyftar HOXHA

Me zgjedhjen kryetar i Komunës së Frashërit në vitin 2003, Tomorr Kotorri, një i ri i pasionit dhe aksionit në atë kohë, por edhe sot, vendali, nga Kreshova e Përmetit, objektivin e parë që i vuri vetes ishte që të ruante famën dhe shkëlqimin e Frashërit dhe ta bënte atë një “Mekë të kulturës shqiptare”. Në këtë strategji ai kishte gjetur edhe rrugët, një ndër të cilat ishte promovimi i figurave më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, Vëllezërve Frashëri.

Bashkë me poetin Xhevahir Spahiu iu vunë punës duke organizuar në shtëpinë e Vëllezërve Frashëri në Frashër aktivitete cilësore shkencore dhe kulturore të përvitshme.

Pas një pune 10-vjeçare u pa e nevojshme një formë tjetër organizimi më efektive, më racionale, që ishte krijimi i shoqatës atdhetare mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”.

“Qiri i ndezur”

Shoqata u themelua më 8 prill 2013. Natyrisht drejtimin e saj e mori ai që kishte punuar aq shumë deri tani, Tomorr Kotorri, për të vazhduar projektin madhor të nisur më herët, që në vitin 2003. Kryetar bordi u zgjodh poeti Lumo Kolleshi, ndërsa ngarkesën shkencore e mbajti historiani Kastriot Bezati.

Ka 19 vjet që shoqata, nën drejtimin e shërbestarit besnik dhe të palodhur, Tomorr Kotorri, është kthyer në një “qiri të ndezuar”, që përpiqet të bëjë dritë mbi emrin dhe veprën e “Vëllezërve Frashëri”, mbi djepin e gjuhës së kulluar shqipe, duke organizuar aktivitete të përvitshme më çdo 25 maj, si sesione e konferenca shkencore, fotoekspozita, vizita të organizuara në Shtëpinë Muze të Vëllezërve Frashëri dhe Teqenë e Frashërit, qendër e  e kulturës rilindase dhe strehë e çetave  luftëtare të Lirisë dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

I vetëm, por jo vetëm…

Duhet thënë që në fillim se përpjekjet e Tomorrit, në këtë indiferencë dhe tymnajë të kohës, për të mbajtur gjallë kujtimin, jetën dhe veprën e Vëllezërve Frashëri kanë qenë të jashtëzakonshme.

Nuk është lehtë, që, pa mjete financiare, vetëm me ideal e vullnetarizëm, të organizosh veprimtari kombëtare, siç organizon Tomorri çdo vit në Përmet dhe në Frashër, të mbledhësh akademikë, studiues, pasionantë të letërsisë dhe artit për të sjellë gjëra të reja, fakte e dokumente të panjohur për veprimtarinë e Vëllezërve Frashëri, por edhe për figura të tjera të shquara të Rilindjes Kombëtare.

Ja, pas një muaji, më 25 maj, ai ka veprimtarinë e radhës në Përmet të titulluar “Vëllezërit Frashëri dhe Lasgush Poradeci ”. Që tani ka marrë “torbën në krah” për të gjetur ndonjë lek, ndonjë njeri që të “vërë dorën në zemër” dhe ta ndihmojë, ta nderojë. Por, fatkeqësisht, ata janë të rrallë e të pakët. Pasi i tillë, dyshues e mosbesues, është mentalteti i biznesit te ne. Megjithatë, si gjithmonë, edhe këtë herë, më shumë me zemër se sa me lekë, ai do t’ia dalë dhe do të bëjë një gjë të bukur për t’u mbajtur mend siç e ka bërë gjithmonë.

Shpirti i shoqatës, kosovarët

Duke shfletuar kronikën shumëvjeçare të shoqatës “Vëllezërit Frashëri”, bie në sy një fakt mbreslënës. Pjesëmarrësit më të shumtë në veprimtaritë e shoqatës në Frashër kanë qenë nga Kosova, nga Rahoveci dhe Prizreni. Nuk është thjesht një rastësi. Ka një shpjegim për këtë: Në eksodin e vitit 1999, ata që gjetën strehë e ngrohtësi në Përmet ishin kryesisht nga Rahoveci. Qe rasti të lidhej një miqësi e veçantë, që më vonë u forcua me vajtje-ardhje të ndërsjellta. “Sebepi” më i madh për ardhjen e tyre në Përmet ishte 25 Maji, Dita e Frashërllinjve të Mëdhenj. Këtë “sebep” kanë pasur edhe Prizrenasit për të ardhur në vendlindjen e udhëheqësit shpirtëror të Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashërit, në Frashër.

Veç vizitorëve të tjerë, të parët që kanë ardhur në Frashër kanë qenë nxënësit e shkollës “Jeta e Re” Suharekë me mësuesit e përkushtuar Muarrem Gashi dhe Sadik Shala, që u pasuan më pas me shkollën “Gjon Buzuku” Prizren, shkollën e mesme Suharekë dhe shumë e shumë të tjera.

Qytetar Nderi i Komunës së Rahovecit

“Me dëshirën e mirë ju kam sjellë pak aromë nga vendlindja e vëllezërve Frashëri, freskinë e ujit të bredhit të Hotovës  dhe shumëllojshmërinë e trëndafilave të qytetit të Përmetit” – kështu do ta niste fjalën e përshëndetjes, kryetari i Shoqatës “Atdhetare kulturore mbarëkombëtare vëllezërit Frashëri”, Tomorr Kotorri, i ftuar në Komunën e Rahovecit në Kosovë me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Komunës Rahovec”, me propozimin e Qemal Krasniqit,  mësusesve Bekim Kelmendi dhe e të ndjerit mësues, Miftar Thaçi, si dhe dëshirën e gatishmërinë e kryetarit të Komunës, Smajl Lativi, kryetarit të Asamblesë së kuvendit komunal, Afrim Dinos dhe kolektivave mësimore të disa shkollave të Rahovecit që kanë vizituar disa herë me radhë Frashërin.

Dhënia e këtij titulli, në një farë mënyre është kthim i nderit, është bashkëpunim, mbështetje, dashuri dhe respekt midis këtyre zonave dhe krahinave të Kombit tonë.

Tituj të tillë tregojnë për fillimin dhe që është në vazhdën e kontakteve dhe të bashkëpunimit që ka bërë Komuna Frashër, Bashkia Përmet me Komunën e Rahovecit.

Një vlerësim të tillë e bëjnë ata njerëz që në thelb, në gjenezë dhe që në damarët e tyre u rrjedh gjaku i atdhedashurisë, mirësisë dhe përkushtimit ndaj Kombit. Ata njerëz që ngjanë me njëri- tjetrin. Se vërtet Përmeti është qendër e kulturës shqiptare, ëshë një krahinë ku nderohet puna, ditura, atdhetaria, por edhe Rahoveci nuk mbetet pas: Është një nga qendrat më të lashta dhe më të rëndësishme të Kosovës, me arsim e kulturë, me bujqësi të zhvilluar; banorët e kësaj krahine janë punëtorë dhe mikpritës, të dashur dhe të respektuar që çmojnë vendlindjen dhe atdheun, janë shembull në kultivimin e hardhisë dhe mburren me të drejtë për prodhimin e verërave më të mira të Kosovës.

Në vend të Ftesës

Ndërsa po i merrja disa të dhëna për shkrimin, Tomorri mu lut ta lija këtë punë, dhe t’i bëja një nder tjetër: t’i botoja në gazetë ftesën për veprimtarinë e 25 Majit të këtij viti në Përmet.

Ja, e bëra tani: me një gurë u vranë dy zogj!…

 

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Zylyftar Hoxha te falenderoj,kete shkrim te mirit TONE ; BIRIT te Dangellise Naimjane Tomor Kotori na e sjell,per me teper me ate NDERIM bere vellezerit tane KOSOVARE ati, qe e ka shume te merituar. Me keqardhie kete 25 majte pritshem *Dite e Naimit* shkuarien ne Frasher na e ka *PRERE* COVID-i po me te Jetojme.Ju urojme te jeni mire ne kete situate te rende .
    Nderoeni ate KRAHINE,me VOTIMET e 25 Prillit!. Miresi te vecata te mirit Tone-Tomor Kotori! dhe Vllezerve Kosovare.mbrodhesi.

    Nga Toronto uroj MRODHESI; Guri Naimit D.
    *85 vjecari Bir i Zavalanit te Dangellise-Naimjane!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *