Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, prezantoi dje prioritetet e institucionit për vitin 2014, duke u përqendruar në kontrollin e punës së prokurorëve dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në një takim të zhvilluar me strukturat drejtuese të Prokurorisë së Përgjithshme, numri një i institucionit qendror të akuzës kërkoi që të ushtrohet një kontroll më i thelluar mbi performancën dhe cilësinë e hetimeve nga ana e prokurorëve në të gjithë vendin. Duke bërë një analizë të përmbledhur të aktivitetit të prokurorisë gjatë vitit 2013, Llalla u shpreh se, “konstatohet një rritje e ndjeshme e ngarkesës së punës, gjë e cila obligon çdo prokuror që të impenjohet më shumë në aktivitetin profesional”.
Për vitin 2014, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi nga Drejtoria e Inspektimit që të përfshijë në programet e kontrollit një numër të madh prokurorish në Rrethe dhe Apel, me qëllim për të vlerësuar punën e të gjithë strukturës në një kohë sa më të shpejtë. “Opinioni publik ka një pritshmëri të lartë për punën e prokurorisë dhe për këtë arsye Prokuroria e Përgjithshme duhet t’u japë zgjidhje sa më të shpejtë çdo ankese apo shqetësimi të qytetarëve për punën e prokurorëve”, theksoi Llalla. Porosi e veçantë u la edhe për Drejtorinë e Hetimit, që të angazhohet maksimalisht në përmbylljen e hetimeve të çështjeve të nisura gjatë vitit 2013, duke vënë theksin, “sidomos tek ato çështje që kanë një impakt në opinionin publik”.
“Drejtoria Gjyqësore, e cila përfaqëson akuzën në emër të shtetit në shkallën më të lartë të gjyqësorit, ka si detyrë prioritare gjatë vitit 2014, krahas të tjerave, angazhimin për bindjen e Gjykatës së Lartë në nxjerrjen e vendimeve unifikuese, të cilat do të standartizojnë praktikën për trajtimin e njëjtë të rasteve të ngjashme. Për Prokurorin e Përgjithshëm, unifikimi i praktikës gjyqësore do të jetë ndihmesë e rëndësishme përsa i përket racionalizimit të kohës dhe burimeve njerëzore në hetim dhe gjykim”, u shpreh kryeprokurori. Llalla vuri theksin edhe të disa krime të reja, ku veçoi krimin kibernetik, për të cilin duhen kapacitete të afta për t’i hetuar, si ato në sistemet e bankave dhe të institucioneve publike. “Për këtë arsye, shumë shpejt pranë Prokurorisë së Përgjithshme do të ndërtohet një strukturë e posaçme lidhur me këto vepra penale”, sqaroi Llalla. Vëmendje do i kushtohet edhe ekstradimeve dhe letër-porosive me autoritetet e huaja, si edhe afrim i resurseve njerëzore në nivelin e ekspertëve të fushave të ndryshme. U kërkua edhe afrimi i ekspertëve autoteknikë, kontabël, etj., për rezultate më të mira në hetimet e prokurorisë.
