Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” një ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, foli për votimin elektronik, që do të aplikohet për herë të parë në këto zgjedhje, në Njësinë nr.10, në Tiranë.
Teksa sqaroi procesin e numërimit të votave në këtë njësi, Celibashi tha se rezultati mund të dalë për 30 minuta ose 1 orë, por është rënë dakord me partitë politike, që rezultati të publikohet në orën 08:00 të ditës së hënë.
“Ne kemi siguruar mbulimin me pajisjen e identifikimit elektronik, që do të jetë në çdo qendër votimi. Kemi filluar procesin e rekrutimit të operatorëve, pra të punonjësve të autorizuar nga KQZ, që do të përdorin këtë pajisje, dhe kemi zhvilluar procesin e trajnimit të tyre. Ajo që KQZ ka pasur në dorë të bëjë, është bërë më së miri. KQZ ka punuar edhe për projektin e votimit elektronik, që do të zhvillohet në njësinë nr.10 në Tiranë. Kjo do të thotë që zgjedhësit e asaj zone do të votojnë jo me fletë votimi, por përmes një pajisjeje elektronike. Dua ta them që integriteti dhe fshehtësia e votës është e siguruar 100%.
Rezultati i votimit në Njësinë nr. 10 do të shpallet në orën 08:00 të mëngjesit të së hënës. Pra procesi i votimit mbyllet në orën 19:00 të së dielës, do të transmetohet pajisjet komjuterike në vendin e numërimit të votave, në shkollën “Qemal Stafa”, aty do të bëhet përpunimi i informacionit.
Është rënë dakord edhe me partitë politike që ky rezultat të shpallet në mëngjes, jo gjatë natës. Ky rezultat mund të shpallet për 30 minuta ose 1 orë pas mbylljes së votimit. Mendoj se ky proces do të jetë i suksesshëm, nuk kemi pritshmëri për ndonjë problematikë, se do ta kishim adresuar për të gjetur zgjidhje.
