Ekonomia 2013 dhe sfidat 2014

anazapta

Pushteti i qeverisë së mëparshme, i projektuar për të përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë për pasurim vetjak dhe sigurim votash për ripërtëritje pushteti, solli keqmenaxhim të financave publike në tetë muajt e parë të vitit. Si rezultat, tatimet dhe taksat nuk mblodhën rreth 180 milionë euro të ardhura të planifikuara, shpenzimet e muajve janar-qershor 2013 u rritën tri herë, ndërsa borxhi qeveritar ndaj bizneseve private të thirrura, për të realizuar tendera qeveritarë (kryesisht rrugë), u dyfishua, në krahasim me vitin 2011.

Qeveria e re, përmes mungesave pafund, arkës së Shtetit bosh, rezervave të shteruara të emergjencave dhe keqmenaxhimit total, ia doli në tre muajt e fundit (shtator-nëndor 2013) të kthejë tendencën negative ku po përmbysej ekonomia. Tani, edhe pse me vonesë kohore, kemi një buxhet të vitit 2014, që synon të shëndoshë dhe t’i bëjë të qëndrueshme financat shtetërore. Kemi një paketë tarifash të taksave që synon që ata që realizojnë të ardhura më të mëdha, t’i japin shtetit më shumë, dhe jo njësoj, si me sistemin e taksës së sheshtë.

Kush ka shtëpi të dytë (në plazh, qytet apo fshat), do të paguajë një taksë më të lartë të pasurisë. Në këtë kohë shtrëngesash të forta ekonomike në të gjithë botën, edhe në Shqipëri akcisa për mallra të konsideruara jo thelbësore për jetën, si kafeja, duhani dhe pijet alkolike, është normale që do të rritej. Buxheti i Shtetit duhet mbushur, në interes të të gjithë ne qytetarëve. Sigurisht, nga administrimi më i mirë fiskal (tatimor dhe doganor), mund të vijnë më shumë para. Dhe kjo është sfida më e madhe që ka qeveria e re gjatë gjithë vitit 2014.

Duke qenë se arriti që nga Fondi Monetar Ndërkombëtar të marrë çdo vit (2014, 2015 dhe 2016) nga 100 milionë euro për të paguar borxhet shtetërore ndaj biznesit privat, si dhe po pret çfarë do të japë edhe Banka Botërore, detyra më e madhe qëndron në administrimin e brendshëm. Kemi rreth 70 miliardë lekë të reja borxh tatimor, pra borxh që biznesi i ka pa i kthyer shtetit, në formën e taksave, kamatëvonesave apo gjobave të papaguara. Është një borxh vërtetë kolosal. Rreth 500 milionë euro. Shumë më tepër se sa qeveria i ka biznesit.

Ky borxh duhet të arkëtohet. Këto para duhet t’i kthehen Buxhetit të Shtetit. Sigurisht, ky kthim do të bëhet gradualisht, pa i detyruar bizneset debitore që të falimentojnë. Pse formula “më mirë një borxh kostant, se sa një sipërmarrje e falimentuar, ngaqë shleu borxhin ndaj Shtetit” ka vlerë edhe për ekonominë tonë. Megjithatë, viti 2014 duhet të shohë të paktën kthimin e dyqind milionë eurove të para nga ky borxh tatimor.

Sigurisht, skemat mashtruese tatimore, qoftë ato për rimbursimin e Taksës mbi Vlerën e Shtuar për shitblerje false, apo skema të fshehjes së detyrimit për akcisat, do të jenë shumë të pakta, në mos asfare. Tatimet në përmbushjen e detyrave të tyre i kanë hyrë një disipline bankare dhe për këtë po ndihmon edhe USAID me projektin e vet të ndihmës me këshillime të specializuara. Pra, SHBA-të nuk na janë larguar, pse i thamë jo zbërthimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Ndihma e tyre për ne, sidomos për ekonominë shqiptare, vazhdon bujare dhe e rëndësishme.

Nga ana tjetër, trau i doganave është gjithnjë e më i vështirë për t’u ngritur në mënyrë abuzive. Mendësia e dosjeve gati për Prokurorinë (Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ishte e para që nisi kallzimevt penale për abuzime me detyrën), për abuzimet e mëparshme me këtë tra, po e bën të vetën. Në muajt tetor-nëntor 2013 janë arkëtuar nga doganat shqiptare më shumë se nga çdo dymujor të të gjitha viteve të mëparshme, duke vendosur një nivel mesatar të barabartë të detyrimeve doganore.

Sfida e dytë e madhe e qeverisë së re për vitin 2014 është arkëtimi i taksës së re 15 përqind të fitimit tek biznesi i konsoliduar. Do të ketë shumë ndarje fiktive biznesesh, për të qenë nën pragun e aplikimit të kësaj takse. Por do të ketë akoma dhe më shumë tentativa për të trukuar bilancet e bizneseve, që fitimi të dalë sa më minimal, edhe pse në realitet nuk është i tillë.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • CFARE KUPTUAM NGA KY SHKRIM?

    Qe taksa famoze PROGRESIVE e Edvinit eshte tra-la-la elektorale dhe se:

    “Arkëtimi i taksës së re 15 përqind të fitimit tek biznesi i konsoliduar do te sjelle shumë ndarje fiktive biznesesh, për të qenë nën pragun e aplikimit të kësaj takse. Por do të ketë akoma dhe më shumë tentativa për të trukuar bilancet e bizneseve, që fitimi të dalë sa më minimal, edhe pse në realitet nuk është i tillë.” duke harruar per “bamiresite” socialiste per ZERIMET bolshevike te pagave nen 300 mije LEKA te vjetra te Kohes se Qepes te Enver Hoxhes. Cila firme apo kompani “budallaqe” do te deklaronte paga mbi pragun 300 mije LEKA?

    Ndryshe qeverine e Edi Rames e presin shume sfida thelbesore dhe me kryesorja qe do te ndikoje drejtpersedrejti ne ekonomine tone kombetare, qe te mos zhvatet nga zullumqaret tahmaqare me pushtet, eshte implementimi i NDESHKIMIT te ketyre pushtetareve,ne menyre qe pushtetaret e rinj temos vazhdojne kauzen e Sali Berishes, qe ishte huazuar nga Partia e Punes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *