Xhevdet Shehu
Dje, fiks tri javë pas ndarjes nga jeta të Gjeneral Rustem Peçit, Kryetarit të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, iu dha lamtumira e fundit kundëradmiral Ziqiri Meros, i cili u nda nga jeta në moshën 101-vjeçare.
Ziqiri Mero, ish-partizani i Brigadës së Parë Sulmuese “Hero i Popullit”, ishte simboli i mbetur i luftës antifashiste nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Deri në ditët e fundit të jetës së tij ai militoi si rrallëkush tjetër në Organizatën Kombëtare të Veteranëve të LANÇ-it në mbrojtje të vlerave të mëdha të asaj lufte heroike që çliroi Shqipërinë nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Ai ishte kryekëshilltari i Kryesisë së Organizatës së veteranëve të LANÇ-it.
Kundëradmirali Mero u përcoll për në banesën e fundit me të gjitha nderimet, organizuar nga ministria e Mbrojtjes. Homazhet për nder të figurës së tij u bënë në Muzeun Historik në Tiranë.
Kurorën në emër të Kryeministrit Edi Rama, e vendosëm deputeti Spartak Braho dhe unë, si gazetar.
Por është fakt se vitin e kaluar, kur Ziqiri Mero mbushi 100 vjeç, Edi Rama e puthi në ballë këtë luftëtar të paepur por edhe si një socialist të vendosur. Ishte mbase kjo një ndjesë për ndonjë lëkundje që Edi Rama ka patur në vite për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për veteranët dhe dëshmorët e asaj lufte. Le të shpresojmë që në të ardhmen Kryeministri të mos ketë më të tilla lëkundje. Ziqiri Mero ishte dhe mbeti deri në rrahjet e fundit të zemrës një luftëtar i së majtës progresiste. Mori vesh edhe fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit…
Bisedoja herë pas here me këtë figurë legjendare dhe ndjeja një kënaqësi të madhe, pasi ai kishte një kthjelltësi të madhe jo vetëm për të kaluarën antifashiste, por edhe për periudhën e socializmit dhe për zhvillimet e 30 viteve të fundit. Pata fatin që dekoratën “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it” tre vite më parë të ma dorëzonte pikërisht Ziqiri Mero…
Një nga bisedat e fundit që kam bërë me Ziqiri Meron ishte ajo e bërë më 24 shkurt të këtij viti, ndërsa vetëm pak ditë kishte filluar vaksinimi kundër COVID 19. Isha me Kryetarin e Komitetit Kombëtar të Veteranëve, Rustem Peçin. Ja si hyra në bisedë me Ziqiri Meron dhe çfarë bisedova me të atë ditë.
Biseda me Ziqiri Meron
A e ka bërë vaksinën Ziqiriu?, i them kryetarit të Veteranëve, Rustem .
Ziqiri Mero është figura emblematike e Luftës sonë Antifashiste, personalitet i Komitetit Kombëtar të Veteranëve, 101 vjeç, ish-partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, Gjeneral dhe Kundëradmiral i Flotës Luftarake Detare.
Mirë që ma kujtove, se kam dy ditë pa folur me të. Ja, ta marrim në telefon, më thotë Rustem Peçi dhe formon numrin e veteranit legjendar.
Në anën tjetër dëgjoj zërin e njohur të veteranit të famshëm. E pyes për shëndetin dhe ai më thotë:
– Ju faleminderit që më kujtoni dhe që interesoheni për shëndetin tim! Jam shumë mirë! Bëra vaksinën para tri ditësh. Më erdhi mjeku i familjes i lagjes e më tha: Ke radhën për të bërë vaksinën! E bëra dhe ndihem shumë mirë. Nuk e bëra vaksinën me mik. Kur më erdhi radha e bëra. Nuk futa mik. Edhe Edi Ramën mund të kisha marrë ne telefon, pasi më njeh personalisht, e njoh dhe e çmoj për punët që ka bërë. Nuk ia kërkova këtë favorin e vaksinës. Prita radhën…. Dhe më erdhi. Po kështu do ta bëjnë të gjithë veteranët. Kjo luftë me një armik të padukshëm nuk ka nevojë për paleta dhe këtu nuk hyjnë në punë gradat dhe meratia e shkuara. Besoj se pas pak ditësh do të dal nga shtëpia dhe do të takohem me shokët e mi veteranë. Luftë është edhe kjo dhe unë them se do ta fitojmë. Më ka marrë malli për shokët dhe nuk rri dot brenda… Kemi edhe shumë beteja të tjera përpara për të bërë dhe me siguri do t’i fitojmë…
Ndërsa shkruaja këto radhë për Ziqiri Meron, m’u nëpërmend një postim i Artan Lames një vit më parë. Po e ribotoj këtë shënim të Artanit, pasi është shumë domethënës:
“Ndërsa rrëmoja vite të shkuara ndër ca fotografi të vjetra të ushtrisë shqiptare, nga ato të qëmotshmet bardhë e zi e të zverdhura, më kish tërhequr vëmendjen pamja e një ushtaraku me spaletat e arta të kundëradmiralit Ziqiri Mero, në mos për tjetër po sepse Shqipëria e Epokës Sovjetike kishte vetëm dy të tillë, Ziqiriun dhe Abdi Matin. Dukeshin pamje të tretura të një kohe të mbyllur e harruar që prej shumë e shumë dekadash.
Mirëpo… Admiral Ziqiri Mero sot mbush 100 vjeç!
Po flasim për një njeri që ka lindur dy muaj pas Kongresit të Lushnjës më 1920.
Që ka qenë djalë shkolle në Normalen e Elbasanit, kur Hitleri vinte në pushtet më 1933.
Që ka qenë adoleshent në kohën kur martohej Zogu më 1938.
Që ka qenë mësues prej një viti kur në Shqipëri erdhi Viktor Emalueli III më 1941.
Që ka qenë partizan maleve më 1944.
Që ka bërë akademinë e flotës në Moskë kur Stalini ishte gjallë më 1953 dhe ka parë vizitën e Hrushovit në Tiranë më 1959.
Që kur u hoqën gradat në Ushtri më 1966 ishte njëri prej dy admiralëve të vetëm që kishte Shqipëria.
Që ka qenë plak njeri në vitin e fitores së Demokracisë më 1991.
Dhe ky njeri është ende gjallë dhe pikë, me kravatë e jakë të bardhë, ende pas 100 vjetësh, gati për të luftuar edhe me Koronën!!!
Jetë të gjatë admiral Mero që, me sekretin tënd të jetëgjatësisë na jep kurajo e buzëqeshje të gjithëve në këto ditë të errëta!”

Veterani Sevo Tarifa për Ziqiri Meron
Veterani antifashist 94 vjeçar Sevo Tarifa më foli gjatë dje i përlotur për ikjen e mikut të tij të ngushtë fjalët më të vyera, shpesh duke ngatërruar kohët ishte dhe është, sikur bisedonte me Ziqiriun e gjallë. Unë nuk po e redaktoj aspak ligjëratën e Sevos:
Ishte një lajm shumë i dhimbshëm për mua dhe shokët ikja e Ziqiriut. Na iku një luftëtar i madh antifashist dhe një nga veteranët më të shkëlqyer të Luftës së Dytë Botërore.
Nga bashkëluftëtarët e tij Ziqiriu çmohet luftëtar i vendosur i vijës së parë, që nuk i bënte dredha plumbit, komisar gojëmjaltë, modest, i matur, kuadër i aftë, i guximshëm, trim në të gjitha luftimet nga Vithkuqi deri në malet e Kelmendit. Njeri me karakter të shëndoshë. Ndër të tjera bien në sy ndërgjegjja, ndershmëria, drejtësia, pjekuria, të cilat shfaqen në tërë jetën, luftën partizane dhe punën ushtarake. Drejtues që i kërkon vetes, pastaj të tjerëve. Të vështirat i mban vetë, të lehtat ua ngarkon të tjerëve. Cilësitë pozitive i përkrah, i ushqen, i përgjithëson, veset e zeza i lufton. Synon dhe vepron për forcimin e unitetit, për kompaktësi, të cilat i konsideronte një “çelës të artë” për mbarëvajtjen e punëve. Është i pastër e këtë e kërkon dhe nga të tjerët. Padrejtësitë i vë në shenjë, nuk i duron. Është mjeshtër për punën me njerëzit, për vlerësimin e tyre, për zgjidhjen e drejtë të kërkesave, ankesave e qetësimin e shpirtërave të tyre. Edhe pse Kuadër i lartë ushtarak nuk i ka përdorur narrogancën, prepotencën, konformizmin. Ata që janë takuar me të, janë dëgjuar me kujdes dhe janë kënaqur me ngrohtësinë, thjeshtësinë e drejtësinë e tij. E ka zakon që për një ankesë i dëgjon të dy palët e pastaj konkludon. Qëndrime të tilla i ka mbajtur kudo që ka punuar. Kur ka qenë në Komisionin Qendror të Kontroll-Revizionimit pranë Komitetit Qendror, i zgjedhur nga Kongresi i Partisë, vepronte njerëzisht, drejtësisht, objektivisht, kur ishte fjala për masa ndëshkimore deri në përjashtimin nga Partia. Të ndëshkuar e të pandëshkuar flisnin për parimësinë, paanshmërinë, urtësinë, dashamirësinë dhe zemërgjerësinë e Ziqiri Meros. Kjo është një nga arsyet që admirali gëzon dashurinë dhe respektin e të gjithëve.
Karakteri i shëndoshë i Ziqiri Meros i ka rrënjët në zemrën e tij. Është dukur qartë e pastër si në situata të qeta, dhe në situata shumë të vështira. Detyra e shefit të Degës Politike të Flotës Ushtarake Detare, që iu ngarkua në vitin 1960, përkoi me situatën e rëndë në bazën e Vlorës. Emërimi itij u mirëprit nga kolektivi i Flotës. Nuk janë të paktë ata bashkëpunëtorë oficerë e marinarë që janë shpehur për punën e madhe të Ziqiri Meros. Jo vetëm në këtë situatë të vështië të njohur, por kudo që ai ka shërbyer, që nga Brigada e Parë Sulmuese, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, ku ishte Zv.dretor i Drejorisë Politike, në Flotë dhe në punën me veteranë, të githë, një fjalë të keqe nuk kanë shprehur për admiralin, siç janë: Arif Hasko, Dilaver Poçi, Halim Ramohito, Muharrem Kokomani, Sul Domi, Sadik Bocaj, Xhemal Shehu, Luto Haxhi, Rustem Peçi, Xhafer Peçi, Naim Muho, Ymer Bejko, Yzeir Dervishi, Ndreko Çabeli, Stavri Milo, Selm Pira etj.
I paharruar mbetsh në breza, o shoku ynë i shumëdashur, Ziqiri Mero!!
Një vit më parë, kur Kundëradmirali Ziqiri Mero mbushi një shekull, Sevo Tarifa e pati uruar kështu mikun e tij të shtrenjtë:
Ka pleq që përtërihen, gjallërohen, rinohen. Pikërisht kjo ndodh me shokun Ziqiri. Është veteran njëqindvjeçar, por aktualisht i rrethuar nga filizë të gjelbërt, shpirtëra të rinj, mendjendritur, fytyrëmëndafshtë, me buzëqeshje si lule, si “muzikë e shpirtit”, me këngë si bilbila, secili zog shqiponje! Këta janë pasardhësit e veteranëve. Ja një faktor që admirali ynë rinohet përherë! Për njerëz të mirë si admirali Ziqiri Mero ne dëshirojmë të kenë jetë sa më të gjatë, mundësisht sa anglezi Tomas Karu në Londër, që rroi 267 vjeç, ose sa Nezir Skura në Mat 150 vjeç!
Dje me të marrë lajmin e ndarjes nga jeta të Ziqiri Meros, më shkruan miqtë e mi Gjikë e Tatjana Kurtiqi:
Ndarja fizike e veteranit te shumëvlerave, të disa epokave, gjeneralit Ziqiri Mero, është një dhimbje e familjes se tij, e Komitetit te Veteranëve të LANÇ, miqve, admiruesve, shokëve të shumtë, progresistëve të mbarë shoqërisë shqiptare. Mes tyre u ndërtua dhe u rrit emblema 101-vjeçare që përshkoi epokat e solli përherë shembullin më të ri, përkushtimin më të paepur atdhetar, deri në çastet e fundit të jetës.
Ziqiri Mero ishte dhe mbetet memoria e gjalle e Luftës për Çlirim e progres, për zhvillime demokratike, per nje vote te sigurt në prehër të së ardhmes.
Brezat e pasardhësve të tij, familjare e shoqërore, do ta ruajnë dhe përcjellin këtë memorie në çdo vepër të mirë në dobi të Atdheut, në kahun e zhvillimeve. Ngushëllimet më të thella bashkëluftëtares dhe bashkëshortes së tij, bijve, nipërve e mbesave, gjithë të afërmve!
Prehu ne paqe, i nderuar miku ynë Ziqiri! Idealet e çmuara te Luftës Antifashiste Çlirimtare dhe gjithë përpjekjet epokale të brezave që përfaqësove drejt progresit, do te jenë përherë mes nesh! Përherë nderim e respekt kujtimit tuaj!
Kush ishte Ziqiri Mero
Ziqiri Sefedin Mero (26.03.1920 – 27.04.2021) ushtarak shqiptar, lindi më 26 mars 1920 në fshatin Baban të Korçës. Midis viteve 1927-1932 z. Mero kreu shkollën fillore, më pas në vitet 1932-1936 shkollën industrial në Korçë dhe midis viteve 1940-1942 shkollën Normale në Elbasan. Në vitin 1942 Ziqiri Mero filloj punë si mësues në fshatrat e Devollit, Panarit dhe Hoçisht, deri në vitin 1943 kur doli partisan në Brigadën I-rë Sulmuese.
Menjëherë mbas çlirimit Ziqiri Mero u aktivizua si oficer në radhët e Ushtrisë Kombëtare. Në vitin 1946 -1950 Ziqiri Mero kreu studimet në Akademinë Ushtarake dhe më pas midis viteve 1951-1955 në Akademinë Ushtarake “Lenin” në ish – Bashkimin Sovjetik. Si oficer i ri ai kreu detyra si, instruktor në Degën e Organizimit dhe Drejtues Politik në Divizionin I-rë dhe VII-të. Mbas përfundimit të studimeve në ish-Bashkimin Sovjetik, kolonel Ziqiri Mero emërohet në disa detyra të rëndësishme si: zëvendëskomandant për punën politike në Brigadën VII-të dhe në Brigadën Detare, si dhe Zëvendsshef i Organizimit në Drejtorinë Politike.
Me dekretin nr. 3300, date 06.07.1961, kolonel Ziqiri Mero gradohet Kundëradmiral. Midis viteve 1960 -1964 Kundëradmiral Ziqiri Mero ka shërbyer në detyrën e Zëvendëskomandant për Punën Politike në Flotën Luftarake Detare, 1964-1966 në detyrën e Shefit të Degës Politike të BUD-it të Vlorës, 1966 -1967 Komandant i BUD-it të Vlorës dhe 1967-1974 në Drejtorinë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1974 kundëradmiral Ziqiri Mero u emërua Komisar i Shkollës së Lartë të Oficerëve të FLD, ku dhe mbylli karrierën ushtarake më 26 korrik 1980.

Lavdi te perjeteshme heronjve te luftes Nac.Cl.!
I paharruar emri dhe vepra e këtij burri të lartë!
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve të saj.
Lavdi te perjeteshme heronjve qe cliruan vendin nga Nazi-Fashizmi dhe bashkepuntoret e tyre Ballisto-Zogiste,dhe e renditen Shqiperine ne radhet e fitimtareve ,duke i kthyer dinjtetin e munguar ne bote!
Shell ters kur te puth Rama!
Ngushellime familjes e i pa haruar.