OBSH konfirmon që në qarkullim ka vaksina false! Dy vendet ku janë zbuluar deri tani dhe fushata globale e vaksinimit, si treg për mashtruesit

redaktor

Një përfytyrim horror. Ti shpreson e beson se më në fund po vaksinohesh kundër virusit korona, që po përhapet me shfrenim në të gjithë botën, dhe paguan madje shumë para, për t’u vaksinuar ndoshta me një vaksinë të rremë.

Fushata globale e vaksinimit ka nxitur pa dyshim edhe mashtruesit që duan të përfitojnë nga kërkesa e madhe për ampulat kundër Covid-19. Prodhuesit e vaksinës gjermano-amerikane Biontech/Pfizer zbuluan së fundi vaksina të falsifikuara në Meksikë dhe Poloni dhe konfirmuan dyshimet për mashtrim.

Sipas gazetës “Wall Street Journal” në Meksikë me vaksinat e falsifikuara janë vaksinuar ndërkohë të paktën 80 vetë. Njoftime për pasoja prej substancës së injektuar nuk ka. Ampulat ranë në sy, sepse gjendeshin në kuti transporti me ftohje me ngjyra ndryshe nga ato që përdoren zakonisht dhe numra serialë të ndryshëm nga vaksinat që i ishin shitur zyrtarisht Meksikës. Po ashtu edhe afati i skadimit qe i ndryshëm nga zakonisht.

Edhe në BE ka pasur të paktën një rast falsifikimi. Televizioni polak TV Polsat raportoi se në Katovice u arrestua një 26-vjeçar në janar. Ai ofronte për shitje në internet si certifikata të falsikuara testesh negative PCR dhe ampula me gjoja vaksinën e Biontech Pfizer. Prokuroria polake i dërgoi ampulat për verifikim tek firma Pfizer, e cila tha se në vend të vaksinës, përbërësi kryesor i ampulave ishte një mjet kundër rrudhave.

Sipas Lev Kubiak, përgjegjës për sigurinë globale tek firma Pfizer, ky lajm nuk është i befasishëm. “Deri sa të jemi në gjendje të prodhojmë sasi të mjaftueshme do të ketë mungesa në furnizim, prej së cilave mund të përfitojnë kriminelët,” – tha Lev Kubiak për “Wall Street Journal”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është e vetëdijshme për problemin e falsifikimit. Në fund të marsit Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se në qarkullim ka ampula vaksinash të falsifikuara. Njoftime për vaksina dhe përpjekje të tilla i janë raportuar OBSH-së nga organet shëndetësore të mjaft vendeve. “Grupet kriminale” mundohen po ashtu të mbledhin shishet bosh të ampulave të përdorura që t’i mbushin ato me lëng pa efekt dhe t’u përdorin për qëllime mashtrimi.

“Vaksinat e falsifikuara kundër Covid-19 paraqesin një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe përbëjnë një barrë shtesë për grupet në nevojë dhe sistemet shëndetësore. Ato duhet të identifikohen dhe të hiqen nga tregu,” tha OBSH në një deklaratë.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u bën thirrje të gjithëve që të mos vaksinohen në vende të tjera përveç atyre të parashikuara në programet shtetërore të vaksinimit dhe të raportojnë menjëherë autoritetet shëndetësore kombëtare nëse kanë dyshime, në mënyrë që OBSH të mund të informohet gjithashtu për to.

i.b. / dita

 

Share This Article
2 Comments
  • More po vaksinat tona që vijnë nga burime që mbahen si tepër sekret , madje më sekret se ai ushtarak, mos nuk janë vaksina por janë mbushur me ujë nga mafozët e vaksinave?
    Se mos na e kanë mashtruar shoku Rama me të vërtetë pamvarsisht se ai është bër vaksinatori më profesionist në botë? Ka ndonjë laborator ose institucion të pamvarur nga institucionet e vaksinave elektorale të mandatës së tretë të shokut Rama që na e heq këtë dyshim sepse , të paktën të skuqet lëkura një çikë sikurse ndodhte dikur kur bëhesh vaksina, përveç reagimeve të tjera.

  • Po ndodhin ne Gjermani probleme e jo me ne vendin e turizmit te Rames!Mbreme nje tv gjerman tregoj ngjarje reale ku njerez te pajisur me licence duke blere nje aparat fare te lire kinez ne internet benin testime me nga 50 euro te cilat as qe ishin te sakta.Kur ja parqiten gazetaret zyres se shendetesise te Köln ,ata menjhere u hodhen ne veprim per te bllokuar licencat e tyre,Pra kur keto gjera ndodhin ne gjermani po ne shqiperine e “Pakorruptuar”?Dhe keto gjera zbulohen nga gazetaret,imagjino sa mund te jene te pazbuluara!Apo Rilindja i beri njerezit te ndershem?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *