Rikthehen pyetjet me zhvillim në testet e Maturës Shtetërore 2021. Në ndryshim nga një vit më parë, ku tezat e provimeve kishin në përmbajtje vetëm pyetje me alternativa, dikasteri i Arsimit ka vendosur që në maturën e këtij viti të rikthejë strukturën e zakonshme të përmbajtjes së testeve si për provimet e detyruara, ashtu edhe për lëndën me zgjedhje. Krahas pyetjeve me zhvillim, pjesë e testit të gjuhës shqipe dhe gjuhës së huaj do të jetë edhe eseja.
Konfirmimin e ka bërë gjatë ditës së djeshme vetë ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë Evis Kushi gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar dje me maturantët e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, ku dhe ka sqaruar se për të parë përgatitjen e tyre gjatë zhvillimit të mësimit të alternuar në sistemin online dhe praninë në shkollë do të organizohen edhe teste paraprake. Sipas saj strukturat përgjegjëse shkollore do të bëjnë të mundur edhe organizimin e testeve para-maturë me qëllim njohjen e strukturës së testit, menaxhimin e kohës, si dhe sistemimin e njohurive të marra gjatë tre viteve të shkollës së mesme.
“Pas diskutimeve të gjata më përfaqësues të zyrave vendore arsimore, mësues, nxënës dhe ekspertë të arsimit, ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit do të kemi një test ku përfshihen pyetje me zhvillim dhe pyetje me alternativa. Do të jetë një proces i drejtë dhe transparent, ku do të reflektohen edhe vështirësitë gjatë pandemisë”, sqaroi dje ministrja Kushi për maturantët.
Edhe në maturën e këtij viti maturantët do të zhvillojnë katër provime. Konkretisht, lëndët e provimeve të maturës për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, dhe Gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista zyrtare e miratuar nga MASR. Testet e provimeve të detyruara dhe të provimit me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Maturantët dhe kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2021, i rijapin provimet në sesionin e dytë.
Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje do të kenë në përmbajtje 20 pyetje me alternativa dhe pjesa tjetër do të jenë me zhvillim. Çdo test do të vlerësohet me 60 pikë maksimale, ndërkohë që për të qenë kalues, maturanti duhet të sigurojë detyrimisht 25 për qind të totalit të këtyre pikëve maksimale. Në të kundërt duhet t’i japë sërish provimet në sezonin e vjeshtës, duke humbur kështu të drejtën e konkurimit përgjatë raundit të parë të pranimeve në universitete. Maturanti plotëson testin me stilolaps me një ngjyrë (të zezë ose blu). Në pyetjet me alternativa, duhet të rrethoni vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse rrethoni më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë do të vlerësoheni me 0 pikë. Për shkak të alternimit të pyetjeve në teste, edhe korrigjimi do të zhvillohet i kombinuar, ku për pyetjet me alternativa do të përdoret korrigjimi digjital, ndërsa pyetjet me zhvillim do të korrigjohen nga mësuesit.
Pasi merrni testin, duhet të kontrolloni me kujdes gjendjen fizike të testit (është i palexueshëm, mungon ndonjë faqe etj), si dhe nëse është lloji i testit që ka kërkuar në formularin A1/A1Z. Nëse vërehen parregullsi kërkon test tjetër, duke plotësuar një deklaratë për marrjen e testit tjetër. Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese ku jepen temat që duhet të vlerësoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) për të gjithë maturantët/kandidatët janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Ndërsa programet orientuese të lëndëve zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje.
Në rregulloren e provimeve saktësohet se maturanti do të përjashtohet nga provimi, nëse konstatohet se ka ndryshuar vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë, bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit.
Ndërsa në rastet të tilla nuk njihet rezultati i provimit: kur përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga Kopoted, si dh kur është marrë masa e përjashtimit nga provim.
Datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2021:
- Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 3 qershor.
- Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 7 qershor.
- Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 11 qershor.
- Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në datën 15 qershor.
Maturanti përjashtohet nga provimi kur:
- Paraqitet në qendrën e provimit dhe/ose konstatohen gjate provimit me celular.
- Ndryshon vendin që i është caktuar.
- Merr, jep informacion apo kopje ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë.
- Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit.
- Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.
