Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
(Shënime për librin “Gjeopolitika dhe Fuqia Ushtarake e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë” të Kolonel Zeno Jahaj)
Prezantim me autorin
Zeno Jahaj ka lindur më 5 shkurt 1952 në Mesaplik, Vlorë. Familja e tij është e njohur në zonën e Mesaplikut për tradita patriotike dhe bujari. Pas përfundimit të shkollës 7 vjeçare në fshat, në vitet 1966-1970 kreu studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, më pas ndoqi studimet në vitet 1970-1973 në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, si dhe kurs për zbulimin ushtarak. Akademinë Ushtarake do ta bënte në vitet 1987-1988. Ka ndjekur në vitin 1997 kursin e Lartë në Kolegjin e NATO-s, në Romë. Ndërsa në vitet 2011-2013 ka ndjekur studimet për master në Sigurinë Kombëtare në Akademinë e Mbrojtjes. Me përfundimin e shkollës dhe titullimin oficer në vitet 1973-1984 ka kryer detyra komanduese e mësimdhënëse në njësi e shkolla ushtarake. Ndërsa në vitet 1984-1993, 1997-1998 ka kryer detyrën e oficerit të shtabi në Shtabin e Përgjithshëm. Në vitet 1998-2003, ka kryer detyrën e atasheut ushtarak-këshilltar diplomatik, në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqise. Në vitet 2003-2008 ka kryer detyrën e shefit të kabinetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe në vitet 2008-2010 ka qenë këshilltar ushtarak i Ministrit të Mbrojtjes. Ka marrë gradën ushtarake Kolonel.
Risitë e reja të një libri për gjeopolitikën dhe fuqinë ushtarake
Kolonel Zeno Jahaj paraqitet para lexuesit ushtarak dhe civil me një libër të titulluar “Gjeopolitika dhe Fuqia Ushtarake e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë”. Është një libër voluminoz, me një përmbajtje dhe qartësi mendimi për gjeopolitikën dhe fuqinë ushtarake të Shqipërisë në periudhën e quajtur Lufta e Ftohtë. Libri për nga trajtesa e këtij problemi, por dhe nga analiza e thellë dhe e mbështetur në literaturë të kohës dhe në mendimin e mjaft personaliteteve ushtarake dhe politike botërore, është një doktrinë për gjeopolitikën. Materiali i bollshëm dhe argumentet e thella dhe të bazuara në realitetin e kohës, e bëjnë librin një prurje të re në literaturën ushtarake, por dhe atë të diplomacisë, si dhe në fushën politike.
Autori në këtë libër mbi bazën e pozitave ushtarake, të diplomacisë dhe të botëkuptimit të tij, të bëjë analizën dhe vlerësimin e gjeopolitikës dhe të fuqisë ushtarake të Shqipërisë në Luftën e Ftohtë. Ky libër nga problematika që trajton duhet të jetë në qendër të diskutimeve për problemin e gjeopolitikës dhe të fuqisë ushtarake në FA. Libri i Zeno Jahaj, jo vetëm që shpreh mendimet e pikëpamjet e kohës si në fushën ushtarake, ashtu edhe në atë politike të Shqipërisë, por dhe është një kontribut i madh në studimin e mëtejshëm të problemeve ushtarake. Ky libër për shkollën ushtarake shqiptare do të ndikojë së tepërmi në përpunimin dhe pranimin e parimeve të cilat mbështeten nga politika ushtarake e Shqipërisë. Dëshmi e qartë për këtë ishin veprimet politike ushtarake të Shqipërisë në Luftën e Ftohtë. Perdja e hekurt e Luftës së Ftohtë, ishte vija e parë e mbrojtjes midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Shqipëria mbeti në një brez shtetesh përkëtej perdes së hekurt. Ky brez përbëhej nga Greqia (anëtare e NATO-s) dhe Jugosllavia (në heshtje, partnere e NATO-s). Në këto kushte, Traktati i Varshavës as nuk e mbronte, as nuk e sulmonte Shqipërinë, pa u përplasur paraprakisht me NATO-n. Në rast të një agresioni ndaj Shqipërisë, në drejtimin tokësor, forcat ushtarake të Traktatit të Varshavës do të përballeshin më parë me forcat ushtarake të Greqisë dhe Jugosllavisë. Ndërsa në drejtimin detar, ato do të përballeshin me Floten e Gjashtë Amerikane të Mesdheut. NATO dhe SHBA e monitoronin nga afër Shqipërinë me anë të organizmave, agjensive të zbulimit dhe komandave ushtarake. Në të njëjtën kohë, në libër zbulohen qartë pikëpamjet zyrtare të Shqipërisë në Luftën e Ftohtë, mbi mënyrat, format dhe metodat e bërjes së saj. Libri paraqet interes teorik dhe praktik në njohjen e parimeve ushtarake, të koncepteve, të skenarëve të mundshëm, të teknikës luftarake etj. Që në fillim autori thekson se fuqi ushtarake e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë, dukej si një mani madhështie dhe, për këtë arsye, një temë e frikshme për t’u trajtuar, pasi disa e kanë tejlëvduar dhe përçmuar. Identifikimi i fuqinë ushtarake të Shqipërisë në Luftën e Ftohtë, paraqitet i vështirë sepse, fuqia nuk u provua. Kjo temë ka hije të frikshme, nga mosnjohja, por dhe nga politika. Kombet që kanë respekt për veten, duhet të kenë fuqi dhe ta njohin fuqinë e tyre. Në Shqipëri studimit të doktrinës ushtarake dhe të politikës ushtarake nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Ndaj dhe ekziston gjerësisht mendimi se për mbrojtjen kombëtare nevojiten resurse të mjaftueshme njerëzore dhe sasi e caktuar armatimi dhe teknike. Këta faktorë sot nuk sigurojnë organizimin ushtarak.
Ky libër mbi zhvillimin e gjeopolitikës dhe fuqisë ushtarake, mund dhe duhet të shërbejë si bazë për ata që dëshirojnë të studiojnë më tej në këto çështje. Për studentët që fillojnë për të parën herë të studiojnë politikën ushtarake, në librin “Gjeopolitika dhe Fuqia Ushtarake e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë”, ka një tregues mjaft të gjerë të literaturës, që do t’i ndihmojë në pasurimin dhe thellimin e këtyre çështjeve. Libri paraqet interes edhe për ata që tani përcaktojnë politikën ushtarake të Shqipërisë dhe garantojnë sigurinë e vendit tonë.
***
Autori në hyrje të librit thekson se “Lufta e Ftohtë mbetet edhe sot një term disi i çuditshëm”. Këtë term e ka përdorur shkrimtari anglez, Xhorxh Oruell në vitin 1945, ku paratheksonte se superfuqitë do binin dakord që të mos e “shkrepnin” bombën atomike kundër njeri-tjetrit. Ajo do përdorej prej tyre si mjet frikësimi në Luftën e Ftohtë. Ndërsa Bernard Baruh, në vitin 1947, me thirrjen “të mos mashtrohemi: ne jemi sot në mes të një Luftë të Ftohtë”. Lufta e Ftohtë ishte dhe nuk ishte paqe, ajo sipas autorit ishte një ankth lufte në mendjet dhe zemrat e njerëzimit. Vende të mëdha dhe të vogla hynë nisën startin për të fituar më shumë fuqi ushtarake. ***
Libri është i ndërtuar në disa krerë, ku në kreun e parë rreziqet dhe kërcenimet strategjike për mbrojtjen e vendit, trajtohen mjedisi gjeopolitik i Luftës së Ftohtë, rreziqet dhe kërcenimet ushtarake të përceptuara nga lidershipi i kohës, si dhe kërcënimet dhe rreziqet ushtarake të mundshme. Lufta e Ftohtë u shndërrua në konflikt ideologjik vlerash politike dhe ekonomike, dhe u shpreh në konflikt gjeopolitik e ushtarak midis Bashkimit Sovjetik, fuqi e madhe tokësore dhe SHBA-së, fuqia e madhe detare. Shqipëria qe produkt gjeopolitik i Luftës së Dytë Botërore. Lidershipi politik i saj i paraqiste rreziqet dhe kërcënime ndaj vendit, si ndaj komunizmit shqiptar.
Në kreun e dytë të titulluar diplomacia në tregun gjeopolitik, trajtohen problemet nën pagëzimin ideologjik francez, vorbulla gjeopolitike e Luftës së Dytë Botërore, gjeopolitika në themelet shqiptare të para Luftës së Ftohtë, harta gjeopolitike që bëri përjashtimi, lavjerrësi politiko-diplomatik shqiptar në Luftën e Ftohtë. Njerëzimi vuajti nga luftërat botërore sepse u udhëhoq nga përparësia e forcës ushtarake nga instrumentat e tjerë të shtetit, ndërsa Lufta e Ftohtë rëndësi kryesore i dha diplomacisë.
Burimet e fuqisë është trajtuar në kreun e tretë, duke u ndalur në çështjet: gjeografi, burimet natyrore, zhvillimi ekonomik dhe kapaciteti industrial, karakteri dhe morali kombëtar, ideologjia komuniste: shpresa dhe zhgënjimi, si dhe kapacitetet institucionale të shtetit. Autori trajton se në këndvështrimin e fuqisë që buron nga zhvillimi ekonomik, Shqipëria, ka potenciale të pasura me burime natyrore. Regjim i izoluar nuk i përkthente burimet në mirëqenie. Morali i popullsisë kushtëzohej nga regjimit politik. Me fillimin e vetizolimit, ku ekonomia socialiste nuk prodhonte, shpresat përfunduan në zhgënjim.
Kreu u katërt i kushtohet strategjisë dhe doktrinës ushtarake trajton strategjia ushtarake, operacionet, luftimi, strukturat organizative, arsimimi, stërvitja dhe gatishmëria luftarake. Strategjia ushtarake e Shqipërisë pasqyronte synimet për të përballuar rreziqet, kërcënimet dhe rrethimin armiqësor të perceptuar nga lidershipi. Ajo u orientua nga alternativa e mbështetjes tërësisht në forcat e veta dhe përgatitjes për luftë të gjatë në rrethim.
Fuqia ushtarake trajtohet në kreun e pesët dhe trajton çështjet nuxheti i mbrojtjes, buxhet lufte, fuqia njerëzore: një popull i tërë nën armë, disiplina dhe morali ushtarak, armatimet, teknika dhe teknologjia: sasia kundër cilësisë, fortifikimi, logjistika, zbulimi ushtarak dhe lidershipi politiko-ushtarak. Fuqia ushtarake e Shqipërisë qëndronte kryesisht në masivizimin e çështjes së mbrojtjes, në ndërgjegjësimin dhe në mobilizimin ushtarak. Shpenzimet ushtarake të Shqipërisë ishin më të larta se ato të shteteve të tjera. Por, në luftë janë cilësia dhe teknologjia që krijojnë avantazhet strategjike. Fortifikimet e përhershme ofronin besim, por ky harxhim varfëroi investimet për njerëzit, oficerët e ushtarët, modernizimin e teknikave dhe teknologjisë ushtarake. Luftërat provojnë se investimi te njerëzit dhe në teknologji prodhon fuqi të përjetshme. Investimet në fortifikime të përhershme prodhoi një vetëm fuqi të përkohëshme. Logistika, si shprehje thelbësore e fuqisë ushtarake dhe pasqyrë e drejtpërdrejtë e fuqisë ekonomike, do të gjendej e varur nga qëndrueshmëria e një vendi krejtësisht të izoluar dhe të vetizoluar.
Në kreun e gjashtë me objekt Shqipëria në syrin e aleancave ushtarake trajtohen çështjet në vëmendjen e NATO-s dhe SHBA-së, Traktati i Varshavës në hall me Shqipërië. Në arkivat e NATO-s për veprimtarinë politike e ushtarake të periudhës së Luftës së Ftohtë, dikur të klasifikuara “teper sekret”, tanimë janë deklasifikuar. Këto arkiva, flasin se NATO, përkundër Traktatit të Varshavës, nuk ishte e pandjeshme ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Shqipëria ishte pjesë integrate e axhendës së analizës, vlerësimit dhe parashikimit ushtarak e politik të NATO-s. Ndërkohë, Shqipëria, së bashku me Republikën Demokratike Gjermane, do të përbënin një rast të dyshimtë në Traktatin e Varshavës. Udhëheqës të lartë sovjetikë ishin skeptikë në pranimn e këtyre dy shteteve në Traktatin e Varshavës, duke shtruar pikëpyetjen: “Pse ne duhet të kryejmë luftë në emër të Shqipërisë dhe Republikës Demokratike Gjermane?!”.
Libri është i shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe fjalitë janë të ndërtuara rrjedhshëm, problemet dhe argumentet e hedhura në faqet e librit e bëjnë leximin më terheqës.
