Përshëndetje DITA! Gjuha jonë përditë e më shumë po ndotet. Flamurin e zi të këtij krimi ndaj gjuhës e kanë marrë, në radhë të parë, gazetarët e televizioneve, por nuk mbeten prapa edhe ata të shtypit të shkruar dhe politikanët. Ajo që më bëri të ndjehem veçanërisht keq së fundmi, është deklarata e një akademiku të gjuhësisë, i cili, në një emision TV nuk kërkoi të mos përdoreshin fjalët e huaja të panevojshme, por bënte thirrje që të përdoren, por me një kusht: “Të mos u shtrembërohet kuptimi” (!). Kur e dëgjova këtë nga një gjuhëtar, u ndjeva i fyer. Si ndjehen shkencëtarët tanë, përfshi edhe të sipërpërmendurin, të qetë kur fjalori i gazetarëve dhe i politikanëve, atyre që duhej të ishin përçuesit e fjalës së pastër shqipe, është i mbushur me fjalë të huaja të panevojshme dhe të pakuptueshme për publikun e gjerë? Pa folur pastaj se të gjitha tabelat e shitoreve tona, edhe atyre më të rëndomtave, janë të shkruara me gabime skandaloze, ose janë të shkruara në gjuhë të huaja, se programet e ndryshme TV, në vend që të emërtohen në shqip, huajnë emrin e vendit nga e kanë kopjuar etj. etj.
Kuvend i Shqipërisë, Akademi e Shkencave, gjuhëtarë! Jepni kushtrimin se po na rrënohet një nga vlerat më të mëdha të kombit, GJUHA SHQIPE.
Letër e nënshkruar
Guri Shyti
