Në mbyllje të muajit Maj do të nisë gara për licencat e reja në mjekësi. Për të mos rrezikuar hyrjen në provimin e shtetit, rezultatet e të cilit janë vendimtare për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit, të gjithë mjekët e rinj duhet që të bëjnë regjistrimin pranë strukturave përkatëse të Urdhërit të Mjekut, duke dorëzuar dosjen e dokumenteve të përcaktuara sipas afateve të vendosura. Referuar afateve të përcaktuara, sqarohet se pranimi i dosjes do të bëhet ndërmjet datave 10-21 Maj pranë zyrave të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.
Në testim për lejet e reja profesionale do të mund të hyjnë vetëm kandidatët që plotësojnë kushtet sa i takon ndjekjes së praktikës profesionale, si dhe regjistrimit provizor që duhet të kenë bërë pranë urdhrit profesional. Autoritetet e këtij institucioni bëjnë me dije se: “Kanë të drejtë të hyjnë në provimin e shtetit të gjithë mjekët e diplomuar që janë regjistruar provizorisht tek Këshilli Kombëtar dhe kanë përfunduar praktikën profesionale 3 muaj, të parashikuar në rregulloret e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë”. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar edhe dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzohen nga kandidatët që do të garojnë për herë të parë në këtë sezon për licencën, si dhe dokumentet që duhet të rinovojnë mbetësit e sezoneve të mëparëshme.
Sikundër ka ndodhur edhe në sezonet e shkuara, provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, bëhet e ditur se oraret janë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar, çka do të thotë se nëse nuk paraqiteni në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për ju, duhet të prisni sezonet e ardhëshme të testimeve për të garuar sërish për lejen e ushtrimit të profesionit.
Në ndihmë të bluzave të bardha që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së. Për shkak të situatës së krijuar në vend nga Covid-19, edhe për këtë sezon testimi i informatizuar do të zhvillohet duke ndjekur me kujdes protokollet e higjienës dhe distancimit fizik të rekomanduara nga dikasteri i Shëndetësisë.
Gjatë pjesëmarrjes në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e përcaktuara. Kështu, duhet të paraqiteni pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testimit, teksa duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes, si dhe mjetet mbrojtëse ndaj Covid-19”. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit.
“Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimin e shtetit në profesionin e rregulluar të Mjekut, Farmacistit, Stomatologut, Infermierit, Mamisë, Fizioterapistit, Teknikut të Imazherisë, Teknikut të Laboratorit dhe Logopedistit, bëjmë me dije se provimet do të zhvillohen përgjatë periudhës Maj-Qershor 2021. Kalendari dhe listat emërore me orarin e provimit për çdo kandidat, do të publikohen në ditët në vijim online në faqen zyrtare të QSHA-së”, sqaron Qendra e Shërbimeve të Arsimit në lidhje me testimin e profesionistëve të rinj të shëndetit në këtë sezon.
Lista e dokumentave që i bashkangjitet kërkesës për të hyrë në testimin e licencës:
- Kërkesë me shkrim për regjistrim ( kjo kërkesë behet nga kandidati, në format A4.
- Formulari i Aplikimit i plotësuar sipas modelit të përcaktuar.
- Fotokopje e letërnjoftimit.
- Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare.
- Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës e lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, në mungesë të tij lista e notave e noterizuar.
- Dorëzimi i librezës së Praktikës Profesionale (e plotësuar) lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.
- Raporti mjeko-ligjor.
- Dëshmi penaliteti.
- Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.
- 2 fotografi të formatit të pashaportës.
Për të gjithë ata që janë regjistruar zyrtarisht për provimin e shtetit në sezonet e mëparshme dhe nuk kanë mundur ta marrin atë dhe dëshirojnë të futen në provimin e ardhshëm, do të rinovojnë vetëm këto dokumenta:
- Dëshmi Penaliteti.
- Raportin Mjeko-Ligjor.
- Vërtetimin nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.
Në ditën e provimit çdo kandidat duhet
- Të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para nisjes së provimit.
- Të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike.
- Të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5 – 2 metër nga kandidatët e tjerë.
- Të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit.
- Të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit.
- Të mos ketë me vete celularë, çantat dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.
