60 % e të ardhurave në 2009-2012 erdhën nga pagat

redaktor

Tatimi i të Ardhurave Personale (TAP) mbi pagat është taksa që shteti ka depozituar më shumë të ardhura gjatë viteve 2009-2012. Kjo e dhënë bëhet e qartë pas një studimi të bërë nga Open Data Albania, mbi të dhënat e grumbulluara nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Tatimeve.  Të ardhurat personale janë kategorizuar në nëngrupet; TAP mbi të ardhurat nga paga në sektori publik dhe sektorin privat; TAP nga Interesat Bankare; TAP nga Dividendët; TAP nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe TAP për burime të tjera të ardhurash. Pas këtij detajimi ajo që është vënë re nga studimi del dukshëm që peshën kryesore në strukturën e vlerave të TAP e zënë të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat, që mesatarisht për vitet nën shqyrtim zënë  60 për qind të totalit të TAP. Kështu në vitin 2009 – 2010 të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat e sektorit publik kanë  vlerë dhe peshë më të madhe se të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat e sektorit privat. Vetëm në vitin 2011 tatimi mbi pagat e sektorit publik ka më shumë peshë se tatimi i pagave të sektorit publik. Në vitin 2012, TAP nga pagat e sektorit publik shënonte 33% të totalit të TAP. TAP mbi Interesat Bankarë është rritur në vitet 2010 – 2012. Ndërsa TAP nga Dividendët në viti 2012 zë vetëm 5.4 të totalit të kësaj takse. Të ardhurat nga tatimi mbi dividendët gjithsesi kanë pësuar një trend në rritje si në vlerë dhe në përqindje. Por ky lloj burimi të ardhurash mbetet ende në nivele të ultë kundrejt burimeve të tjera si paga apo interesa bankar.  Rënie të theksuar ka pësuar edhe TAP mbi të ardhura nga shitja e pasurive të patundshme e kjo si pasojë e tkurrjes së tregut sikurse edhe e procesit të rivlerësimit të pasurive të patundshme. Kështu nëse ne vitit 2010 TAP nga shitja e pasurive të paluajtshme shënonte 8.2 për qind të totalit të TAP ne vitin 2012 kjo vlerë u reduktua duke zënë vetëm 1.26 për qind të totalit të TAP. Interesant sipas studimit paraqitet fakti se administrata tatimore rendit si të ardhura të tjera të paspecifikuara një pjesë të mirë të të ardhurave që i nënshtrohen tatimit personal. Kështu në vitin 2012 , 15.62% e totalit të TAP nuk kategorizohet se nga çfarë burimi të ardhurash vjen. Këtu bën pjesë edhe tatimi nga të ardhura të qiramarrjes, tatim për të cilin administrata tatimore nuk aplikon formë deklarimi dhe vlerësimi tatimor, duke lënë qytetarin të bëjë derdhje të tatimit sipas një përshkrimi të lirë e të pakategorizuar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *