1.
Në shtegun e errët
Ti ke frikë prej frikës
Sepse vonë a herët
Të pret tehu i thikës!…
2.
Njeriu nuk lind një vrasës,
Këtë e pranon çdo gjyq,
Thjesht kalon sensin e masës
Kur ndodhet në një udhëkryq!…
Kjo si për herë të parë
Dhe e dyta nuk vonon
E kjo punë me kaq zarar
Më pas të bëhet zakon!…
3.
Dashuria është pusi më i errët
Porse dhe Ylli më i ndritur,
Aty je njëlloj si gjithë të tjerët
Hyn e del krejt i pastërvitur!
4.
Dashuria dhe stinët e vitit
Më ngjasojnë me dy pika loti
Se fillojnë që nga përvëlimi
Dhe mbarojnë deri tek i ftohti!…
5.
I urrej në pakufi
Ndaj dhe Zotat të më falin,
I urrej në pakufi
Mosmirënjohësin dhe bukëshkalin!…
6.
Kur zbatoi projektin Zoti i Tokës
Natyrisht që ishte i magjishëm
Fjala vjen, unë për milingonat
Kam një admirim të pakufishëm!…
Kam një admirim të pakufishëm,
Për këtë gjithmonë do jem garant,
Se atë që bëjnë milingonat
S’e bën dot as dhe një gjigand!…
7.
Pak kujdes ti po të kesh
Gjarpri s’të helmatis
Po dhe një Profet të jesh
S’i shpëton dot pabesisë!…
8.
Dashuri e madhe s’humbet kurrë
Ajo i lëviz e i tund malet
Ajo s’lypet, s’shihet e nuk blihet
Ajo falet, falet vetëm falet!…
9.
Dashuria do ajër e dritë
Nuk rron dot në terr, e në të pjerrët
Asnjëherë atë mos e kërkoni
Në shtigje të zeza dhe të errët!…
10.
Dashuria s’i duron dot fjalët
Ajo është memece që s’shërohet
Se dhe deti ngre dallgët e valët
Si në dashuri, kur zemërohet!…
