Prof. Fatmir Zanaj
Universiteti i Tiranës
Nuk them se PDSH është parti neofashiste. Unë mendoj se atë po e gërryen gradualisht një infeksion shumëvjeçar neofashist. Disa thonë se PDSH është një aset kombëtar politik, që duhet ruajtur. Ajo ka një mbështetje elektorale kombëtare afro 35-45 %. Kjo të detyron të shkruash për të. Po të ishte kjo mbështetje 3-4 % nuk do të shkruanim fare për të, nuk do të na hante meraku nëse dobësohej apo shuhej ajo.
Një aparatçik i saj, G. Bogdani, në emisionin televiziv “Me Xhaxhiun” në mbrëmjen e ditës së premte, dt. 30 prill 2021 pohoi se “të gjithë të pakënaqurit nga regjimi i kaluar, pra nga regjimi komunist, u bashkuan 30 vjet më parë në një konglomerat politik, që mori emrin joshës “Partia Demokratike”.
E kush ishin të pakënaqurit më aktivë ndaj regjimit monist, që iu turrën formacionit të parë politik opozitar për të dalë në krye të tij? Ndër të parët ishin rreth 40 % e ish anëtarëve të PPSH, që brenda natës u konvertuan në antikomunistë. Këta komunistë-antikomunistë, të indoktrinuar me cilësinë e urrejtjes së armikut, përbënin tharmin e parë për shfaqjen graduale të infeksionit neofashist brenda atij konglomerati politik. Ata ishin arrivistët, interesaxhinjtë, të llastuarit për poste, gjithë komunistët e llojit të Estrefit (luajtur nga aktori Niko Kanxheri te filmi artistik “Vdekja e Kalit” (1992), i cili e ndërtonte karrierën e vet duke shkelur mbi eshtrat dhe nderin e shokëve, duke shpifur për kolegët në emër të parullës idiote se “lufta e klasave duhet zhvilluar edhe në gjirin e partisë e të familjes”, ndërsa fill pas nisjes së demonstratave të studentëve për rrëzimin e regjimit komunist në dhjetor të vitit 1990, doli në krye të të pakënaqurve me dy gishtat lart, duke u zgjedhur deputet “demokrat” në parlamentin e viteve 1991 e 1992.
Në këtë parti hynë në fillim edhe mjaft intelektualë idealistë, të persekutuar ose jo nga regjimi komunist, si Eduard Selami, Arben Imami, Aleksandër Meksi etj. Thonë se edhe Edi Rama ishte ndër ta. Që në korrik 1992 shumica e tyre dolën nga ky formacion politik dhe krijuan një parti të re, që jetoi deri ne 2013, partinë “Aleanca Demokratike”. Vetëm pak vjet në rreshtat e PDSH i mjaftoi Maks Velos dhe shokëve të tij, të persekutuar nga komunistët, që të zhgënjehen nga masat pa tru dhe pa virtyte, që mbështesnin verbërisht “udhëheqësin karizmatik” të Viçidolit, frymëzuesin e kontingjenteve ekstremiste me frymëzim hakmarrës.
Pothuaj të gjithë të dënuarit pa të drejtë nga gjykatat e diktaturës u entuziazmuan nga rënia e regjimit komunist dhe në shumicë u përfshinë në lëvizjen demokratike. Shumë prej tyre mbaheshin në qendrat ku mbijetonin të internuarit nga regjimi. Kishte atje edhe nga viktimat e luftës së klasave ne gjirin e Partisë, njerëz me histori e vlera të larta morale e politike, shpesh edhe me titullin e shenjtë “Hero i Popullit”, të akuzuar pa asnjë bazë ligjore si armiq të popullit. Por këta ishin vetëm një pjesë e “popullsisë së burgjeve” dhe vendeve të internimit, ku në 1990 përfshiheshin në shumicë të gjitha kategoritë e të pakënaqurve me regjimin komunist, puritan në çështjet e moralit, – të gjithë të dënuarit ordinerë, vjedhësit, vrasësit, përdhunuesit, autorët e çdo lloj kundërvajtjeje, spiunët e shërbimeve të huaja sekrete.
Të “pakënaqurit” e tjerë, që u shantazhuan për demaskim dhe u thirrën t’i bashkohen PDSH-së, ishin masa laramane e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, shumica e tyre nga shtresa e ish të të persekutuarve.
Nuk them se të gjithë militantët dhe simpatizantët e PDSH janë bartës të virusit neofashist, që po e gërryen këtë parti. Djemtë dhe vajzat e të pakënaqurve të viteve 1990 – 1992 nuk janë kopje e prindërve të tyre. Ndoshta një pjesë vazhdon të besojë te PDSH , por – si të rritur në demokraci, – ata mbajnë shpesh qëndrime shumë të ndryshme nga prindërit e tyre, sidomos ndryshe nga ata që hyjnizojnë rolin e Berishës në shoqërinë postkomuniste.
Në të vërtetë, baza shoqërore e infeksionit neofashist që po e tkurr PDSH-në janë ajo pjesë e anëtarësisë së saj, nga Jugu në Veri, të vjetër apo të rinj, që përligj verbërisht të gjitha sjelljet e politikat kriminale dhe ekstremiste të z. Berisha, që siç thonë sot vetë qejfmbeturit e PD, qëndron si një hienë pas shpinës së Lulzim Bashës dhe e dirigjon këtë të fundit në shtigje të gabuara, shpesh me përfundime kriminale. Në fushatën e fundit elektorale të 25 prillit 2021 emrin e tij të frikshëm e përmendi fare pak Edi Rama dhe askush tjetër. E përmendi në emisionin televiziv të mbrëmjes së 1 majit në News 24 edhe ish presidenti Bamir Topi. Asnjë nga kryetarët e partiçkave që u krijuan gjatë vitit 2020 e fillim te vitit 2021 nuk guxoi t’i drejtojë atij ndonjë kritikë. Pse? Përgjigjja e kësaj pyetjeje lidhet me thelbin e argumentit që trajtoj në këtë artikull.
Pas Luftës së Dytë botërore lëvizjet neofashiste në Europën perëndimore, në Itali, Francë e gjetkë, nuk ishin thjesht një ringjallje e fashizmit klasik. Forcat politike ultra të djathta përfshinë gradualisht në retorikën e tyre politike fjalë si “demokratike” dhe “liberale“, duke u vënë emra të tillë edhe lëvizjeve të tyre. Shumica e tyre braktisi elementët e jashtëm stilistikë të partive të mëparshme fashiste, të tilla si uniformat paraushtarake dhe përshëndetjet ala- romane, dhe shumë prej tyre denoncuan qartë politikat e dikurshme fashiste ose mohuan që partitë e tyre të ishin fashiste. Proceset e defashistizimit dhe denazifikimit, të imponuara nga fuqitë fituese të Luftës së Dytë botërore, si dhe pranimi gradual i normave demokratike të qeverisjes dhe të sjelljes politike nga shumica dërrmuese e qytetarëve evropiano-perëndimorë e zvogëloi mjaft tërheqjen apo joshjen e të rinjve prej ideologjive autoritare. Kjo situatë i shtyu partitë neofashiste të bëjnë një përpjekje të përbashkët për ta portretizuar veten si “demokratike” dhe “normale”, si tërë partitë e tjera politike në shoqëri.
Kjo prirje vazhdoi edhe gjatë viteve 1990-të. Fronti Nacional i Marine Le Pen në Francë, Movimento Sociale në Itali, e transformuar gradualisht në Aleanca Nacionale dhe sot si Fratelli d’Italia, apo Lega e M. Salvinit, AfD në Gjermani etj., veprojnë brenda sistemit demokratik të vendeve të BE-së, edhe pse haptazi apo fshehurazi e minojnë dhe e mallkojnë atë. Nuk ishte rastësi që edhe fronti i djathtë opozitar që u shfaq në Shqipëri pas vitit 1990 mori emrin “Partia Demokratike”.
Personi që e artikuloi publikisht faktin se, në marrëdhëniet me kundërshtarët, PDSH sillet si një parti fashiste, ishte kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, në emisionin Opinion të dt. 29 prill 2021 në TV Klan.
Analiza sociologjike e sjelljeve të kësaj partie gjatë 30 vjetëve të fundit dëshmon së pari, se ashtu si partitë fashiste e neofashiste që e shohin me sy pozitiv dhunën, edhe në segmente të caktuara të udhëheqjes së PDSH dhuna përbën një koncept kyç në të menduarin e tyre “demokratik”. PDSH ka vrarë njerëz të pafajshëm në bulevard, si kur ka qenë në pushtet, edhe kur ka qenë apo është në opozitë. Persekutimi mizor gjatë viteve 1995-1997 i krerëve të rezistencës kosovare, që formuan UÇK-në, zhdukja prej SHIK-ut berishian e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha që ruante provat e takimeve të fshehta të z. Berisha me Milosheviçin apo të B. Gazidedes me kriminelin Arkan, dhuna e paprerë ndaj mijëra simpatizantëve të opozitës socialiste në vitet 1994-1997, që kulmoi në zgjedhjet skandaloze të 26 majit 1996 dhe rrahjet masive në sheshet publike të Republikës të drejtuesve kryesorë të Partisë socialiste, dhe së fundi operacioni kriminal ushtarak i Qeverisë Berisha kundër popullit të Vlorës dhe zonave të tjera të vendit në janar-mars 1997, – janë njolla të zeza të pashlyeshme në biografinë politike të PDSH-së.
Së dyti, një tipar i jetës së brendshme të partive fashiste klasikë, por për fat të keq edhe i disa partive neofashiste sot, është ndërtimi i njësive goditëse paramilitare apo bashkëpunimi me organizata gjysmë-militare.
Së dyti, ndërsa fashistët dikur ua ngarkuan shumicën e fajit për problemet ekonomike të vendeve të tyre makinacioneve të bolshevikëve, liberalëve dhe hebrenjve, neofashistët e sotëm përqendrohen në sulmin ndaj emigrantëve jo-evropianë, kryesisht islamikë, – të tillë si turq, arabë, afganë dhe nga Afrika Subsahariane, – të cilët pas valës së parë të dyndjes drejt Europës Perëndimore gjatë viteve 1970-të, filluan valën e dytë të vërshimit me shumicë drejt Europës që prej dështimit të “Pranverës Arabe”, shfaqjes së “Shtetit Islamik” (IS-it) dhe fillimit të luftës civile në Siri dhe Irak në dekadën e dytë të viteve 2000. Edhe eksponentë të shumtë “ultranacionalistë” të bllokut PDSH-LSI sulmojnë ashpër autoritetet e sotme shqiptare se po mbyllin sytë ndaj vërshimit gjoja në vendin tonë të emigrantëve sirianë, afganë e të tjerë. Histeria e këtyre “ultranacionalistëve” neofashistë shkon deri atje sa thurin teori psiko-patologjike konspirative se qeveria socialiste po largon qëllimisht shqiptarët për t’i zëvendësuar ata me sirianë! U desh një batutë e kryeministrit Rama gjatë fushatës së fundit elektorale në takimin me një biznesmen për mundësinë e rekrutimit prej tij të krahut të lirë të punës nga Bangladeshi për t’u hequr maskën “patriotëve” tanë neofashistë, duke nxjerrë vrerin e urrejtjes ndaj bangladeshasve të gjorë! Këta myteberrë harrojnë se pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1991, ne shqiptarët kemi 30 vjet që jemi bërë një komb që ka “prodhuar” miliona emigrantë të bardhë të shpërndarë në të katër anët e globit.
Një kritik i lidershipit aktual të PDSH-së, z. E. Kulluri, zbulon se krerët e PDSH (direkt flet për z. Basha), “kanë fobi ndaj së vërtetës”. Edhe urrejtja ndaj së vërtetës konsiderohet sot si element i tretë i të menduarit neofashist. Mjafton të kujtojmë Gëbelsin dje, dhe zinxhirin e pafund të gënjeshtrave të z. Berisha sot e 30 vjet, të cilin z. Rama në mënyrë metaforike e quan “Pusetë digjitale” nga trillimet, të pavërtetat, apo fake news që pjell fantazia e tij. Në një shoqëri demokratike europiane nuk është mendësi e forcave demokratike të trillosh ngjarje si “rasti Babale”! Kush i inskenon ngjarje të tilla, që vë në lëvizje skenaristë, regjizorë, persona mjeranë si aktorë dhe studio montazhi me pseudo-video për të njollosur kundërshtarin politik, ai ka mendësi të çoroditur nga infeksioni neofashist.
A janë të vetëdijshëm militantët më ekstremistë të PDSH se janë bartës të këtij infeksioni të rrezikshëm antidemokratik dhe neofashist? A e dinë ata se në një shoqëri të vërtetë demokratike europiane lufta politike për pushtet midis partive e forcave të ndryshme ka disa limite moraliteti e ligjshmërie, që nuk duhen shkelur në asnjë rrethanë? Socio-psikologu amerikan David Dunning nga Universiteti i Miçiganit, në studimin e tij “Të pakualifikuar dhe të pavetëdijshëm për të: Si vështirësitë në njohjen e paaftësisë vetjake çojnë në vetëvlerësim të fryrë jo-objektiv”, (Journal of Personality and Social Psychology, January 2000) e shpjegon praktikisht lidhjen midis injorancës dhe paaftësisë tënde për t’i njohur kufizimet e tua intelektuale, profesionale, politike etj., me shembullin e thjeshtë të aftësive të tua për të shkruar anglisht sipas tërë rregullave gramatikore: “Dijenitë që i mundësojnë dikujt të ndërtojë një fjali sipas rregullave gramatikore janë të njëjtat me aftësitë e nevojshme të tij për të kuptuar nëse ajo fjali është e saktë apo jo nga pikëpamja gramatikore.”
Mangësia intelektuale për të kuptuar se vuan nga infeksioni neofashist e një individi, që u “kualifikua” nga z. Basha për të garuar në qarkun e Korçës edhe pse komisioni Nishani-Ruli e skualifikoi për të qënë kandidat për deputet në zgjedhjet e zhvilluara në 25 prill 2021, nuk është shoqërisht aq e dëmshme, se sa është prania e atij deformimi te mijra zgjedhës që i dhanë votën atij realizuesi të videos së pështirë “Babale”! Kështu infeksioni neofashist moleps shumë njerëz, – anëtarë, simpatizantë dhe votues të PDSH. Kjo është shoqërisht e rrezikshme.
Po të bënim një krahasim të jetës sonë aktuale politike me jetën politike të SHBA të viteve të fundit, mund ta kuptojmë më mirë se problemi më i madh për demokracinë nuk është thjesht një person i vetëm, i zgjedhur demokratikisht si president, ndonëse Sheri Berman, profesore e Shkencave Politike në Barnard College, Oksford, në gusht 2020 shkruante (Social Europe, 31 gusht 2020) se z. Trump “përfaqëson një kërcënim për shkatërrimin e demokracisë amerikane”. Sulmi i 6 janarit 2021 ndaj godinës së Kongresit Amerikan e konfirmoi këtë konstatim, të bërë edhe nga shumë studiues e politikanë të tjerë. Kjo ka nxitur në SHBA dhe në mbarë botën realizimin e analizave e të studimeve mbi tërësinë e shkaqeve që e bëjnë të brishtë demokracinë perëndimore dhe e plagosin ekzistencën e saj. Në SHBA evidentohen QAnon me teoritë konspirative si kërcënim i llojit të terrorizmit të brendshëm, përmenden “Proud boys”, supremacistët e bardhë dhe kërcënimet e shumta nga populizmi i djathtë.
Ky lloj populizmi shfaqet edhe në Shqipëri dhe është ai që voton të hyjnë në parlament pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 politikanë që kanë lyer duart me gjakun e protestuesve të pafajshëm dhe inskenojnë operacione informative të tipit “Babale”. Ky është efekti i infeksionit neofashist te grupe të ndryshme me ndikim brënda së djathtës shqiptare dhe te PDSH.

Nga mbite o njerez te trashe, qe nuk e keni konceptin e politikes dhe u bete jo politikane, por “daullexhinj” te orkestres se me te fortit..! Me I forti dihet, eshte “tigri prej letre” qe po ju heq c’do ndjenje njerezore, duke ju futur semundje “kancerroze” te parase..! Asnje prej jush nuk ka qene Komunist..! Komunistet jane njerez me ndjenje qe dine c’eshte atdheu, familja. Ata nuk e shesin atdheun per para, nuk sulmojne tjetrin per ta zbuar nga shtepia, sikurse kane vepruar apo veprojne edhe sot ata nga te cilet ju te pa cipet meri “leksionet”..! Por jam i bindur se nese do te ndodh ndryshe, ju perseri do te dilnI mbi mua, qe me kete gjuhe qe eshte gjuha e se vertetes, po flas sot..! Ju perseri do ti beni duart “gjak” nga dusrtrokitjet per nje post, or te mallkuar..!
Nuk thua, por “thonee” qe … diversioni komunist keshtu fillon.
Nuk i ben pershtypje fatziut qe jane kthyer komunistet e zbutur ne kafshe shtepiake te PS ne fashista.
Dua te shoh komentin tim..! Jo censure..!
Ku eshte komenti I Im..?!
Te kini turp..!
Pena te TILLA “ATDHETARE* na NEVOJITEN.!
Faleminderit Pr.i nderuar- Fatmir Zanaj !
I nderuar Pr Fatmir Zanaj se pari ju pergezoj qe jeni mire sa me shkrimin e me siperm, qe ju them se jeni shume mire,ne kuptimin e vertete te PERMAJTIS se ketij shkrimi,;-nje *TRINITRINE*shpetimi apo me mire nje *BOMBE*-me ata qe nuk duan te pranojne. Pershendetie gazetes *DITA* sa Ju z.Pr. Fatmir Zanaj .NDERI i UNIVERSITET te TIRANES ! Ne Toronto pone lexoj sa permes Telefonatave me shoke e miq te nderuar komunikos qe ju pershendesin, mbi te gjitha per atdhetarizmin tuaj demostruar.ne mbrodhesi te Vendit. Miresite ju shoqerofshin ju uroj dhe une 85 vjecari nje jete mesues ,deri Drejtor Shkolle ne Tirane-
-fshat-qytet..
E lexofshin me LAPS ne dore-
85 vjecari *Pasues Veteran*!
Toronto 11–05-2021 Guri Naimit D.