Ëndrrat dhe zhgënjimet e Agim Meros

Ornela

Nesip Kaçi

Zoti Agim, ju keni shkruar disa libra ku keni rrëfyer jetën Tuaj dhe gjurmët e saj. Ato, siç shkruani Ju, ngjajnë si një lëndinë herë e blertë, herë e shkretë, si ëndra të trazuara, shpresa të thyera që, si një përallë shfaqen e zhduken pa fund. Por Ju gjithashtu jeni optimist në jetë, me vendosmëri e besim dhe priresh për të shikuar para së gjithash anët e mira dhe me të drejtë shkruani se, jeta gjithsesi është e bukur dhe duhet jetuar, ajo e mëson njeriun që edhe nga mizoritë të nxjerrë mësim njerëzor, edhe nga fanatizmi të tregojë tolerancë të vërtetë, edhe nga gabimet të mprehë vigjilencën dhe nga gënjeshtra të ketë respekt të pa fund për të vërtetën. Një botëkuptim ky me vlera të theksuara jetësore, që filozofi, eseisti, poeti dhe novelisti amerikano-spanjoll Xhorxh Santayanas, e ka shprehur aq bukur në aforizmin e tij : “Ata që nuk janë në gjëndje të kujtojnë përvojën, janë të dënuar ta përsërisin atë“. Bukur deri këtu.

Jo vetëm unë, por dhe shumë nga shokët dhe shoqet, që ju njohin, nuk e tepëroj po të shtoj që edhe opinioni shoqëror i atyre viteve, ju ka vlerësuar për aftësitë tuaja si kuadër dhe drejtues model i rinisë shqiptare me shpirt e sinqeritet rinor, punën me rininë e ke quajtur privilegj të jetës tënde. Na erdhi shumë keq se si u trajtuat pas plenumit të katërt të KQ të PPSH-së. Besoj se do të ishte mirë që lexuesit e gazetës “DITA“ të mësojnë, ata që të njohin por dhe ata që nuk të njohin, nga goja tënde, pra, Ju vetë të na flisni për ëndrat dhe zhgënjimet tuaja, ashtu si i keni jetuar ju ato dhe si i keni përballuar. Në fillim na flisni për ëndrrat dhe pastaj për zhgënjimet. E pra, a mund të na tregoni diçka më shumë?

Agim Mero

Ëndrrat rinore                                      

Një ditë gushti të vitit 1948, kur isha 15 vjeç, e lashë Gjirokastrën me ëndrat e fëmijërisë, duke marrë me vete mallin dhe dashurinë për “Qytetin magjik”, pa e menduar se një ditë do të më merrte malli aq shumë për të. Dhe u nisa drejt ëndrave rinore!.. Ishim katër shokë nga Gjirokastra, unë, Rexhua, Diogjeni dhe Jani, që shkuam të parët në drejtorinë e shkollës Politeknikumi “7 Nëntori”, për t’u regjistruar e për të marrë vesh se në ç’degë ishim. Mua më regjistruan në degën ndërtim-ndërtesa, degë e preferuar për mua. Filloi kështu një kapitull i ri në jetë. Mua, krahas fillimit të mësimeve në shkolle, më merrte malli për Adetin e dashur (nënën), për familjen, për shoket që lashë në Gjirokastër. Pa mbaruar maturën, kur isha 17 vjeç, në jetën time ndodhi diçka e veçantë: organizata e partisë e shkollës më pranoi kandidat partie. Do të vinin pastaj vitet e shpresave rinore.

Vitet e shpresave

Vitet pesëdhjetë patën plot ngjarje të mëdha e të gëzuara. Në vjeshtën e vitit 1951 hapen për herë të parë në vendin tonë tri shkolla të larta, Instituti Politeknik, Instituti Pedagogjik dhe Instituti Bujqësor. Përurimi i tyre u bë më 1 nëntor të atij viti, në sallën e Institutit Bujqësor (më vonë shkolla e partisë). Në ceremoni mori pjesë vetë Enver Hoxha. Ishim ftuar edhe ne që në atë vit ishim maturantë. Hapja e shollave të larta në një vend i prapambetur si i yni, ishte një ngjarje historike dhe për rininë një shpresë e gëzim i veçantë. Në vitin 1952 edhe vetë fillova studimet në Institutin e lartë Politeknik, në degën e ndërtimit. Ndiheshim krenarë se do të ishim inxhinierët e parë të pregatitur në shkollat e Shqipërisë.

Një tjetër ngjarje, pa dyshim, historike për vendin, por edhe shumë e gëzueshme, ishte krijimi në vitin 1957 i Universitetit të Tiranës, në atë kohë me gjashtë fakultete dhe me mbi tremijë studentë. Unë përshëndeta, në emër të studentëve në mitingun e organizuar, me atë rast, në sheshin para Universitetit, që sot quhet sheshi “Nënë Tereza”. Krijimi i Universitetit ishte realizimi i ëndrës së brezave të tërë, që nga rilindësit e mbase dhe para tyre, tek iluministët shqiptarë, deri tek ato ideale të pastra të partizanëve që bënë Luftën Nacionalçlirimtare. Ngjarje dhe vepra me përmasa të tilla, siç është Universiteti mbeten përmendore të përjetshme në historinë dhe ndërgjegjen e kombit. Atë vit unë mbarova institutin dhe u emërova pedagog në fakultetin e inxhinierisë, dega e ndërtimit, dhe po atë vit, pra më 1957, u zgjodha edhe Sekretar i Komitetit të Rinisë së Universitetit.

Viti 1957 ishte viti kur unë shkoja për herë të parë jashtë shtetit në Festivalin e Gjashtë të Rinisë, që organizohej në Moskë. Delegacioni ishte shumë i madh, kishte rreth dyqind vetë. Kryetar i delegacionit ishte Todi Lubonja. Në delegacion bënin pjesë grupi i baletit klasik, grupi i valleve, i artistëve, okteti i universitetit, ekip futbolli, basketbolli dhe kori i studentëve shqiptarë që studjonin në Moskë, që drejtohej nga Milto Vako. Ishin gjithashtu këngëtaret Vaçe Zela, Anita Take. Vaçe Zela me kitarën e saj bëri fuore, sidomos me këngët e Amerikës Latine. Në atë periudhë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin në lulëzim. Kur parakaluam në stadiumin “Lenin” në tribunë ishte edhe Enver Hoxha. Ne parakaluam të dytët apo të tretët, të veshur me kostume kombëtare duke kërcyer vallen e Kukësit. Stadiumi i Moskës i mbushur plot e përplot brohoriste dhe duartrokiti veçanërisht grupin e baletit dhe valltarët popullorë si dhe këngëtarët Avni Mula, Xhoni Athanas etj.

 

Takimi me Gagarinin  

Ishte një rast i papërsëritshëm dhe shumë fatlum takimi me kozmonautin e parë në botë, sovjetikun Juri Gagarin. Jeta të sjell shumë të papritura që nuk i ke menduar ndonjëherë dhe as që i ke përfytyruar kurrë. Në një atmosferë të akullt, sepse marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik ishin prishur, në verën e vitit 1962 më takoi të shkoj në Leningrad në kongresin e Bashkimit Ndërkombëtar të Studentëve, si pëtfaqësues i studentëve shqiptarë. Leningradi ishte qytet i ëndërruar nga kushdo për t’u parë, për historinë, për veprat e artit, për arkitekturën, për Ermitazhin e famshëm. Kongresi zhvillohej në sallën ku Lenini mbajti fjalimin e parë kur u kthye nga Finlanda. Delegacioni shqiptar përbëhej nga tre veta dhe unë isha kryetari i delegacionit. Në atë kongres pata fatin, një fat të tillë kushdo do ta dëshironte, të takoja Juri Gagarinin, kozmonautin e parë në botë, që përshëndeste kongresin, si i ftuar nderi. Në fjalën e tij ai tregoi për fluturimin e tij në kozmos. Pjesëmarrësit në kongres e pritën me brohoritje të furishme, duartrokitje dhe entusiazëm të veçantë. Sipas rendit alfabetik delegaçioni ynë, Albania, ishte në rreshtin e parë, fare pranë podiumit. Kur mbaroi fjalën e përshëndetjes Gagarini u dha dorën gjithë rreshtit të parë. Si shumë të tjerë edhe unë kur m’u afrua i dhashë dorën, Gagarini e filloi takimin me delegacionin tonë. Kur më dha dorën ai më pyeti nga cili shtet, nga cili vend ishim. Kur i thashë Allbania, jam shqiptar, Jurka, siç e thërrisnin rusët, më tha plot ëmbëlsi: Nailluçie pazdravlenia allbanskoj malladiozhi : Përshëndetjet më të mira dhe të përzëmërta rinisë shqiptare. Ky ishte një takim i përzëmërt dhe i paharuar për mua. Gagarini ishte një vit më i ri se unë, në atë kohë ai ishte 27 vjeç, dukej shumë i shkathët dhe i dashur, kishte një buzëqeshje shumë të ëmbël, ishte një djalë i bukur, ndoshta bukuria e tij ishte një vlerë e shtuar. Ky ishte takimi ynë si shqiptarë me Gagarinin, besoj se ai nuk ka takuar më shqiptarë sepse marrëdhëniet ishin prishur me sovjetikët dhe Gagarini nuk erdhi dot në Shqipëri siç ishte i ftuuar nga shumë udhëheqës të shteteve  të botës. Gagarini ndroi jetë në vitin 1964 në moshën 33 vjeç. Vdekja e tij më pezmatoi si për një njeri të afërt dhe të dashur. Ai u përplas aksidentalisht në tokë nga një fluturim. Ashtu siç ka shkruar një gazetar, edhe për mua: “Buzëqeshja e Gagarinit do të mbetet e përjetshme, ashtu siç është i përjetshëm blerimi i tokës, që ai i pari në historinë e njerëzimit e pa atë nga kozmosi”.Ky ishte një takim që mua më ka mbetur si kujtim i paharuar dhe sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë më rritet nostalgjia dhe respekti për Gagarinin dhe veprën e tij. Ai bëri një vepër heroike për njerëzimin dhe u bë simbol për të gjithë.Me Gagarinin dhe fluturimin e tij rreth tokës, Bashkimi Sovjetik dhe shkenca sovjetike i tregoi njerëzimit se kishte arritur nivelin më të përparuar në botë dhe kishte lënë prapa vendet e tjera të botës, për atë kohë edhe amerikanët.

Aksionet e rinisë

Motoja e punës së rinisë ishin aksionet e saj, të cilat patën vlera ekonomike e shoqërore dhe lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e vendit tonë. Para pak kohësh ishim pranë kodrave të Universitetit, unë shikoja me nostalgji pyllin dhe pemët që kishim mbjellë në vitet e para të Universitetit. Ishim bashkë me një analist të njohur, ai kur më pa mua që shikoja me kureshtje, më tha se ç’farë shikon ashtu ? Shikoj pemët sa janë rritur, i shikoj me nostalgji, se kam mbjellë disa prej tyre dhe mendoj se aksionet ishin diçka e mirë, si mendon ti? – i thashë. Ai mbasi u mendua pak m‘u përgjigj : “ Ishin të mira, po shërbenin për shpëlarjen e trurit “. E pastaj biseda vazhdoi. I thashë, por edhe në vendet perëndimore i bëjnë aksionet, edhe në Amerikë bëjnë punë vullnetare, bile për të gjetur punë paraqesin edhe vërtetimin që kanë marrë pjesë në punë vullnetare.

Aksionet e rinisë, kishin vlera të mëdha njerëzore e shoqërore, ekonomike e kulturore, por ato veçanërisht kishin vlera emancipuese për të gjithë popullin, e në radhë të parë për nënat dhe motrat tona, që Shqipërisë i qëndruan yll në ballë. Unë dua të flas më shumë për ato aksione, që përkojnë me punën time si drejtues i Rinisë. Unë punova mbi dhjetë vjet Sekretari i Parë i KQ të Rinisë.

Më 6 tetor 1958 filluan punimet në Liqenin Artifiial të Tiranës, me insistimin e Universitetit të Tiranës. Filloi ndërtimi i digës së dheut me gjerësi në bazë, 86 metër. Studentët shkonin e punonin nga 15 ditë, aq sa qe puna prodhuese. Puna qe me kazma e lopata, me karroca dore e me tokmakë druri. Na thirri Mehmet Shehu, Rektorin e Universitetit Zija Këlliçin, Sekretarin e Komitetit të Partisë, Deko Rusin dhe mua si Sekretar i Komitetit të Rinisë të Universitetit. Kishte thirrur edhe një specialist të vjetër, Farudin Nuri, që kishte mbaruar në Francë. Kryeministri na tha, si do bëhet me liqenin, sa i madh do jetë dhe pyeti a përmbytet Tirana po u prish diga. Rektori i tha që përmbytet përkohësisht një pjesë e Tiranës, dhe ai pa e zgjatur shumë tha, “ Pse s’thoni ju që do të përmbytemi me duart tona, ç’është kjo! Po dale, shoku Mehmet, i tha Farudini, që të të themi kur prishet diga. Hë, i tha Mehmeti , kur prishet ? Ajo prishet, theksoi Farudini, po t’i bjerë mbi të një bombë e fuqishme. Kështu thoni, mirë atëherë ndërtojeni, do t’iu ndihmojmë edhe me ndonjë buldozer e ndonjë mjet tjetër, tha kryeministri.

Nga distanca e viteve do të gjesh në aksione edhe dobësi në organizimin e tyre, edhe tepërime. Por e vërteta duhet thënë ashtu siç është me to bëhej punë për të mirën e popullit dhe atdheut, për zhvillimin e vendit, në to rinia gjente një farë romantizmi, lirie e gëzimi në jetën kolektive, që janë dëshira legjitime të moshës së saj. Po të thoshja të kundërtën, do të shkelja mbi sinqeritetin, mbi sakrificat e atyre qindra-mijra të rinjve dhe të rejave të asaj kohe, që tani që janë plakur, s’kanë pse të ulin kokën e t’u skuqet faqja sot për atë ç’kanë bërë të mirë në emër të së mirës e të përparimit të Shqipërisë.

Në vitin 1965 në aksione në fermat bujqësore u ngritën dhe punuan me entusiazëm nga një muaj secili mbi 9000 të rinj e të reja, inisjativë kjo e nxënësve të shkollës “ Qamil Guranjaku të Elbasanit. Në vitin 1966 shkuan në hapjen e rrugëve pyjore me punë vullnetare një numër shumë i madh aksionistësh nga rinia, që nga Erseka e deri në Pukë. Në Bjeshkët e Malësisë, afër Lurës së famshme, ishin studentët e Histori-Filologjisë, që i kujtojnë me nostalgji ato bukuri të mahnitshme. Mbi 10.000 vullnetarë punuan në 42 objekte. Nga 110 brigada u dalluan ajo e Tiranës, Shkodrës, Vlorës dhe Korçës, fletëlavdërimi iu dha Brigadës së Fakultetit Histori-Filologji që punoi në Prat dhe disa brigadave të tjera. Në përgjigje të thirrjes së Enver Hoxhës, në kongresin e 5-të të Partisë : “T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat” , inisiativën e mori rinia e Lapardhasë së Beratit më 14 dhjetor 1966, që u ngjit në Terpan, për të hapur toka të reja. Mijëra të rinj e të reja iu përgjigjën kësaj inisiative dhe iu qepën kodrave dhe maleve për hapjen e tokave të reja.

Më 3 shkurt 1967 u bë në Lushnjë përurimi për fillimin e punimeve të hekurudhës Rrogozhinë-Fier, që u shpall aksioni i rinisë dhe u ndërtua nga rinia. Në fillim komandant i shtabit të brigadave vullnetare ishte Llambi Shella dhe më pas komandante e shtabit të përgjithshëm të hekurudhës ishte një vajzë simpatike 19 vjeçare përmetare, Dhora Jançe. Në ndërtimin e kësaj hekurudhe 54 kilometër e gjatë morën pjesë 60.000 djem e vajza, që e ndërtuan atë për 17 muaj.

Më 19 prill 1969 filloi ndërtimi i hekurudhës Elbasan-Prenjas 75 kilometër e gjatë, një hekurudhë e vështirë me 13 tunele, më i gjati ai i Murrashit 968 metër linear, me 165 ura dhe ura më e lartë e kësaj hekurudhe është ajo e Bushtricës 50 metër e lartë. Në ndërtimin e kësaj hekurudhe në turn punonin 2600 punëtorë dhe vullnetarë. Ndërtimi i saj zgjati pesë vjet ku punuan mbi 100.000 të rinj e të reja me komandante të shtabit të përgjithshëm të hekurudhës një vajzë tjetër simpatike nga Peza, Lumturi Rexha. Një aksion tjetër i madh dhe i vështirë ishte Rruga e Malësisë së Madhe, të cilën në fillim e pati nisur vetëm ushtria, pak më vonë hyri dhe rinia në këtë aksion. Kjo rrugë ishte 75 km e gjatë buzë lumit Cem. Më 1 prill1967 në këtë aksion ia behu rinia. Veç rinisë erdhën edhe skënderbegasit dhe studentët e Shkollës së Bashkuar si dhe shumë student nga fakultetee tjera të Universitetit si Fakulteti Juridik etj. Komandant i shtabit të aksionit ishte oficeri Nusret Jaobelli dhe komisare, vajza e re Luçie Doçi. Më 1 gusht 1967 makina e parë mbriti në Tamarë, në qendër të lokalitetit dhe në qendër të Vermoshit makina e parë hyri më 13 tetor 1968.

Aksioni i Madh i Bregdetit

Në vitin 1966 filloi aksioni më i madh dhe më i bukur, ai i tarracimit të bregdetit për mbjelljen e ullinjve dhe agrumeve: portokalle dhe limona. Aksioni i Madh i Bregdetit, filloi në Jonufër të Vlorës më 8 qershor 1969 dhe mbaroi në janar 1972 në Ksamil të Sarandës, ku punuan 220 brigada nga të cilat 170 ishin me punëtorë e fshatarë dhe 50 ishin studente e nxënës nga gjithë Shqipëria. Xhevahir Spahiu në një poezi nga aksioni shkruan :” Tok t’ia marrim vendçe si dikur, iso ju vëllezër! Bota do fitojë vetëm me punë”.

Kush i ka parë atëherë këto brezarë, të endur si mozaik, që nisnin nga Ksamili dhe fundi gjer në Vlorë, është mrekulluar e mallëngjyer me punën e bukur të rinisë, gjelbërimin e përjetshëm të ullinjve dhe agrumeve dhe i vjen keq tani, që ajo punë titanike dhe djersa e rinisë u shkatërua, por do të mbetet e përjetshme në historinë e rinisë sonë dhe gjithmonë do të kujtohen ato brezarë të qëndisur nga dora dhe krahu i rinisë. Vasil Anagnosti, ish drejtori i Fermës “Rinia”, që punoi atje tridhjet vjet, me lot ndër sy tregon si u shkatërua ajo krijesë e mrekulleshme dhe si u zhdukën ullinjtë dhe agrumet e mbjella. Sot tarracat janë mbuluar me ferra dhe shkure. Vasili na thotë se në Aksionin e Madh të Bregdetit, nga Jonufri në Ksamil u mbollën 300.000 rrënjë ullinj dhe 300.000 rrënjë agrume : portokalle e limona në 2700 kilometër tarraca ose 1500 hektarë tokë. Në aksion morën pjesë mbi 100.000 të rinj e të reja, që nga Vermoshi deri në Konispol.

(Vijon)

Share This Article
5 Comments
  • Kam marre pjese ne keto aksione te rinise, ne Rushkull/Durres, bujqesi, ne veren e 1966, ne hekurrudhen RRogozhine-Fier vere 1967, 1969-70-71 ne aksioni per Elektrifikimin, ne rrethin e Dibres qe u elektrifikua me punen vullnetare te rinise se fakultetit te Inxhinierise elektrike-mekanike. Krenar per punen dhe te paharuara ato aksione me shoket dhe shoqet e klases me te cilet kemi qene si vellezer e motra, rritur bashke qe nga feminia, me disa qe nga cerdhja e kopshti deri sa mbaruam gjimnazin. Falemnderit Agim, ke shkruar bukur shqip, me dashuri dhe vertetsi.

  • *TRINITRINE*Ky shkrim per mua 85 vjecarin!*
    Faleminderit; *ARES dhe FARES*!

    Nesip Kaci i NDERUAR,me nosalgji une sot 85 Vjecar, fatkeqesisht tej addheut,(dihet pseja).mire qe jam ne shtetin me social te botes- KANADA-(Toronto), shtet i vetem ne tere Ameriken veriore,mes tre oqeaneve:
    Ne veri;*Oqeani i ngrire*,ne perendin oqeani Atllantik dhe,ne perendim Paqesori,Shtet vertet HUMAN, si i kemi mesuar nje jete,ne ato vite qe ju pershkruani,ne kete shkrim BRILANT, me te madhin Agim Mero, Ju protogoniste dhe udheheqesit qendrore te RINISE sone HEROIKE ne ato vite MONUMENT mbetur.:
    .*Enderat dhe zhgenjimet e Agim Meros* !
    – Ditet NJEMIJE-.
    Me vjen keq une ato vite stuent e Mesues ne Zona te thella te malsise Tiranes,(Verore ato vite,)nuk kam marre pjese ne ato aksione masive, vec lokale. Krenohem se im Vella,ndiese paste,Stavri Mihali,ka qene nga dretuesit e pare te aksioneve te Rinise,pas clirimit,nga hekurudhat e para ne Hidrocentalin e *Selitese te Malit”.sa nderuar jete,pesionist (me 1998) me ato vepra si shkruani Ju ne goje. Une sot 85 vjecar e lexova me lot ne sy e me ju te dy, sa ate plejade te madhe te RINISE sone HEROIKE,perjetuar .
    Ju faleminderit per ate sinqeritet, model per tu imituar nga bashkekohesit e atyre viteve qe dhe lajthitin kur flasin. *Dielli atyre DEKADAVE*-do shkelqeje ne jete te jeteve.
    *Pasuesi Vetran*…qe ngys jeten,me ato kujtime!

    Dite Njemije sa keni sjelle,si *Trinitrina*jete !.. Te nderuar ATDHETARE te atdheut tone.

    Toronto 14 Maj 2021. Guri Naimit D(Dh.Xhoga)

  • U mbollen 300 mije agrume dhe 300 mije ullinj dhe populli nuk pa kurre me sy nje kokerr liimoni apo nje pike vaj ulliri. Per 50 vjet u punua kot fare kot

  • O ari, qetesoju bre se nga sekelldia ke harruar te vesh k -ne ne krye te emrit.Mos deformo shqipen..I

  • …komentuesi “Ari” ka plotesisht te drejte. Edhe pse idea è transformimit te kodrave ne brezare duket si pozitive, duhet thene se ekonomia nuk zhvillohet me pune te papaguar vullnetare. Po te ishin mbjelle pisha mesdhetare etj, sot ndoshta do kishim nje peizazh fantastik .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *