Arrestohen i riu dhe polici për aksidentin e rëndë në Shkodër

redaktor

Një efektiv policie dhe një 19-vjeçar janë arrestuar pas aksidentit të rëndë në Shkodër, si pasojë e të cilit ndërruan jetë dy të rinj, Serxho Kukaj dhe Eglis Delaj.

Sipas njoftimit të policisë mësohet se janë vënë në pranga personat me inicialet M.B., 19 vjeç dhe V.N., 53 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe.

Të dy të arrestuarit ishin duke drejtuar makinat që u përplasën me mjetin ku ndodheshin dy të rinjtë që humbën jetën.

I dëmtuar nga përplasja ka mbetur edhe efektivi i policisë, që aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin e Shkodrës.

Njoftimi i policisë: 
Drejtoria Rajonale e SHÇBA Shkodër – Lezhë arrestoi në flagrancë 1 punonjës policie dhe 1 shtetas tjetër, pasi ndërsa drejtonin automjetet e tyre, janë përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik, ku ndërruan jetë 2 shtetas. Në vendin e quajtur “Omaraj”, Njësia Administrative Gruemirë në Malësinë e Madhe janë përfshirë në aksident, një mjet tip “Audi” me drejtues shtetasin V. N., dhe një mjet tip “Mercedes Benz“ me drejtues shtetasin M.B., me të cilin udhëtonin si pasagjerë shtetasit S.K., 21 vjeç, dhe shtetasi E.D., 20 vjeç. Automjetet e përfshira në aksident po udhëtonin me drejtimin Koplik – Shkodër. Drejtuesi i automjetit “Mercedez” pasi ka humbur kontrollin e mjetit është përplasur me kolonën e një muri rrethues. Si pasojë e kësaj përplasje ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi S.K., ndërsa shtetasi E.D. ndërroi jetë teksa po transportohej për në spitalin rajonal. I dëmtuar nga ky aksident ka mbetur edhe drejtuesi i automjetit “Audi“, i cili ndodhet i shtruar në repartin e kirurgjisë për shkak të dëmtimeve të marra. Grupi hetimor ka siguruar pamjet filmike nga momenti i aksidentit dhe pas hetimeve në vendngjarje kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve: M.B., 19 vjeç; V.N., 53 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *