Nga Albert HABAZAJ
Gërmimet arkeologjike të bëra në vitet 1971-1977 nga Damian Komata, tregojnë se Kanina ka qenë vendbanim i lashtë që në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të fundit p.e.r. Në shek. IV u shnërrua në qytet të fortifikuar me mure të tipit kuadratik. Kjo qytezë e lashtë ndodhet në Juglindje të qytetit të Vlorës, 4.5 km larg saj dhe në lartësinë 395 m mbi nivelin e detit (Kalaja). Ajo është vendosur në një masiv shkëmbor, në qëndër kalaja dhe gjashtë lagje rreth saj, gjithë vitin e gjelbëruar, rrethuar nga kodrat me ullinj, në jugë të saj ndodhet Mali i Shashicës e përballë, në perëndim deti Adriatik. Kanina quhet “Ballkoni i Vlorës” dhe nga vitet vjen shprehja: “Të prishet Vlora e rregullon Kanina, ndërsa po të prishet Kanina nuk e rregullon dot Vlora”. Kjo ka të bëjë me fuqinë ekonomike që ka pasur Kanina dhe me pasurinë që dispononte. Prof. Aleks Buda, kur ka ardhur në Kaninë, është shprehur: “Kanina është një faqe e ndritur në librin e historisë së Shqipërisë”.
Kanina në vitin 1915 Pamje e Kaninës nga Uji i Ftohtë (Vlorë)
Kanina ka zënë vend nderi për mjaltin dhe vajin e ullirit në konkurset ndërkombëtare. Por ajo ka edhe këngën e saj, që për vlerat që mbart, Kënga Kaniniote, i është bashkëngjitur materialit që u dërgua në UNESKO, dhe zë vend të merituar në fondin e trashëgimisë kulturore botërore.
Historia e këngës së Kaninës
Kënga Kaniniote është produkt i shpirtit krijues dhe interpretues i kaniniotëve në vite. Ajo është fjalë e melodi, e nis qetë si vala në detin e qetë dhe shpërthen si dallga në detin e trazuar. Kënga kaniniote është ruajtur dhe transmetuar brez pas brezi. Ashtu si ulliri që mbart në vete degët e reja, edhe kënga, ka tradicionalen dhe ndryshimet që ka pësuar në vite.
Kënga kaniniote është e vjetër, që kur ka lindur jeta, qysh kanë lindur kaninioti dhe kaniniotja e parë. Kur flasim për këngën kaniniote, sidomos për Ullijoren Poetike të Kaninës dhe Parkun e Bletëve me Mjaltin e këngës kaniniote, natyrshëm në kujtesë na shfaqet emri bletarit urtar dhe shërbestarit fisnik Meleq Kapllanaj. Sikurse në histori, edhe në etnokulturë, etnografi e folkor, njihet, dihet dhe pranohet roli i individit në shoqëri. Krijuesit popullorë, që shpesh herë ishin dhe poetët e grupeve polifonike dhe drejtuesit artistikë të tyre kanë luajtur një rol të veçantë dhe vendimtar për paraqitjet folkorike me nivel të lartë artistik, estetik të traditës prurë në kohë. Kur themi Piluri kujtojmë Lefter Çipën, kur themi Tërbaçi kujtojmë Kujtim Micin, kur themi Tragjasi kujtojmë Hamdi Pulon, kur themi Bënça kujtojmë Maliq Lilën, kur themi Vranishti kujtojmë Muhamet Tartarin, kur themi Dukati, kujtojmë Dule Havarin, kur themi Armeni, kujtojmë Lefter Haxhiraj, kur themi Lapardhaja kujtojmë Feti Brahimin, kur themi Kanina kujtojmë Meleq Kapllanin. Kur themi Kanina, nënkuptojmë Meleq Kapllanaj, mësuesin shembullor, drejtuesin e arsimin dhe kulturës në Kaninë, mikun tonë të çmuar, sa dinjitoz aq të thjeshtë. Nga të gjithë këta poetë të talentuar popullorë, që kemi fatin t’i kemi midis nesh, janë vetëm dy: Muhamet Tartari i Vranishtit dhe Meleq Kapllanaj i Kaninës. Të tjerët janë bërë yje fluturues hapësirave folklorike dhe në kujtesën tonë të paharrimit, që tërë atë pasuri shpirtërore popullore që mblodhën, mbartën, krijuan pasuruan dhe transmentuan për brezat.
Po kush është Meleq Kapllanaj
Ai është marrë mbi një gjysmë shekulli me arsimin dhe kulturën në Kaninë, ndërsa me grupet polifonike të Kaninës, në sistemin e punës zinxhir me grupmoshat, gjinitë, gjeografinë e grupit, tekstet, meloditë, interpretimin, veshjen popullore të grupit etj., roli i tij ka qenë kryesor.
Tekstet e tij (poezitë popullore) kanë pasuruar repertorin e grupeve të Kaninës dhe janë vlerësuar nga specialistët. Poezitë – këngë më të arrira janë: “Shqipëria trime”; “Erdhi ujtë e pijshëm”; “Qitja e parë”; “Ti i thua hënës: del apo të dalë”; “Shqipëria qe me fat”; “Sofra që çit davanë”; “Erdha se më ndolli kënga”; “Majë e këngës keni mbetur”; “Të zgjodha mike për kokë”: “Si hëna e bajramit”; “Vlorë e krenarisë së madhe”; “Zonjushe, nuri mbi nur” etj.
Në grupin “Ismail Qemali” janë regjistruar 3 albume audio dhe një album audioviziv. Ka bashkëpunuar me këngëtaren Marjola Kaçani në këngët: “Jam vlonjate”; “Bëma hallall, moj bëma”; “Gjeraqin e bukur-o”; me këngëtaren Rovena Ibrahimi me këngën: “Të zgjodha mike për kokë” dhe me Tefta Kondon me këngën: “Si hëna e barjamit”.
E kush më mirë se mësuesi veteran Meleq Kapllanaj, poeti i njohur i grupit polifonik të Kaninës, studiues i folkorit dhe etnokulturës, emërnderuar ndër miqtë e tij të arsimit, letërsisë popullore, folkorit dhe etnologjisë, mund të na rrëfejë historinë në këngë të trevës së Kaninës dhe mesazhet fisnike që ajo përcjell në breza?!
“Polifonia Kaniniote, – thotë Meleqi – shërben si një urë lidhëse ndërmjet Këngës Popullore Qytetare Vlonjate (KPQV) dhe Këngës Polifonike Labe (Lumit të Vlorës), duke zënë një vend të rëndësishëm në polifoninë shqiptare. Ajo ka lindur në një hapësirë gjeografikisht të kufizuar. Nën interpretimin e grupeve polifonike të Kaninës dhe veçanërisht të Grupit Polifonik “Ismail Qemali”, si dhe të këngëtareve vlonjate: Marjola Kaçani, Rovena Ibrahimi dhe Tefta Kondo, ajo i ka kaluar përmasat rajonale, duke lëvizur e shtegëtuar e freskët dhe harmonike, plot muzikalitet. Ajo është fjalë e melodi.
Poeti popullor M. Kapllanaj Grupi Polifonik “Ismail Qemali”, Kaninë
Kënga e Kaninës në rrjedhat e kohës
Fillimet e këngës së Kaninës, datohen në shekujt IV-II para erës sonë, kur është themeluar qyteti i Kaninës, si vendbanim, por me kalimin e kohës, janë formësuar tradicionalisht, ashtu si interpretohen në kohën e sotme. Ajo është kënduar në ngjarjet më të shënuara njerëzore, nëpër odat, shtruar e këmbëkryq, në ditë gëzimi e hareje në gosti e davete, fejesa e martesa, duke kënduar të gjithë ata që janë prezent në ambjentin e këngës.
“Kujtimet më çukitën, – e shtron tutje bisedën poeti i Kaninës – që të nxjerr nga shpirti më të mirat, më të besueshmet e më të qënësishmet për këngën, interpretuesit dhe krijuesit. Jeta na pret me këngë (lindja), na shoqëron me këngë (në eventet jetësore) dhe na përcjell me këngë (vdekja). Fjalët e tekstit të këngës dolën nga Kanina e Kalaja e saj, nga historia e Kaninës, nga toponimet dhe ngjarjet që lidhen me to, nga bëmat e njerëzve të shquar, nga hapësira plot ngjyra, të cilat futen në shpirtin e krijuesit, shtresohen e pastaj fluturojnë duke dalë prej andej, si mjalti e vajit të ullirit, si rrezet e diellit, pët t’u futur në shpirtrat e atyre që e dëgjojnë dhe e duan këngën. Në se Kanina quhet “Ballkon i Vlorës”, kënga e saj quhet “mjalti i këngës labe”. Sofra e këngës është sofra e paqes dhe kur këndohet kënga, ata që marrin pjesë mundohen që ajo “të vejë mirë”, duke harruar hallet dhe dertet, mllefet e qejfmbetjet, përkatësit dhe sa më mirë të eci kënga, aqë më të kënaqur janë ata që i bëjnë “hyzmetin”. Kënga e vërtetë, e gjallë e gjen lehtë rrugën për në zemra, ndërsa zotërinjtë e saj, hijeshojnë bukur, në të gjithë pushtetmes, këngës kaniniote, ku pasqyrohet poezia e gjallë e jetës, e harmonizuar me rrezen e mendimit dhe gjakun e zemrës. Kënga kaniniote ka kryer një mision historik. Ajo identifikon njerëz të shquar, ngjarje e bëma, duke shërbyer si arshivë e historisë. Në të gjen pasqyrime bukuria dhe dashuria njerëzore, dalin në pah virtutet dhe thumbohen veset e të metat. Ajo vjen tek ne me dy variante tradicionale që janë ruajtur dhe ashtu si pema e ullirit që mbart në vite degët e reja, ndryshon në varësi të kushteve social – shoqërore dhe shijes e kërkesave të dëgjuesve. Nga eksperienca dhe nga vrojtimet, mund të pohojmë se: kur forma i përgjigjet brendisë, kur mendimi dhe ndjenjat shkrihen në mënyrë harmonike, suksesi është i garantuar dhe përgëzimet e duartrokitjet, janë të merituara. Variantet e Këngës Kaniniote janë pronë vetëm e kaniniotëve dhe nuk kanë “emigruar” në treva të tjera për shkak të vështirësive që paraqesin për t’u interpretuar. Për të vënë në dukje vetitë dhe vlerat në krahasim me këngën labe, Meleq Kapllanaj ka hulumtuar në lëndën e gjallë, ka bërë vëzhgime kur ajo është kënduar në veprimtari a ngjarje njerëzore, në FFK, ka përdorur albume audiovizive të grupeve polifonike, ka studjuar rreth 400 këngë të kënduara dhe të grumbulluara në Kaninë, ka bërë biseda me homologët e tij, me interpretues, dashamirës të këngës, duke tërhequr dhe mendimin e opinionet e specialistëve të fushës. Në Këngën Polifonike ka një afri ndërmjet të folurit njerëzor dhe tonacionit të këngës.
Tradita dhe vlerat folklorike
Kënga Kaniniote ka ardhur tek ne me dy variante tradicionale dhe me nënvariantet e krijuara në kohë: Grupi i Këngëve të Shtruara, ose “Baba Ademçe”. Quhen kështu sepse Adem Mersini, krijuesi dhe interpretuesi i shkëlqyer, në të njëjtën kohë qe dhe reformator i këtij varianti. Ky variant quhet i të moshuarëve (i pleqve) dhe këndohet shtruar (këmbëkryq), nëpër oda, në ngjarje a ndodhi njerëzore, si në gosti e dasma. Kënga realizohet me katër zëra: marrësi, hedhësi, kthyesi dhe isoja. Fillim – marrja bëhet me tone të ulta e duke krijuar kulminacione brenda një marrje. Struktura e tekstit të këngës është me vargje, deri në 6-8 vargje, apo me strofa nga dy vargje, ku një ose dy prej tyre përsëriten në çdo marrje (refren). Grupi polifonik ka 8-10 anëtarë. Me këto veçori, kënga kaniniote afrohet me variantet e Këngës Labe të grupeve polifonike të qytetit të Gjirokastrës dhe të Smokthinës, por edhe Vezhdanishtit, Bratit e deri diku të Gumenicës, etj. Tek kënga kaniniote e veçanta është: brenda çdo marrje krijohen kulminacione ku marrësi ngre zërin në rrokjet tek, ndërsa hedhësi në ato çift. Në fillim – marrje, marrësi e nis vargun me tone të ulta dhe në fund të tij e ul atë në minimum në rrokjen e tetë, duke i dhënë mundësi kthyesit që të ndërhyjë. Tre solistët kryesorë duhet të kenë cilësi të pëlqyera, të jenë të harmonizuar dhe isoja të shërbej si shtrat ku lëkunden tre zërat kryesor.
Interpretues të këtij varianti mund të përmëndim disa emra në Kaninë, por vlen të theksojmë treshen: Luto Kapllanaj (marrës), Barjam Isai (kthyes), Dervish Hasani (hedhës), e cila bënte për vehte dëgjuesit dhe në veçanti studiuesin e shquar, të nderuarin Zihni Sako, i cili në një ekspeditë që bëri në Kaninë, rreth viteve 1954, mbasi regjistroi disa këngë të tyre u shpreh: “Nuk më ka rastisur deri tani të dëgjoj një treshe si kjo në Kaninë, një këngë e realizuar në këtë mënyrë dhe kaq cilësisht, një treshe zërash të përkryer dhe kaq të harmonizuar. Më befasuat, e pyes vehten në se do të më takoj edhe një herë një favor i tillë”. Për këtë treshe sot përdoret me respekt shprehja: “Të marrë Luto Kapllançe, të kthyer Barjam Isaçe dhe të mbajtur Dervish Hasançe”. Ata respektohen si “Maja e këngës kaniniote” të shtruar. Duke u angazhuar në grupet polifonike të Kaninës, në periudha të ndryshme, kontribuan për këtë variant treshet: Nadi Kapllanaj, Gjolek Merkaj, Xhezmi Selimi dhe akoma më vonë: Vendiqar Hyseni, Sazan Sadiraj, Zaçe Kapllanaj, duke realizuar atë që kënga të trasmetohej brez pas brezi dhe të ruhej e pastër. Adem Mersini, në vitin 1908, me rastin e ardhjes së Ismail Qemalit në Kaninë, krijoi një grup, duke bërë prova, me një repertor të pasur, këngë dhe valle, për ta respektuar birin e Kaninës. Meqë organizimi mori formën e një feste dhe këngët do këndoheshin në këmbë, ai bëri një ndryshim të variantit tradicional, duke sheshuar kulminacionet dhe duke e bërë interpretimin më të lehtë dhe duke krijuar mundësi që teksti i këngës të kishte më shumë vargje 8 rrokësh, por edhe 7 rrokësh. Përfaqësues të këtyre varianteve janë këngët: “Mirëseerdhe në Kaninë”; “Se ç’u ndez një tym Kaninë”; “O Meto, o Meto Nuri”; “Hadër be, kur more”; “Më 28 Nëntor”; “Cili je ti more burrë”; “Vlorë e nderuar mbete”; “Bejkë vetulla kalemi”; “Moj pisqolla me kavake”, etj. Disa prej teksteve të këtyre këngëve dhe të tjera, kanë pasur tekstet me 4-6 strofa, një prej të cilave përdorej si refren.
Grupi i këngëve me ritëm, varianti më i ri që quhet ndryshe dhe kënga e të rinjve, mbasi është kënduar prej interpretuesve në moshë më të re. Këto këngë janë më dinamike, më emocionale, por edhe më të vështira për t’u kënduar.
Kohëlindja e këtij varianti është atëhere kur jeta social – shoqërore e kaniniotëve mori një zhvillim të vlerësueshëm ekonomik dhe kultura shoqërore pati një rritje cilësore e shpirti duhej të gjente veten me këngën e vet, ndaj kërkesat për këngën u bënë më qibare dhe ritmet e zhvillimit jetësor u paraqitën dhe në këngë. Këngët e këtij grup – varianti, janë kënduar në odat e gëzimit dhe zakonisht, u vinte radha, kur rakia pihej me dolli dhe solistët bëheshin “çakërqejf”.
Ky variant nuk ka asgjë të përbashkët me këngën labe të Vlorës dhe nuk është interpretuar në asnjë trevë tjetër, edhe kur është provuar. Edhe në se ajo është kënduar, është bërë nga të zotët e këngës, kaniniotët, se vetëm ata ja kanë bërë “hyzmetin”. Kur i dëgjon këto këngë, lindin e rriten emocionet, të ngazëllehet shpirti, të ngacmohen ndjenjat, dashuron të mirën e të bukurën, njerëzoren, të shtohet optimizmi. Tonacioni, në këto këngë, në çdo marrje, nga fillimi deri në fund, gradualisht rritet dhe kulmon, kur këndohet refreni, strofa më e fuqishme e tekstit, i cili ndërtohet me strofa 5-7, një ose dy prej të cilave përsëriten në çdo marrje. Vargu është 6 rrokësh kurse në refren vargu çift ka 5 rrokje. Pjesëtarët e grupit janë 8-10 vetë dhe në grupet miks 10-12 vetë, ku 3-4 prej të cilëve janë femra. Këngët janë interpretuar me 4 zëra, por në grupet mikse, 5 zëra, ku një është i femrës.
Me që Meleq Kapllanaj është marrë për një kohë të gjatë me grupet polifonike të Kaninës, i është dashur që të bëjë ndryshime në këtë variant, duke kombinuar në tekst vargun 6 rrokësh me atë 8 rrokësh, pa ndryshuar fillim – marrjen dhe, duke e bërë interpretimin më të lehtë dhe duke lehtësuar ison (mbushjen), mbasi i jepet mundësia që edhe të pushojë. Në veprimtaritë e ndryshme njerëzore, ku interpretuesi nuk gjykohet, por e këndon këngën duke bërë qejfin e vet, janë evidentuar disa marrës, por jo cilësorë.
Interpretuesit cilësorë kanë qenë fare të paktë, duke u angazhuar në grupet polifonike të Kaninës. Treshet më të spikatura kanë qënë: Zaçe Kapllanaj (marrës), Vendim Kapllanaj (kthyes), Vendiqar Hysenaj (hedhës) dhe sipas rastit në grupet miks aktivizohej edhe Nasije Merkaj dhe Eli Belaj. Ky grup – variant përfaqësohet nga këngët (me dhe pa refren): “Ja thoshte bilbili”; “Hanko Sala mban flori”; “Nëpër odën time”; “Në bahçen tënde”; “Shqipëria trime”; “Erdhi ujtë e pijshëm”; “Ky nishani i faqes”; “Si hëna e barjamit”; “Zonjushe nuri mbi nur”; “Vajzës kaniniote”; “Ti i thua hënës: dil apo të dal”; “Të zgjodha mike për kokë”. Kur është kënduar kënga “Ti i thua hënës: dil apo të dal”, në sallën e Pallati të Kulturës, ka qenë edhe Avni Mula, i cili kur mbaroi kënga, u ngrit në këmbë dhe u shpreh: “Kjo është këngë”. Ndërsa në sallë ka qenë Çesk Zadeja kur është kënduar kënga: “Të zgjodha mike për kokë” në FFK. Vlorë 1, ku grupi “Ismail Qemali” u nderua me çmimin e tretë, ai e vlerësoi tekstin dhe këngën me shprehjen: “…kënga e Kaninës, në melodinë dhe tekstin e saj, mbart një evolucion të dukshëm të polifonisë tonë”.
Ajo që i ka parë hairin këngës kaniniote ka qenë Vlora me këngën e saj popullore qytetare. Ndaj themi se kënga kaniniote dhe ajo vlonjate janë nënë e bijë.
Nga ekspeditat në terren, Kapllanaj kujton: “Në vitin 1975, me të ndjerin Haxhi Dalipi, kemi shkuar në lagjen Karabash, fis ku kënga kaniniote ndjehej mirë. Aty takuam dhe biseduam me Gjysh Çobon, Bardhyl Xhorin dhe Reshat Drenovën. Ata pohuan se: “Në fëmijërinë tonë, kënga kaniniote këndohej si në Kaninë e më vonë në eventet në Kaninë e Vlorë, filluan të përdoreshin sazet. Ato e gjetën këngën dhe variantet e saj në Kaninë, duke i shoqëruar ato. Kur krijuan një repertor dhe u njohën me variantet e këngës, udhëhiqnin duke luajtur rolin kryesor dhe pjesëtarët në ambjentet e këngës, gosti apo dasma, këndonin që të gjithë. Në këtë familje takuam dhe Shejme Çobon (Kapllanaj) [halla e poetit popullor dhe studiuesit M. Kapllanaj, shën im-A.H] nga Kanina që ishte martuar që në vitin 1939 dhe bashkë me pajën e saj, ajo mori nga Kanina dhe një kostum popullor femrash dhe një tufë me këngë. Ajo këndonte shumë mirë këngët e dasmës femrash, por edhe këngë burrash. Haxhiu regjistroi prej saj opinione dhe disa këngë femrash e burrash, ashtu si i kishte kënduar në vajzëri”…
Evolucionin e KPQV mund ta përcaktojmë në këtë mënyrë: Para vitit 1930, kënga këndohej në mënyrë zanore. Mbas vitit 1930, deri në vitin 1950, shoqërohej nga sazet dhe udhëhiqej prej tyre. Mbas viteve 1950, kënga shoqërohej nga sazet por filluan edhe kompozitorët të kompozonin meloditë e këngëve dhe kënga interpretohej nga solistë, duete apo trio. Kjo që u tha deri tani (më lart) përfaqësohet nga këngët: “Ja thoshte bilbili”; “Hanko Sala mban flori”; “Nëpër odën time”; “Hanko pelivaneja”; “Mbi shtëpi të shkova mbrëmë”; “E vogla sa një mexhide”; “Në bahçenë tënde”; “Teli Ndinit”; “Enver Jaho” etj. Hallall krijuesve të tekstit, interpretuesit të këngës dhe kompozitorëve. Sot në Kaninë, kënga këndohet me dhe pa muzikë, ashtu si është kënduar qëkur. Në Kaninë këngët janë kënduar me variantet e tyre, por edhe me formën “Hidh e Prit”. Kjo ndodhte në rastet kur brenda një ode, shtroheshin dy trapeza (dy grupe). Secila trapezë vepronte si një e vetme, me mirësi e dolli, por edhe me këngë. Kur e merrte këngën njëra trapezë, tjetra pushonte dhe anasjelltas. Dollia nuk lejohej të kalonte nga një trapezë tek tjetra, ndërsa kënga po. Kjo ndodhte kur njerëzit bëheshin tërë qejf. Kënga alternohej duke u marrë nga çdo trapezë, por duke ruajtur radhën. Kaniniotët e kanë përdorur në një koncert që organizoi në Vlorë kompozitori Nexhmedin Doko, me grupet më të mira polifonike, në 50 vjetorin e Luftës së Vlorës, me këngën “Vlorë e nderuar mbete” dhe u prit mirë nga të pranishmit.
As pas vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri, kaniniotët nuk e lanë stafetën e këngës së bukur të të parëve, por e ruajtën, e pasuruan dhe ua transmentojnë brezave si thesar të çmueshëm e të pavdirë të shpirtit të popullit nëpër kohë. Ishte pikërisht grupi polifonik “Ismail Qemali” që filloi aktivitetin në qershor të vitit 2000 dhe pati arritje të pëlqyeshme, qoftë në aktivitetet në Vlorë ose jashtë saj, në festivale apo në televizione, duke marrë duartrokitjet dhe duke u vlerësuar me çmime. Në FFK Gjirokastër është paraqitur me këngët: “Mahmut beu selam dërgon”, viti 2000; “Do këndoj, se më do xhani”, viti 2002; “Donika dërgon të fala”, viti 2004 dhe “Shqipëria qe me fat”, viti 2015. Në dy festivalet ka hapur programin e Qarkut të Vlorës. Ka marrë pjesë në FFK Vlora, ku vlen të theksohen këngët: “Të zgjodha mike për kokë”; “Erdha se më ndolli kënga”; “Në bahçen tënde”; “Majë e këngës keni mbetur”. Ka marrë pjesë dy herë në “Odën Dibrane”; në Drenicë të Kosovës, ku është vlerësuar maksimalisht. Eshtë filmuar nga TVSH; Top Channel”; “Klan” dhe “Antena”.
Ka marrë pjesë në një sekuencë në filmin për “Artisten e Popullit” Drita Pelingu dhe ka dhënë koncert në Gramsh e Sarandë. Solistët kryesorë të këtij grupi janë: Piro Bregu dhe Fatjon Hyseni (marrës); Petro Limaj dhe Besnik Merkaj (kthyes) dhe Vasil Halili (hedhës). Isoja përbëhet nga: Sinan Xhafaj, Çerçiz Lushaj, Ylli Mataj e Virjon Mici. Ndërsa drejtuesi artistik dhe poeti i teksteve të këtij grupi, Meleq Kapllanaj është vlerësuar “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore” në vitin 1986 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe në vitin 2016 nga Këshilli i Qarkut Vlorë me titullin “Mirënjohje e Qarkut Vlorë” me motivacionin: “Poet popullor i talentuar, i cili ka zhvilluar e ka pasuruar Këngën Polifonike të Kaninës dhe folkorit shqiptar”.


