Lufta ndaj korrupsionit, Koçi: Ndërkombëtarët duan para drejtësisë “peshq të mëdhenj”

redaktor

Ndërkombëtarët kërkojnë në bankën e të akuzuarve peshq të mëdhenj. Kështu deklaroi në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News kreu i PSV ’91, Petro Koçi, duke ju referuar sfidave të qeverisë Rama në luftën kundër korrupsionit. Sipas Koçit edhe në Shqipëri, sikundër në vendet e rajonit përreth, njerëz me përgjegjësi të mëdha qeverisëse duhet të përgjigjen për humbjet edhe më të mëdha sesa detyra e tyre financiare në proçesin qeverisës.

“Opinioni publik do të jetë në monitorim të qeverisë, për moralin, transparencën. Për faktin sesa qeveria është e angazhuar në luftën kundër korrupsionit për pjesën që i takon. Qeveria është më konkretisht në gjurmët e korrupsionit dhe është e detyruar po për shkak të ligjit që të rrëfehet duke bërë kallëzim penal për çdo person, apo për çdo akt që dyshohet haptazi se është akt korruptiv, e ka për detyrë. Pavarësisht se mund të ankohet një ish-Ministër që po më çojnë në prokurori politikisht. Një Ministër i ri nëse konstaton gjëra që shihen qartazi se kanë problematikë korruptive është i detyruar ti kallëzojë, pasi përndryshe vetë ai do akuzohet më vonë për moskallëzim krimi. Pastaj janë hapa të tjerë institucionalë në përputhje me ligjet për të përcaktuar fajshmërinë. Unë mendoj se për shkallën e lartë të korrupsionit që ka pasur Shqipëria duket se ka një pritshmëri të madhe jo vetëm kombëtare, por dhe ndërkombëtare që në bankën e akuzës të mbërrijnë peshq të mëdhenj. Lufta që bëhet ndaj korrupsionit duke kapur ca peshq të vegjël nuk të çon atje ku duhet. Edhe tek ne duhet të ndodhë si në Itali,Kroaci, Rumani, ku njerëz me përgjegjësi të mëdha qeverisëse duhet të përgjigjen për humbjet edhe më të mëdha sesa detyra e tyre financiare në proçesin qeverisës” tha ai.

Lidhur me sfidat ekonomike, Koçi tha se marrëveshja me FMN është shpëtimtare për situatën në të cilën gjendet situata ekonomike e vendit. Sipas tij, ish-kryeministri Sali Berisha i bindur në humbjen e zgjedhjeve, la trashëgim një ekonomi të rrënuar.

“Kemi një buxhet që është hartuar në një konsultim të qartë, transparent dhe publik me FMN. Kësaj radhe pa ndërhyrjen e FMN-së çfarëdo lloj qeverie shqiptare nuk do të mund të bënte ndryshe. Marrëveshja me FMN është shpëtimtare për situatën në të cilën gjendet situata ekonomike e vendit” theksoi kreu i PSV ‘91.

Përballë drejtorit të Informacionit Patrik Sadikaj, Petro Koçi, në cilësinë e një prej aleatëve strategjikë të PS foli edhe për mbetjen pezull të marrëveshjes parazgjedhore me kreun e koalicionit të majtë Edi Rama. Sipas tij të gjitha palët duhet të angazhohen për të zgjidhur situatën, në funksion edhe të sfidave të tjera zgjedhore.

“Është një problem ende i pazgjidhur dhe një lloj prove për kredibilitetin e marrëdhënieve tona brenda koalicionit. Unë besoj se do zgjidhet brenda parametrave jo thjesht të fjalës së dhënë, bëhet fjalë për marrëdhënie disavjeçare ku qytetarët që janë pjesë e këtij koalicioni kanë rrezikuar edhe jetën, siç ndodhi në ngjarjen e 21 janarit. Është detyrim i të gjithë aleatëve me në krye PS, që ta zgjidhë këtë çështje brenda parametrave të shtetit ligjor. Nuk ka kontakte në zhvillim, kemi komunikuar në fundin e vitit, edhe në festimet në Vlorë dhe Tiranë. Është rivënë re ajo marrëdhënie e mirë mes drejtuesve politikë të këtij koalicioni, por nuk ka negociata konkrete. Dokumenti është një bazë e një negociate të re në këtë fushë, por proçesi duhet të kapërcejë dokumentin, duhet parë më gjerë jo vetëm në bashkëpunimin shumëvjeçar midis nesh, por edhe në lidhje me sfidat e së ardhmes që natyrisht do jenë të vështira. Për një vit e pak janë zgjedhjet vendore, shumë shpejt vinë dhe zgjedhjet politike dhe këto do përballohen me një marrëdhënie sa më të shëndetshme të koalicionit. Jo marrëdhënie pazari, por në përputhje me kontributet, me vlerat që kanë personalitete të ndryshme të gjithë koalicionit, jo vetëm ato të majta” tha ai.

Por nëse nuk bie “telefoni” nga PS, cila do jetë kundërpërgjigjia e aleatëve strategjikë të saj?
“Natyrisht që ne jemi të angazhuar në mënyrë parimore në këtë koalicion dhe nuk mund të them se do kushtëzojmë angazhimet tona të ardhme brenda së majtës në raport me këtë. Kam përshtypjen se është lënë për një fazë të mëvonshme pas 100 ditëshit të qeverisjes, përgjegjësinë kryesore të qeverisjes e mban PS-LSI. Por unë mendoj që edhe supet tona munmd të mbajnë një peshë të mirë dhe mund të lehtësojnë barrën e qeverisjes. Koha ka ardhur dhe kjo çështje duhet të zgjidhet.Nuk besoj se do kishte zhvillime të tipit hakmarrës, në fund të fundit skema politike është bërë dypolare dhe nuk ka alternativa të tjera. Angazhimi në qeverisje i bën të gjitha partitë e koalicionit të jenë më gjeneratore në përballimin e sfidave të së ardhmes. Kërkon përgjegjshmëri nga të gjitha palët, duhet të vendosë logjika dhe jo interesat e vogla që mund të ketë njëri apo tjetri. Por gjithsesi nuk është se ne kemi qenë pjesë e këtij koalicioni për çështje karrigesh, por mendoj që marrëdhëniet e politikës me interesat publike duhet të jenë më pak tregëtare nga çfarë kanë qenë këto kohët e fundit” përfundoi ai.

Share This Article
1 Comment
  • Ti Petro i di emrat e ca “peshqeve te medhenj” se i ke miq, i ke patur edhe shefa, thuaji publikisht se dosjet ua ke mbyllur kur ishe minister i brendshem dhe fusje ne biruca ata qe benin denoncimet kunder tyre duke u bere presion me kalecet e tu pas urdherave qe merrje prej “peshqve te medhenj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *