Shqiptaro- amerikani Fillor Çaushaj, 59 vjeç, është doktor me një karrierë të spikatur. Ka një eksperiencë pune 30- vjeçare dhe mban titullin profesor në mbi 70 spitale dhe universitete në mbarë botën. Specialitetet e tij janë kujdesi intensiv ndaj pacientëve në gjendje të rëndë, kirurg i zorrës rektale dhe kirurgji të përgjithshme. Vjen në Shqipëri për herë të parë, por shqipen e ka mësuar në SHBA, ku dhe ka lindur nga dy prindër shqiptarë të emigruar në Amerikë në vitin 1944. Në një intervistë për Tonight Ilva Tare ne Ora News rrëfen si e ka mësuar shqipen dhe çfarë pret nga shqiptarët dhe qeveria e Edi Ramës.
Shqipen, ku e keni mësuar kaq mirë?
Nga prindërit. Ata kishin ikur nga Shqipëria kur ishin të rinj, por në shtëpinë tonë gjithmonë gjuha shqip flitej. Çdo revistë, libër shqiptar që ishte shkruar e blinin, e gjenin, e këndonin. Unë besoj se jam i vetmi shqiptar në botë që kam kënduar librin e Enver Hoxhës, “Titistët”, katër herë. Unë e di Koçi Xoxën më mirë se sa Koçi Xoxa.
E mbani mend librin ende?
Si s’e mbaj mend.
Çfarë të bënte përshtypje tek “Titistët” më shumë? E besoje ideologjinë?
Jo, nuk e besoja. Prindërit i kisha në anën tjetër ideologjike. Ne nuk e këndonim për ideologji, këndonim për të mësuar gjuhën tonë dhe ato libra ishin të vetmet libra që mund të gjenim.
Mban mend ndonjë pjesë nga “Titistët”?
Mbaj mend plot, por m’u duk një libër interesant i asaj kohe.
Po shqipja e përdorur në të si ju dukej?
M’u duk mirë. Ashtu flisnin edhe prindërit tanë njëlloj. Një shqipe e kthjellët.
“Titistët” ju bëri ta mësoni gjuhën?
Jo vetëm “Titistët”, por edhe “Lahuta e Malësisë”, “Bagëti e bujqësi”, veprat e Konicës, çdo libër që gjenim, këndonim.
Pse lexonit shqip?
Qe dëshira e prindërve tanë. Besonin se do ktheheshin në Shqipëri, nuk do mbeteshin në mërgim dhe prandaj kishin dëshirë që fëmijët e tyre të dinin gjuhën e nënëdhesë së tyre.
Në çfarë vitesh bëhej fjalë? Ata besonin se do ktheheshin në Shqipëri?
Deri në ditën që vdiq babai im, në vitin ’78 thoshte: “Në vitin që vjen… në Shqipëri”.
Si iu dukej Shqipëria në ato vite? Shqipëria komuniste, si e përjetonte babai fatin e shqiptarëve që mbetën brenda kufijve?
Kish merak për popullin e tij. Dinte vuajtjet e tyre, kuptonte çështjet që gjenin popullin brenda dhe ju vinte keq, se ata jetonin në mërgim dhe jetonin më mirë se sa populli shqiptar jetonte në atë kohë.
Pse vendosi të largohej babai juaj? Në ç’rrethana iku?
Babai im ka qenë bashkë me Mit’hat Frashërin me organizatën “Balli Kombëtar” dhe kur mbaroi lufta në ’44, nga Shkodra u nisën dhe vajtën në mërgim. Nga Italia në Siri, nga Siria në Amerikë.
Ishte me miq të tjerë apo vetëm?
Ishin pak, ishin afërsisht 200 shqiptarë që ikën në atë kohë.
Pse vendosën të iknin? E kishin të vështirë për të qëndruar këtu?
Besoj se po të qëndronte babai, nuk do më kishte bërë mua.
Si u njoh me nënën tuaj, e cila gjithashtu është shqiptare?
Nëna ime është shqiptare, vinte nga Fieri. E poqi në Filadelfia. Ai qe 30 vjeç, ajo qe 17 vjeç, ranë në dashuri dhe u martuan.
Nuk pati probleme mes familjeve?
Besoj që gjyshi në anën e nënës nuk e pëlqeu aq shumë, po pranoi.
Pse nuk e pëlqeu?
Mosha, babai im kish moshë më të vjetër nga nëna. Nëna, 17 vjeç.
Kush ishte më i bukur?
Të dy qenë të bukur të them të vërtetën. Babai qe burrë i dukshëm dhe nëna qe shumë e bukur edhe bënë një çift të bukur bashkë.
Si jetuan pastaj, ishin të lumtur bashkë?
25 vjet jetuan bashkë. Babai vdiq në moshën 58. Njëherë s’i kam dëgjuar të ziheshin bashkë. Babai i mbante dorën nënës, kish shumë respekt për të edhe pas vdekjes së babait i thashë nënës, po të dojë të martohesh prapë, por ajo tha, këto 25 vjet me babën tënd kanë qenë shumë të lumtur dhe nuk dua një tjetër, tha ajo, do e mbaj hapur shtëpinë e burrit tim dhe kështu e bëri e shkreta deri sa vdiq edhe ajo në moshën 70- vjeçare.
Nuk erdhën në Shqipëri asnjëherë?
Asnjëherë.
Kishin merak? Do të donin të ishin rikthyer?
Babai 100% dhe nëna 100%, por qe e sëmurë në atë kohë dhe nuk mundte të vinte dot nëna.
Po pas ’90-ës që u hap Shqipëria, si shpjegohet që ju nuk keni ardhur deri tani?
Sepse kishim kuriozitet. Përgjigja e kësaj është komplekse. Thonin një fjalë ata pleqtë tanë: Rri shtrembër e fol drejt. Kishim pak frikë, nuk e dinim ç’ishte realiteti i kombit tonë, nuk dinim njerëzit dhe deshëm të shikonim pakëz me sytë tonë si do zhvillohej puna përpara sesa të vinim drejtpërdrejt.
Ju keni dy fëmijë që kanë babain shqiptar nga gjaku. Po ata flasin shqip?
Asnjë fjalë. Dinë “byrek”. Ajo është e vetmja fjalë shqip që dinë ata. Dinë që janë shqiptarë, por nuk e flasin shqipen fatkeqësisht.
Siç ju imponua babai juve, t’ju ishit imponuar edhe ju?
Nuk kam qenë aq baba i mirë saç ka qenë babai im. Babai im kthehej në shtëpi dhe një sahat çdo natë këndonim shqip bashkë me babanë.
Me detyrim?
Me detyrim. Nuk e pëlqeja, nuk e desha se nuk besoja. Unë e quaja veten amerikan, jo shqiptar. Nuk e dija unë që do vinte dita do shikoja Shqipërinë e babës tim. Ishte zor për ne fëmijët ta bënim këtë gjë, sakrificë. Dhe motra ime e flet shqipen shumë mirë.
Ka ardhur në Shqipëri?
Nuk ka ardhur akoma. Besoj do vijë shpejt.
Do vijë sepse do t’i tregoni gjëra të mira për Shqipërinë?
Plot gjëra të mira, një popull i bukur, dashamirës, bujar. Tradita dhe karakteri i popullit më ka gëzuar pamasë. Një vend shumë i bukur edhe gëzohem që jam këtu.
Si u bëtë mjek? E kishit pasion mjekësinë?
E kisha pak pasion dhe unë nuk besoja se do të më pranonte ai universitet. I kisha notat e mira dhe jo vetëm që më pranoi, por më dhanë bursë, të shkoj atje të studioj pa para dhe e bënë të mundshme të shkoj në shkollë atje. Ata më lejuan, më dhanë paratë edhe më hapën derën.
Si ka qenë shkollimi juaj?
Shumë i mirë. Në Baltimorë, John Hopkins ka qenë një nga universitetet më të mirë, kemi pasur nderin të kishim profesorët tanë njerëzit që kishin fituar çmimin Nobel dhe ata na mësonin neve. S’e harroj kurrë sa të jem gjallë, na instaluam një besim te populli dhe tek mjekësia.
Është profesion i bukur mjekësia? Do zemër të fortë? Do kurajo?
Do dashuri për të sëmurët. Po të kesh dashuri për të sëmurët çdo gjë tjetër kalohet.
Po frikë se mund të humbasin jetën nën duart e tua?
Më shumë shpëtojnë dhe ajo është dëshira, t’i shpëtoj të sëmurët jo vetëm t’i shikoj, por të mundohem për të mirën e tyre.
Ka ndonjë eksperiencë, ndonjë rast delikat në karrierën tuaj, një moment që keni thënë: “Ah pse zgjodha këtë profesion? Kam një pacient që do të doja ta shpëtoja por nuk mundem…”
Po, ka momente të tjera si ato dhe njeriu duhet të jetë i ndershëm dhe duhet t’i kujtoj këto por më shumë ka momente si një i sëmurë që më dërgoi letër këtu në Shqipëri. 27 vite të shkuara kishte kancer ajo e shkreta kur lindte fëmijën edhe më tha: “Zoti doktor, vetëm një gjë dua nga ti, që të shoh këtë çupë në shkollë edhe të vdes”. Ishte 27 vjeç zonjë ajo edhe ia bëra operacionin asaj edhe më erdhi letra këtu në Shqipëri edhe më tha “Dua ti të dish i pari që unë do bëhem gjyshe”.
Kam përshtypjen se ky është momenti më i bukur i këtij profesioni?
Më i lartë i jetës sime.
Përveç punës suaj atje, ju jepni leksione edhe nëpër universitete. Si ndodhin, ju ftojnë?
Po, na ftojnë të japim leksion në degën tonë. Jam profesor në një universitet, kam studentët e mi, rezidentët e mi, doktorë që studiojnë. Përveç asaj, jam drejtori gjeneral i shoqatës ndërkombëtare të kirurgëve dhe më ftojnë gjithmonë të jap fjalime dhe shkoj.
Ju pëlqen të udhëtoni?
Pse jo? Shkoj në Turqi, në Bullgari, në Greqi, kam parë shumë vende të botës.
Por në vitin 1996 keni pasur një eksperiencë interesante gjithashtu në Arabinë Saudite kur keni operuar një princ. Si ndodhi, pse ju përzgjodhën ju për ta bërë këtë?
Ai ka pasur një sëmundje që lipsesh një operacion edhe unë isha një eksperiencë të madhe në këtë operacion, s’më kish vdekur ndonjë pacient me këtë operacion dhe ata më zgjodhën mua të shkoj t’ia bëj operacionin, vajta.
Dhe ju mbajtën atje peng për një muaj, nuk ju lëshonin të ktheheshit në Amerikë?
Më kishin qejf.
Si arrin një mjek që në fund të fundit ndërhyn tek trupi i pacientit sidomos kur ka edhe diçka serioze për shëndetin që ta bëjë familjen e pacientit ta dojë mjekun madje?
Duhet të bisedosh me pacientin, duhet të jesh i ndershëm me pacientin, duhet t’i thuash të vërtetën, ato që mund të ndodhin dhe ato që mund të mos ndodhin por që gjithmonë duhet t’i thuash për të mirën e atij. Kur e bën pacientin njëlloj si nënën e babanë tënd, atëherë e fiton pacientin.
E bën dot çdo pacient aq të afërt?
Pse jo? Me komunikim. Në qoftë se doktori nuk kalon kohë me pacientin, nuk e njeh, ndodhin probleme.
Si qëndruat një muaj atje? Nuk kishit detyrim, punë për t’u kthyer në Amerikë?
Po, po, ai kish shumë para. Nuk do t’ia them emrin se nuk është në rregull, por ai i foli kryetarit të universitetit tim edhe e pyeti se sa bëj unë në muaj fitim për spitalin dhe i dërgoi çekun.
Dhe ju qëndruat për një muaj atje
Po, dhe universiteti i gëzuar, princi i gëzuar, unë jo i gëzuar.
Pse nuk ishit i gëzuar?
Unë doja të shkoja në shtëpi prapë.
Keni patur episode të tjera me personalitete të famshëm që donin të operoheshin prej jush?
Po, në kombin tim po, plot por nuk i bëj publik pasi konfidencialiteti i pacientit nuk më lejon t’i them.
Ju çfarë ndjeheni? Jeni amerikan? Po shqiptar?
Është një pyetje shumë e zorshme për mua të them të vërtetën sepse jam lindur në Amerikë dhe çdo të mirë që kam pasur në jetën time, kombi im i Amerikës ma ka dhënë. Shkollën, edukimin, fatmbarësinë, më ka bërë plot gjëra të mira kombi im, s’mund të them gjë të keqe për kombin tim se e dua me gjithë zemër edhe atje do vdes, edhe ai është populli im edhe e mira e tyre është e mira ime, e keqja e tyre është e keqja ime, nuk ndahem nga ata. Kam ardhur këtu dhe shoh një komb tjetër që është edhe kombi im. Kombi i prindërve të mi, i gjyshërve të mi. E shohim me një sy, me dashuri. Jam me fat besoj, kam dy kombësi tani.
Në Shqipëri ka numër të madh të rasteve me kancer. Ka shumë teori që mund të jetë ndotja e ambientit apo klima dhe mënyra si po sillemi me ambientin këto vite nuk ka ndikuar ndihmuar shumë. Si ka mundësi që mjekësia dhe avancimi i jashtëzakonshëm që ka bërë nuk ka arritur të gjejë një kurë për kancerin?
Sepse kanceri nuk është një gjë vetëm. Nuk kemi një kancer, por kemi kancerin e zorrës, e barkut, trurit, të gjirit… që nuk prodhohen nga të njëjtat gjëra. Kanceri i zorrës mund të jetë, çfarë ha njeriu, gjenetiku e njeriut, trashëgimia e njeriut. Kanceri i gjoksit, trashëgimia nga nëna. Kanceri i stomakut mund të jetë nga ç’ha njeriu. Në laboratorët tanë tani mundohemi të dallojmë avancimin e kancerit. S’e kemi gjetur akoma si ta ndalojmë përpara se sa të fillojë. Dhe për këtë punojmë ne dhe disa profesorë të tjerë, të gjejmë përpara se të vijë, por s’e kemi bërë dot. Unë besoj për 50 vjet, jo për një kohë të gjatë, do ta gjejmë edhe këtë. Në kombin tim ne i gjejmë shpejt kancerët, kemi mënyra parandaluese. Ju s’i keni këtu. Ato që dalin këtu janë të avancuara dhe siç pashë në spitalin Nënë Tereza, të shkretët do vdesin me ato kancere, shpejt.
Kur do të vini prapë në Shqipëri?
I premtova ministrit se do të vij brenda 6 muajve prapë të shikoj situatën këtu dhe të mësoj më shumë nga populli shqiptar.
Ne duam të na mësoni ne, jo të mësoni prej nesh.
Po mësojmë shoqi shoqin. Kush vjen me mendje për të kurdisur problemet është gabim. Çdo problem kurdiset nga brenda, me ndihmë nga jashtë po, por nga brenda kurdiset.
Keni një urim për shqiptarët kudo ku janë, në Amerikë, në Shqipëri, në troje të tjera, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi.
Unë i uroj shqiptarëve të kenë fatmbarësi, të kenë punë, të kenë diturinë e tyre, t’u mësojnë fëmijëve të tyre shqip, t’u mësojnë historinë e kombit të tyre. Njeriu që nuk di vendin e vetë, nuk është komplet. Unë besoj sot në moshën 59 vjeç jam bërë komplet sepse di nga kanë ardhur prindërit e mi dhe di prejardhjen time dhe kuptoj shumë më mirë çfarë njeriu jam unë.
Po si bëhet kjo? Duke mësuar, duke u edukuar?
Nga prindërit, prindërit. Prindërit e kanë përgjegjësinë. Ne s’kishim shkolla shqiptare. Shkolla shqiptare qe kuzhina e babait tim, abetare e babait tim, librat që siç të thashë, nga Enver Hoxha deri te Faik Konica i kemi kënduar, duhet të këndosh çdo gjë në gjuhën tënde. Tani jeni me fat, keni shkrimtar Ismail Kadarenë që mund të këndoni, ne s;i kishim atëherë.
Ju duket aktual Konica edhe në ditët e sotme?
Është fantastik.
Si shpjegohet kjo? Ose nuk kemi ndryshuar ne ose Konica është një gjeni që i ka gjetur të gjitha.
Tamam, ai është gjeni. Ka qenë njeri që e ka parë kombin e tij, njerëzit e tij…. Shumë i zhvilluar, shumë i zhvilluar. Një respekt të madh për të.
Ka një tjetër teori këtu në Shqipëri që njerëzit e mirë, këta gjenitë, nuk i mbajmë brenda nesh. S’i duam fare kur i kemi brenda, i shajmë, jemi kritikë, kur ikin jashtë themi ndonjë fjalë të mirë dhe po s’erdhën në Shqipëri janë shumë më të mirë akoma. Pse e kemi këtë?
Shqiptari është i zgjuar dhe pak i djallëzuar.
Dhe i zgjuar dhe i djallëzuar. Ky është kombinim i rrezikshëm…
Po është e vërtetë, është kombinim i rrezikshëm, porse me kohë do na cilësojnë si një komb të madh, shpresoj unë.

JU lumte doktor.Njerez si Ju dhe Prinderit tuaj e nderojne dhe iduhen Shqiperise.Ato qe keni deklaruar qendrojne,dhe une personalisht besoj se me Njerez te medhej me menje te ndritur dhe me zemer te madhe SHQIPERIA JONE do te behet ashtu si e duam.JU uroj shendet dhe suksese ne profesionin Tuaj te nderuar. ME respekt: BERSANT DEMHASA.KRETE.
E pashe intervisten dhe sa degjova pergjigjen e pare, pashe qe ky njeri, ka dicka te vecante.
Nje intelektual teper i sinqerte ne pergjigje, pa asnje kompleks politik, shume human dhe shume i qarte ne ceshtjen e projektit qeveritar, per ceshtjen e shendetesise.
Dinte me argumenta ta mbronte kete projekt.
Ishte nje interviste e bukur.
Si ky njeri,ka plot ne diaspore .Te edukuar me Atdhedashuri .
Po Berisha e Nanon kur nuk deshten me i pranuar ne shqiperi,po as populli shqiptar qe lufton ende nazifaschistet !!!
ne jemi i vetmi vend ish komunist qe asnje njeri nga diaspora nuk ka afruar ne asnje vend te jetés politike e sociale.
Tash qe prinderet tone nuk Jane me,eshte vone per cdo veprim mbasi punet Jane perkeqesuar aq shume sa gati nuk flitet me per’diaspore’ -fitore e vetme e Berishes:shkateroj edhe atdhedashurine e diaspores per kete vend,-pasi kjo diaspore e vjeter eshte zhgnyer aq shume…
Sa as nuk do me permend me .
I uroj jete te gjate doktorit emeritus. Ishalle ka jete te gjate e shendet te mire.
Nje nder burrat shqiptare te mencur qe flasin shqip.Vetem respekte