Sorrentino nuk ngopet, kërkon qershinë mbi tortë

anazapta

Trajneri i Teutës, Roberto Sorrentino, pret qershinë mbi tortë. E ka fjalën për ndonjë futbollist cilësor, nga ata që bëjnë diferencën, me shpresën se do ta ketë gjatë ditëve të janarit, edhe pse thotë se merkatoja është mbyllur për skuadrën e tij pas nëntë ardhjeve të reja. “Me lojtarët e marrë në merkato kemi plotësuar disa boshllëqe dje jemi forcuar edhe për të ardhmen, pasi janë të rinj me perspektivë”, komenton trajneri italian për Supersport. “Shpresojmë të kemi rezultatet më të mira se sezonin e kaluar. Merkatoja është mbyllur për ne, por në futboll ka përherë një qershi mbi tortë. Unë pres ende një dhuratë nga ana e shoqërisë”. Italiani 58-vjeçar nuk thotë se çfarë preferon, megjithatë pranon se skuadra e tij tani është mjaftueshëm e fortë për të synuar e pakta një vend në Evropë për sezonin e ardhshëm. “Objektivat tanë janë që të renditemi sa më lart. Dëshirojmë të ecim sa më gjatë në Kupën e Shqipërisë, e cila na lejon pjesëmarrjen në Europa League. Pozitiv është fakti që gjithçka e kemi vetë në dorë. Barazuam në Tiranë, por nëse do të kishim fituar do të ishim në vendin e dytë në renditje. Skuadrat janë të gjitha aty dhe besoj se do të jetë një luftë e bukur deri në fund”, thotë Sorrentino, duke iu referuar faktit që janë e pakta pesë skuadra ato që luftojnë për dy vendet që të çojnë në Europa League. Me fjalët që thotë, duket se trajneri i durrsakëve nuk e sheh Teutën në garë për titullin, duke ia lënë atë kampionëve të tre viteve të fundit. “Skënderbeu është një realitet për futbollin shqiptar, sepse ka vite që e fiton kampionatin, ndërsa Partizani ka formë shumë të mirë dhe është një nga skuadrat nga e cila duhet të ruhemi. Jemi 4-5 skuadra që luajmë për një vend në Evropë”, thotë Sorrentino.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *