Librat më të shitur sot në botë janë ata të gatimit. Po ashtu, po kërkohen më shumë librat me receta dietologjike, me një synim të vetëm: si të humbim në peshë!. Njerëzit po bëhen gjithmonë e më shumë të kujdesshëm për ushqimin që konsumojnë, pasi ky i fundit nuk është më i shëndetshëm, ashtu si dikur, kur gjithçka ishte bio. Të qenit në formë, është kthyer në një sfidë për njeriun e sotëm, por duket sikur e ka gjithmonë më të vështirë në kohën që po jetojmë!.
Nëse vite me parë në Shqipëri, të ishe i bëshëm tregonte mirëqenie, sot ngjet e kundërta. Kjo shihet si lënie pas dore e shëndetit. Përpara festave të fundvitit vendet më të populluara u panë supermarketet, nga ku dilnin njerëz me karroca përplot dhe fill pas këtyre ditëve, po të njëjtët u drejtoheshin dietologëve për të marrë këshilla dhe për të hequr kilogramët e marra në pak ditë.
Disa prej njerëzve e kishin ndarë mendjen qysh më parë se pas konsumit do të mbanin dietë dhe do të ushtroheshin në palestër, të tjerë sikur i kapi ‘gafil’ festa, pasi nuk i rezistuan ushqimeve që ia bënin me sy mbi tryezë. Doktoreshë Rolina Naço, me një eksperiencë të gjatë në dietologji, siguron që nuk ka asnjë dietë që të dobëson sa hap e mbyll sytë. Në zyrën e saj ka rradhë, për të marrë nga aty një një recetë dobësimi, të gjithë duan një dietë…

Doktoreshë Rolina, nga festat e fundvitit të gjithë janë të ndërgjegjshëm për kilogramët e tepërt. E hasni edhe ju këtë në punën e përditshme si dietologe?
Është e vërtetë që një pjesë e mirë shtojnë në peshë, por jo të gjithë! Në punën time, rekomandoj që gjatë festave i vetmi objektiv është mbajtja e së njëjtës peshë trupore. Ky është edhe një rezultat i fituar me punën e bërë kohën e fundit! Sigurisht disa nga ata edhe mund të shtojnë në peshë, por pas një jave, rikthehen te pesha e mëparshme.
Sa dhe si ndikon atmosfera festive në shtimin e kilogramëve?
Nuk mund të them se shtojmë në peshë më shumë se në çdo periudhë kohore. Pushimet e verës për shumë njerëz kanë të njëjtin e efekt, edhe pse për disa më shumë, për të tjerët më pak. Njerëzit shtojnë jo vetëm në pushimet e tyre, por edhe kur kanë situata të ndryshme, siç janë provimet ose periudhat e ngarkuara të punës.
Çfarë ndodh më pas, a i drejtohen klinikës suaj dhe kërkojnë zgjidhje?
Disa fillojnë të shqetësohen pasi shikojnë peshoren, ashtu sikurse kur nuk veshin dot rrobat e mëparshme. Një pjesë tjetër e kanë të programuar që pas festave do të fillojnë menjëherë dietë dhe palestër. Ka edhe nga ata që vijnë pak më vonë, të cilët shqetësohen për shëndetin e tyre pas një konsulte me mjekun ose kur marrin përgjigjet e analizave dhe kanë yndyrna të larta apo ndonjë shqetësim tjetër që lidhet drejtpërdrejt me peshën trupore dhe ushqimin.
Duket sikur femrat janë ato që e kanë më shumë problem peshën, apo kjo është një klishe, pasi ka edhe meshkuj që kujdesen për shëndetin?
Po është e vërtetë. Tashmë janë dhe shumë meshkuj që shqetësohen për shtimin e peshës dhe marrin vetë vendimin që të drejtohen tek një specialist. Ka dhe nga ata që vijnë pasi ua ka vënë në dukje një person i tretë sikurse është mjeku ose një pjesëtar i familjes, për shembull, bashkëshortja.
Pesha
Harrojeni, nuk ka dobësime magjike!
Nëse do të kishte një vend që do të kishte aplikuar të gjithë këto metoda që thuhen gjithandej për dobësime të menjëhershme dhe pa efekte anësore, ai do të ishte Amerika. Dihet që popullsia në këtë vend vuan nga obeziteti, por ja që edhe aty nuk aplikohet. Me anë të këtij argumenti, dietologia Naço mundohet të na shpjegojë se nuk ka dieta që të dobësojnë pa lëvizur nga vendi dhe pa mbajtur një regjimin ushqimor të ndërthurur me aktivitet fizik.
Na tregoni disa mënyra se si mund të hiqen kilogramët e tepërt?
Në të vërtet si fillim do këshilloja të mos kërkojmë dietën magjike për ta bërë këtë, pasi nuk ekziston. Duhet të bëjmë një plan ushqimor në të cilin të reduktohen
“ushqimet e tepërta” në të cilat kemi abuzuar si dhe të fillojmë një aktivitet fizik. Kur themi aktivitet fizik nuk do të thotë të bëjmë maratonë. Mjaftojnë 60 minuta ecje 4 herë në javë ose 4 orë ecje në javë.
Ka ndonjë mënyrë më të shpejtë që kjo të ndodhë?
Shpesh njerëzit gënjehen pas shumë dietave premtuese ose produkteve ‘çudibërëse’. Me besoni, që nëse ekzistonte një produkt i tillë të parët do e kishin përdorur amerikanët që kanë mjaft probleme me obezitetin
Është e vërtetë që dimri është stina kur njeriu rrezikohet më shumë për të shtuar në peshë?
Është e vërtetë që në dimër kemi një tendencë për të konsumuar ushqime me përmbajtje më të lartë yndyre. Por ka dhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë. Gjatë dimrit, dita është më vogël dhe mbyllemi më herët në shtëpi duke ndikuar kështu në uljen e aktivitetit fizik dhe duke i qenë më pranë frigoriferit. Mungesa e diellit na bën më të plogësht dhe më me pak humor gjë që na drejton tek ushqimet që do na bëjnë të ndihemi më mirë, si psh çokollatat.
Dimër
Ushqim sipas stinës
Edhe ushqimet janë të ndara, dimri të tijat dhe vera po ashtu ka të kohës se saj. Dietologia jonë tregon disa nga ushqimet që rekomandohen të konsumohen në këtë periudhë:
Cilat janë ato ushqimet dimërore të këshillueshme për t’u përdorur në këtë stinë?
Si në çdo stinë edhe në dimër duam që menyja jonë të përmbajë sa më shumë perime . Zgjedhje të mira janë: supa me legume (thjerrëza, bizele, fasule) të kombinuara me drithëra si grurë, misër, oriz. Do na bëjnë të ndihemi më të ngopur duke plotësuar nevojat tona proteinoke dhe kalorike, pa marrë aspak yndyre shtazore. Supat me perime, me mish pule dhe kërpudha janë shumë të këshillueshme. Përveçse nuk përmbajnë shumë yndyrë, ndihmojnë shumë sistemin tonë imunitar.
Perimet, si spinaq, panxhar i kuq, lakër e kuqe dhe e bardhë, brokoli, kungull i verdhë (kungull dimeri), lule lakër, rrepa, duhet të konsumohen shpesh.
Ka njerëz që për pakgjë, mund të prishin gjithë regjimin e tyre ushqimor. Cilat janë ato gabimet që nuk duhet të bëjmë kur mbajmë një dietë?
Atë që ju them klientëve të mi është se ju falet nëse konsumoni diçka më shumë , por është më keq të lini vaktet tuaj pa ngrënë. Personi që do të bjerë në peshë duhet të respektojë oraret dhe vaktet pasi shpeshherë ndodh që prishet dieta kur shmanget një vakt ose hahet, kur është lënë një pa ngrënë.
Mos
Çfarë duhet të shmangim!?
Pijet alkoolike dhe t’i zëvendësojmë me ujë.
Mishin e kuq dhe ta zëvendësojmë atë me peshk dhe agrume (fasule, thjerëza, bizele, qiqra etj.). Të shmangim proshutat të tipit krudo, bejkon, salçiçet, suxhukët etj.
Djathrat kaçkavallë dhe të preferojmë nga bulmetrat vetëm qumësht dhe kos të skremuar. Nga djathrat do të rekomandoja vetëm mocarelën ose djathin e napës, pasi kanë me pak yndyrë dhe kripë.
Shmangim totalisht produkte me sheqer si pije me gaz, lëng frutash, ëmbëlsira produkte brumi si kruasan, pite,biskota, kek sidomos ato që janë me miell të bardhë të tipit 0.
Të preferojmë bukë integrale, por të moderuar në masë.
Makarona integrale dhe oriz integral.
Frutat si burimi i vetëm të sheqerit.
Të konsumojmë 2 sallata në ditë me perime të larmishme në ngjyra.
