Udhërrëfyesi i 2021 për studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë

Ornela

Pranvera Kola

Maturantët dhe studentët që do të duan të ndjekin studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për pranimet e vitit të ri akademik 2021-2022 kanë tashmë gati udhërrëfyesin me kriteret për secilin program studimi. Filologjiku është një nga gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës, i cili përbëhet nga gjashtë departamente që ofrojnë aktivitetin e tyre studimor në fusha të tilla, si: Histori, Gjeografi, Gjuhësi, Letërsi, Gazetari dhe Komunikim, si dhe Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore.

Formula për pranimet në ciklin e parë “Bachelor”

Sipas kushteve të përcaktuara, pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses studimet e shkollës së mesme. Formula si do përzgjidhen fituesit e rinj të 2021 në këtë fakultetet përllogaritet sipas notës mesatare: ku vlerësohet me 80 për qind të rezultatit përfundimtar e përbën mesatarja aritmetike e 3 viteve të studimit në shkollën e mesme. Ndërkohë që me 20 për qind të rezultatit përfundimtar vlerësohe mesatarja aritmetike e lëndëve të Maturës Shtetërore. Për ciklin e parë maturantët do të mund të garojnë në 5 degë që janë: Arkeologji, Histori, Gjuhë letërsi, Gjeografi, Gazetari.

 

Pranimet në ciklin e dytë “Master”

Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për çdo kandidat që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë dhe plotësojnë kriteret e pranimit të fakultetit në të cilin aplikojnë.  Pranimet në ciklin e dytë bëhen në programet “Mster profesional”, si dhe “Master shkencor”.

Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i Shkencave” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: an- glisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri. Niveli i njohjes së gjuhës së huaj përcaktohet me akt nënligjor të ministrisë përgjegjëse të arsimit të lartë. Universitetet mund mund të njohin kredite të përfituara në programet e studimit të ciklit të dytë “Master profesional”, me qëllim transferimin e tyre në programet e studimit “Master i shkencave”.

Programet e studimeve “Master Profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 2 vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.

Ndërsa programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i Shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Këto programe mund të realizohen me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu

përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Në vijim të shrkimit gjenden të detajuara programet e studimit për të cilat mund të konkurohet për pranimet e vitit të ri akademik.

 Pranimi në ciklin e tretë të doktoraturës

Programet e studimit të doktoratës organizohen në përputhje me kërkesat e Ligjit të Arsimit të Lartë 80/2015 dhe të gjitha akteve të tjera nënligjore në zbatim të tij. Programi i studimit të doktoratës përfshihet në ciklin e tretë të studimeve universitare, në përfundim të të cilit lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor”. Studimet doktorale synojnë të nxisin kërkimin shkencor, duke u orientuar drejt thellimit, rikonceptimit dhe riintegrimit të njohurive shkencore në fushat e kërkimit që mbulojnë Departamentet e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Në themel të studimeve doktorale është kërkimi shkencor dhe veprimtaria krijuese e pavarur, si bazë për përgatitjen e Tezës së Doktoratës, të nevojshme për marrjen e gradës “Doktor” dhe lidhja me projekte kërkimore të Departamenteve apo të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.

Studimet për gradën shkencore “doktor” zhvillohen me kohë të plotë pranë departamentit ose me kohë të zgjatur, në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar, pranë institucioneve të arsimit të lartë të llojit “universitet” ose “akademi”.

Për të konkuruar në këto programe kandidati duhet të ketë përfunduar studimet e larta dhe të zotërojë një diplomë të ciklit të dytë “Master i shkencave”/“Master i arteve”, të ketë një diplomë të integruar të nivelit të dytë, ose një diplomë sipas sistemit të vjetër apo titull akademik të barasvlershëm, të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente, si dhe të ketë rezultate të larta në studimet e ciklit të parë dhe të dytë, sipas përcaktimeve të departamentit përkatës.

Po ashtu duhet të ketë mbrojtur një nga gjuhët e huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht ose spanjisht, në përputhje me nivelet e parashikuara në Udhëzimin Nr. 52, datë 03.12.2015 “Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe të testeve ndërkombëtare, për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, në institucionet e arsimit të lartë”, të ndryshuar. Gjithashtu duhet të ketë dy rekomandime nga persona, që kanë titullin shkencor “Profesor” ose “Profesor i asociuar”, të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit. Përveç këtyre kritereve, njësitë bazë në rregulloret e tyre të programit të studimit të doktoratës mund të përcaktojnë edhe kritere të tjera shtesë, që mund të kenë lidhje me aftësitë kërkimore-shkencore të aplikantëve.

Programet e studimit në ciklin e Parë “Bachelor”

  1. Arkeologji
  2. Histori
  3. Gjuhë Letërsi
  4. Gjeografi
  5. Gazetari

Programet e studimit në “Master i shkencave” në Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë

  1. Mësuesi në Gjeografi për arsimin e mesëm
  2. Mësuesi në Gjuhë Letërsi për arsimin e mesëm
  3. Mësuesi në Histori për arsimin e mesëm
  4. Redaktori
  5. Arkivistikë
  6. Guidë turistike
  7. Sistemi i Informacionit Gjeografik të Aplikuar

Në ciklin e dytë: “Master i Shkencave” ofrohen 8 (programe studimi):

  1. Gazetari dhe Komunikim me profile: Marrëdhënie Publike, Marrëdhënie Europiane dhe Ndërkombëtare, Komunikimi Ndërkulturor, Marketing Mediatik, Drejtimi dhe Menaxhimi i Mediave.
  2. Studime Letrare me profile: Teori Letërsie dhe Kritikë Letrare, Letërsi e Përgjithshme dhe e Krahasuar, Studime Letrare Shqiptare dhe Antropologji Kulturore.
  3. Trashëgimi Kulturore.
  4. Marrëdhënie Ndërkombëtare.
  5. Gjuhësi me profile: Gjuhësi e sotme, Gjuhësi Historike.

Programet e Doktoraturës në Fakultetin e Historisë dhe i Filologjisë:

  1. Gjeografi
  2. Studime Letrare
  3. Kërkime Gjuhësore
  4. Shkenca Komunikimi me profile: Komunikim Informim, Komunikim Masiv
  5. Histori me drejtime: Histori, Arkeologji, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Trashëgimi Kulturore.

 

DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *