Hera e parë pas 65 vitesh, Shqipëria anëtare e Këshillit të Sigurimit e OKB-së, votimi në 11 qershor

J L

Shqipëria pritet të zgjidhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me statusin e një shteti anëtar të jo të përhershëm.

Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB datë 11 qershor 2021 do të vendosë që Shqipëria pritet të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023. Grupit të Evropës Lindore ku bën pjesë vendi ynë i takon një vend si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit.

Falë lobimit të suksesshëm shumëvjeçar dhe fushatës intensive të kryer nga gjithë strukturat e Shërbimit të Jashtëm, Shqipëria paraqitet në këto zgjedhje si kandidaturë konsensuale e Grupit që i përkasim, që do të thotë jemi kandidaturë e vetme dhe zgjedhja është e sigurt. Për t’u pranuar duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare, por fakti që Shqipëria është kandidaturë e vetme, votave mund të konsiderohen të sigurta.

Përbërëse themelore e fushatës së Shqipërisë për këtë detyrë ka qenë theksimi i besueshmërisë dhe konstruktivitetit të politikës së jashtme saj, si në planin e dypalësh ashtu dhe në atë shumëpalësh, përfshirë edhe në kuadër të misioneve OKB-së, në shërbim të paqes, sigurisë dhe zhvillimit në nivel rajonal dhe global.

Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh që jemi anëtarë të OKB-së, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer që ndoshta do duhen dekada të përsëritet.

Çfarë do të thotë anëtare jo e përhershme?

Këshilli i Sigurimit përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë, pesë prej të cilëve Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kina dhe Rusia janë anëtarë të përhershëm të Këshillit. Anëtarët e përhershëm gëzojnë edhe të drejtën e vetos, që do të thotë se ato mund të bllokojnë çdo vendim që bie ndesh me ato linja të politikës së tyre jashtme që prej këtyre vendeve konsiderohen të panegociueshme.

Dhjetë të tjerët janë anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, mandati i të cilëve është dyvjeçar. Për të siguruar freskim periodik të anëtarësisë pa cenuar vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e punës së këtij organi aq të rëndësishëm, çdo vit zgjidhen pesë anëtarë të rinj jo të përhershëm që zëvendësojnë pesë të mëparshëm që përfundojnë dy vitet e shërbimit në Këshill.

Në parim, të pesëmbëdhjetë anëtarët e Këshillit përfaqësojnë në mënyrë aq të ekuilibruar sa është e mundur të gjithë anëtarësinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sipas kontinenteve dhe rajoneve gjeostrategjike. Janë gjithsej pesë grupe rajonale, ndër të cilët është edhe Grupi i Evropës Lindore me 23 anëtarë (ku përfshihet edhe Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit). Grupi ynë ka një vend anëtari jo të përhershëm të rezervuar. Mandati i Shqipërisë si kandidaturë konsensuale e këtij grupi fillon më 1 janar 2022, duke zëvendësuar përfaqësuesen aktuale të po këtij grupi, Estoninë.

 

j.l./ dita

Share This Article
1 Comment
  • Me intereson gjendja ekonomike e vendit dhe jo ato for ale..! Shqiperia me ekonomi shume te dobet, duke perjashtuar trafikantet e maskaralleqeve..! A ka pension 70 evro ne bote..?! Kjo eshte ne Shqiperi, qe ndodhet ne “zemren e Europes”..! Mjaft me mashtrime..!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *