E mori ferra uratën

Ornela

1.
Edhe Zotin-o, njëherë,
E gostitën-o me verë,
Pastaj pyeti, menduar:
“Nga doli kjo e bekuar?!…”

I thanë Zotit, sakaq hera
Se vera doli nga ferra,
Uroi Zoti: “U shumoftë,
Gjithë botën e mbuloftë!…

Të mbijë e të rritet vetë,
Pa mundim e pa hyzmet…”

2.
Po njëri u bë pishman,
Që Zotit s’ia tha tamam,
Tha, kur gotën prapë ja mbushi:
“S’del nga ferra, po nga rrushi…”

-Eh,- tha Zoti,- kaq e pata,
I vajti ferrës urata
Dhe për rrushin kot më thatë,
S’e kthej dot atë uratë.

3.
Mbushma gotën dhe njëherë,
E bekuar qofsh, moj ferrë,
Rrush- rushitit, nga del vera,
Ia mori uratën ferra…

Sa të hysh tek demixhaja,
Do mundime të mëdhaja,
Ferra, si desh Zoti vetë,
Mbin kollaj e bëhet det.

Ndaj dhe mbahet me të rënda
Ferra, që na shpon me gjemba,
Ndaj dhe thonë: “M’u bë ferrë!…”
Të paktën të bënte verë.
13 tetor 2008

I zoti të nxjerr nga balta

1.
Një të hënë a një të martë,
Mbeti gomari në baltë,
Gjithë fshati, kur e pa,
Sa gjynah, gomari tha.

Po askush mundimin s’mori
Dhe gomarin nuk e nxori,
Dhe thoshin, posht’ e përpjetë:
Sa gjynah, gomar’ i shkretë!…
***
Me një frymë erdh’ i zoti,
Me një frymë, sa i thanë,
U fut në ujë e në baltë,
Gomarin nxori në anë.

2.
Dhe mbetën fjalët e arta:
I zoti të nxjerr nga balta,
I zoti të nxjerr, o bir,
Bota rri e bën sehir…
29 tetor 2003

Jeta

Jeta është si mollë e pjekur,
Fati ynë aty rri lidhur,
Gjysmë e mollës ësht’ e ëmbël,
Gjysma tjetër ësht’ e hidhur.

Çdo njeri që rron në botë,
Mollën e tij do ta hajë,
Por ai nuk mundet dot
Veç e veç gjysmat t’i ndajë.

Ndaj ai s’e di aspak
Tamam fatin ku ka lidhur,
Do nisë me pjesën e ëmbël,
Apo me pjesën e hidhur.

Po ta kisha unë në dorë,
Do ta zgjidhja me gjithë zemër,
Në fillim pjesën e hidhur
Dhe pastaj pjesën e ëmbël.

Ky ësht’ ngushëllim i jetës,
Fati im me fatin tënd,
Se, për hir të së vërtetës,
Vetëm fundi mbahet mend.
4 nëntor 2008

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *