Pagesat për 2021/ Ja kush mund të paguajë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura

Ornela

Nëpërmjet skemës së sigurimeve vullnetare çdo individ mund të bëjë të mundur përfitimin e pensioneve më të larta të pleqërisë, invaliditetit apo edhe atyre familjare, në ndryshim nga pagesat e skemës së detyrueshme. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura kanë të drejtë të paguajnë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe asaj shëndetësore.

Sipas kushtit të përcaktuar, ky lloj sigurimi për më shumë të ardhura mund të bëhet vetëm për vitin korent në kufijtë e pagave minimale dhe maksimale, 6,480 dhe 132.313 lekë. Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se është qytetari ai që ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri të përcaktuar.

Lidhur me pyetjen se sa duhet të paguhet për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura, ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëjnë me dije se: “Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 30,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e pagës maksimale 132.313 lekë.

Ndërsa punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin deri në nivelin e pagës maksimale 132.313 lekë. Çdo kontribues vullnetar për vitin korent ka të drejtë të sigurohet për më shumë të ardhura. Po sipas tyre, çdo punëdhënës që sigurohet nën nivelin e pagës maksimale ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht  deri në kufirin e kësaj page.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura përfshijnë pensione më të larta pleqërie, pensione më të larta invaliditeti dhe familjare, sipas kontributit të derdhur. Për të qenë pjesë e skemës së sigurimeve vullnetare për më shumë të ardhura, personi i interesuar duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe të kontaktojë me inspektorin e sigurimit vullnetar.Me vete duhet të ketë edhe dokumentet në vijim: “Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit,fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon, fotokopje të letërnjoftimit elektronik/ kartës së identitetit. Nëse personi i interesuar bie dakort për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentet përkatëse për shlyerjen e pagesës së përcaktuar dhe më pas do të lidhë marrëveshjen me inspektorin e sigurimeve për të siguruar në përfitime më të larta kur të dalë në pension.

 

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *