Sot ishte dita e fundit e shkollës, lexoni mesazhin e veçantë që mësuesja u shkruan nxënësve të saj

Ornela

Sot ishte dita e fundit e shkollës për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.

E ndërsa fëmijët i pret periudha e pushimeve, për t’iu rikthyer shkollës në vjeshtë, të shumta kanë qenë urimet nga prindërit dhe mësuesit për përfundimin me sukses të këtij viti paksa të vështirë dhe të pazakontë, për shkak të pandemisë.

Por mes gjithë mesazheve dhe urimeve, kemi veçuar atë që mësuese Entela Alushi, në shkollën Jeronim de Rada, u shkruan nxënësve të saj.

Të dashur nxënësit e mrekullueshëm të “Jeronim De Radës”,


Sot është dita e fundit e shkollës për ju. Nga sot, ju do te jeni më të lirë nga detyrat dhe angazhimet shkollore, dhe do të keni mundësinë të shijoni me shumicë e pa kokëçarje çdo gjë të bukur që ju ofron mosha. Ishte edhe ky një vit i vështirë për ju, por ju jeni aq të zotë sa arritët ta kaloni me sukses edhe këtë periudhë. Tani përkushtojuni lojërave e aktiviteteve që ju bëjnë të ndjeheni të lumtur dhe kur të keni pak kohë të lirë, mos harroni të lexoni diçka të bukur, të dëgjoni muzikë e të bëni sport. Bashkë do të takohemi në shtator, dhe ju premtoj që do të jemi pranë jush në çdo hap që do të hidhni, në çdo arritje e fitore, në çdo problem që do të keni.

Të dashur prindër të përkushtuar të fëmijëve tanë,
Unë ju falenderoj nga zemra për fëmijët që keni rritur, për ndihmën e pakursyer kundrejt tyre dhe stafit pedagogjik dhe ju premtoj se do të jemi sërish bashkë në shtator për të bërë realitet çdo gjë që nuk arritëm këtë vit, apo për të realizuar gjëra edhe më të bukura për fëmijët tuaj.

Të dashur mësues,
Jemi të gjithë të vetëdijshëm për vështirësitë që kemi kaluar këto dy vite shkollore dhe jam falenderuese për punën tuaj të palodhur në drejtim të formimit të fëmijëve, në çdo klasë, një për një. Do të jemi sërish bashkë në shtator më forca të reja për të vazhduar misionin tonë fisnik dhe padyshim me shpresën që të arrijmë të nxjerrim nga bankat e shkollave Njerëz të edukuar, kulturuar e me dije.

Jam e lumtur për rrugëtimin tonë së bashku dhe premtoj së do të jem e përkushtuar çdo ditë për nxënësit, prindërit dhe mësuesit e shkollës sonë “Jeronim De Rada”.
Kalofshi pushime të bukura,
Drejtoresha e shkollës, Entela Alushi

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *