Rindërtimi i shkollave të goditura nga tërmeti, në 2021 do të ndërhyhet edhe në 8 objekte të tjera. Sa është fondi dhe kush do i financojë?

Edlira Shehu

Rreth 864 milionë lekë parashikohet të shpenzohet për rindërtimin dhe rikonstruksionin e 7 shkollave dhe 1 qendre shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti.

Për rindërtimin e këtyre institucioneve arsimore parauniversitare do të financohet me fonde të buxhetit, ndërsa për rindërtimin e një shkollë në Krujë do të financohen 1 milion euro nga qeveria e Kroacisë, sipas angazhimit të marrë në konferencën e donatorëve të zhvilluar në shkurt të 2020.

Ndërhyrjet parashikojnë rindërtimin e 5 shkollave dhe rikonstruksionin e 3 të tjerave, pas miratimit të vendimit nga Këshilli i Ministrave për financim. Vendndodhja e objekteve arsimore që pritet të ndërhyhet janë në bashkitë e Kamzës, Rrogozhinës, Kurbinit dhe Fushë-Krujës.

Përveç fondeve të buxhetit të shtetit, në total nga programi i donatorëve parashikohet të ndërtohen dhe riparohen 73 objekte arsimore. Me përfundimin e fazës së parë të programit “EU4Schools” të Bashkimit Europian u ndërhy në 22 shkolla.

Fazën e dytë e projektit të BE-së që nisi zbatimin në fund të 2020-s dhe parashikon rindërtimin e 40 shkollave. Nga donatorë të tjerë, si KfW do të ndërtohen 3 shkolla, 4 objekte të tjera me fondet e shteteve Slloveni dhe Sllovaki dhe 3 nga shteti i Katarit.

Nga Fondi shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) për 2020-2021 parashikohej të ndërtoheshin 37 objekte arsimore dhe në 9 objekte të tjera arsimore në Durrës.

Nga Bashkia e Tiranës në total parashikohet të kryhen ndërhyrje në 37 shkolla. Punimet kanë filluar për rindërtimin e shkollës “Sami Frashëri” dhe sipas bashkisë të Tiranës rindërtimi përfundon në shtator për nisjen e sezonit të ri arsimor.

Rindërtimi ka nisur edhe për 2 shkollat 9-vjeçare “Mangull” në Petrelë dhe “Murat Toptani” në Selitë që pritet të përfundojnë gjatë verës. Në qarkun e Tiranës, 14 objekte të tjera janë në proces shembje dhe piketimi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Rindërtimit nga tërmeti u dëmtuan rreth 273 ndërtesa arsimore, nga të cilat 39 shkolla të arsimit parashkollor; 143 objekte të arsimit 9-vjeçar; 57 objekte shkollore të arsimit të mesëm dhe 34 objekte institucione të arsimit të lartë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *