Erion Dushku mbetet përfundimisht futbollist i Flamurtarit. Mbrojtësi 28-vjeçar, edhe pse u kishte premtuar drejtuesve të Tiranës rikthimin në kryeqytet, do ta mbyllë sezonin me ngjyrat kuqezi, nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka. Vetë futbollisti ka shpjeguar në një telefonatë për Sport News që është ndodhur para faktit të kryer, pasi kontrata e nënshkruar me Flamurtarin dhe e depozituar në Federatën Shqiptare të Futbollit është e vlefshme deri në përfundim të sezonit. Pra vetë Dushku hedh poshtë të gjitha spekulimet mediatike se bashkëpunimi i tij me Flamurtarin kishte vlerë juridike deri në Janar, sepse klauzola për t’u larguar në merkaton dimërore, sipas tij, mund të shfrytëzohej vetëm për një transferim të mundshëm jashtë Shqipërisë. Në këto kushte, Erjon Dushku është i detyruar të respektojë kontratën me Flamurtarin dhe të japë maksimumin me bluzën kuqezi për pjesën e mbetur të sezonit. Nga ana tjetër, klubi kryeqytetas mbetet sërish me gisht në gojë dhe në një situatë aspak të këndshme, pasi merkatoja e dimrit nuk po rezulton e suksesshme sikurse kishin premtuar drejtuesit bardheblu.
