Mjekët e familjes në qerthullin e krediteve

redaktor

Është përmendur shpesh fakti se mjeku i familjes është porta e parë e sistemit tonë shëndetsor  e për pasojë përbën elementin ndoshta më të rëndësishëm për mbarvajtjen e punës për një trajtim sa më të mirë te pacientëve. Në funksion të kësaj, dy janë mekanizmat për një system sa më efikas. I pari është mbulimi sa më i mirë territorial dhe në numër banorësh dhe i dyti është  rritja e cilësisë së shërbimit, pjesa kryesore e të cilit është niveli professional i mjekëve dhe infermierëve. Pikërisht për këtë do flasim në këtë shkrim.

Në Shqipëri ekziston një institucion, që quhet Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, e cila ka një staf  shumë të mirë dhe që ka bërë një punë të lavdërueshme deri më sot lidhur me rritjen e nivelit professional të personelit shëndetsor. Shumë shpejt kjo qendër ka për të bërë certifikimin e parë të mjekëve pas një cikli katër vjecar të edukimit në vazhdim, gjatë të cilit mjekët janë trajnuar , kanë marrë pjesë nëpër seminare të ndryshme nëpërmjet të cilëve kanë grumbulluar kredite, në bazë të të cilave do të bëhet edhe ricertifikimi i tyre. E sigurtë është që pjesa më e mirë e mjekëve dhe infermierëve kanë marrë edukimin e nevojshëm nga ky proces, por po aq e sigurtë është se ka plot syresh që as kanë lexuar dhe janë po në atë nivel apo edhe më keq se para katër vjetësh. Gjithashtu i sigurte është fakti se edhe në këtë fushë ,si kudo në Shqipëri, ka lindur tregu i zi i krediteve, duke sjellë një situatë , nga e cila do certifikohen njësoj edhe i afti edhe i paafti, edhe ai që është lodhur dhe ka rritur veten profesionalisht, por edhe ai që ka ndenjur kot dhe ndoshta është tallur me ata që kanë lexuar. Dhe pse të mos tallet  kur vlerësimi është i njëjtë dhe stimujt po ashtu.Kjo rrezikon të na përballë në vitet në vijim me një fenomen negativ, si ai humbjes së dëshirës për tu rritur në profesion e si rrjedhim rënien e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve ,që edhe tani lë shumë për të dëshiruar. Si mund të kemi barazi në vlerësimin e njerëzve në një kohë që nuk ekziston dicka e tillë qoftë nga pikpamja intelektuale, qoftë nga performanca e tyre në punë.

Ka ardhur momenti i duhur për  të bërë një rivlerësim të gjendjes dhe për ti dhënë peshën e duhur këtij procesi shumë të mirë të kryer nga QKEV-ja, që megjithatë ka funksionuar në mënyrë passive ndoshta edhe për faktin se ka punuar pothuajse e vetme , në një kohë që cështja e edukimit në vazhdim është cështje e të gjithë institucioneve që në qendër të punës së tyre kanë mjekun dhe shërbimin shëndetsor në përgjithsi.Them se ka ardhur momenti sepse jemi afër fundit të këtij procesi katërvjecar dhe duhet që përvec numrit të krediteve, kriter që sic e përmenda edhe më sipër nuk përbën një kriter serioz për vlerësimin e mjekëve, duhet urgjentisht të testohen dijet e grumbulluara nga profesionistët e shëndetsisë dhe të bëhet vlerësimi i tyre sa më real, pasi këtu nuk ka vend shprehja e famshme e humbësve se “..e rëndësishme është të marrësh pjesë…”, por  për ne e rënddësishme është të fitosh, pra të tregosh se cfarë ke asimiluar gjatë këtij procesi edukimi.

Për këtë mendoj se QKEV, Urdhëri i Mjekut, Fakulteti i Mjekësisë, Fondi i Sigurimeve Shëndetsore me mbështetjen dhe kordinimin nga Ministria e Shëndetsisë duhet të bëjnë të mundur krijimin e një mënyre periodike testimi të dijeve të mjekëve dhe infermierëve, gjë që bëhet në shumë vende të botës e në mënyrë të vecantë në ShBA, ku testohen deri edhe kirurgët, të cilëve nëse nuk e kolojnë testin nuk iu jepet licensa për ushtrimin e profesionit deri sa ta kalojë atë. Nuk mund të vazhdohet më me këtë gjendje, ku shumë mjek lexojnë vetëm horoskopin në faqen e fundit të gazetës, apo rubrikën Bluetooth dhe të paguhen njëlloj si ata mjek që lexojnë dhe kanë një performancë të mirë në punë. Mjekët nuk janë njëlloj e për pasojë nuk mund të paguhen njëlloj, por për këtë kërkohet një mënyrë e re dhe sa më reale vlerësimi  e tyre.

Jam i sigurtë se diferencimi në pagesë, në bazë të aftësive  sigurisht, do të sjellë dëshirën e të gjithë mjekëve për të lexuar dhe për të qënë edhe ata në radhët e më të mirëve e për pasojë do të sjellë, një shërbim shëndetsor më cilësor, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, një personel mjekësor më dinjitoz, pasi sic e dimë, trupin drejt e mban njeriu që di dhe që ka.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *