Një foto e panjohur e nipit  të Ali Pashë Tepelenës

Ornela

Arkivat botërore  por kryesisht ato të Stambollit kanë shumë dokumenta, foto dhe të dhëna për historinë e shqiptarëve. Territoret shqiptare për 500 vjet ishin pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane dhe nj pjesë e rëndësishme e dokumentacionit administrativ gjendet në Arkivin Qendror Perandorak Osman. Me zhvillime urbane të mesit të shekullit të XIX, fotografisë dhe hapjen e institucioneve si  Shtypshkronja, Universiteti, shkolla ushtarake, stacione hekurullore, post telegrafe etj u shtua edhe dokumentacioni modern pranë arkivave të këtyre institucioneve çka na lejon të zbulojmë një nga një fotografi të  personalitete të Shqipërisë Osmane, histori sociale, statistika etj të shekullit të fundit ë dominimit osman në Shqipëri. Një zbulim interesant në Arkivin e Universtetit të Stambolli është një foto e Ismail Rahmi Pashës, nipit të Ali Pashë Tepelenës (1808-1875). Deri më tani njohim vetëm portretin e tij nga pikori frëng Luis Dypre  botuar në librin Voyage à Athènes et à Constantinople, -Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë(1825). Tabloja paraqet dy nipërit e Ali Pashës, Mehmet dhe Ismail Beun, djemtë e Veli Pashës që në fakt ishin dhe të vetmit që mbijetuan pas egzekutimeve mizore të anëtarëve të tjerë të familjes. Tabloja paraqet dy të rinj të veshur me një turban në kokë sipas stilit otoman , me rroba  popullore shqiptare, ku shquan fustanella, silahu , armët e lara me flori  dhe me peliçe të hedhur mbi supe. Pelicja tregon statusin e tyre aristokratik pasi ishte një dhuratë e shtrenjtë që zakonisht bëhej nga Sulltani drejt pashallarëve të tij. Vështrimi i tyre është i përqendruar dhe në përgjithësi të japin përshtypjen e dy djemve adoleshentë të pafajshëm dhe të kulturuar. [1] Jeta e mëvonshme e Ismail Pashës, pas vrsjes së gjyshit dhe babait të tij vazhdoi në Stamboll. Në vitin 1826 Sulltan Mahmudi II e dërgoi si flamurmbajtës të flamurit të shenjtë në shrypjen e revoltës së jeniçërëve që shënoi dhe futjen e reformës së Nizam el Xhedid-modernizmit të ushtrisë osmane. Në vitin 1828-1829 mori pjesë në Luftën Ruso-Osmane sëbashku me usharakë të tjerë të lartë të Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare. Nga viti 1847 morri titullin e lartë “Rahmi”, emër me orgjinë kuranike që dotë thoshte “I mëshirshmi”,  filloi një karrierë të lartë administrative në Perandorinë Osmane. Ai u emërua si guvernator në Trapezunda, Edërne, Egjio, Halepo, Silistri, Selaniku, Kretë, Tripoli, Trikala, Bursa dhe Prizren. Emërimi i tretë i tij ishte në Janinë vitet 1850-1851  ku sapo kish mbaruar Kryengritja e Toskërisë kundër reformave të Tanzimatit 1847-1848 e shtypur nga Vrionajt, djemtë dhe nipërit e  Omer Vrionit, mikut dhe më vonë armikut të gjyshit të vet, Ali pashë Tepelenës.  Midis dy familjeve, Vrionajve dhe Tepelenajve, kishte një armiqësi që ishte hapur jo vetëm nga qendrimi i Omer Vrionit ndaj rrebelimit të Ali Pashë Tepelenës por edh pse Vrionasit kishin përfituar në pjesën më të madhe nga shpronësimi i pronave të Ali Pashë Tepelenës dhe Vlorajve që kishin organizuar revoltat kundër Tanzimatit. Ismail Rahmi Tepelena ishte nip në oxhakun e Vlorajve pasi nëna e tij ishte bija e Ibrahim Pashë Vlorës.  Në një raport të Konsullatës franceze në Janinë, më 1842, shkruhet se Omer Vrioni, me anë të ndikimit të tij mbi shqiptarët kountriboi në humbjen e Ali Pashë Tepelenës. “Rënia dhe vdekja e Ali Pashës kishte kurorëzuar përpjekjet e oxhakut të Vrionasve të Beratit dhe politika e Portës së Lartë e kishte mundësuar Omer Pashën, të parin e tyre, të trashëgonte pjesërisht fuqinë e tiranit të vjetër”[2]. Gjithsesi, ashtu si thuhet dhe në dokument, Porta e Lartë në kuadër të politikës së saj, nuk lejoi që oxhaku i Vrionasve të fitonte të njëjtin pushtet politik partikularist si të Pashait Tepelenas, por e përkrahu të fitonte pushtet ekonomik në Shqipërinë e Jugut. Vezir Omer Pasha e pozicionoi nga pikëpamja politike e shoqërore familjen Vrioni, ndërsa fuqia ekonomike filloi me Kareman Vrionin, djalin e dytë të Omer Pashës, i cili pas shpalljes së Reformave të Tanzimatit, u bë mytesarif i Beratit. Kareman Vrioni bleu shumë prona nga familja Alltuni e Vloraj, të sekuestruara nga shteti në vitet 20 të shekullit XIX, si pasojë e pjesëmarrjes aktive të këtyre familjeve në lëvizjet e kryengritjet anti tanzimatiste. Më vonë ai bleu dhe pjesën e ortakut të vet Emin Pasha, serasqerit të Rumelisë, me kushte shumë të leverdishme.[3] Fuqia e familjes u përqëndrua më së shumti në Berat dhe në qytetin e ri që krijuan, në Fier, duke shërbyer në këtë lloj mënyre si një kundërpeshë ndaj familjes Vlora, sepse Janina, që pas rrëzimit të Ali Pasha Tepelenës, nuk iu dha më asnjë oxhaku shqiptar për ta administruar. Ardhja e tij në krye të Vilajetit të janinës ishte një përjashtim dhe një lëshim që Porta e Lartë kryente ndaj elementit shqiptar në Perandorinë Osmane. Syrja Bej Vlora, hartuesi i një biografie të shkurtër për Isamil Rahmi Pashë Tepelenën në një dokumet ë gjendet në Arkivin e Shtetit në osmanisht dhe të sjellë për botim nga Dr Hasan Bello shkruan se Ismail beu, pa u ba ende pashë atëherë, i cili i dha sihariqin ma i pari Kryeministrit që ishin shpartallue e zhbi Jeniçerët dhe u emënue në roje të rrethevet të Dikilitashit, pati disa nëpunësina në Stamboll. Në vitin 1255 h (1839) prej Ministrisë së Tersanes si vali n’Izmir, prej ku mbas një vjeti u emënua Ministër i Karantinës. Në vitin 1262 h (1845) tue iu njoft meritat e tij personale, si një burrë shteti i zoti n’administrim të vendit dhe tue u çmue besnikrija e tij ndaj sulltanit, u dërgue në 1263 h (1846) si prefekt në Tërhallë, po n’atë vjet u emënue prefekt në Viza e me titull Veziri prefekt në Trabzon, në 1264 h (1847) prefekt n’Edrene; në 1265 h (1848) prefekt në Janinë, prej ku mbrrijti me lirue me intervenimin e tij parësin e Toskërisë që ishte e internueme dhe i dha fund periodës s’errtë të Tanzimatit. Dhe një herë ma vonë qe vali në Janinë, por asnjë herë nuk desht t’a vizitonte varrin e gjyshit të vet në Manastir të Pandelimanit dhe të shihte Tepelenën, vend-lindjen e tij. Sa herë që Ismail Pasha kujtonte vuajtjet e familjes së tij mjerohej dhe mallkonte shkaktarët. Shqipen e fliste shumë qartë, dhe në konak të vet mbante shërbëtorë shqiptarë. Kudo që qe vali punoj me të drejtë dhe në publik u njoft si një vali ndër ma të mirët. Prej natyre qe shumë i butë, i drejtë dhe i prinun me ba mirë. Kur bisedonte i kandej m’e përcjellë gjithmonë me kallxime ngjarjesh dhe me shëmbuj.[4] Mirëpo pavarësisht këtij gjykimi të Ismail Rahmi Pashës për gjyshin e vet të përcjellë nga Syrja Bej Vlora,  në fund të jetë së tij Ismail Rahmi Pasha Tepelena zgjedh të varroset pranë gjyshit e babait të vet në Edirkerpe, ku ishin varrosur kokat e tyre.

Në vitin 1851 Ismail Rahmi Pasha u largua ng Janina pasi kishte lejuar që pjesën më të madhe të taksave të vendosura nga reformat e Tanzimatit të paguheshin në natyrë me mallra dhe jo me lëkë. Ky veprim nuk i pëlqeu Portës së lartë. Karriera e tij administrative vazhdoi më tej në qendra të ndryshme të Perandorisë Osmane derisa në fund të jetëss s tij u kthye në Stamboll. Aty mesa duket në kuadër të dokumentimit të zyrtarëve të lartë të Perandorisë Osmane është realizuar dhe një foto nga “Vëllezërit Abdullah” që ishte një studio fotogrfike që realizoi shume fotografi dhe porosi zyrtare nga Porta e Lartë. Fotografia e Ismail Rahmi Pashës dokumentohet pak më herët se viti 1870, ka numrin 85 dhe i përket albumit 90268 i përmbledhjes i Sulltanit Abdyl Hamidit (1876-1909) me titull “Zyrtarët e Abdylazis ” që gjendet në arkivin e Universitetit të Stambollit. Fotografia është relizuar në moshë të madhe dy tre vjet para vitit 1870 dhe tregon një burrë të moshuar dhe autoritar. Sipas Syrja Bej Vlorës ai  qe një vezir inteligjent dhe bamirës ndaj ata që fati i kishte lëshue dorët. Megjithse ndër turq s’ashtë zakoni me përdorë mbiemën familjejet dhe kujtimi i emnit të familjes së tij ngjallte përshtypje të tmerrshme ndër turq, ai nderohej me u qujtë “Tepedelenli-Zade” (Birë i Tepelenasit). Konaku i tij qe një qendër ku u mblidhshin të pasun e të varfër, dhe kuvendi që bahej n’at konak qe me ia pas zili. Mbas mjerimit që i ngjau t’et, Qeveria ia ktheu pasuninë e konfiskueme, e cila qe mjaft e madhe; por vuajti dhe ai vetë për shkak se i hyni grindja me të birin, Asaf Beun e me të bijën e Shefika Hanëmi. Pjesën ma të shumtën e pasunisë së tij e trashëgoj i biri i vogël Qamil beu. Mbas vdekjes se tij dolën një grumbull trashëgimtarësh në pasuninë që la ky, të gjithë si të afërm të tij dhe pretenduen me gëzue atë mori pasunije, asht një çudi e fatit se ndër këta trashëgimtarë doli edhe një zezak, të cilit si dihej farefisi me një akt-trashëgimi falco në dorë dhe tue pretendue se ishte djali i Mahmud beut të birit të Muftar Pashës mujti me shti në dorë arbitrarisht, mbasi Mahmud beu s’kishte lanë djalë, me gjithë kundërshtimet e pjesmarrësvet të familjes. Kurse unë dhe të bijt e dajës së Ismail Pashës kishim të drejtë n’atë pasuni, por ndryshimi i kohëvet dhe i pozitës nuk na la mundësinë me ndjekë këtë padi (dava)[5].

Në këtë mënyrë nëse gjyshi i Ismail Rahmi Pashë Tepelenës, Ali Pashë Tepelena me rebelimin e tij ndaj Perandorisë Osmane hodhi themelet e një identiteti kolektiv shqiptar që u shfaq në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, i nipi i tij rezulton që përmes një identiteti vetjak shqiptar nuk u përfshi në lëvizjet identitare shqiptare. Rasti tij është njëlloj si rasti i disa pasardhëse të  veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare si Sami e Naim Frashëri që nën trysninë e identitetit osman nuk vazhduan rrugën e paraardhësve të tyre.  Gjurmimi i dokumentacionit osman mund të hedhi dritë mbi proceset e vështira identitare dhe rrethanat historike që shënuan lindjen e shqiptarizmit dhe rrugëtimin e tij drejt një identiteti kombëtar. Në të njëjtën kohë përmes dokumentacionit osman mund të rajëvizohet edhe gjurmimi i oxhaqeve, familjeve të mëdha shqiptare që lanë gjurmë në historinë e rajonit.

 

[1] Dorian Koçi. Dy nipërit e Ali Pashë Tepelenës në penelin e Luis Dupre. Gazeta Dita 14.01.2020.

[2] Ligor Mile,  në Mariela  Guga. Vrionasit ndryshe.Tiranë: 2005, EMAL, faqe 215.

[3] Mariela  Guga. Vrionasit ndryshe.Tiranë: 2005, EMAL, faqe 26

[4] Hasan Bello. Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) I, AQSH, F: S. Vlora, D. 8

[5] Hasan Bello. Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) I, AQSH, F: S. Vlora, D. 8

Share This Article
7 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *