Letër e nënshkruar
Bujar Cani
Mora shkas për të shkruar këtë shkrim, duke parë një gjyq farsë pajtimi, tek emisioni “E diela shqiptare” në tv “Klan”. Ky gjyq zhvillohej sepse një vajzë i kishte rënë me biçiklete një qingji të një qytetari, e për pasojë qingji kishte ngordhur, por komedia më e madhe ishte sepse ky qytetar, me një arsyetim vulgar dhe banal, kërkonte një shumë të madhe parash, më duket 500 mijë lekë, me pretendimin se qingji do bëhej dele, delja do mbarsej e do të pillte qingja, e kështu ky qytetar do të bënte një kope dele e qingja… hahahahaha.
Duke parë llogjikën mjaft absurde të këtij njeriu të keq për mua, m’u kujtua një ngjarje mjaft e bukur dhe e dhimbshme, që e dëgjova në një fshat të Krujës, kur çoja atje me makinën time rreth viteve 1995-1996 sfungjer e fibra, që kjo zonë i përdorte për prodhimin e divaneve.
Aty më treguan historinë e një shoferi dibran, i cili shkeli padashje një zog pule të vogël fare, sa kishte dalë nga veza . Fshatari që kishte pulën me gjithë zogj e pa dhe ndaloi shoferin duke i bërtitur e sharë me fjalët më të ulëta dhe të poshtra. Shoferi i trembur dhe i hutuar dhe nga revoltimi shumë i madh i këtij fshatari agresiv, i kërkoi falje për dëmin e “madh” që i kishte shkaktuar, nxorri një 10 mijë lekëshe për t’ja dhënë fshatarit e për ta qetësuar. Por fshatari jo vetëm që nuk u qetësua, por u rebelua më keq, e duke i bërtitur i tha:- Kujt i nxjerr ti more 10 mijë lekë, a e di ti se sa dëm më ke bërë? Sa?- i tha shoferi. Po ja,- tha fshatari, dua 100 mijë lekë sepse zogu do të bëhej pule, pula do të bënte vezë, nga këto vezë do të dilnin zogj e kështu me rradhë, e unë do të bëja një pulari me këtë zog që ti më shtype. Shoferi ngeli i shtangur dhe i habitur, nga kjo kërkesë e çmendur e këtij fshatari, por edhe u frikësua shumë, sepse dolën edhe pjesëtarët e tjerë të familjes e komshinj dhe filluan t’i bëjnë presione deri në marrje peng të makinës deri sa të sillte lekët, por edhe mund ta rrihnin ose dëmtonin makinën. Dhe shoferi i urtë dhe i mirë, i gjendur përballë kësaj llogjike të çmendur dhe presionit të madh të atyre njerëzve të egërsuar dhe mjaft agresiv, u detyrua të jepte paratë që të shpëtonte nga kjo ngjarje mjaft e rëndë, që mund të dilte edhe më shumë i dëmtuar apo i rrahur e gjakosur.
Unë me gjithë mend ngela i habitur dhe i tronditur nga kjo ngjarje mjaft e dhimbshme, por edhe groteske kur e dëgjon, ashtu siç ishte edhe ngjarja e këtij qytetari që i kërkonte vajzës 500 mijë lekë, me qenë se i shtypi me biçikletë një qingj të vogël fare. Sa do të rrojmë e do të dëgjojmë nga kjo botë jarane dhe të papriturash.
