Përfundimin e datës së siguracionit të detyrueshëm vjetor të makinës, njoftimin me mesazh 14 ditë para se të skadojë vlefshmëria e policës apo edhe historikun e dëmeve ndër vite qytetarët do të mund ta marrin online nëpërmjet platformës e-Albania.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka hapur garën për zhvillimin dhe ofrimin e këtyre shërbimeve në e-Albania me fondin me vlerë 7,5 mln lekë.
Sipas specifikimeve teknike në dokumentacionin e prokurimit “Zhvillime për ofrimin e shërbimeve e-Albania” përcaktohet se online do të ofrohen 4 shërbime të reja, si: Verifikimi i policës për mjetet motorike; Njoftimi i qytetarëve 14 ditë përpara skadencës së policës TPL, në seksionin “Mesazhet e mia”; Historiku i policave të mjetet motorike dhe historiku i dëmeve, ku edhe për ngritjen e këtyre shërbimeve online do të përdoren të dhënat te marra nga Regjistri Elektronik Online i Shitjeve. Afati i fundit për hapjen e ofertave është 8 korriku 2021.
Shërbimi elektronik “Verifikimi i policës së sigurimit motorik” do t’ju mundësoje qytetarëve të marrin online vërtetimin të vlefshmërisë aktuale të policës së sigurimit që disponojnë për mjetin motorik, që kanë në pronësi apo në rast se janë cilësuar si përdorues në policën e sigurimit.
Shërbimi elektronik “Historiku i policave të mjetet motorike” është një shërbim që ka lindur si nevojë e kërkesave të shpeshta adresuar Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për vërtetimet që kërkohen kryesisht nga qytetarët shqiptarë me banim jashtë vendit mbi historikun e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik. Edhe shërbimi elektronik “Historiku i dëmeve të mjeteve motorike” që ka lidhje me shërbimin si më sipër ka lindur si nevojë e kërkesave të shpeshta adresuar Autoritetit për vërtetimet që kërkohen nga shqiptarët që jetojnë jashtë. / monitor
