Saga e Jasharëve, lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha

J L

Bedri Islami

 

Në vend të parathënies

Të shkruash një libër për Familjen Jashari është ndër gjërat më të vështira. Për disa arsye, më e rëndësishmja nga të cilat është në përmasat e jashtëzakonshme të jetës së saj, në dimensionet që ka marrë ajo. Vetë jeta e tyre, e secilit dhe e të gjithëve së bashku, është më shumë se një vlerë, është bashkësi virtytesh, të cilat janë tashmë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve, kudo që jetojnë.

Ajo që më ka befasuar në njohjet e para me to ishin disa video që u kishin nisur bijve të tyre në mërgim, pjesë nga jeta e tyre e zakonshme, tepër e zakonshme në një ditë, po ashtu të zakonshme, kur në kopshtin me mollë dhe pemë të tjera, ata, si të gjithë njerëzit e vdekshëm, luanin, çanin dru, mblidhnin frutat, qeshnin me njëri tjetrit, ngacmonin, për të kaluar krejt natyrshëm në një çast tjetër, në dhomën e madhe të miqve, kur përmasat rriteshin në një dimension të pazakontë, bisedat tani bëheshin për gjëra të mëdha, rreth vatrës, duke pasur nënën e tyre në mes dhe shokët e luftës rreth e rreth tyre, njeriu përgatitej se atë që mund të vinte më pas: të mbetnin në mend fjalët e mençura të Hamzës, qëndrimi stoik, i qetë i babait të tyre, Shabanit, përkëdhelia e nënës së tyre duke mbajtur në duart e saj të rreshkura duart e bijve, qetësia deri në mermerizim i Adem Jasharit, afërsia me armët si të ishin gjymtyrë të trupit të tyre, e si për të dashur të ktheheshin përsëri në të përditshmen, vallja me hapa të qetë e të rëndë, sikur i dërgonin mesazh tokës dhe ngulnin këmbë se do të rrinin deri në fund vetëm aty.

Pastaj erdhi në Organizatë, në Lëvizjen Popullore të Kosovës, letra e fundit e tyre, në dhjetorin e vitit 1997, në të cilën, si njeri i letrave më ra në sy shqipja e tyre, e shkruar mrekullisht, ku ishte e vështirë të gjeje gabime, dhe modestia, ku asnjëherë, në ato gjashtë faqe letre nuk përmendej askund emri i tyre apo se ata vetë kishin qenë në atë përballje të nëntorit të vitit 1997, që në fakt ishte lufta e parë e hapur ndaj makinerisë serbe.

Prej shumë vitesh unë kam shkruar për Jetën e tyre.  Duke filluar që nga shkrimi i parë , “A vdiq Adem Jashari”, në mesin e marsit 1998, pak ditë pas ngjarjes heroike, i cili, për hir të së vërtetës ishte shkrimi i parë publicistik për ta, por kurrë nuk kam mundur të them si duhet atë që kam ndjerë në veten time. E kam pasur të vështirë, ndoshta do e kem gjithnjë, edhe në të ardhmen, sepse pak kush mund t’ i rrokë, në të gjithë horizontet kah shtrihen, vlerat e përjetshme të saj.

Edhe kjo që po paraqes sot, si pjesë e Triptikut “E gjitha në shqip”, është vetëm një sprovë tjetër, një afresë ndaj një dëshire të hershme, e cila, besoj, nuk është vetëm tek unë.

Dhe besoj se, si një sprovë, edhe do të vlerësohet. Sepse nuk është më shumë se kaq.

Për të shkruar Librin e Jetës së Jasharëve duhet shumë më tepër.

Kurrë nuk më ka munguar dëshira, i jam afruar kësaj teme në të gjitha mundësitë që kam pasur, duke besuar se do të ketë një të ardhme tjetër.

Tashmë, disa nga Jasharët janë kthyer në të përjetshëm. Erërat fryjnë butësisht në fillimin e Kodrës ku janë vendosur, në secilën pranverë fryn jugu që vjen nga dheu amë, dhe pemët gjallërohen përsëri nga gjethet e blerta, lulëzojnë mollët dhe çelin lulet e qershive; atëherë të rënët patjetër kanë për ta rindjerë ringjalljen e pranverës.

Të rënët tanë janë tashmë pjesë e truallit të Kosovës: Ky është edhe shkaku pse toka e Kosovës kurrsesi nuk mund të vdesë.

Ashtu si toka që nuk e di se çfarë është të vdesësh, ashtu edhe ata që mësuan se çfarë do të thotë të jesh i lirë pas një robërimi, do të dinë të kapen fort pas rrënjëve që jepen në emër të jetës. Përgjatë luftës njerëzit i mësuan mirë këto gjëra dhe do të kenë kurdoherë një arsye të fuqishme për t’i kujtuar. Të rënët janë prore pjesë e jetës sonë, ata do të jetojnë po aq gjatë sa do të jetojë edhe toka e Kosovës. Kjo do të thotë përjetësisht.

Të rënët, që ndershmërisht çlodhen në dheun e butë të Kosovës, dhe nuk ka të rënë për liri që të çlodhet më ndershmërisht se nën truallin e saj, ata pa dyshim i përkasin sojit të të pavdekshmëve.

Kjo sprovë është një nderim për ta.

***

Tri kulla të vendosura pranë njëra tjetrës, rrethuar me një mur të ulët, të shfaqen sapo merr kthesën e parë drejt Prekazit të Poshtëm. Përmes një porte të madhe, e cila qëndron thuajse gjithnjë e hapur, hyn në oborrin e brendshëm të shtëpive, shtruar me gurë të bardhë. Mysafirët futen fillimisht në këtë rrethinë, shikojnë me vëmendje gjithçka është rreth e rrotull, si të duan të gjejnë gjurmët e gjithë asaj që ka ndodhur, kërkojnë përmes gjurmëve që kanë lënë gurët shenjat e gjakut që është derdhur, pastaj fillimet e vijëzimeve të reja të kalimit të njerëzve nga njëri cep në tjetrin, dhe ngjiten ngadalë nëpër shkallët që të çojnë në katin e dytë.

Është e pamundur të ngjitesh nëpër këto shkallë qetësisht, si nëpër shkallë të zakonshme, ashtu si është e pamundur që të mos mendosh për gjithë atë që ka ngjarë, jo vetëm në ngastrat e tri kullave, por në të gjithë lagjet që përbëjnë Prekazin e Poshtëm. Dashje pa dashje të ndjek e gjitha ajo që ka mësuar deri më tani për Jasharët, të duket sikur ndjen ende gjëmimet që kanë ndodhur, e megjithatë je i qetë, ndjehesh mirë. Qetësinë dhe mirësinë, edhe pas kaq viteve, ta japin ata që ndodhen përballë kullave, në kodrën bri fshatit, të përjetshëm dhe njëkohësisht hijerëndë. Në fund të fundit e di se ndodhesh në një vatër ku të dhurojnë qetësi, ku megjithë rrëmetet e përgjakshme, asgjë nuk e ka tronditur jetën e përditshme, të zakonshme.

Ka edhe një hyrje tjetër, më të vogël, bri portës së madhe. Një derë e drunjtë të fton të ngjitesh sipër, pa shkuar përmes oborrit të gurtë, drejt për së drejti në dhomën e miqve.

Por ngado që t’i biesh, qoftë nga porta e madhe, apo nga dera e drunjtë, do të ndjehesh njëlloj i qetë, i mirëpritur dhe mrekullisht edhe më i mirë. Sepse këto kulla kanë edhe çudinë e fisnikërimit të njerëzve.

Nuk ka qenë gjithnjë kështu. Në mesin e qershorit të vitit 1999, kur isha për herë të parë në Prekazin e Poshtëm, mik tek Jasharët, kullat ishin të shembura dhe të djegura, trenët e kulmeve kishin rënë përmbys mbi vatrën ku ngrohej shpirti, vende – vende të dukej sikur ende tymrat mbulonin çdo gjë që ishte përreth, nëpër oborr kishte ende gëzhoja fishekësh dhe mbetje të plasjeve të bombardimeve, ujët rridhte nëpër ngastrat e vogla dhe çdo gjë ishte e pazakontë.

Atëherë ishte e zakonshme të shkelte këmba mbi copërat e luftës, ashtu si ishte ende e zakonshme që nëpër gjumë të të shfaqeshin lemeritë që sapo kishin shkuar.

Mirëpo, këto ishin gërmadha jo të çdo lloji, por me një fat të çuditshëm. Po të gërmoje poshtë tyre do të gjeje gjëra të pazakonta, fillimisht nën muranën e gurëve dhe të trarëve do të gjendej automatiku i Ademit, pastaj, pas luftës, një ditë fund qershori 1999, në gërmadhat e shtëpive të bombarduara do të gjendej automatiku i Hamzës, diku më tej armë të tjera, ende me tytat e nxira nga lufta.

Edhe kjo nuk kishte qenë pamja e tyre, këtë e kishin bërë vrasësit serbë, me gjithë makinerinë e tyre të furishme, të përgjakshme dhe të llahtarshme. Gjurmët e luftës që ishin krejtësisht të pambuluara, të shfaqeshin befasisht ne çdo cep,disa prej të cilave i sheh edhe sot në kullën e parë muze, por nuk ishte vetëm kjo. Kur po i afrohesha kullave të gurta, rrafshuar deri në themelin e tyre, përmbushur nga bloza dhe tmerri i luftës, përmes rrënojave dhe gurëzimit të gjithkahshëm, kishin filluar të mbinin fijet e parit. Si të kish rilindur jeta.

Në ditët e para, fundqershori 1999, Jasharët kishin zënë vend në një banesë të vogël në fundin e oborrit, ku në një dhomë të madhe, shtruar përkohsisht me qilima, prisnin njerëzit që vinin për t’ju uruar rikthimin.

Me djemtë, Muratin, Lulzimin dhe Bekimin, kishim udhëtuar sëbashku nga Gjermania deri në portin e Barit, në Itali. Pastaj, sëbashku me Rifat Jasharin, kaluam të parët detin, me një traget të shpejtë, ndërsa djemtë do të vinin të nesërmen. Arritëm disi vonë në Durrës, udhëtuam nëpër muzgun e asaj dite qershori dhe bujtëm tek Shaban Sinani. Shabani kishte asaj kohe, nuk e di tani, një banesë të vogël, dy dhomëshe, aty gjetëm edhe Beqir Beqën, mikun tim gazetar; të zotët e shtëpisë, tepër bujarisht, si edhe hera të tjera, na bënë konak, por më përpara lëvizën të gjitha mundësitë për të përgatitur pritjen e Jasharëve në portën e Durrësit. Ishte vonë, megjithatë përmes drejtorit të përgjithshëm të RTSH, Eduard Mazi, ndër më të merituarit në mbështetjen e UÇK-së, u bë gjithçka gati për ditën e nesërme. Aty iu ndava me Rifat Jasharin, unë udhëtova për në Kosovë që në pikun e mëngjesit, së bashku me Beqirin, pasi më duhej të isha në Mbledhjen e Përgjithshme të LPK-së, që zhvillohej asaj dite në Prizren.

Të pasnesërmen, së bashku me Hashim Thaçin, në zyrën e vogël asaj kohe të Sami Lushtakut, pritëm ardhjen e Jasharëve, pastaj, kur nuk po mund të rrinim më në pritje, morëm rrugën drejt Prizrenit, për t’u rikthyer përsëri në Skenderaj, në një apartament të zakonshëm, ku për një ditë a dy, kishin zënë vend Jasharët.

Aty unë takova për herë të parë të mbijetuarit. Një rastësi fatlume kishte bërë që një ditë para luftës, disa nga fëmijët të shkonin tek dajat e tyre,nga të cilët Jasharët kishin marrë dy bija. I shikoja i habitur dhe nuk më besohej se ato të mbijetuar, shumë nga të cilët ende fëmijë, që kishin kaluar përmes ferrit të luftës dhe përgjakimit të tmerrshëm, dhe ishin përsëri aty, tepër të brishtë, njerëzorë. Njëra prej tyre ishte Besarta, 12 vjeçare. Varur paksa në krahun e vëllait të saj, Bekimit, me shikimin e çiltër, përmes të cilit mund të shikoje se si kishin trashëguar brezat mirësinë dhe qëndresën.

Kur mirësia dhe qëndresa vëreheshin tek ajo vajzë, mund të them ende fëmijë, çfarë do të kishte qenë me prindërit dhe të afërmit e saj…

Përpiqesha ta merrja me mend, por nuk mundja. Megjithëse mendoja se i kisha njohur mirë Jasharët, të mbijetuarit, që rrinin të heshtur në dhomën e miqve, krejtësisht të qetë, dhe që herë pas here flisnin diçka me zërin e tyre që i gurgullonte, më thonte se nuk kisha njohur veçse shumë pak.

Edhe sot, pas kaq shumë viteve, ende më tingëllojnë zërat e të mbijetuarve në Kosovë, të cilët, stoikë deri në skaj, të qetë deri në mbijetesë, kishin kaluar përmes provës së zjarrit dhe shpirti nuk u ishte djegur.

***

Gjithçka ishte e frikshme rreth tyre, por  nuk kishin pasur frikë.

Kishte tri ditë dhe dy netë që shtëpitë e Familjes, dhe të gjithë lagjes përreth, bombardoheshin pa pushim. Rrënonjat e kullave ishin shpërndarë aty këtu dhe përmes tyre ngriheshin flakët e zjarrit. Njëra prej tyre ishte çarë në dysh, në tjetrën ishte hapur një vrimë e madhe, më shumë se dy metra, ndërsa nga ajo që ishte krejt në skaj, kishte filluar të shembej çatia e gjithë. Tjegullat e kuqe ishin stërpikur nga gjaku dhe gurët e themeleve ishin shndërruar në të bronxtë. Kishte pasur vetëm një heshtje të vogël në mbarimin e ditës së parë dhe fillimin e natës, pastaj asgjë nuk kishte heshtur më. Vajza e vogël, e brishtë në trup dhe që nuk kishte ende të 11 vitet, ishte strukur nën maxhen e shtëpisë, nuk kishte asnjë lloj frike në sytë e saj, priste deri në fund të dëgjonte ndonjërin nga njerëzit e shtëpisë, në se po vazhdonte të këndonte,ose atë këngën e Çerçiz Topullit, ose të Zhujë Selmanit apo “Në Dardani bjen një tupan” dhe kur, pas heshtjes disi të gjatë, nuk dëgjoi asgjë, diçka i lëvizi në kraharorin e saj. Në tri ditë e dy netë ajo kishte parë më shumë se sa shohin burrat shekullarë në një jetë të tërë, dhe tani dëgjonte trarët e shtëpisë kah rrëzoheshin gjysmë të djegur ose zhurmën e mureve kah binin njëri pas tjetrit.

Mbylli sytë dhe deshi të kujtonte të gjithë atë që kishte ngjarë, por nuk mundi, e kishte të vështirë, ndoshta nuk ishte as çasti i duhur, megjithatë bëri edhe një përpjekje të fundit dhe iu duk se gjithëçka, në një moment të vetëm, kaloi përbri saj, vizion që nuk mund të kapej, diçka fluide, e dhimbshme deri në skajin ku është e vështirë të mbajë edhe një njeri prej guri. Megjithatë, ajo po mbahej, kishte në të gjithë qënien e saj një shtjellim të vrullshëm ndjenjash, të cilat, ashtu si ishte, nën maxhen e shtëpisë, ku po priste,ose të fillonin këngët ose të rifillonte lufta ,“vetëm të jetë njëra prej tyre“ mendoi, nuk dinte me se t’i bënte bashkë. Të fundmin nga njerëzit e saj kishte parë Kushtrimin, ai ishte vetëm 2 vite më i madh se ajo, djali i mixhës së saj, e kishte parë tek vraponte përmes oborrit të shtëpisë me një automatik në dorë, dhe i ishte dukur , se pikërisht në mesin e dy shtëpive, ishte vrarë edhe ai.

Në dhomën ku mysafirët shtoheshin vazhdimisht nganjëherë binte heshtja. Heshtja që po vinte po i rëndonte përherë e më tepër. Në më shumë se 60 orët e fundit çastet e heshtjes kishin qenë të pakta, krejt të pakta, kishte patur momente kur edhe i kishin dëshiruar ato çaste, sepse kishte qenë e pamundur të përballoje gjithë zhurmën rrokopujëse të tankeve, bombave, granatave, mitralozëve, pastaj ushtimat që vinin nga qielli, tymin e flakët, krismat, të gjithëkundshme, të paprashme. Kishte qenë tepër e vështirë të përballoje tërë furinë e asaj zhurme që mund të çmendte këdo, veç atyre që ishin brenda tri shtëpive të Familjes dhe njerëzve të lagjes së tyre.

Tashmë, kur po fillonte të binte heshtja, në fundin e paradites së ditës së tretë, njerëzit nuk e donin më këtë. Prisnin të ndodhte diçka, të rifillonin krismat, kjo do të ishte një shenjë jete, ose të rifillonte kënga, edhe kjo do të ishte shenjë jete, sepse burrat , aq kohë sa kishin luftuar, po aq kohë edhe kishin kënduar; e nëse ndodhte kështu, kjo do të thonte se nuk kishte mbaruar çdo gjë, se do të kishte rikthim lufte nën atë muranë të jashtëzakonshme. Mirëpo asgjë nuk po ndodhte. Megjithëse ishin vetëm disa minuta, njerëzve iu dukën sikur kishte një jetë, dhe nuk e donin këtë.

Pas heshtjes që kishte rënë mbi Prekaz, në lagjen e Jasharëve, njerëzve u kishte ngrirë zemra. Çfarë kishte ndodhur? Tri ditë luftë dhe tri netë gjëmime. Të kishte qenë fundi i gjithkaje apo përtej asaj që po ndodhte do të kishte një fillim të ri?

 

(Vijon)

Share This Article
1 Comment
  • Eh,,,si krijohet nje histori e nje populli dhe atij fqinj.Mendoj se sikur brenda Shqiperise te rebelohej nje familje dhe me arme te luftonte me shtetin diktatorjal te viteve 1944-1990.Ja ashtu te kundershtonte hapur ,me arme per varferine,per lirine e shprehjes e mos pasjen e prones private etj e tj.arsye te shumte.Si do te vepronte ai shtet yne ogurzi ,me keq se ne revolten e Spacit ,e sot s’do jetonte as dhe nje nga ai fis e tere farefisi ne internim te perjetshem.Per heroin e vertete A.Jashari ka respekt krejt populli kosovar.Mesimet,orjentimet i mori ne Tirane ne vitet 1980 ,u frynezua nga ndjenjat kombetare nga nje qeveri qe shtypte popullin e vet,qe ushqente me triske popullin e vet e Heroi Jashari mendonte me te drejte se me bashkimin dhe varferia e vellezerve shqiptare do te zhduket.Dhe fundi tragjik nuk vonoi.U shua ai familjerisht si trup dhe jo si emer, i vetem,pa ndihmen e askujt qofte dhe te fshatit ku banonte.Se makineria ushtarake Serbe ishte e forte ,akoma e pagoditur nga Nato.Dhe Tirana e lojrave,kurtheve,organizimeve te grupeve per rezistence ndaj ushtrise serbe heshti dhe me shumta qe boni ne ato vite ishte hapja e depove te armeve e shitja Kontrabande vellezerve kosovare.Ah c’te thush tjeter,historia eshte sic eshte jetuar dhe jo sic shkruhet.Shkruhet se duhet bo Film, dokumentar neser por populli e din te verteten e hidhur e din mire HISTORINE komike-tragjike qe u lujt per dekada e deri ne clirimin e plote te Kosoves.Harmoni ,Respekt e bashkpunim uroj e shpresoj te kete sot e tutje mes shqiptareve kudo ku jetojne.!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *