Gjyqtari shkon me biçikletë para vetingut, por s’justifikon dot 135 mijë euro, thotë se i fitoi si shofer kamioni

Ermir Ermir

Nga Edmond Hoxhaj

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Kreshnik Omari u përball të martën më 29 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime vetëm për gjetjet për kriterin e pasurisë, për të cilin ishte përmbyllur hetimi administrativ. Procesi i vetingut për Omarin po kryhet nga trupi gjykues i KPK i kyesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Shanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Kreshnik Omari e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 dhe punon për më shumë se dy dekada në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjyqtari Omari mbërriti dhe u largua me biçikletë nga ambjentet ku u zhvillua seanca dëgjimore. Ai e vlerësoi Komisionin për procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij dhe kërkoi që në analizën financiare të reflektoheshin provat dhe shpjegimet që kishte dorëzuar për të vërtetuar burimet e krijimit të pasurive.

Hetimi administrativ i Komisionit është përqëndruar në një depozitë me vlerë 135 mijë euro të çelur nga gjyqtari Omari si dhe transaksionet në prona të paluajtshme të kryera nga prindërit e tij, për të cilat u ngitën dyshime se mund të jenë pasuri të fshehura të subjektit të rivlerësimit.

Për çeljen e depozitës në shumën 135 mijë euro në vitin 2015, Omari ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga emigracioni në Itali gjatë periudhës 1991-1995; të ardhura nga puna e tij si avokat e gjyqtar, si dhe nga puna e ish-bashkëshortes si avokate.

Subjekti ka sqaruar se në vitin 2003 ka deklaruar si gjendje cash shumën 97 mij euro, ndërsa pjesa tjetër është kursyer në vitet e mëvonshme.

Burime të njëjta financiare, Omari ka deklaruar edhe për krijimin e një depozite në shumën 1 milion lekë në vitin 2003.

Sanxhaktari tha se subjektit i është kaluar barra e provës për të provuar burimin e ligjshëm të shumave të depozituara në vitin 2003 dhe në 2015-ën. “Duket dyshimtë pse subjekti i ka mbajtur në shtëpi gjendjet cash”, theksoi ajo.,

Gjyqtari Omari deklaroi në seancë se kishte dorëzuar librezën e punës në gjuhën italiane që i ishte pranuar si provë e papërkthyer, ndërkohë që nuk ishin konsideruar bustapagat të. “I përkthehva dhe i dorëzova”, theksoi Omari dhe shtoi se gjatë priudhës që kishte punuar në Itali, kishte përfituar nga puna si shofer kamioni vlerën 176 milionë lireta. Ai sqaroi se kishte dorëzuar prova të tjera, si disqet e regjistruara për orarin e punëës së kryer dhe faturat e pagesës së orëve shtesë, veça atyre të pasqyruara në bustapaga.

I pyetur nga kryesuesi Olsi Komici dhe vëzhguesi ndërkombëtar Francesco Ciardi, Omari shpjegoi se kishte të mbuluara me bustapaga rreth 90 ose 100 milionë lireta, pasi për një periudhë kohe kishte punuar i paregjistruar, si dhe një pjesë e të ardhurave për orët shtesë nuk pasqyrohej në bustapaga.

Lidhur me mbajtjen e gjendjes cash në shtëpi për një periudhë të gjatë, subjekti tha se ishte çështje besimi tek bankat. “Dihet ’97-ta”, tha ai.

Në vijim, Sanxhaktari tha se nuk është provuar edhe burimi i ligjshëm i dy depozitave në shumat 1 milionë lekë dhe 500 mijë lekë të çelura nga babai i ndjerë i subjektit. Sipas relatores, Omari ka trashëguar gjysmat e këtyre dy depozitave, që janë konsideruar me rezervë në analizën financiare.

Omari deklaroi se kishte dorëzuar dokumentacion për të ardhurat e tyre nga pensioni dhe nga aktiviteti privat.

Komisioni konstatoi se gjyqtari Omari nuk ka pasur burime të mjaftueshme për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 11.5 m2 në Tiranë në vitin 2013, kundrejt çmimit 2725 euro. Sipas Komisionit, po atë vit është kryer rivlerësimi në shumën 1 milion e 96 mijë lekë.

“Duket se çmimi i kontratës është fiktiv. Deklarimet e subjektit se e ka blerë për parkimin e automjetit nuk janë bindëse pasi e ka larg shtëpisë ku banon”, tha Sanxhaktari.

Omari tha se graazhin e kishte porositur në vitin 2005 dhe se kishte depozituar pesë kontrata të ngjashme, kur rezultonte se çmimet e shitjes ose ishin të njëjta ose më të ulëta.

“Aty ku gjendet shtëpia ime nuk ka vend parkimi. Është 500 metra larg shtëpisë dhe e arrij për pesë minuta”, tha Omari.

Komisioni ngre dyshime për deklarim të rremë për çmimin e një autoveture tip “Lancia” të blerë në vitin 2013 kundrejt shumës 300 mijë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se shitësja e mjetit, B.P. e ka blerë në Itali rreth një muaj më parë në shumën 9000 euro dhe ka paguar doganën në shumën 255 mijë lekë. “B.P. e ka shitur një muaj më vonë pesë herë më lirë nga sa e ka blerë vetë”, tha Sanxhaktari dhe shtoi se veç deklarimit të rremë për çmimin e blerjes, subjekti në këtë rast duket se ka fshehur vlerën reale të mjetit.

Gjyqtari Omari deklaroi se me shtetasen italiane B.P. kishte pasur miqësi të vjetër dhe se ndoshta për këtë arsye ia kishte shitur makinën për çmimin 300 mijë lekë. Por ai kundërshtoi që ajo të konsiderohej si person i lidhur.

Në seancë u relatua edhe për blerjen e një veliere me gjatësi 9 metra në Itali nga ana e gjyqtarit Omari në vitin 2015 kundrejt shumës 4000 euro, për të cilën ka paguar 231 mijë lekë për zhdoganimin. Sanxhaktari pohoi se subjekti ka deklaruar se velieren ia kishte lënë në përdorim kushëririt të tij që jeton në Orikum dhe se nuk ka asnjë shpenzim pasi i mbulon ai.

Sanxhaktari shtoi se nga hetimi ka rezultuar se nëna e subjektit, që është konsideruar si person i lidhur prej Komisionit, ka lidhur kontratë për një apartament dhe vend parkimi për barkën në Orikum. “Duket se subjekti nuk ka qenë i sinqertë në deklarimin e tij për velierën”, tha Sanxhaktari dhe vijoi se duket se ai ka dashur të fshehë shpenzimet për vendparkimin e mjetit.

Omari deklaroi se e kishte blerë velierën në Napoli të Italisë, tek një artizan që i ndërtonte vetë, me të cilin kishte pasur miqësi që prej vitit 1997.

Për marrjen e apartamentit dhe të vendit të parkimit për barkën në Orikum, Omari theksoi se kishte dorëzuar dokumente që vërtetonin se nëna kishte kryer pagesa që prej vitit 2007, kohë prej të cilës ajo i kishte administruar këto pasuri. “Nuk ka lidhje me velierën”, pohoi ai.

“Nëna ka punuar si dentiste për 41 vjet. Kur doli në pension në vitin 1991, punoi privatisht deri në 2004-ën dhe ka pasur të ardhura të konsiderueshme”, vijoi Omari.

Një shtesë anësore me dy kate plus bodrum me sipërfaqe totale 48 m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 16.2 m2, ka rezultuar se është ndërtuar prej babait të subjektit gjatë periudhës 1990-1995, kur ai nuk jetonte në Shqipëri dhe nuk ushtronte detyrën e gjyqtarit.

Për mospërputhje në deklarime me dokumentet e siguruara nga Aluizni, Omari shpjegoi se ndërtesa në fakt përbëhej nga dy dhoma që gjendeshin në katin e parë dhe të dytë, ndërsa kati i tretë ishte një aneks. “Thjesht se njëra nga dhomat ka marrë emrin garazh”, tha Omari dhe shpjegoi se ndërtimi dhe procedura e legalizimit ishte ndjekur prej babait të tij.

Share This Article
6 Comments
  • Ky nuk mundet kurr te jet Gjyqtare .Kurr ner asnji menyre .
    Eshte e pamundur .
    Fytyra e ktij me thote mua qe ky person eshte nji Hajn .
    Ky eshte profesioni ktij berberi

  • Gjynah i shkreti… me biciklete paska ngelur! Jo or Kreshnik se nuk e ha wetingu ate rrenë…! Behu gati per gijotine ti dhe gjith shpura e gjytareve te Tiranes Micko, Kostandini, Aliaj, Kajo e te tjere… po jo vetem kaq. Do i villni dhe ato pará te fshehura ne mos ju femijet tuaj…

    • po c’gijotine zeza bre…max nuk do ta lene te ushtroje profesionin dhe kaq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *