Saga e Jasharëve (II)/ Epopeja e marsit 1998 në Prekaz

Ornela

 Bedri Islami

 (Vijon nga numri i kaluar)

Gjithçka ishte e pabesueshme në atë vorbull shkatërrimi dhe përgjakjeje, mbi Drenicë kishte rënë pluhuri i luftës, sytë e njerëzve ishin ende të skuqur nga tymrat dhe gazi lotsjellës, bota u duk sikur ndal dhe kur trupat serbe filluan të largoheshin, disa u afruan të parët, me ankthin e padurueshëm në zemër. Ata shikuan rreth vetes dhe dalluan trupat pranë. Një këtu, një aty. kujtuan çastin tragjik, kur një bombë e madhe i kishte rënë bodrumit dhe e kishte ndarë atë përgjysmë, duke e shkatërruar krejtësisht. Aty ishin vrarë disa nga pjesëtarët e familjes së madhe. Kishte qenë një shpërthim i jashtëzakonshëm, fuqia e tij e kishte hedhur nënëzonjën e mirë nga vendi ku ishin, në një dhomë tjetër, sepse ishin shkatërruar edhe muret që ndanin vendin ku ishin strehuar me dhomat e tjera përdhese. Pastaj do të mësonin se sa ishte lufta, kishin dëgjuar në çastet e heshtjes së armëve zërat e burrave dhe djemve të shtëpisë, megjithëse nuk i shihnin dot, pastaj kishin përfytyruar sikur përsëri nëpër shkallët e shtëpive dëgjoheshin hapat e Shaban Jasharit, Hamzës dhe Ademit, ashtu si i kishin njohur, burrërorë dhe  fisnikë.

Bënë me kujdes para. Ndjehej era e barotit dhe e pushkëve përzier me erën e zjarrit. Mjekja Teuta Hadri që kishte qenë ndër të parët e gjendur aty e që më pas do të denonconte krimin në mediat ndërkombëtare, iu afrua trupit të parë, që kishte më pranë vetes, e preku lehtë me dorë, pastaj i preku flokët, faqet, e tundi pak shpatullash, i mori kokën në duart e saj, i foli në emër dhe priti se mos do të kishte përgjigje. I thërriste përsëri në emër, por përgjigje nuk kishte. Atëherë ia ulte kokën ngadalë, përpiqej të gjente një vend të sheshtë për pushimin e tyre, afrohej tek tjetri dhe përsëri e prekte lehtas me dorë, i fliste përsëri në emër, priste një përgjigje të shkurtër, një shenjë jete, por përgjigje nuk kishte. Krimi ishte kudo, ashtu si kishte qenë edhe qëndresa.

Përmes pluhurit dalloi dy vajzat që ishin pranë njera tjetrës, Hidajeten, vajza e vëllait  të madh të familjes, Rifatit, dhe bri saj, Fatimen, vajzën më të vogël të Hamzës. Deshi t’u fliste, ishin gjaku i saj, por pastaj iu kujtua se nga granatimet ata ishin plagosur rëndë. Të dyja ishin mbështetur  mbështetur tek njëra tjetra dhe kishin heshtur. Sidoqoftë ajo u foli edhe një herë, priti me ankth një përgjigje, por përgjigje nuk kishte.

U foli të gjithëve me emër, njëri pas tjetrit, njëzet herë me radhë, njëzet herë priti prej të gjithëve një përgjigje, por heshtje. Pastaj, kur nuk po e dinte se çfarë mund të bënte më tej shikoi njerëzit e shumtë që kishin ardhur dhe hangari i gjatë ishte zbardhur nga mbulesat mbi të rënët. Gjithçka ishte mbyllur, për të rinisur. Ishte fundi i paradites së shtatë marsit 1998. Kishte tri ditë e dy netë që luftohej.

Gjithçka përreth ishte përskuqur ose djegur e zhuritur. Erërat e atij fillim marsi ishin tej e për tej të mbushura me erën e veçantë të barotit, dhe duke lëvizur drejt fillimit të bjeshkëve, dukej sikur merrnin me vete pjesët e luftës.

 

***

Mjekja e shquar do të kujtonte më pas se çfarë kishte ndodhur dhe kishte shkruar në Ditarin e saj të luftës, “Krimi që pashë me sytë e mi”, dëshminë më të saktë të luftës, ku ajo vetë kishte qenë pjesë. Do të jetë Ditari më rrëqethës, që pa asnjë droje ka dimensionet e një Ditari të njohur, si ai i Ana Frankut, por që autore do të kishte një grua pjesë e lëvizjes klandestine dhe nga një familje e shquar atdhetarësh e mentarësh, çka e bënte edhe më të besueshme dëshminë e saj.

Ajo do të dëshmonte më pas se, e mbijetuara e parë, vajza e vogël, në çastet e një përmase homerike, nuk dallonte thuajse asgjë më, kur befas, krejt befas, ajo dëgjoi zhurmën e krismave të plumbave që përplaseshin nëpër gurët e shtëpisë, rafalle të një pas njëshme, një tym i dendur pastaj mbuloi gjithçka dhe ajo e diti mirëfilli se nuk ishin njerëzit e saj që po qëllonin. Sepse ata nuk mund të qëllonin kurrë mbi themelet e tyre. Askush nga Fisi i tyre nuk e kishte bërë këtë dhe vajza e vogël kishte kohë, shumë kohë që e kishte mësuar këtë. Ajo priti se çfarë mund të ndodhte. Nuk ndjente asnjë lloj frike, nuk kishte të dridhura dhe as që kishte kohë të mendohej se çfarë mund të ndodhte. Sido që të ishte, asgjë nuk do të mund të ishte më e rëndë se sa ajo që kishte ndodhur.

Pas heshtjes së krismave në fillim ishin dyndur kriminelët e çartur. Të çarturit futeshin brenda nëpër rrënojat e dhomave dhe qëllonin, pastaj, gjithë frikë u afroheshin të rënëve duke pasur drojën e rizgjimit,  u dukej çudi që në asnjë fytyrë nuk dukej frika, ata, të gjithë, ishin të qetë edhe pasi i kishin vrarë, aq të qetë sa të dukej sikur mund të ringriheshin dhe kjo ishte gjëja që kishin pasur më shumë frikë. Disa herë e kishin parathënë dhe shpallur vrasjen e Jasharëve dhe asnjëherë nuk e kishin besuar. As tani nuk e besonin.

Krimi ndaloi pranë shkallëve të kullës së dytë, ku kishte rënë Adem Jashari. Dukej sikur kishte rënë të pushonte, do të kujtonte mbesa e tij më vonë, por asaj dite, çartërisht, njëri nga të çarturit pyeti, në se ai që ishte aty, pranë shkallëve, ishte Adem Jashari. Ajo e dinte se mixha ishte vrarë, e kishte parë çastin kur kishte ndodhur gjithçka, por të çarturit nuk ishin të sigurt. Mixha i saj, pak ditë më parë, e kishte shkurtuar mjekrën dhe të çarturit ishin të pasigurt në njohjen e tij. E pyetën edhe një herë, dhe vajza e vogël, krejt qetësisht, sikur deri atëherë të mos kishte ndodhur asgjë, iu përgjigj se “Ky nuk është mixha im, është një dajë prej Llaushës”. Nuk donte të pranonte vdekjen apo kishte diçka krejt tjetër?

Që ishte vrarë, ajo e dinte, që një njeri si mixha i saj nuk mund të vdiste, edhe këtë e dinte.

Policët serbë, krejtësisht të çartur, ndërsa shpejtonin të hiqnin të vrarët e tyre, duke u sjellë rreth e rrotull shtëpive. Shtëpitë dhe kullat vazhdonin të digjeshin. Trarët vazhdonin të përthyheshin njëri pas tjetrit. Gurët po bëheshin gjithnjë e më tej të bronxtë. Gjithçka ishte bërë tashmë e lemerishme rreth atij peizazhi, njerëzit nga larg vazhdonin të shikonin kullat që digjeshin, që po ktheheshin dalëngadalë në një muranë të zjarrtë.

 

***

15 muaj më vonë, kur e kam takuar për herë të parë Besartën, krejt natyrshëm, e kam pyetur në se kishte pasur frikë, e kam pyetur sepse e përfytyroja llahtarinë përmes së cilës mund të kishte kaluar, kur pranë saj ishin të pajetë njerëzit më të dashur, babai e nëna, motra e vëllezërit, gjyshi e gjyshja, bali Adem e nuset e shtëpisë, kushërinjtë e parë dhe të tjerët nga Fisi i tyre.

Besarta më pat thënë atëherë se ,“sa këndonte bali Adem, kurrëfarë frike nuk kam pasur”.

Më tha ashtu dhe unë e besova menjëherë.

Ishte 7 marsi i vitit 1998. Është momenti kur fillon e ngjizet legjenda, miti dhe e vërteta e tyre.

Dëbornat kishin filluar të shkriheshin, ditët tashmë nuk do të kishin kuptimin e tyre të zakonshëm.

Mbi Prekazin e Poshtëm nuk do të kishte heshtje më, ajo që kishte ndodhur do të ishte tepër e përkohëshme, aq e përkohëshme, sa që askush nuk do e kishte marrë me mend. E gjitha kjo kishte pasur një fillesë, një fillesë të hershme, dhe një tjetër tepër ngjat.

Për të ditur gjithçka që kishte ngjarë, do të ishte mirë të ktheheshim pak më pas… Le të nisim me atë që është tepër ngjat.

 

 

 

Tre ditë më parë

Pesha e forcës së një burri është në qëndresën që ai mposht.

Në orët e vona të 4 Marsit të vitit 1998, kur nata ishte gjithkund mbi luginat dhe vargëzimet e bjeshkëve përreth, një grup i vogël njerëzish, pasi ishte shkëputur nga fshati Ticë, kishte marrë rrugën drejt Prekazit të Poshtëm. Ecnin të heshtur, të dukej sikur vetëm era rrëshqiste së bashku me to, dhe, krejt normale, dukeshin shumë më të gjatë, se sa do të ishin në të vërtetë. Kishin një përzgjatje të çuditshme, por vetëm  herë pas here, kur dilnin nën ndriçimin e hënës së ftohtë, dukeshin se kishin armë me vete. Ishte një fillim pranvere që dukej se do të vinte tepër shpejt dhe brymëzat e ngrira të ngjanin me  fillimin e gjurmëve të shkrirjes së dëbornave.

Njerëzit lëviznin ngadalë, të heshtur, vetëm nganjëherë, njëri prej tyre, ai që ishte në mes, i thonte  me zë të ulët njeriut që kishte para tij, të bënte kujdes, se toka ishte ende e rrëshqitshme. Ishte për to çdo gjë e njohur në atë rrethinë rreth e qark, sa që edhe po të kishin patur sytë e mbyllur, përsëri do e kishin pasur fare të lehtë të gjenin udhën nga shkonin. Më shumë se një ecje e detyrueshme, të dukej sikur po ndodhte një rikthim në shtëpinë e tyre. Ashtu do të ishte vërtet, ishte një çast kur gjithçka të duket se është e zakonshme dhe me plot mall, të duket sikur, pas çdo kthese në mal apo pas bardhësisë së bjeshkëve, do të rishfaqen kullat e fisit, vendet ku ke lindur dhe ku e di se do të jesh vazhdimisht.

Asnjëri prej tyre nuk e dinte se ky do të ishte udhëtimi i tyre i fundit nëpër rrugëtimet e Kosovës,nuk mund ta dinte se pas kësaj nate do të vinin tri ditë të jashtëzakonshme, të cilat do të trondisnin gjithçka. Nuk kishin se si ta dinin, megjithëse përherë e kishin menduar se pas çdo çasti të zakonshëm , mund të vinte edhe çasti i tyre i mbramë, ndaj edhe kishin jetuar në secilën ditë, sikur të ishte dita e tyre e fundit. Më saktë, kishin luftuar çdo ditë, si të ishte dita e tyre e fundit e luftës. Ishin në njerëzit që e kishin matur kohën disi ndryshe nga të tjerët. Jo me ditë të zakonshme, me ditënetë apo me natëditë, ata e kishin matur me ditë lufte dhe , pasi e kishin matur një herë kështu, në një natë fund dhjetori të vitit 1991, e kishin ditur se e kishin mirë dhe kishin vazhduar. Qetësisht, pa asnjë lloj zhurme e deliri, si për çdo gjë të zakonshme që kishin bërë deri asaj dite. Njëlloj si të lëronin tokat që i kishin në blerinat afër shtëpisë, si të pritnin dru në mal, si të dilnin me miqtë e me shokët për një bisedë të zakonshme, si te kositnin livadhet ku rritej bari erëmirë i Kosovës, si të prisnin miq e dashamirë, si të ngrinin kulla dhe të bënin dasma.

Ata ecnin ngadalë. Kishte qenë një vendim i papritur ky rrugëtim. Ndoshta një çast malli, ndoshta dëshira për një prehje të shkurtër, ku ta dish, malli për prindërit, fëmijët, e pastaj do të vinte krejt normalisht një ditë e nesërme, mrekullisht e bukur, sepse edhe ajo do të ishte ditë lufte, e njëkohësisht krejtësisht e zakonshme, sepse lufta u ishte bërë shprehi.

– Dajë, a shkojmë sonte nga shtëpia. Edhe shohim robtë e shtëpisë, edhe çmallesh me motrën. Si thua?, – kishte pyetur njëri nga nipërit dhe Osman Geci, daja i shtëpisë, kishte tundur koken lehtë, si të thonte se “shkojmë, pse jo”.

Thuhet se nipi qet pushkë për dajën, e daja qet top për nipin. Këtë fjalë të hershme e kisha dëgjuar për herë të parë në bjeshkët e Dukagjinit, shumë e shumë vite më parë. Më është kujtuar shpesh herë, sidomos pas kësaj nate, e cila ishte njëkohësisht edhe nata e fillesës së një ndriçimi të jashtëzakonshëm.

 

***

Nata e 4 marsit tashmë ishte thyer plotësisht. Hapat e tyre rrëshqisnin nëpër natë dhe të dukej sikur vetëm era përcillte hapëzimin e tyre.

Nga larg kishin parë tri kullat e shtëpisë së tyre dhe kishin shpejtuar hapat. Po ktheheshin nga një fillesë lufte, sapo ishin ndarë me disa nga shokët e miqtë e tyre, kishin parë plagët e të plagosurve në luftimet e para pak ditëve, dhe, ndoshta e kishin menduar se plagë të tilla do të vinte koha që do të ishin krejt të zakonshme, ndoshta në të gjithë truallin e Kosovës.

Jeta që kishin bërë deri atëherë në fakt do të ishte e gjitha. Më pas do të nisnin tri ditënetë, që aq sa kishin lidhje me tërë ditët e tyre, aq do të ishin edhe jashtë të zakonshmes, do të ishin tri ditëlidhëse mes asaj që kishte ndodhur deri ato çaste dhe asaj që do të vinte më pas.

Kishin mbetur jo më shume se dyqind metra larg hyrjes kryesore të kullave të tyre dhe bënë më tej me ndjenjën e ngrohtë që të krijon afrimi i shtëpisë. Po bëheshin shtatë vite që në këto kulla ishin të përkohshëm, ishin gjysmë miq dhe gjysmë bujtës, ishin , si të thuash, dalëzotësit e kullave, por njëkohsisht edhe të përkohëshmit e tyre.

Askush nuk e dinte, aq më pak nuk e dinin tre njerëzit që po ecnin drejt Prekazit të Poshtëm, se njëkohësisht me to, por tashmë nga disa drejtime të ndryshme, po lëviznin dhjetëra makineri lufte, nuk mund ta dinin se vetëm pak çaste më vonë, vetëm pak çaste pasi ata të futeshin në vatrën e tyre, do të lëviznin 200 mjete të blinduara dhe 15 topa do të kishin një objektiv të vetëm, tri kullat e Fisit të tyre.Nuk mund ta dinin se një ecje e tyre nëpër natë do të vinte në lëvizje një përbindësh të tërë hekuri, municioni dhe armësh, të cilët si në krijimet e përbindshme, kishin qenë prej ditësh në këtë pritje të ankthshme. Një shtab i tërë do të vihej në lëvizje për atë që ishte përgatitur prej javësh e ndoshta muajsh, ushtarakë të lartë, paramilitarë të përçartur, banda çetnike , grupe që kishin përgjakur krahina të tëra në Bosnje e në Kroaci, kriminelë të të gjithë llojeve, gjeneralë dhe Arkani i çartallosur, të gjithë ata që mund të vinte në lëvizje një pushtim i dhunshëm, kishin filluar tani të kishin një drejtim të vetëm, Prekazin.

 

***

Ata nuk mund ta dinin se në fillimin e mëngjesit që do të vinte, pak pas mesnatës, drejt tyre , nga drejtimi i Mitrovicës për në Skënderaj do të arrinte kolona e parë e forcave të policisë serbe, nuk mund ta dinin se në fabrikën e Municionit, as treqind metra përballë banesave të tyre kishin zënë vend forca të tjera të përqendruara serbe, nuk mund ta dinin se pak çaste më vonë, nga Prishtina drejt tyre do të nisej kolona elitë e forcave serbe në Kosovë.

 

Ishte vënë në lëvizje një makineri e përgatitur shumë kohë më parë. E dhunshme, e përgjakëshme, e egërsuar. Kishin hesape të herëshme me njerëzit e këtyre e  kullave dhe, si dukej, kishin menduar se në një natë ose në një çast natëditë do të merrte fund gjithëçka, e bashkë me to, do të merrte fund edhe idea e tyre. Do të kishte dy humbje të njëkohëshme , kishin menduar në Beograd, të atyre njerëzve që ishin brenda kullave dhe prej nga ishin kthyer të mundur dy herë, por edhe të idesë së tyre. Nuk do të kishte më asgjë, pas rrethimit të kësaj nate dhe asaj që pritej në fillimin e ditës së nesërme, do të kishte vetëm heshtje, një qetësi mortore, e paskajshme, e aftë për të vendosur heshtjen për dhjetë vitet e ardhshme në këtë vend rebel. Dhe nëse shuhej kryeqendra e rebelëve dhe rebelët bëheshin të pakundgjetur, do të ishte e natyrëshme që nuk do të kishte më asgjë pas kësaj. Kështu kishin menduar në Beograd. Do të ishin dy herë të gabuar. Nuk do të ishte thjeshtë një larje hesapesh, e befasishme dhe asgjë tjetër, e po ashtu nuk do të kishte pasur heshtje të mëtutjeshme.

Të tre udhëtarët e natës së 4 marsit ndërkohë ishin çmallur me njerëzit e shtëpisë, kishin marrë pranë vetes nënën e tyre, e cila, e strukur në gjoksin e madh të bijve të saj, dukej sikur kishte humbur mes tyre. Ishin ulur pranë vatrës, pikërisht aty ku kishin qëndruar me dhjetëra e qindra herë, kishin dëgjuar natën që po fillonte të thyhej dhe ishin ndjerë mirë, si çdo njeri në vatrën e tij.

Nuk e kishin ditur, dhe nuk do e dinin deri në mëngjezin e afërt, se ishin vënë njëkohësisht në lëvizje, disa njerëz të zakonshëm që shkonin drejt vatrës së tyre dhe qindra e qindra mjete për të shuar jetën e tyre.

Do të duhej të kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme që një armatë e tërë serbe, si kurrë ndonjëherë më parë, me përmasat e saj oktopodhiane si metastaza të zeza, ishte vënë ashtu në lëvizje, ose njerëzit që ishin brenda kullave do të duhej të ishin vërtet të jashtëzakonshëm. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

(Vijon)

 

 

Share This Article
5 Comments
  • *SAGA e Jashareve -EPOPE e marsit,1998ne Prekaz*,me ben te kujtoj masakren balliste krah pushtuesve Gjermane,ate Qersor 1944-ter,une femije..Mes Zavalanit te Dangellise naimjane…

    * I nderur Bedri Islami, me ju lumte ajo MENDIE komanduar ate PENE, sjelle nje nga ngarie me herroike te Luftes per clirimin e Kosoves, me ate herroizem te pa pare te families Jashari; me herroin e tyre Adem Jashari.Familie HEROINE e Clirimit Kosoves,,
    Ju pergezoj dhe uroj gjithe te mirat juve dhe sa ju rrehojne sa familarisht dhe shoqerisht.
    *** Me falni, po leximi i ketij shkrimi me beri mua 85 vjecarin,fatekeqesist larg atdheut, te jetoj me thuajse, nje ngjarie analloge,ne Fshatin tim te lindies,Zavalan te Dangellise Naimjane, ne fund te Qershorit 1944ter, sa nis *Operacioni Gjermano-Balist*-Dangellia mbare, perfshire nga masakrat e pushtesve krah tradhetreve te kombit, Ballin kombetar…perjetuar une 8 vjecar….
    Isha plot 8vjec,(10 Qershor 1936 lindur), me babane te semure,Vellai i madh PARTIZAN,me 6-shte shoke bashkefshataret tone…
    Perjetova diten e pare te vetedijes sime,-TMERIN bere ballistet e*trimerruar*me ne krah Gjermanet,djegur shtepine dykatshe (sa ndertuar vete babai murator),sa
    Torturuar Babane per vdekie… Ceta Balliste e Kolonjes me ne krye katilin kriminel Osman Kaducin, ..
    Dite e paharruer tmerri..Ballistet ardhur ne fshat sa Gjermanet kaluar ne rreze malit Golikut,drejt Frasherit ,ballistet trimeruar, djegur shtepine tone(sa te nje komshiu),si shtepi PARTIZANE,me plaketen e ndertimit*5 Maj 1942- usta Mihal Jano-*Xhoga*ne kujtim te Gjyshit Jano-Kapedani vrare nedor 1913te ne mbrojtie te PV, sa shpalur-sulmuar fqinjet jugure,,.
    Mes dhimbieve,nje veprim njerzor, i nje djali mes cetes qe,kur pa se ajo shtepi digej e,ne kat te pare deren e Furres pjekese,te sapo mbyllur me suvatim. pyet tie kunate..,bashjeshortes se partizanit qe po i digjnin shtepine,nje vit martuar,shoh se Ballisti i thote asaj(Vitorise nuse) -C’keni futur ketu- se do digjet!? ..
    Ajo me lot ne sy, shtrenguar mua ne krahet e saj, hesh e vetem qan. Ballisti,nje ri vertet njeri-jo ballist,i fut bajoneten e pushkes murit sapo suvatuar dhe,habitet. Brenda furres plus te tjera placka me vlere,nje valixhe metalike-Nikeluar qe shkelqente, i beri pershtypie dhe e terhoqi. Kunate Vitori shperthen te qaret…Ai me valixhen ne krah drejt Oborit karshi shtepise qe digjej, ia coi babait tone.ai shtrire per vdekie torturuar,me fjalet -*Shpetoni te pakten kete valixhe te ralle,se e mesova cka brenda: Pajen e Nuses Partizanit,*.sa kujtim,kete valixhe,derguar nga Franca- Xhaxhai…*
    Ishte nje babaxhan djale,verte atdhetar nga Nikollara rreze Osumit,qe sa do marem vesh me vone,komanda balliste,do e pushkatonte kete,si bashkepuntor te partizaneve..*(sa do te doja te jete shoallur DESHMOR)
    **Nje kujtim i *ballsamosur*ate Valixhe metalike*ne mes te Tiranes,nje jete ruajtur mbas lufte, si kujtim-brezave. Ja i nderuar Bedri Islami,qe do me falish,po ia vlen…
    E pa harruar FAMILIA Jashari me Herroin e KOSOVES
    Familiem- Adem Jashari- KRANARI-Kombetare!.

    Toromto 30-06-2021 Pasuesi Vetran 85 vjecar.

    Dhimite M Xhoga.- Gur Naimit D.

  • Nuk do harrohet KURRE sakrifica sublime e kesaj familje patriotike dhe shqiptaret anekend botes jane krenare per keta HERONJ TE KOMBIT SHQIPTAR.Vlerat e larta patriotike duhet te percohen ne breza qe shqiptaret te mbijetojne ne perpjekjet e fqinjeve tane per asimilimin e kombit tone.

  • O DHIMITER
    NUK MUND TE KRAHASOSH DY GJERA TE PAKRAHASUESHME
    JU TOSKET EDHE NJE LEPUR PO VRATE I NGRINI VETES NJE KENGE
    MOS U MERZIT SE TRIMA MEGJITHATE KENI QE NENE

  • O Zoti Kuci..*KUCIOT* qofsh…
    Ju pershendes une DANGELLIOT !

    Ju faleminderit qe me drejtoheni ne koefidence -vellazerore; O DHIMITER! po nese e njeh Historine e mbare popullit TONE,..nuk do beje kete konkluzion-koent..Ne mbare Trojet shqiptare-HEROIZEM atdhetar,eshte MANIFESTUAR ne shekuj,dhe KENGET spushojne per ato heroizma nga jugu ne VERI. Mos e beni ate dallim…Sidoqofte ju faleminderit per referimin tuaj,kaqe koefidencial,,,
    *O DHIMITER! Miresite ju shoqerofshin! Dhimitri; Guri Naimit D.nipit dhene emrin,si 85 vjecar ju pershendet nga Toronto,prere bileten per t’u preh ne ATDH !..pa tjeter do numdohen t’iu thur nje kenge,si dine te kendojne DANGELLIOTET sa Kuciotet apo-Tropojasit…! sa mbare shqipetaret,qe dhe ketu tej Oqeanit Kenga Shqiptare VLON…!
    Ditet NJEMIJE-ATDHETAREVE tane!

    Me kondideraate ATDHETARE!

    Toronto03-07-2021 Guri Naimit D. (Dhimitri-gjysh.).

  • O Zoti Kuci..*KUCIOT* qofsh…
    Ju pershendes une DANGELLIOT !

    Ju faleminderit qe me drejtoheni ne koefidence -vellazerore; O DHIMITER! po nese e njeh Historine e mbare popullit TONE,..nuk do beje kete konkluzion-koent..Ne mbare Trojet shqiptare-HEROIZEM atdhetar,eshte MANIFESTUAR ne shekuj,dhe KENGET spushojne per ato heroizma nga jugu ne VERI. Mos e beni ate dallim…Sidoqofte ju faleminderit per referimin tuaj,kaqe koefidencial,,,
    *O DHIMITER! Miresite ju shoqerofshin!
    Dhimitri;Guri Naimit D.nipit dhene emrin,si 85 vjecar ju pershendet nga Toronto,prere bileten per t’u prehur ne ATDHE !..pa tjeter do numdohen t’iu thur nje kenge, si dine te kendojne DANGELLIOTET sa Kuciotet apo-Tropojasit…! sa mbare shqipetaret,qe dhe ketu tej Oqeanit Kenga Shqiptare VLON…!
    Ditet NJEMIJE-ATDHETAREVE tane!

    Me kondideraate ATDHETARE!

    Toronto03-07-2021 Guri Naimit D. (Dhimitri-gjysh.).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *