Bedri Islami
(Vijon nga numri i kaluar)
Në fakt të dyja ishin të vërteta, për armatën serbe kishte ndodhur diç e jashtëzakonshme, kishte filluar thyerja e saj. Deri atë natë thyerja kishte qenë e ngadalshme, por që do të bëhej e rrokopujshme, dhe thyerja kishte nisur pikërisht në këto vise, në pikëtakimin e këtyre kullave me vazhdimin e bjeshkëve, nga këto njerëz, që në 30 dhjetorin e vitit 1991. Kishte filluar dhe po vazhdonte, gjithnjë e më shumë, nëse deri atëherë ajo kishte qenë e pakdukshme, tashmë krisja e thyerjes po merrte përmasa gjithnje e më të mëdha, po shtrihej në hapësira përherë e më të gjëra.
Kishin provuar të ndalonin hemorragjinë e krisjes, e kishin provuar sërish në janarin e këtij viti dhe përsëri ishin thyer, përsëri në të njëjtin vend, nga të njëjtët njerëz; pastaj kishin ndodhur thyerje të tjera, një herë në Likoshan, pastaj në Llaushë, pritej thyerja në Dukagjin, në zonën e Llapit ku tani po dëgjohej kudo një këngë e re për Ali Ajetin, nuk dihej se cila do të ishte thyerja tjetër. Për to, kjo thyerje duhej ndaluar, e për të ndaluar këtë, në rradhë të parë duheshin thyer këto njerëz, të cilët, krejt normalisht dhe pa e kërkuar, po bëheshin në simbol, po niste të ndërtohej fillesa e legjendës së tyre dhe kjo legjendë duhej shkelur përgjakshëm që në agun e saj. Duhej ndërprerë jeta e tribunëve për të pasur një pushtim të gjatë, shumë të gjatë, mundësisht sa më të qetë dhe me lojën e pluralizmit, sa herë që të donin. Askush nuk i prishte punë më shumë se ky trikëndësh kullash, në këtë fshat që po bëhej ngadalë kryeqendra e Kosovës. Nëse nuk do e thyenin këtë, atëherë ishte krejt e mundur që kjo të bëhej zanafilla e një kryeqendre gjithëshqiptare, rreth së cilës njerëzit të përuleshin me përkushtimin e duhur, dhe me ndjenjën se e kishin gjetur tashmë vendin që kishin kërkuar për të ngulur shtizën e mëvetsisë së kombit të tyre. Duheshin zhdukur flamurtarët, duhej zhbërë miti i tyre, ende pa u bërë i plotë, duhej treguar se askush, edhe më i besuari prej tyre,“shiftarve“, nuk mund të i bënte ballë furisë ndëshkuese të tyre.
Kjo do të ishte thelbi i lëvizjes nëpër natë të një armate të tërë serbe ndaj një vendbanimi shqiptar.
A do të ndodhte zhbërja dhe harresa? Ata ishin të bindur se po. Nuk do të ishte hera që do të gabonin, por me siguri që do të ishte hera e fundit. Nuk do të kishin kohë për gabime të tjera, sepse kishte filluar rrokullima e pandalshme dhe theqafja e tyre. Njerëzit e rrethuar në mëngjesin e bardhë të 5 marsit të vitit 1998, tashme kishin bërë edhe ata rrethimin e tyre. Askush më mirë e më shumë se ata, nuk e kishin ngritur shpirtin e madh të revoltës. Megjithatë, ajo që kishte ndodhur deri me 4 mars do të ishte vetëm një pjesë e jetës së tyre të furishme, do të ishte e pazakontë, por gjithësesi jo e plotë. Do të kishin triditënetët e luftës dhe pastaj do të vinte koha e tyre…
Rreth orës 5 të mëngjesit rrethimi ishte bërë i plotë. Ishin zënë thuajse të gjitha shtigjet, mbi 200 mjete të blinduara kishin rrethuar vendlindjen e tyre, Prekazin, 15 gryka topash ishin të gatshëm për të granatuar, njëkohësisht ishte rrethuar krejtësisht lagjja tjetër përbri, ajo e Lushtakëve, Llausha dhe Açareva ishin nën rrethim, Vojniku ishte tashmë nën presionin e izolimit, të gjitha rrugët drejt Prekazit ishin përmbyllur nën një rreth të zjarrtë plumbi , predhash e baroti. Do të duhej një hartë e tërë për të shtrirë dhëmbët e kuçedrës. Gjithëçka dëshmonte se përgatitja për këtë natëditë kishte qenë e gjatë, e jashtëzakonshme e njëkohsisht e përbindshme. Telefonat dhe mesazhet serbe nuk pushuan gjithë natën.
Do të kthehemi përsëri në këtë fillim dite të pesë marsit dhe në çastet para saj. Do të kthehemi sepse nuk mund të bëjmë pa to asnjë histori, jo vetëm historinë e njerëzve të rrethuar, por as pjesë të historisë së vetvetes, të kombit.
Sidoqoftë kishte qenë një natë me brymë të bardhe dhe nëpër fillesën e bjeshkëve përreth brymëzat dukeshin tani si yje të bardhë që kishin rënë aty këtu. Më pas do të ndodhte një fenomen i çuditshëm, i pandodhur më parë, brymëzat ose do të shkriheshin nga nxehtësia e armëve, ose do të përskuqeshin nga gjaku i derdhur.
Mes dy rrethimeve nuk kishte mbetur asnjë zgjidhje tjetër.
Rrethimi i zi serb kishte në vete mijra forca të çfarëdollojshme, dhe idenë e çrrënjosjes nga vatrat.
Rrethimi i bardhësisë kishte pasur në vete gjithnje idenë e lirisë dhe sado mund të dukej i brishtë, ai ishte në agun e tij ,dhe si çdo gjë në ag, do të kishte të ardhmen. Nëse deri atëherë idea do të ishte e mbrojtur me vitalitetin e një kombi, tashmë vitaliteti dhe idea do të kishin edhe simbolet e tyre.
Ishte përmbyllur rrethimi i 4 marsit dhe po hapej dita e pesë marsit. Cilët ishin të rrethuarit?
Shumë shpejt, gjithçka do të bëhej e njohur për të gjithë.
Historia ishte në të mbrujturin e saj, magja e legjendës po përgatiste mitin e së nesërmes.
PREKAZI
Historia ka të vërtetën e saj, legjenda ka edhe ajo të sajën. Jo rrallë e vërteta historike është e ndryshme nga e vërteta legjendare. Jo rrallë ata ndërthuren me njëra tjetrën, deri në atë pikë, sa që është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të kuptosh fillesën e kufijve të njerës dhe përfundimin e tjetrës. E vërteta legjendare është shpesh herë një mjet për të arritur qëllimin që një komb i vë vetes, në fund të fundit, historia dhe legjenda kanë të njëjtin qëllim, të ndërtojnë nën njeriun e çastit, njeriun e përjetshëm. Mirëpo ajo që po ndodhte në fillesën e ditës së 5 marsit do të ishte diçka krejt tjetër, krejt e pazakontë, është ndër rastet kur historia plotëson legjendën, është ndër rastet kur historia është e përgjithshmja dhe legjenda është për hollësitë. E pazakontë, por e vërtetë.
Prekazi e meriton një çudi të tillë. Prekazi në vetvete është një çudi. Në qoftë se duam të kuptojmë Prekazin, le të parafytyrojmë njeriun që është mësuar të jetë i lirë, edhe kur të tjerët rreth tij ndjehen të robëruar, le të parafytyrojmë nga njëra anë pushtuesin serb dhe nga ana tjetër malësorin e Drenicës ; dhe përballë këtyre dukurive të pakrahasueshme, që janë një kundërvënie e pafund e agresivitetit ndaj mirësisë, e kërcënimit ndaj butësisë, le të vëmë këtë malësor, përgjithësisht me flokët e gështenjta, me sy të qartë dhe shikim të kthjelltë, i furishëm, por gjithëherë brenda masës që i lejon kodi i tij i nderit, nganjëherë i vrazhdë në dukje, por gjithëherë me zemrën e një fëmije; le të vëmë këtë malësor, i cili e ka kufirin e tij mes çatisë mbi kokë dhe qiellit, që jeton brenda gardhit të tij , duke pasur në vemendjen e pashuar gjithë vendet ku flitet shqip dhe përtej saj, këtë njeri që i falet grurit, qumështit, barit të gjelbër; që respekton gjyshërit e stërgjyshërit, me aq forcë e dinjitet sa përulet edhe para varreve të të parëve, këtë njeri që e bën mendjen të jetojë edhe në varr , por kurrë të mos jetë i palirë; malësorin që i falet së pari parmendës, që nderon djersën e derdhur, që përkulet para gjakut, që mpreh kosën dhe harr grurin; që ndoshta beson e nuk beson në perënditë, por i falet gurit të lartë që vesh themelet e shtëpisë apo që është vendi ku janë mbledhur kuvendet e burrave që shkuan.
Prekazi duket sikur ka dalë nga legjendat për të bërë histori, ai nuk është një histori për të bërë legjenda. Këtej gjërat kanë rrjedhur ndryshe nga e zakonshmja, mirësitë aty janë të përbashkëta, kjo ka bërë që edhe lufta të jetë e përbashkët.
Nëse e ke menduar një malësor të tillë, qoftë edhe në përmasat e tij të përditshme jetësore, atëherë e ke më të lehtë të përqëndrohesh në atë që mund të sjellin në mendje dy prej tyre, të cilët janë vetë thelbi i asaj që shkruam më lart, brumi nga i cili është gatuar njeriu që e ka bërë mendjen… të jetojë edhe në varr, por të jetë i lirë“.
Nuk mund të gjesh shembulltyrë më të përsosur të këtij malësori se sa ajo e Adem Jasharit dhe e vëllait të tij, Hamzës. Nuk mund të sjellësh në mendje një rast tjetër, ku njeriu i veçantë është pasqyrë besnike e fisit të tij, ku gjyshërit dhe stërgjyshërit e treqind viteve jetojnë tek vazhduesit e tyre, njëlloj si të ishin pjesë të ditës së djeshme.
ADEMI
Portreti i Adem Jasharit është ai i shqiptarit tipik malësor të Drenicës. Pamja e jashtme e tij dëshmon pikërisht për figurën e malësorit me shikimin e kthjelltë, të qartë, dhe, krejt natyrshëm, është në ekulibër të plotë me forcat e tij të brendshme, Shtatin ai nuk ka as tepër të madh, as tepër të vogël, trupin as tepër të rëndë dhe as tepër të brishtë: kudo e kurdoherë një pasqyrë vërtet shembullore e harmonisë njerëzore. Ai është një burrë i pashëm, një njeri burrëror, një malësor fisnik me tipare të rregullta, vështrimi i tij i përqëndruar tregon se kemi të bëjmë me një njeri të vendosur deri në skajin e fundit, fjalët e tij të pakta janë shenjë e qëndresës dhe dëshmi e njeriut të punëve të mëdha.
Adem Jashari, kujtojnë bashkëluftëtarët e tij, e kishte zakon të ngrinte lehtësisht kokën lart, shikimi i tij ishte drejtuar gjithnjë së larti dhe kurrë nuk shikonte përdhe. Si për të gjetur oguret dhe
zbulesat që mund të shfaqeshin ndër retë e qiellit. Mund të thuhej se ishte një njeri i pasur, në se do të llogarisim tokën që kishte familja e tij, pyjet përbri dhe livadhet, ujërat dhe gjënë e gjallë, mjetet dhe gjithë atë që mund të quhej pasuria e tyre. Kjo gjendje mund ta shtynte drejt të zakonshmes, të përditshmes, duke hequr dorë nga ajo që do të vinte. Mirëpo , ai nuk kishte lindur për një fat të tillë, të thjeshtë, të zakonshëm dhe herë pas here, edhe të errët.
Ndonjëherë imagjinata njerëzore zgjedh një figurë, ose disa figura të së shkuarës, për të përligjur dëshirat e saj. Ademi thërret në ndihmë të tij figura madhore të së shkuarës, nuk ka rëndësi se në cilin cep të Shqipërisë ka jetuar figura që thërret, atij i duhet kjo për të kapërcyer veten dhe për të mos mbetur thjeshtë një prekazali ose një drenicak i zakonshëm. Në më shumë se 15 vite pjesë e strukturave ilegale të lëvizjeve çlirimtare, ai kërkoi të sillte një kohë, që për shumëkënd tashmë kishte shkuar. Me gjithë forcën e tij ai vuri përpara syve të mendjes një numur të madh figurash mitike shqiptare, të cilat u rrok t’i trupëzonte gjatë jetës së tij. Përpjekja e tij nuk qe as e para dhe as e fundit, por kurrë më parë, e as më pas, nuk ishte bërë e nuk do të bëhej, me kaq zell, përkushtim dhe madhështi.
Këtë e kanë vërejtur edhe nipërit e bijtë e tij. Tregon nipi i tij, Murati :
“Thonë se shpirtrat rilindin… shikojeni filmin e Çerçiz Topullit, ngjarjet dhe figurat që kanë lëvizur në atë film dhe në pozicione të ngjashme është gjetur Adem Jashari me shokë gjatë luftës. E njëjta ngjarje ka ndodhur, e njëjta luftë. Çerçizi ka patur pak fjalë. Edhe Ademi ka folur shumë pak. Anën diplomatike në filmin e Çerçiz Topullit e ka udhëhequr Mihal Grameno. Atë rol, ndërkaq, tek ne e ka pasur Baci Hamzë…“.
Shembujt e ndjekur nga Adem Jashari kanë qenë tribunët, prej tyre, ashtu si nga i ati, ai mësoi përballimin e të gjitha dhimbjeve të botës, vuajtjeve të mëdha të luftës, mrekullisht pa e njohur dëshpërimin.
Dalëngadalë, natyrshëm, ndodhi një fenomen tjetër. Asnjë njeri tjetër, më shumë se sa ai, nuk ngërthente në vetvete kaq shumë persona të mbledhur rreth një qendre, u bë i shumëllojtë dhe i shumëfishtë. Ndërsa ai mbledh rreth vetes figurat mitike të së shkuarës, drejt tij shkojnë të tjerët, pasi e ndjejnë se kanë nevojë për të, se u duhet shembulli i tij, qëndresa që u afron, siguria që ua jep. Miq të tij të luftës do të jenë të gjithë ata që e kanë bërë në mend të luftojnë, dhe kur e fillojnë luftën, atbotë kalojnë në stadin tjetër, të bashkëluftëtarit.
Drejt tij shkojnë fillimisht prekazalitë , që janë më afër se të tjerët, të fisit të tij të Jasharëve, apo të lagjeve të tjera të Prekazit të Poshtëm, Kodralitë, Lushtakët, Mehajt, me to dhe përmes tyre, ai do të krijojë çetën e parë, pastaj grupin e parë. I strukturuar në lëvizjen ilegale çlirimtare, ai do të rritë veten pastaj nëpër Drenicë, do të shkojnë drejt tij djemtë e rinj dhe burrat. Fillimisht do të jetë një ujëvarë lirie, do të kthehet pastaj në lum që rrjedh drejt lirisë, për t’u kthyer në det lirie. Si eci ai përmes tri hallkave do e themi më pas, por e rëndësishme ishte se ai i besoi që në fillim ujvarës së lirisë dhe u përgatit për hapat e mëtejmë.
Drejt tij shkon Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, njëri drenicak dhe tjetri nga Mitrovica, rrethi hapet, i pari ngulmon në qendrën e lëvizjes ilegale çlirimtare se, domosdo, duhet bërë furnizimi me armatim i grupit të Drenicës, dhe kjo është në janarin e vitit 1992. Ai do të flasë gjatë me njërin nga drejtuesit e atëhershëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ramadan Avdiun, se duhet bërë me patjetër mbështetja logjistike e grupit të Drenicës, së cilit edhe i takon. Do të shkojnë drejt tij Sylejman Selimi, më pas Rexhep Selimi, Nait Hasani, aty gjejnë strehë Ilir Konushevci, Adrian Krasniqi , Iliaz Kodra, Abedin Rexha, Luan Haradinaj,Mujë Krasniqi, Qerim Kelmendi; Daut Haradinaj do të vijë nga Dukagjini, rrethi hapet më tej; tenton të shkojë drejt tij edhe fizikisht Zahir Pajaziti , por i pret rrugën plumbi i pritës serbe; atëherë merr rrugën Rustem Mustafa dhe Rafet Rama, niset drejt tij Fehmi Lladrovci dhe Xheva, ka një ngarendje të vullnetshme. Gjithçka fillon të ndryshojë, ai mbetet i njëjti, njerëzori, me synimin që të pamundshmen, ta bëjë të mundshme.
Natyrshëm vjen koha kur ai nuk mund të ishte një njeri i vetëm më, brenda tij janë disa njëkohshëm, arrin të kuptojë çdo lloj gjendje dhe të përshtatet në mënyrën më të zhdervjelltë.
Të gjitha figurat që ngriti, jetonin në ndërgjegjen e tij, në krah të njëra tjetrës. Të jetonte me një peshë të tillë mbi shpatulla, ishte e vështirë, por ai mund ta mbante, dhe ishte i gëzuar që mund ta mbante, po qe se kjo fjalë ka vërtet ndonjë kuptim; por ai e kuptoi se sa e vështirë dhe e rrezikshme ishte.
Pjesa më e madhe e atyre që e panë në veprim, që e panë në luftë dhe jashtë saj, që e ndoqën pas dhe e dëgjuan tek fliste, tashti, kur kanë kaluar kaq shume vite dhe ridimensionojnë gjithçka që ka ndodhur, e dinë fare mirë se e ndienin se një lloj përmase e padukshme po binte mbi këtë burrë, që jetonte në kohë dhe përtej kohës. Luftonte dhe plagosej si çdo vdekatar, bënte konak dhe jepte miqësi si çdo burrë, ndante vadat e ujit dhe harrte grurin si çdo bujk, dilte në pyll dhe luante me fëmijët si çdo prind, kthehej nga lufta dhe pinte çaj sikur asgjë nuk kishte ndodhur, nderonte trimin dhe përbuzte frikën si çdo ndershmëri – por a ishte vërtet njeri i zakonshëm?
Koha tregoi se,në gjithë qenien e tij jetonin dy vetë, njeriu i zakonshëm dhe i pazakonshmi. Mrekullisht të dy kanë ardhur tek ne.
(Vijon)

Lavdi per jete ketij trimi e kesaj familje. Gjaku I te reneve
Ishte I kuq dhe I kuq duhet te jete flamuri I Kosoves.
Flm Bedri Shqiptari per keto Kush do lirine vertet nuk kerkon pushtet e karrike.
Jane kranaria e Kombit tone Shqipetare. Lavdi Trimave, kujtim i pavdekshem. Perhere ne zemrat tona
Lavdi trimave te Drenices dhe Dardanisë! Vdekje shkijeve dhe gjithe qelbesirave qe u sherbejnë.