Ndër gjërat që i dhemb më shumë Iljasa Saliut, këtij shqiptari te Maqedonisë, është largimi i njerëzve prej leximit; librit sigurisht. Dhe sidomos rinisë, asaj që, siç mendon ai, më së shumti duhet të fërgëllojë nga dashuria për librin, mu për shkak të moshës, të energjive, të afshit për dije e të qënit vital e i dukseshëm në jetë. Për këtë arsye, e ka parë të udhës që të bëjë një përpjekje që t`u përcjellë një mesazh, dhe jo vetëm të rinjve – por të çdokujt, që ta bëjnë librin pjesë qenësore të jetës, sipas bindjes se ndër kënaqsitë e pazëvëndësueshme të të kësaj jete, është të lexuarit.
Dhe libri më i fundit i Iljasas, ka për titull pikërisht “Libri-n”, një diçka e pazakontë, jo pse e ka fjalën ‘libër’ në titull, se fjala vjen, është dhe “Libri i shqetësimeve” i Fernando Pesoas, porse me anë të tij, dëshiron thjesht t`ua bëjë të dashur të tjerëve leximin. Eshtë 29-vjeç dhe ka botuar deri më tani pesë libra: “Rrugëtimi nëpër mjegulla” – përmbledhje esesh; “Mëngjesi i hershëm” – roman; “Krimi ekonomik” – libër profesional; “Rrjedhat ekonomike në fshatin Llojan” – bashkautor (monografi ekonomike e fshatit); romanin “Beteja e paqes”, si dhe tani së fundmi librin me titull: Libri – rinia dhe liria. Por si i ka lindur ideja për të shkruar një libëri për ‘librin’, por që preferon ta quajë më mirë libërth?
“I kam parë se këngëtarët kurrë nuk i këndojnë parave edhe pse ata këndojnë për para. Ata nuk i këndojnë parave sepse s’ka nevojë, janë të stërmbushur me para si rrjedhojë e këngëve që më shumë shikohen sesa dëgjohen. Unë duke u mbështetur edhe në statistikat ndërkombëtare të cilat thonë se studentët shqiptarë janë studentë të makiatove dhe se mesatarisht një student lexon gjysmë libri në vit, si dhe duke kundruar vetjakisht ecejaken e librit, mbërrita në një përshtypje shumë të rëndë për sa i përket leximit të librit. Mendova se kot që shkruajmë gjëra të rëndësishme nëpër libra, ku në të vërtet mohohet vetë libri.
Nuk është se vetëm librat e mia lexohen pak, por librat e të gjithëve, me përjashtim të ndonjë libri që është i shkruar prej politikanëve të dështuar në terren dhe tani mundohen ta arsyetojnë veten përmes rrëfenjave të tyre të thata e më shumë të rreme. Habitshëm lexuesi ka kërshëri për të lexuar libra të këtillë. Mendova ia vlen të shkruhet një libërth për librin që fillimisht do t’i bëhet me dije shoqërisë se jemi katandisur për sa i përket librit, ndaj nëse duam ta dëshmojmë se nuk jemi të verbër, atëherë duhet lexuar pavarësisht zhvillimit teknologjik, si dhe është një fakt tjetër se lexuesi, qoftë edhe ai më përtaci, ka mundësi ta lexojë këtë libërth, sepse nuk është i trashë, për dy orë lexohet. Thjesht përmes kësaj lehtësia dua t’u them lexuesve se ka diçka të ëmbël e përmirësues në jetë. Ai është libri!
Siç shpjegon autori, përmbajtja e libërthit nis me pyetjen përse shkruaj? E më pas, rrugëtohet në tema si: Libri, rinia dhe liria; Prejardhja e termit libër; Përse rëndom rinia i druhet ballafaqimit me librin; faktorët që ndikojnë në uljen e leximit; nxitja e dashurisë ndaj librit në mesin e rinisë; gatimi i durimit përmes librit; begatimi i fjalorit, krijimi i ideve dhe lidhja serioze me to. Vetë Iljasa është nga një fshat i Maqedonisë verore. Llojan quhet. Pra nuk jeton në metropol. Por sipas tij, leximi nuk duhet të ketë kufij urbanë. Ai vetë nuk e ka ndjerë kurrë këtë.
Dhe ja se si e panoramon fshatin në raport me vetëveten dhe leximin: “Fatkeqësisht tani fshati ka humbur edhe fytyrën e angazhmit të bujqësisë. Ndërsa libri gjithnjë e më tepër perceptohet si një i ftuar i padëshirueshëm. Por as në qytet nuk është më mirë. Mbase në fshat mund të gjesh të rrallë që lexojnë, porse ata që lexojnë i shoh të zhytur thellë në lexim, ndoshta edhe qetësia dhe ajri i pastër që ta ofron fshati kanë ndikuar në këtë thellim. Libri nuk duhet të ketë asnjëfarë kufiri, ai është universal, i bukur në male, vezullues në fushë e shëmbëllyes në qytet. Kuptohet për përurim të librit nevojiten sheshe, ndërsa këtë mund ta gjesh në qytet, jo për diçka tjetër, porse aty ka mundësi të grumbullohen më shumë njerëz!”.
Edhe pse në fshat, në një trend jete ku një i ri shumë pak gjë mund ta lidh me stilin e jetës aty, të rëndomtë, të zbardhylët, pa gjakim, për Iljasën nuk është kështu. Ai thotë se për njeriun është gjithnjë e mundut t`i japë një kuptim të bukur jetës, pavarsisht rrethanave, nëse i lëvrijmë ndër vete ndenja kah së bukurës, së shendetshmes. E kjo e ka bërë të jetë dhe mjaft i angazhuar me aktivitet fizik. “Sporti për mua është sikurse krahu tjetër i pëllumbit që nuk mund t’i themi as si krah i dytë dhe as i parë. Jo rastësisht thuhet se “koka e shëndosh në trup të shëndosh”. Truri dëshiron këndellje dhe unë këtë e mbërrij përmes sportit. Përmes sportit unë arrij ta shfrytëzoj si duhet kohën. Madje duke vrapuar shpesh edhe bëj përsëritje të asaj që kam lexuar dhe planifikoj për ndonjë shkrim.
Pas veprimtarive të sportit ndihem shumë i kthjellët për të lexuar dhe shkruar dhe habitem me ata që investojnë aq shumë në kokë sa trupin e tyre e lënë djerrinë të pështirë, ku një ditë me gjasë kjo djerrinë do ta shtrijë rrezen e saj ndikuese edhe në kokë, ndaj unë parapëlqej që trëndafili të mbillet dhe të mirëmbahet në një kopsht që çdo ditë punohet”.
E duke iu kthyer librit, leximit, Iljasa është i bindur se ka plot shanse në jetë që njeriu të përmisojë veten, ta çojë atë drejt kahjeve të duhura të mirësisë, dhe për të, leximi ndihmëtari kryesor dhe i pazëvëndësueshëm. “Shumë njerëz kuptuan të vërteten përmes leximit. Meqë leximi është një mik bashkëbisedues në heshjte, ai ka gjasa të mëdha të ndikon të ecejaket e juaja në jetë.
Vetëm se duhet pasur ndjesi se çfarë po lexoni, ngase edhe shumë doktrina të mykura gjetën shtrat të ngrohtë përmes librit. Nëse thellësia në mendime mëton të të shpie kah e vërteta, atëherë kjo me sukses ka mundësi të arrihet përmes leximit – librit. Njeriu ka mundësi të bëhet i mirë nëse kridhet në mendime rreth qëllimit të ardhjes në këtë jetë dhe kjo ka mundësi të jetësohet nëse njeriu lexon libra. Ose leximi është si mësuesi përmirësues. Ju lexoni dhe e shihni veten se nuk qenkëshit ai për të cilën flitet në libër në mënyrë sipërore”.

Ajo qe ju shkruani ne artikull, vertetohet me se miri nga zero komentet e bera deri tani. kjo eshte fatkeqesi, qe nuk marrin mundimin as te shkruajne qofte dhe dy fjale, qofte ky dhe kontestim te shkrimit tuaj. Te uroj per shkrimenn, ta lexojne artikullin dhe me pas ndoshta u mbushet mendja edhe per te lexuar ndonje liber, midis tyre edhe ndonje tuajin, uurime.