Robert De Niro dhe Sylvester Stallone ishin të ftuarit e ekspertit të BBCsë, Mark Laërenson, i cili parashikon çdo javë rezultatet e ndeshjeve në Premier League. Laërenson ka përherë nga një të ftuar të famshëm dhe për këtë javë ishin dy peshat e rënda të Hollivudit, De Niro e Stallone, të cilët gjenden në Angli për promovimin e filmit të tyre të fundit, komedisë sportive “Grudge match”. Në të kaluarën, Stallone u bë i famshëm me serinë e filmave “Rocky”, ku luante rolin e protagonistit, boksieri Rocky Balboa.
De Niro ka fituar një çmim “Oscar” falë një tjetër roli boksieri, Jake LaMotta, në “Raging Bull”. Ai pranon se nuk ka luajtur shumë futboll, ndërsa Stallone është kënaqur në kohën kur luajti rolin e portierit Hatch në filmin “Arratisje drejt fitores”, ku interpretuan edhe ish-futbollistë të mëdhenj, si Pelé, Bobby Moore, Paul Van Himst, Osvaldo Ardiles e të tjerë. Në film, anëtarët e rezistencës franceze gjatë Luftës II Botërore organizuan arratisjen e madhe në pushim të ndeshjes së futbollit midis të burgosurve të luftës dhe ushtrisë gjermane. Të burgosurit refuzuan ta linin lojën në mes dhe qëndruan deri për të fituar, duke u shpërblyer në fund me arratinë e mundësuar falë revoltës popullore në stadium. “Në atë film kam prekur fundin”, thotë Stallone me të qeshur.
“Sa shqelma që kam ngrënë! Ende kam një gisht të thyer pasi u përpoqa të prisja një penallti të gjuajtur nga Pelé. Ai kishte veshur një palë këpucë me maja hekuri nga koha e luftës, ndërsa topi ishte si gjyle, dy herë më i rëndë e më i trashë se topat e sotëm. Më tha se do të bënte një gjuajtje dhe unë mendova “futboll është, çfarë problemi ka? I thjeshtë fare”. Më tregoi se ku do ta gjuante topin dhe unë shkova atje, por nuk arrita as të lëvizja kur topi kaloi. E bëri prapë dhe topi çau rrjetën dhe theu xhamin e një dritareje në barakat ku po xhironim. Që aty m’u shtua respekti”.
Për sa u përket ndeshjeve të javës, De Niro e Stallone bënë parashikime për gjashtë ndeshje, duke parashikuar fitore për Crystal Palace, Manchester United, Neëcastle, Liverpool e Aston Villa, ndërsa për Evertonin parashikuan një fitore të thellë, 17-0, kundër Norëich, ndërsa për ndeshjen Hull-Chelsea thanë se do të shtyhej për shkak të shiut. Stallone deri më sot ka ndjekur vetëm, një ndeshje të Premier League, Everton-Reading 1-1, më 2007, megjithatë e ngacmon De Niron për mungesën e njohurive mbi futbollit.
De Niro: “Unë kam luajtur futboll, edhe fëmijët e mi kanë luajtur, por jo shumë. Thjesht nuk merrem me sport”.
Stallone: “Domethënë, nuk je gati të bëhesh profesionist?”.
De Niro: “Jo, nëse nuk më japin ndonjë rol në film”.
Stallone: “Mund të bëjmë një film, me titull “Sludgematch”, për lojtarët më të ngadaltë në botë”.
Atë që u mungon për parashikim ndeshjesh në futboll, De Niro e Stallone e kompensojnë me humor e ngacmime për njëri-tjetrin.
