Sikur një shkrimtar gjerman…

anazapta

Sikur një shkrimtar i madh gjerman të takohej në Gjermani (në Perëndim në përgjithësi) me një prift ekstremist, nuk do ta kishte respektuar askush dhe nuk do ta kishte marrë më askush seriozisht, me përjashtim të atij grupi, që ka përqafuar shkrimtari.

Natyrisht se edhe nuk do të lexohej më. Arsyeja është e thjesht: njeriu në Perëndim nuk mësohet të mburret me një bindje të veten, me atë bindje krejt personale, krejt private dhe bindje të cilën miliarda njerëz në botë nuk e ndajnë, dmth. Nuk është vlerë universale, ashtu si nuk është asnjë religjion në këtë botë. Arsyeja tjetër pse shkrimtari do ta rrënonte veten dhe stigmagizonte, është pikërisht faktorizimi që do t’i kishte bërë atij ekstremisti, por edhe përgatitja për lider në të ardhmen. Pasojat mund të shihen më vonë.

Të merresh me vlerësimin e Rugovës, por t’i ndërtosh për së gjalli pëmendore Thaçit, jo se nuk ndihmon shoqërinë kosovare, por dëmton atë. Rugova ishte ai që ishte dhe nuk mund më të përmirësohet, nuk mund më të polimezohet me të dhe pasoja nuk do të ketë më nga ai. Tuta nga një lider i vdekur e jo nga ata që nuk janë në gjendje të krijojnë as vende pune, as shtet si duhet, është e barabartë me paranojën. Rugova pak vite para çlirimit dëmtoi veprimtarinë e vet, ashtu siç dëmtojnë veprimtarinë e vet edhe disa personalitete të tjera shqiptare, pak vite apo muaj para vdekjes. Sindroma shqiptare për të ndërtuar ditën dhe rrënuar natën, vazhdon edhe në epokën tonë.

Kudo në botë, autonomia për serbët, do ta kishte rrëzuar një politikan, tek ne jo. Madje nuk ka pasur asnjë lëvizje serioze për të parandaluar copëtimin e nesërm të Kosovës. Ekstremistët fetarë kanë qëndrime më kobzeza se ato fashiste, sepse ata nuk janë në gjendje ta duan besimin e vet, pa urryer atë të fqinjit. Ata janë të bindur se ndihmojnë të tjerët duke u imponuar bindjet e veta. Krejt lëvizjet në shoqërinë kosovare flasin për krijimin e kushteve dhe ideve dhe bindjeve për të përmbyllur ndarjen e madhe të kombit. Kështu janë krijuar kombet në Ballkan.

Krijimi i një identiteti ku dominon feja, është hapi i fundit për ta krijuar kombin e ri kosovar. Për këtë është duke punuar edhe Qeveria e Kosovës, madje edhe me universitete ku diplomat blihet e shiten si lopët në pazarin e hajvanëve. Ligjet europiane nuk ndalojnë hiperbolizimin e një besimi, por ndalojnë në mënyrë ekspilicte ofendimin e tjetrës. Edhe Gjermania mund të coptohej nëse bazohet në diversitetin fetar: katolik dhe protestant, ka pasur edhe përleshje kundër njëritjetrit. Ne nuk kemi luftuar akoma, por përgatitja psikologjike për ta krijuar këtë përplasje dhe mosdurim, është konsekuente.

Nuk ka asnjë dyshim se si katoliku, ashtu edhe protestanti kanë bindjet e veta se zgjedhja e tyre, bindja e tyre është e vërteta, ashtu si beson edhe një hindus, një budist, një zenbudist apo një shaman. Bashkëpunimi në mes popujve ka qenë i mundur vetëm duke pranuar bindjet e njerëzve ashtu siç janë ata dhe pa ushtruar trysni, për t’ i ndryshuar dhe skalitur sipas dëshirave të individëve. Ata edhe nuk pushojnë së foluri se i varfëri duhet ndihmuar, por asnjë klerik nuk është i gatshëm të falë muaj për muaj dhjetë për qind të rrogës së vet, familjeve që kanë pranë vetes në gjendje të mjerë.

Paqja brenda një shoqërie ruhet, kur ekstremistëve nuk u lejohet hapësirë për ta ndërsyer popullin kundër bindjeve të tjera. Këtë e ndalon edhe ligji. Aty ku nuk ka shtet, ata janë faktorë kryesor ku flasin jo vetëm për atë që dinë, por japin udhëzime edhe për fusha tjera për të cilat nuk kanë asnjë kompetencë. Klerikët që luftojnë për paqe në shoqëri dhe kundër urrejtjes së çdo feje, janë predikues që duhen përkrahur.

Çdo klerik që nga dobia vetjake apo për shkak të urdhërit që ka marrë, merret me tejtheksimin e bindjeve fetare, punon në përçarjen e shoqërisë, por edhe në largimin e besimtarëve. Përplasjet fetare që shihen tek ne, janë harruar në Europë dhe kjo ka mundësuar edhe pezullimin e kufijve dhe bashkimin e tyre. Mbivlerësimi i religjionit nuk bën asgjë tjetër, pos përgatitjes për t’u përleshur me veten dhe pastaj edhe me fqinjët. Shtetet e sotshme, të arriturat e shekujve të fundit nuk janë asgjë tjetër, pos rezultat i madh i dëbimit të religjionit nga shteti dhe jeta.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *