Arrestohet Laçi, pritet ekstradim në Itali

anazapta

Arrestohet sërish biznesmeni Paro Laçi. Ai është vënë në pranga mbrëmjen e së dielës në një lokal në Rrugën e Durrësit. Arrestimi i Laçit, i dënuar nga drejtësia italiane me 10 vjet burg për trafikim droge, kryer në bashkëpunim, u ndalua nga policia me qëllim ekstradimi në Itali.

Laçi rikthehet në qeli pas arrestimit më 7 dhjetor të vitit të 2012, i cili u pasua nga masa e arrestit me burg për 40 ditë, në pritje të nisjes së procedurave të ekstradimit. Kjo masë e dhënë nga Gjykata e Tiranës u apelua nga avokatët e Laçit, por Apeli e hodhi poshtë kërkesën e palës mbrojtëse. Prokuroria në bashkëpunim me autoritetet italiane nisën procedurat për ekstradimin e tij në Itali, por tre muaj më pas, prokuroria i kërkoi gjykatës të zgjasë afatet e paraburgimit për Paro Laçi, pasi drejtësia italiane nuk kishte dorëzuar ende dosjen e ekstradimit të të dyshuarit. Gjykata nuk e pranoi kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e afateve të paraburgimit dhe vendosi të pezullojë ekstradimin e Paro Laçit, pasi kishte një tjetër çështje penale që po gjykohej në Gjykatën e Lartë.

Gjyqtari Ibrahim Hoxha vendosi ndryshimin e masës së sigurimit nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” duke urdhëruar lirimin e tij. Pas këtij vendimi, prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Apelit, e cila me vendimin nr.186, datë 03.04.2013, ka vendosur të shfuqizojë vendimin e shkallës së parë për pezullimin e ekstradimit të shtetasit Paro Laçi dhe ndryshimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” që gjyqtari kishte caktuar ndaj të arrestuarit.

Për këtë arsye në 4 dhjetor të 2013, Ministria e Drejtësisë kërkoi shkarkimin e gjyqtarit që liroi Paro Laçin.

“Si rrjedhojë e vendimmarrjes së gabuar të gjyqtarit Ibrahim Hoxha, shtetasi Paro Laçi i është shmangur procedurave të ekstradimit, duke bërë të pamundur ekzekutimin e ekstradimit”, thotë Ministria e Drejtësisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *