Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka përcaktuar qytetet dhe stadiumet që do të presin finalet e kompeticioneve të saj në vitet e ardhshme. Pas spostimit të finales së Ligës së Kampionëve 2021 nga Stambolli në Porto, është vendosur që finalja e 2023-shit të zhvillohet në Turqi, në stadiumnin “Ataturk”.
Finalja e 2023-shit ishte programuar më parë të zhvillohej në Mynih, por me këtë spostim, në qytetin gjerman do të luhet finalja e vitit 2025. Në “Wembley” do të zhvillohet finalja e vitit 2024.
UEFA ka vendosur gjithashtu që eventi i inaugurimit të sezonit europian për klube, që përfshin edhe shortin e fazës në grupe të Ligës së Kampionëve, Ligës së Europës dhe Ligës së Konferencës, të zhvillohet në gusht në Stamboll, për sezonet 2021-2022 dhe 2022-2023.
Për dy qytetet që u hoqën nga lista e atyre që do të prisnin ndeshje të Euro 2020, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi që në to të organizojë disa finale kompeticionesh për klube, duke vlerësuar përpjekjet dhe investimet financiare që u bënë para turneut. Kështu, Dublini do të presë finalen e Ligës së Europës në 2024-ën, kurse Bilbao do të organizojë finalet e Ligës së Kampionëve për femra në 2024-ën dhe të Ligës së Europës në 2025-ën.
e.sh/Dita
