Veliaj: Apel kompanive të huaja që të punësojnë sa më shumë shqiptarë

redaktor

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u bën apel të gjitha kompanive të huaja që operojnë në Shqipëri, që të punësojnë sa më shumë punëtorë shqiptarë dhe të respektojnë raportin e punësimit sipas ligjit, 1 me 6 “shtetas i huaj – shtetas shqiptar”.

Gjatë një vizite në hidrocentralin e Rrëshenit, i cili po ndërtohet nga kompania turke “AYEN AS ENERGY Sh.a.”, ku inspektoi kushtet për sigurinë dhe shëndetin në punë, Ministri Veliaj u shpreh se Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit do të promovojnë Zyrat e Punës, duke filluar me çeljen e zyrës së parë moderne në Tiranë, në mënyrë që ato të përdoren nga bizneset e huaja si nxitëse për të punësuar shtetas shqiptarë.

“Këtë vit, vëmendja jonë do të përqendrohet tek punësimi. Fondi i punësimit do të jetë në dispozicion të kompanive që do të promovojnë punësimet vendase. Por, nga ana tjetër do të kërkojmë që të respektohet maksimalisht raporti i punësimit ‘shtetas i huaj, shtetas shqiptar’. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha kompanive të huaja që ta respektojnë këtë kuotë, pra të kemi më shumë të punësuar vendas”.

Ministri Veliaj u shpreh se shteti do të bëjë lehtësirat e duhura që investitorët e huaj ta kenë rrugën e shtruar për suksesin e investimit të tyre, por njëkohësisht do të kërkojë respektimin e ligjit. Veliaj shtoi se Zyra e Punës duhet të jetë institucioni parësor që garanton punësimin e atyre që aplikojnë për punë sepse kjo është mënyra më e mirë për të larguar njerëzit nga projektet e ndihmës ekonomike.

Faza ndërtimore e projektit të hidrocentralit ka filluar në nëntor të vitit 2012 dhe aty janë punësuar mbi 750 punëtorë shqiptarë në ndërtim dhe logjistikë. Hidrocentralet që shtrihen mbi kaskadën e lumenjve Fani i Madh dhe Fani i Vogël janë pjesë e projektit të planifikuar për të shfrytëzuar kapacitetin hidroenergjitik të lumenjve të lartpërmendur në rrethin e Mirditës dhe Pukës. Energjia elektrike e prodhuar do të furnizojë rrjetin elektrik shqiptar, për të qenë një vlerë e shtuar e sektorit energjetik shqiptar.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *