Nëpër rrjetat e kujtimit

Ornela

Eja, mike, sa u ngrysëm,
U sos vaji i kandilit,
Siç e sheh, mbeti përgjysëm
Këngë e bukur e bilbilit.

Eja, mike, se u sosëm,
Syri na u vesh me mjegull,
Këmbët na u plevitosën,
Porsi rrush i tharë në pjergull.

Eja, kthejmë kohën mbrapa,
Të shohim rininë e tretur,
Kur të hedhim ato hapa,
Të kuptojmë ç’na ka gjetur.

Këmba-këmbës, dora-dorës,
Gjer këtu ne erdhëm tok,
Cipë e trashë e dëborës
Ngriu akullin përmbi flokë.

E ç’të themi, e ç’të shkruajmë,
E ç’të themi tani tjetër,
Dalim si gjahtarë të gjuajmë
Kujtime nga kohë e vjetër…

***
Kemi shkuar pa dyshim
Ditë e net romantike,
Kur në qiell plot shkëlqim,
Dridhej hëna si kaike.

Atë hënë që rrotullohej
S’e shihja në qiellin blu,
E shihja si pasqyrohej
E dridhej në sytë e tu.

E shikoja dhe s’kuptoja,
Në ato net me fantazi.
S’dija, kur i krahasoja,
Kush ish hëna e kush ti.

Ndaj mbaj mend që i kam thënë
Në ato net me frymëzime:
“Je e bukur, o moj Hënë,
E bukur si mikja ime!…”
***
Jo, moj, jo, se nuk u ngrysëm,
Kemi ende për të thënë;
Kënga s’mbetet kurrë përgjysëm
Kur atë e ndrit një hënë.

Nëpër rrjetat e kujtimit,
Në rrjeta si peshku s’kapem;
Ti je zanë e frymëzimit,
Unë jam djalë e kurrë s’plakem.
5.06.2004

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *