Lushnja – udhëtim historik 1944 – 1950

entela

Zylyftar HOXHA

 

Ka dalë nga shtypi libri “Lushnja – udhëtim historik 1944 – 1950, dëshmi dhe dokumente arkivore” me autor arkivistin e njohur, Gjoni Çuko.

Libri pasqyron ngritjen dhe funksionimit e organeve të pushtetit në nënprefekturën e Lushnjes, si pjesë administrative e qarkut të Beratit, në periudhën e pas Luftës Antifashite Nacionalçlirimtare, vitet 1944-1950.

Janë dokumente arkivore origjinale, vendime, shkresa, urdhëresa, korrespondenca mes organeve të pushtetit qendror me atë lokal, por sidomos mes qarkut dhe nënprefekturës, që dëshmojnë punën dhe përpjekjet e mëdha që janë bërë menjëherë pas luftës për ngritjen dhe konsolidimin e pushtetit në qendër dhe në bazë.

Dokumentet paraqesin interes të veçantë, pasi hedhin dritë për të njohur gjendjen ekonomike dhe arsimore mjerane të asaj kohe, përpjekjet e jashtëzakonshme të nëpunësve të asaj kohe që nuk kishin arsimin, kulturën dhe njohuritë e duhura, por edhe të të gjithë popullit, për të dalë nga gjendja dhe për të nisur një rrugë të re zhvillimi.

Ajo që ka interes është se në libër, në dokumente e shkresa përmenden mbi 2000 emra njerëzish konkretë të asaj kohe, çka iu shërben pasardhësve për historitë e tyre familjare, por edhe zgjidhje çështjes gjyqësore dhe pronësore.

“Lushnja – udhëtim historik 1944 – 1950, dëshmi dhe dokumente arkivore” nuk është një libër i zakonshëm me rrëfime e tregime gojore, shpesh subjektive dhe të paprovuara dhe të pavërtetuara, por me dokumente origjinale, me firmë, vulë, datë, me numur dosjeje dhe numur faqeje të pakundërshtueshme, jep realitetin se si ka qenë në të vërtetë.

Duke patur parasysh, dendësinë dhe sasinë e madhe të materialeve dokumentare autori është munduar të gjej një rrugë sa më racionale, të dal nga metoda klasike e renditjes kronologjike, problemore, sektoriale, alfabetike etj. dhe të ndjekë linjën tematike. Një pjesë e materialeve, që është parë e  arsyeshme se kanë nevojë të sqarohen, janë bërë shënime sqarimi dhe orientimi, një pjesë tjetër janë grupuar sipas çështjeve të veçanta që trajtojnë, ndërsa pjesa tjetër, shumica prej tyre, është  vendosur titull, që s’është gjë tjetër, veçse ekstrakti i dokumentit.

“Desha  të shtoja se, si historian më takon të shkruaj histori, si lushnjar më takon në radhë të parë që këtë histori ta shkruaj për Lushnjën dhe, si arkivist, ta paraqes atë sa më saktë, sa më realisht dhe sa më besueshëm” – shkruan në parathënien e librit, autori Gjoni Çuko, duke shtuar më tej se, “sa ia kam arritur, do ta gjykojë  lexuesi”.

Ky lloj botimi është nga studimet e rralla në shkallë republike, që nuk e ka asnjë rreth apo bashki tjetër kaq të detajuar. Përfitimi më i madh nga ky projekt është se pasurohet historia e Bashkisë së Lushnjes me një material me vlera të shumfishta historike, shkencore, sociale, kulturore etj.

Botimi i këtij libri jo vetëm ndriçon në mënyrë shteruese një segment të rëndësishëm historik, 7  vitet e para të pasçirimit, 1944-1950, por hedh baza për për të vazhduar më pas për periudhat e tjera historike.

Libri “Lushnja, udhëtim historik, 1945 – 1950, dëshmi dhe dokumente arkivore” që po botohet tani, është një produkt madhor me  vlera të veçanta që i u shërben drejtuesve dhe punonjësve të organeve të pushtetit lokal, drejtorive, seksioneve, zyrave të veçanta, studiuesve, mësuesve, nxënësve, studentëve  dhe lexuesve të thjeshtë lushnjarë, për të njohur më mirë historinë dhe të kaluarën e vëndlindjes dhe për ta vënë atë në shërbim të veprimtarisë së tyre të përditëshme në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të zonës së tyre. Libri u shërben edhe të persekutuarëve nga regjimi komunist, pasi aty gjejnë episode të ndodhura me familjet e tyre gjatë sekuestrimit të pasurisë ose dënimeve me burg dhe internime.

Libri është ndarë në dy pjesë: “Dokumente arkivore të organeve të Partisë Komuniste Shqiptare të Lushnjës  1944 – 1950”, pjesa e parë dhe “Dokumente arkivore të organeve tëPushtetit të Lushnjës  1944 – 1950, pjesa e dytë.

Partia Komuniste, e udhëhequr nga Enver Hoxha, që në takimin e saj të parë, të krijimit, në rezolucionin e nxjerrë në përfundim të mbledhjes, rolin udhëheqës të Partisë kudo e në çdo gjë, e kishte një nga orientimet primare, së cilës i qëndroi konsekuente që nga fillimi e deri në fund, kur, me ardhjen e proceseve demokratike pas 1990-ës, u shpërbë.

Për 50 vjet me radhë, nën këtë moto, ajo jo vetëm udhëhoqi, por edhe u vu në krye të punëve të zhvillimit ekonomik dhe social-kulturor të vendit. Çdo gjë bëhej prej saj dhe në emër të saj.

Slogani “nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha” përmendej në çdo botim, dokument zyrtar apo jo zyrtar, në çdo shkresë, mbledhje, fjalim apo dhe bisedë e thjeshtë.

Kjo vlente edhe për shtetin dhe pushtetin socialist. Edhe shkresat zyrtare, dekretet, urdhrat dhe udhëzimet që dilnin nga instancat e larta shtetërore, por edhe ato të pushtetit lokal, ky slogan në dukje i thjeshtë, por i thellë në përmbajtje, ishte vijë detyruese për të gjithë, ishte një kryeligj i pashkruar me një fuqi të jashtëzakonshme.

Pra Shteti de jure, si shtet, ekzistonte, por de facto, ai drejtohej nga Partia. Asgjë nuk bëhej pa kaluar në filtrin e organeve dhe organizatave të Partisë.

Në pjesën e dytë të këtij botimi pasqyrohet një pjesë e pasurisë dokumentare të Arkivit të Lushnjës që ka të bëjë me veprimtarinë e organeve të pushtetit në Lushnjë, që nga krijimi i tij, si Këshill Antifashist Nacionalçlirimtar në tetor 1944 e deri në vitin 1950. Jepen ndryshimet dhe evoluimet e këtij pushteti në strukturë dhe cilësi në faza të ndryshme. Në fillim si Këshill Nënprefekture (rrethi), më pas fillon funksioni i Komitetit Ekzekutiv me pak seksione dhe më pas, sipas zhvillimit dhe nevojave seksionet shtohen vit pas viti. Jepet piramida e pushtetit nga qendra në bazë, deri dhe në lokalitetet dhe këshillat popullore të fshatrave.

Për të qenë korrekt me lexuesit dhe studiuesit që do t’i bjerë në dorë ky botim, nuk janë bërë ndërhyrje, përveç ndonjë orientimi a sqarimi të domosdoshëm në fillim të çdo dokumenti dhe më pas kemi lënë “të flasë” vetë dokumenti, i cili është i plotë, bashkë edhe me burimin ku është marrë.

Dokumentet kryesisht janë vendime të Këshillit, të Komitetit Ekzekutiv të natyrave të ndryshme për të gjithë gamën e  problemeve që mbulonte pushteti, por edhe nevojat që kishte ekonomia dhe populli.

“Lundrimi” në këto dokumente të çon në një kohë dhe zhvillime interesante historike, në një periudhë shumë të vështirë nga të gjitha pikëpamjet, por edhe heroike përsa i përket përpjekjeve për ta nxjerrë këtë vend nga errësira në dritë, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet më vonë.

 

 

 

 

 

Fragmente nga libri

 

Armiku, më lartë nga ne, ja çfarë thonë spiunët?!…

 

 

Nga ky dokument interesant mësojmë se çfarë pune “nëntokësore” bëhej me agjentë sekretë, njerëz me moral të dobët, të shitur për të krijuar besimin se ishin besnikë të Partisë dhe që punonin e “linin kokën” për të. Sot të duket e pabesueshme, por mjerisht, ka qenë e vërtetë.

Lexojmë dokumentin më poshtë:

 

Komiteti i Partisë të N/prefekturës

Lushnjës

Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste Berat

7.2.1945

Reaksioni këtu në Lushnjë ekziston dhe dyshohet të jetë i organizuar. Ay hedh gjithnjë parrulla kundër nesh. Na po organizojmë pjesën më të mirë të Rinisë Komuniste për lëvizjen e zbulimeve të reaksionit në qytet.

Nga parrullat e hedhura që qarkullojnë këtej janë këto: “Në Kavajë u hodhën trakte kundër Partisë” (Dëgjuar në krahinën e Libofshës).

 Në Çermë është dëgjuar: “Leu ylli mbuloi dhenë, /Shkeli kryqi Muhamenë”.

Reaksioni është munduar dhe mundohet me na përça ndërmjet elementave. Deri diku ia ka arrit qëllimit. Ne kemi predikuar vllazërimin, por fruti i punës sonë në krahasim me atë të armikut është i vogël.

Në Bishqethëm është hapur fjala se: “Myslim Peza, Spiro Moisiu, Enver Hoxha janë grindur dhe janë zënë ndërmjet tyre”.

Thuhet se: “Mehmet Shehut iu bë atentat”.

“Kanë ardhur vaporrët plot me gjëra ushqimore dhe partizanët nuk i pranuan”.

“Brigada e XX-të ka shkuar në Veri, pasi atje është ngritur një bej dhe lufton kundër partizanëve”.

Asnjëherë nuk e kemi gjetur burimin e këtyre parrullave. Janë hedhur nga neve parrulla para kohës që në të vërtetë e kanë sabotuar punën, si ajo e reformës agrare.

 

Fondi Komiteti i Partisë së Nënprefekturës

Lushnjë, viti 1945 Dosja 3 Fleta 4-7

 

 

 

Krutja, kooperativa parë bujqësore në Shqipëri

 

Kjo ekonomi bujqësore është krijuar më 11 nëntor të vitit 1946. Në ceremoninë e krijimit kanë qenë të pranishëm, ndër të tjerë, i deleguari i Frontit (Partisë) të rrethit Miti Bozo, i deleguari i Qarkorit të Partisë të Beratit, Reiz Malile, si dhe një i deleguar i Kryeministrisë dhe i ministrisë së Bujqësisë.

Ndër të parët që pranuan të bëheshin anëtarë të kooperativës bujqësore ishin: Josif Gjermeni, Pal e Thoma Çuko, Sako e Mark Gjermeni, Uan Shani, Fan Muço, Rrap Shani, Trifon Shani, Refit Meta, Kic e Ndin Gjika, Sako e Lon Çuko, Ndon Daka, Kristo Davidhi, Pal Zako, Halit Gjoni e të tjerë.

Kryetar qe zgjedhur i riu Rrapi Gjermeni, nënkryetar – Pali Gjermeni,  anëtarë të kryesisë: Fan Muço, Uan Shani, Rrap Shani, Tana Davidhi, Pulije Shani (Qorri) dhe Thoma Çuko.

Në komisionin e kontroll – revizionit qenë zgjedhur Ton Muço, Mit Çuko dhe Nas. K. Davidhi.   

Gjithësej:

284 frymë, 1998.8 dynymë tokë, 60 (30) qe dhe buaj, 71 burra, 59 gra

 

Fondi Kooperativa Bujqësore Krutje, viti 1946, dosja 3 Fleta 14

 

 

 

 

Të gjitha tepricat shtetit…

 

18.6.1946

Komiteti i Partisë i Qarkut të Beratit drejtuar Komitetit të Partisë

së Nënprefekturës Lushnjë

 

Në lidhje me fonogramin t’uaj të datës 17.6.1946 që bën fjalë për racionimin e misrit të caktuar nga shteti, po ju japim disa skjarime.

Më parë të spjegohet mirë në popull qëllimi i krijimit të ndërmarrjes ose i shitblerjes që do të bëhet vetëm nëpërmjet shtetit. Masandaj të skjarohet e të kuptohet mirë nga populli se marrja e tepricave  është masë ekonomike që merr shteti për të ndaluar:

  1. Spekullimin në kurriz të prodhonjësit dhe të konsumatorit duke i caktuar njëkohësisht çmimin e blerjes dhe të shitjes një për tërë Shqipërinë.
  2. Për të siguruar bukën e vitit në të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Për t’iu marrë tepricën prodhonjsve është e natyrshme se duhet caktuar racioni i përditshëm i çdo personi, përveç farës dhe racioni. 250 kg misër apo grurë për çdo person në vit nuk janë pak. Kur themi nuk janë pak të kuptohet jo në proporcion me vendet e tjera që vuajnë tmerrësisht nga gjendja ekonomike, por duke studiuar praktikisht se sa i duhet një personi për të rrojtur mirë.

Mos harroni se 250 kg misër korrespondojnë aproksimativisht me 375 kg bukë dhe 250 kg grurë korrespondojnë me 325 kg bukë. Kështu që në rastin e parë çdo personi i bje më tepër se 1 kg bukë në ditë, ndërsa në rastin e dytë i takon gati një kg në ditë.

Gjithashtu iu kujtojmë se nga 250 kg në vit përfitojnë edhe të vegjlit, edhe 1-vjeçarët, edhe 80-vjeçarët që në asnjë mënyrë nuk hanë 1 kg bukë në ditë. Këto tepërica shkojnë në favor të fshatarit, që ka rast ta përdorë për mysafirin, për qenin apo për macen.

 

Fondi Komiteti i Partisë së Nënprefekturës

Lushnjë, viti 1946

Dosja 12. Fleta 7

Share This Article
6 Comments
  • Bravo historiani arkivist Gjoni Çuko per punen kolosale qe ke bere! Ne nje kohe kur Prof.doktore te Akademsie se “Studmibve” Albanologjike e kane kthyer Historine e Shqiperise nga kulti i Enverit ne kultin e Zogut, ti ke ngritur ne shkence kultin e njerezve te thjeshte te Myzeqese, qe jane herojte e vertete te Historise se Shqiperise.

  • Dmth ne vend te beut dhe agaiy,prodhimin myzeqarit do t`ja grabise qeverria komuniste.
    Dhe mos fole,se je armik.

    • Demo, pse viell vrere a lumemadh, shteti pse i merrte? Per ushtrine, per shkollat, per shendetesine etj, pra ishin ne sherbim te fshatarit e qytetarit; lerini broçkullat tani qe shkon ne spitale dhe vdes po s’pagove (apo ik ben proteste se e zgjidhe), por atehere me ato e kishe falas dhe nuk e paguaje ambulancen qe te merrte, ndersa makina qe shkonte rruges kishte ligj te prere: po te gjente apo lajmerohej se ishte nje i semure ne rrezik apo aksident, ashtu si ishte e ngarkuar çonte njeriun ne spitale falas. U detyrova ti shkruaj keto se jeni bere te padurueshem me profkat qe kepusni si njerez pa memorje apo te helmatisur nga mendimi.

  • Te verteten nuk e fshijne kurre as kelyshet e sotem te disa ish komunisteve te djeshem te perkedhelur,qe e kane mjele lopen socialiste si askush ne ate kohe,por po mjelin edhe lopen feudale edhe sot,qe nga Sali Berisha dhe deri tek Edi Rama,te gjithe armiq te kombit shqiptar!

  • Lereni te shkruaj.Bota eshte plot me libra,C’fare ke deshire te lexosh e gjen dhe kenaqesh.Eshte nje fjale e urte:libri eshte nje dritare ne jete.Sado i keq te jete do te gjesh dicka me vlere si puna zbulimit te diamantit ne mes te dheut.

  • Armiku ketu eshte qeverria komuniste qe i grabit fshatarit te ashtuquajturen -TEPRICE.
    Teprixen dhe Mangesine e di i zoti shtepise,,e di AI qe punon,mbjell dhe korr punen e tij.Me c`te drejte qeverria i grabit prodhimin fshatarit,,duke ja quajtur teprice?
    Jo vetem ja grabit por e quan dhe kulak,ate qe nuk e le veten te vuaje nga uria,ate qe prodhon,mbareshtron,ka rroba dhe shtepi.
    Armiku ketu nuk jane ata fshatare,qe mbrojne prodhimin e tyre,,ata qe nuk duan te behen kooperative,qe ti vjedhe shteti kollaj fare,ti tufezoje,,
    Te beje edhe film.
    I shef ata dy Agjitpropat e majmur,perballe fshatareve te rrenuar?
    Ata te dy jane Armiqte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *