Janë dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, provat e kërkuara gjatë procesit për shpalljen të falimentuar kompaninë e fluturimeve “Belle Air”, e cila la rrugëve edhe 60 mijë udhëtarë, një pjesë e madhe e të cilëve nuk janë kompensuar ende në dëmshpërblim. Seanca e djeshme ka zgjatur më pak se 10 minuta, dhe u mbajt në orën 15:00, kur gjyqtari Ilir Çeliku ka hapur seancën duke pranuar provat e kërkuara. Ai ka vendosur që të merret koha e nevojshme për shqyrtimin e provave të dorëzuara nga palët në proces. Në fund të seancës së shkurtër, gjyqtari Çeliku ka vendosur që seanca e radhës është caktuar që të mbahet më datë 17 janar. Kompania pretendon se ka falimentuar dhe kërkoi ekspertim kontabiliteti, ndërsa pritet që të verifikohet nëse ky është mashtrim i kompanisë, që sipas autoriteteve ka pasur një shumë të konsiderueshme në llogaritë bankare dhe kishte gjendje për të përballuar situatën. Po kështu “Belle Air” është akuzuar për mospagim të taksave ndër vite.
