Milto Sotir-Gurra dhe proza e tij (1884-1972)

Ornela

Prof. Nasho Jorgaqi

Më 1908 24-vjeçari Milto Sotiri botoi në gazetën “Kombi” të shqiptarëve të Amerikës tregimin e tij të parë “Fyelli i fabrikës”. Ky ishte një tregim i thjeshtë , që bënte fjalë për jetën e punëtorëve shqiptarë në Amerikë, por që ka rëndësi, sepse shënon fillimin e një veprimtarie të gjatë patriotike-letrare prej më shumë se gjysmë shekulli të shkrimtarit veteran Milto-Sotir Gurra.

Shkrimtari Milto Sotir Gurra, hyri në letërsi në fillim të shekullit tonë, në prag të përpjekjeve të mëdha që bënte populli ynë për çlirimin e tij kombëtar. Në këto përpjekje fisnike, ai dha kontributin e tij si shkrimtar dhe publicist i palodhur. I brumosur në idetë patriotike të rilindasve, duke jetuar pranë interesave të popullit, pa u shkëputur nga problemet e kohës dhe ngjarjet e ditës, i ushqyer nga idealet humanitare të letërsisë së madhe ruse, ai u bë një militant i çështjes shqiptare dhe u njoh si njeri i pendës në shtypin dhe botimet e kohës. Milto Sotiri, ose Milto Sotir Gurra, siç njihet në letërsi lindi më 28 maj të vitit 1884 në fshatin Marjan të krahinës së Oparit. I ati, Ligori i shtyrë nga vështirësitë ekonomike, kish emigruar prej kohësh në Odesë të Rusisë. Kur Miltoja ish në moshën 5 vjeçare, familja u mbart nga fshati në Korçë. Këtu, ai mbaroi shkollën plotore të qytetit, ndërsa më vonë e tërhoqi i ati në Odesë, ku kreu shkollën e mesme. Në këtë kohë, nëpër kolonitë shqiptare, dhe veçanërisht në koloninë e shqiptarëve të Amerikës kish marr hov lëvizja patriotike e cila drejtohej, jo vetëm kundër turqve, që e mbanin vendin tonë prej shekujsh në robëri por edhe kundër shovinstëve grekë, që nën maska të ndryshme punonin në dëm të Shqipërisë. Për t’i ardhur në ndihmë lëvizjes për liri të popullit shqiptar filluan të ngrihen shoqëri patriotike dhe të dalin gazeta. Milto Sotiri, që sapo mbaroi  shkollën në Odesë, hidhet në Amerikë dhe bie në kontakt me këto përpjekje. Hyn punëtor në një fabrikë dhe, nga ana tjetër, vazhdon të punojë për çështjen e çlirimit të atdheut të largët. Së bashku me Fan Nolin e patriotë të tjerë lufton për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke.

Kur më 1908, në Amerikë shpërtheu një krizë e rëndë ekonomike dhe u mbyllën shumë fabrika, Milto Sotiri u kthye prapë në Rusi. Kësaj here nuk qëndroi këtu, sepse ishte koha kur u shpall Hyrjeti. Edhe ai, si shumë patriotë të tjerë, i shtyrë nga shpresa të vakta, shkon në Stamboll e pastaj në Korçë. Pikërisht në këtë kohë, ai nis aktivitetin letraro-publicistik: boton në kalendarin “Afërdita”, që drejtonte Cile Vretua artikullin e tij të parë “Kur do të kemi opera në Shqipëri?”, shkruan dramën “Nderi” që mbeti e pabotuar, boton tregimin e parë që përmendëm më lart, dhe nis të përkthejë vepra të vogla nga letërsia ruse. Më vonë ai e zgjeron aktivitetin e tij letrar duke botuar tregime të ndryshme nëpër gazeta dhe kalendare dhe vëllime më vete. Para shpalljes së pavarësisë, M.S. Gurra ishte redaktor i gazetës “Liria e Shqipërisë” në Sofie. Më vonë është një nga redaktorët e gazetës “Atdheu” në Shkodër.

Më 1914, kur fuqitë e mëdha vendosën të sjellin si mbret të Shqipërisë prinç Vidin, Milto Sotir-Gurra zgjidhet si delegat i kolonisë shqiptare të Odesës dhe dërgohet në Shqipëri. Por pas largimit të princ Vidit dhe me fillimin e Luftës së parë botërore ai kthehet për të fundit herë në Rusi. Këtu tashti shkruan tregimet dhe novelat e tij më të mira.

Kur triumfoi Revolucioni i Tetorit, ai ndodhet në Peterburg dhe bëhet dëshmitar i ngjarjeve të mëdha.

Me të mbaruar Lufta e parë botërore ai vjen në atdhe. Në Shqipëri, në këtë kohë ziente një luftë e madhe politike. Milto Sotir-Gurra merr pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe zgjidhet si sekretar i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes të Versajës.

Në vitin 1921, ai kthehet përfundimisht në Shqipëri. Vendoset në Korçë dhe vazhdon të merret me aktivitet letrar publicistik. Fillon e nxjerr revistën letrare-kulturale “Shkëndija”, revistën satirike “Zekthi” dhe bashkëpunon me organet e shtypit të kohës.

Ardhja në fuqi e mbretit Zog, pas luftës së ashpër politike që u zhvillua në vitet 20-të ishte një goditje e rëndë për forcat demokratike në Shqipëri. Ishte dhe një goditje për shkrimtarin patriot Milto Sotir-Gurra, që kish luftuar për një Shqipëri të përparuar.

Më vonë, me luftën nacional çlirimtare, të cilën e aprovoi dhe e përkrahu plotësisht. Në vitet nga çlirimi e këndej shkrimtari patriot, megjithëse në një moshë të thyer, i entuziazmuar nga transformimet e përparimet e Shqipërisë së re, punoi me zjarrin e një të riu i bindur se si po realizoheshin aspiratat për të çilat ëndërroi dhe luftoi gjatë gjithë jetës së tij.

F.S. Noli këtë gjë, do ta quajë privilegji që do t’i shkruajë shokut të tij të vjetër, më 1964. Ndërmjet tjerave, ai do t’i thotë:

“Që atëherë kohët kanë ndryshuar dhe kjo do të thotë se lufta juaj e gjatë ka pasur sukses. ajo ka patur më shumë suksese nga se e prisnim. Ne që të dy kemi patur fatin se kemi rrojtur gjatë sa për ta parë këtë. Sa shumë të tjerë nuk e gezuan këtë privilegj. Kështu, sidoqoftë, ne i përkasim grupit të fatlumëve… ”

Shkrimtari Milto Sotir Gurra ka një veprimtari letrare prej më shumë se gjysmë shekulli, krijimet e tij të para janë disa vjersha patriotike të shkruara në vitet 1901-1903, nëpërmjet të cilave ai bënte thirrje për luftë të armatosur kundër turqve dhe radhitej kështu me krahun e përparuar të rilindësve, më pas duke filluar nga viti 1908, shkrimtari patriot nis ë shkruan tregime dhe artikuj, të çilat i boton në shtypin shqiptar të kohës, si në gazetat “Kombi” “Dielli”, “Kalendari kombiar”, “Atdheu”, “Lira e Shqipërisë” etj. Në prag të shpalljes së pavarësisë dhe veçanërisht në vitet 1912-1920, i frymëzuar nga ngjarjet e kohës, ai zhvilloi një punë të frutshme letrare. Të kësaj periudhe janë dy vëllimet me tregime që boton në vitin 1911: “Goca e Malësisë” dhe “Rrëfenja”. Veç këtyre dy librave që ai shtyp në kolonin shqiptare të Sofies, boton edhe mjaft tregime me tematikë patriotike dhe shoqërore, të çilat i gjejmë nëpër revistat, gazetat e kalendarët, që dilnin brenda ose jashtë vendit. Duke filluar nga vitit 1921, shkrimtari ynë drejton në Korçë, për 3 vjet rresht revistën “Shkendija”, në të cilën boton shumë nga krijimet e veta. Bie në sy veçanërisht vëllimi i tij poetik që ai publikon në këtë revistë. Këtu, përveç krijimeve origjinale të autorit do të gjejmë edhe mjaft krijime nga letërsia ruse, si tregime të Gorkit, të Turgenjevit, vjersha të Pushkinit, Nikitinit. Puna e tij si përkthyes i parë dhe popullarizues i letërsisë së madhe ruse, shihet më mirë në vitin 1924,n kur përkthen tri dramat e A.S. Pushkinit, “Mocanti dhe Salieri”, “Kalorësi dorështrënguar” dhe ‘Rusalka”. Në këto vite Milto Sotir Gurra do të shkruajë në “Gazetën e Korçës” me dhjetëra skica letrare, nëpërmjet të cilave jepen mjaft aspekte të jetës shqiptare të asaj kohe. Në vitin 1925, ai përktheu komedinë “Fshatari zotni” të shkrimtarit danez L. Holberg. Punën e dobishme si përkthyes e zgjeron më shumë në vitin 1928, kur themelon “Bibliotekën e të Rinjve” dhe boton 6 broshura me tregime të Gorkit, Çehovit, Tolstoit etj.

Gjatë kësaj kohe, ai nuk lë pas krijimet origjinale dhe në vitin 1938, boton vëllimin me tregime “Plagët e Kurbetit” që u mirëprit nga lexuesit dhe shtypi. Disa vjet më vonë, në 1944, boton një vëllim tjetër me tregime: “Goca e Kaçanikut”. po në këtë vit drejton edhe revistën tërheqëse për fëmijë “Mituria”. Nuk po përmendim këtu shkrimet e tij për të vegjlit, artikujt publicistik, disa studime me karakter informativ mbi rilindasit tanë dhe veprat e përkthyera si: “Fajtorët pa faj” të A. Ostrovskit, tregime të M. Siberjakut etj.

Siç shihet edhe nga sa përshkruam më lart Milto Sotir Gurra ka një aktiv të gjerë letrar, aktiv ky që i ka sjellë dobi zhvillimit të letërsisë dhe kulturës sonë. Tregimet e tij të botuara në librat dhe në shtyp janë një pjesë  e krijimtarisë shumëvjeçare të shkrimtarit tonë. këto tregime të shkruara shumica në kohën kur vendosej fati i Shqipërisë, kur në sajë të një lufte të madhe atdheu ynë po rilindej pas 5 shekujsh robërie, janë një dëshmi e gjallë, që rrëfejnë për patriotizmin e shkrimtarit dhe ekzistencën e një letërsie që militonte në atë kohë për luftën e popullit. Tregimet megjithëse janë me tema të ndryshme prapësepranë ata i bashkon një ide e përbashkët  dhe kjo ide është dashuria për Shqipërinë  robëruar dhe urrejtja kundër shtypjes së huaj.

Në mes tyre ka tregime me tema patriotike, që pasqyrojnë pamje të ndryshme të luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve turq në fillim të shekullit të XX. Në pjesën e dytë “Plagët e kurbetit” hyjnë tregimet që flasin për të këqijat e mëdha që i ka sjellë kurbeti popullit tonë, kurse në pjesën e tretë “Plagët e zemrës” përmblidhen tregime me motive dashurie, të gërshetuara me ide patriotike dhe në pjesën e fundit “Të ndryshme” hyjnë tregime me subjekte të marra në përgjithësi nga jeta e rëndë e vegjëlisë shqiptare, pas shpalljes së pavarësisë.

Gjëja kryesore në këto tregime është fryma e shëndoshë që i përshkon. Kjo frymë e ka burimin në zjarrin patriotik, që kish ndezur lufta për çlirim në zemrat e popullit tonë. Atdheu dhe fati i tij-ja tema qendrore që kushtëzon fatin e heronjve dhe drejtimin e ngjarjeve pothuajse në të gjitha këto tregime.

Heronjtë e tregimeve të Milto Sotir Gurrës janë njerëz të thjeshtë, të dalë nga vegjëlia e fshatit dhe e qytetit, janë ata që i kanë kthyer krahët parësisë dhe kanë marrë përsipër , janë ata që i kanë kthyer krahët parësisë dhe kanë marrë përsipër çlirimin e vendit nga sundimi i huaj. Këta janë luftëtarët trima që mbushin çetat e lirisë, njerëzit që përhapin idetë e luftës për çlirim, që shpërndajnë ilegalisht libra dhe gazeta patriotike, që bëjnë sakrifica të panumërta, njerëz me zemër të madhe, që japin edhe jetën për kauzën e lirisë. Kështu p.sh, në tregimin “Ustai dhe çiraku” tregohet se si një çirak jep rrogën e tij të vogël për t’u pajtuar me një gazetë patriotike, kurse ustai i tij, një tregtar i pasur refuzon të ndihmoj dhe të pajtohet në gazetë. Por për një çirak patriot që punon fshehurazi në qytet për çetat e lirisë bën fjalë edhe tregimi “Dy mendimet”.

Tregimet mbi kurbetin janë faqe të dhimbshme të jetës sonë të kaluar, faqe që zbulojnë dramën e shumë familjeve shqiptare në të kaluarën.  Ato flasin për lotët e nënave e të nuseve të braktisura, për ndarjet pa shpresë, për rrugët e gjata që marrin kurbetllinjtë, për varfërinë e tyre, për mallin dhe pendesën, për kthimin e tyre pranë vatrës së gjymtuar fizikisht e shpirtërisht. Shkrimtari tregoi se realiteti i korruptuar i mërgimit i prishte jetën  e kurbetlinjve, i varfëronte e i damkonte shpirtërisht. Tregimet e kurbetit janë shkruar me ndjenjë sepse autori e ka marrë vetë disa herë rrugën e rëndë të mërgimit.

Tregimet që i përmblidhen në këtë vëllim, mund të tingëllojnë në kohën tonë pak si naive, sentimentalë dhe me tone didaktike. Është e natyrshme se, duke i parë këto tregime të shkruara shumë vjet përpara, me syrin e sotëm, do të gjejmë dobësi artistike, të çilat në përgjithësi i takojnë edhe prozës sonë të asaj kohe. Por kjo nuk na pengon të konstatojmë talentin e autorit, frymën patriotike dhe prirjen demokratike, vërtetësinë e disa figurave te goditura e mbi të gjitha fiksimin e jetës së vegjëlisë, mendimet dhe aspiratat e saj.

Shkrimtari M.S.-Gurra është një autor që zë vend të merituar në historinë e letërsisë sonë gjatë viteve të fundit të rilindjes dhe të pas rilindjes. Duke qenë bashkëkohës dhe shok ideje e pende i Nolit e i Gramenos, ai u përpoq që, nëpërmjet veprave të veta, të përhapë idetë e luftës për çlirim, të forcojë në popullin tonë ndërgjegjen kombëtare dhe të kontribuojë në lëvrimin e letërsisë shqipe.

Tregimet e Gurrës i japin lexuesit, sidomos të rinjve të njohë disa nga faqet e prozës sonë të kaluar që i pasqyroi përpjekjet kur rilindej Shqipëria, pas pesë shekujsh robërie.

Share This Article
4 Comments
  • Të përgëzoj sinqerisht, i nderuar Nasho, për dritën që keni hedhur mbi Milto Sotir Gurrën.

    Nuk kam pasur guximin dhe as të drejtën të shkruaja deri më sot diçka mbi shkrimtarin Milto Sotir Gurrën, por shkrimi yt m’ë ngacmoi sa më poshtë:

    Në “Rrugën Ludovik Shllaku” në Tiranë (në Lagjen e dikurshme të quajtur “Guerile”, Lagja Nr. 2), e cila lidh “Shkollën e Kuqe” dhe “Shkollën Hoxha Tahsim”, kanë qenë tre vila ngjitur – të ndara me avlli nga njëra tjetra. Ato ishin ndërtuar menjëherë pasi Tirana u shpall kryeqytet (1920) – vila e Milto Sotir Gurrës nga Korça, vila e gjyshit tim Anastas Josif Frashëri nga Dangëllia e Përmetit dhe më pas vila e Timo Dilos nga Gjirokastra. I lindur më 1949, natyrisht kam pasur rastin qysh fëmijë fare i mitur të lozja në të tre kopshtet me pemë të bollshme frutore dhe jo frutore që rrethonin këto vila.

    Qëkurse isha tre/katër vjeç kam kujtime nga të tre kopshtet, natyrisht edhe nga kopshti më i madh i Plakut Milto, i cili rrinte me orë të tëra gjatë ditës në verandën e vilës së tij, përherë duke lexuar. Asokohe atij nuk i kishin lindur dy nipërit e tij, Genci dhe Miltushi, të cilët janë më të vegjël se unë në moshë. Kështu, që gjatë viteve ’50 të shekullit të kaluar pata rastin të kisha vëmendjen e “xhaxhi Miltos”, siç m’ë kishin thënë gjyshërit dhe prindërit e mij t’a thërrisja atë. Jo pak herë kur arrita moshën pesë ose gjashtë vjeç, ai m’ë thërriste nga veranda dhe m’ë tregonte histori të ndryshme, prej të cilave m’ë janë ngulitur disa prej tyre që kishte lidhje me jetën e fshatit, ndoshta të atyre prej Oparit, vendlindjes së tij. Përveç të tjerave, mbaj mënd që m’ë nxiste të mësoja të lexoja, megjithëse nuk e kisha mbushur moshën dhe ende nuk kisha arritur të shkoja në shkollë. M’ë tregonte germat dhe m’ë shpjegonte, se si ato lidheshin me shqiptimin. E paharrueshme mënyra se sa me përkujdesje, me theks dhe me qartësi shqiptonte çdo rrokje!

    Në katin e bodrumeve të vilës së tij, të cilat kishin dritare ajrimi dhe ndriçimi mbi tokë, ndodheshin rafte librash të pafundme në trajtën e një biblioteke-arkiv, ashtu siç ishte edhe në vilën e Timo Dilos, ashtu siç ishte edhe në vilën tonë, por në këtë të fundit në katin përdhe. Nganjëherë “xhaxhi Milto” m’ë çonte poshtë në dhomat e bibliotekës së tij dhe m’ë tregonte libra dhe revista nga më të ndryshmet të botuara në gjuhën shqipe – zakon ky, që në vitet ’50 e kam përjetuar si fëmijë në disa shtëpi të familjeve intelektuale dhe patriotike të ardhura në Tiranë, veçanërisht drejt fundit të viteve ’60 në banesat apo apartamentet e njerëzve të shquar të kohës, si ato të familjeve Luarasi, Shuteriqi, Pollo, Zamputi, Çabej, e shumë të tjera, ku im Atë m’ë dërgonte shpesh si “postier” me strajce lecke për të çuar apo për të marrë libra, dorëshkrime shkëmbimi apo letra të redaktuara për botime, etj. Padashje në kësi rastesh merrja “leksione pamore” dhe shpesh edhe “vokale” nga ata intelektualë të shquar, për të cilën nuk besoj se im atë e bënte pa qëllim, etj.

    Por nuk mund t’a harroj: Kur po bëhesha gati të filloja klasën e parë fillore në shtator 1956, atë verë “xhaxhi Milto” m’ë futi një ditë në bodrumin e artë të tij dhe m’ë dhuroi me një ceremoni të urtë intime drithtëruese, një seri të plotë të Revistës së tij për fëmijë “Mituria”. Koleksionin e ruaj edhe sot, megjithëse shumë prej revistave janë të dëmtuara nga leximet, pasi kohë pas kohe ato i morën edhe shokët e mi të mitur për t’i lexuar. Nuk e harroj kur m’ë tha, duke kërkuar të m’ë nguliste në vëmendje, se sapo të filloja shkollën dhe të mësoja të lexoja me kuptim, duhet t’i lexoja kohë pas kohe tërë tregimet që ishin botuar aty, një pjesë e mirë e të cilave ishin shkruar prej tij. Natyrisht e bëra këtë jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët.

    I nderuar Nasho, nuk m’ë solle vetëm kujtimet mbi shkrimtarin dhe shqiptarin Rilindas Milto Gurrën, por edhe flladin e patriotizmit entuziast që i përshkonte mëmëdhetarët tanë intelektualë në vitet ’50–‘60 për të arsimuar dhe kualifikuar atdhetarisht njerëzit dhe vendin. Sot është bërë zakon nga të ashtuquajtura Medie të Pushtetit të gënjejnë mbi Rrugën e vështirë dhe Historinë e Bërjes së Shqipërisë në shekullin e kaluar. Kanë harruar, se duke shkelur me këpucë me baltë mbi truallin e shenjtë të Moralit Kombëtar dhe duke vjedhur pasurinë e vendit nuk do të mund kurrkush t’a gëzojë jetën e tij!

    Nuk kam pasur momente fëmijërie më me ndjenjë krenarie, kur në verandën e vilës sonë ndodheshin shpesh për të ngrënë një liko dhe për të pirë një kafé mbasditeve, tre burra komshinj moshatarë – Milto, Anastasi dhe Timo, mërgimtarë të kthyer në atdhe që kishin punuar për Shqipërinë kudo që kishin qenë. Midis këtyre mbasditeve m’ë kujtohet njëra prej tyre në vitin 1964, kur Plaku Milto kishte marrë një letër nga Plaku Noli nga Amerika dhe ua tregonte njëherazi dy bashkatdhetarëve të vet në verandën tonë. Të tre kishin qenë moshatarë, miq dhe kolegë të Nolit në mërgim dhe të ardhur në Tiranë më 1924. (Im Atë lindur më 1920 ishte pagëzuar nga vëllai i Fan Nolit në Patrikanën e Stambollit). Burra të urtë! Midis tyre në atë mbasdite ishte, si shpesh, edhe im Atë dhe dëgjoja të flisnin se kujt tjetër duhej t’ia tregonin atë letër …

    Por Milto Gurra nuk ishte i vetëm në atë shtëpi i nderuar Nasho. Ishte edhe gruaja e tij legjendare, Melpomeni Gurra, një zonjë korçare qytetare klasike e mësuar dhe e ditur. Një mikeshë e gjyshes sime Evdhoksisë Tole nga Ogreni i Dangëllisë. Nuk mund t’a harroj kur isha i mitur, se sa herë të dyja ato m’ë dërgonin nga njëra tek tjetra, nga njëra portë tek tjetra ngjitur, për të çuar dhe për të marrë diçka prej atyre që lexonin, apo për të provuar prej atyre që gatuante secila çdo ditë. Madje, edhe kur nuk kishin kohë të bënin vizita tek njëra tjetra, i linin kafetë mbi avlli dhe bisedonin me zë më të lartë nga matanë avllive, pa e parë njëra tjetrën, për gjithçka që kishin për të thënë. Nuk shqetësoheshin, në se bisedën e tyre mund t’a dëgjonte dikush tjetër … Si duket nuk kishin gjë për të fshehur!

    Faleminderit Profesor Nasho, për kujtime të thella që m’ë zgjove mik!

    (Marrë nga faqja ime e Facebook-ut)

  • As lufte per clirim,(ate qe quajne sterilet komuniste lufte per clirim).
    Keta te zijte kurbetllinj,qe u fuguan rreth Nolit,shpetuan atdheun nga thonjte e Greqise.
    I miri Sotir Gurra kishte dhe nje merite,,qe tallej me reformat rrevolucioonare te Enver Hoxhes,,me shtetezimet,kooperativizimet,garden e kuqe revolucionare.

    • “Thonjte” e Greqise zoti me komentin demo?
      Nashua “shqiptari” e ka Emrin Greke Athanasios qe do te thote i pavdekshem “shqip”.
      Magjithese Vdekje eshte (este) nga Deth
      varr,varros nga varry anglisht sic jane
      darke nga dark
      mengjes nga morning
      dite nga day drite,dritare.
      nate nga note italisht.
      ruga nga road
      udhe nga odhos greqisht
      shkurt nga short
      larg nga large.
      pidhi nga pusy.
      beteje nga batle
      semundje,semure nga sickness,
      syri nga see you.
      martuar nga marit.
      familje nga family etj,e te tjera,ecetera.
      Miltua e ka Emrin e Generalit te famshem Athinas Miltjadh o Idiot (Idhiotis greq) me comentin demo.
      Po ashtu edhe Emrin e te Atit Sotir qe do te thote Greqisht perafersisht Shpetim.
      Se fjala shpetim,shpetova greqisht do te thote glitosa.
      Kaq e pasur eshte Gluha Greke e Ilyreve dhe Epiroreve qe i thonin Polis dhe jo Qitet nga italishtja Cita.
      Shtet nga State kurse Ilyret i thonin Kratos,Aristokratos,Aristocracy.
      I thonin laos jo popull nga italishtja popola.
      Ik ha ndonje pjate me fasule se nuk je per keto pune ty o demo vellai.

  • Nderim figurave te shquara si Sotir M.Gurra!
    Faleminderit Pr. Nasho Jorgaqi!

    Shendet e mbrodhesi PENE te nderuar Nasho Jorgaqi sa, komentuesi Gjergj Kristo Frasheri (Kristo Frasherin-idhull, une)bir Zavalani),per sa shkruani per kete figure te shquar si Milto Sotir Gurra,sa, Gjergji me kenaqi si te fliste me mendien time,pothuajse,nje udhetim me te,(me gjithse une jam lindur pra lufte e perjetuar ate), per te njohur *mendiet e ndritura*qe nga Dangellia kaluar femijnine (1936-48)me mesuesin e shquar Frashelli Muharrem Skenderi,mare mesimet e para,sa mbaruar lufta,deri Gjirokastritin Reshat Shehu ,pas saj ne Tirane,me Antoneta Kocin e Jorgji Panon Drejtore shkolle,figura te tilla njohur,deri te Madhin Sterio Spase,Dhimiter Shuteriqi me shoke…Pa tjeter si *jetim* pata mangesite ne realizimin e enderave te mia- mesues dale nga 1964tra.Me kenaqet mua sot 85 vjecar, deri ne Toronto te Kanadase,me arsimtare atdhetare bashkepunoj sa, ELBASANAS,Korcare-shkodrane e Myzeqare atdhetre,po kaloj pleqerine krah *Pasues VETERANE*,ju faleminderit. Me shpresen te me dali shpirti ne *Dangeline Naimjane,pres te nisem per atdhe,sfiduar COVID-in.
    Mbrodhesi se pari ATDHEUT tone,me cpo perjeton! Toronto 30 -07-2021 Dh Xh.( Guri Naimit D.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *